Dita e fundit e jetës së Jezuit si njeri
Është e premte pasdite vonë, data 14 nisan, viti 33 i e.s. Një grup burrash e grash janë duke varrosur një mikun e tyre të dashur. Njëri nga burrat, Nikodemi, ka sjellë aroma për ta përgatitur trupin për varrim. Një burrë me emrin Jozef ka sjellë një copë të pastër liri për ta mbështjellë kufomën tërë plagë e të dërrmuar.
CILËT janë këta njerëz dhe kë po varrosin? A ka ndonjë ndikim te ti e gjithë kjo? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të kthehemi prapa, duke shqyrtuar fillimin e asaj dite historike.
E enjte në mbrëmje, 14 nisan
Mbi Jerusalem po ngrihet ngadalë një hënë e ndritshme dhe e plotë. Qyteti i mbushur plot e përplot po bie në qetësi pas një dite të zhurmshme. Këtë mbrëmje, ajri është mbushur me aromën e qengjit të pjekur. Po, mijëra njerëz po përgatiten për një ngjarje të veçantë, për kremtimin vjetor të Pashkës.
Në një dhomë të madhe mysafirësh, gjejmë Jezu Krishtin me 12 apostujt e tij, ulur në një tryezë të shtruar. Dëgjo! Jezui po flet. «Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë pashkë bashkë me ju, para se të vuaj»,—thotë ai. (Luka 22:15) Jezui e di se armiqtë e tij fetarë kanë si synim ta vrasin. Por, përpara se të ndodhë kjo, këtë mbrëmje do të ndodhë diçka shumë domethënëse.
Pasi është kremtuar Pashka, Jezui njofton: «Një nga ju do të më tradhëtojë.» (Mateu 26:21) Kjo gjë i trazon apostujt. Kush do të ishte ky? Pas disa diskutimesh, Jezui i thotë Judë Iskariotit: «Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!» (Gjoni 13:27) Edhe pse të tjerët nuk e kuptojnë, Juda është një tradhtar. Ai largohet për të përmbushur rolin e tij të poshtër në komplotin e bërë kundër Jezuit.
Një kremtim i veçantë
Tani Jezui themelon një kremtim krejt të ri, një kremtim që do të përkujtojë vdekjen e tij. Duke marrë një bukë të rrumbullakët, Jezui bën një lutje falënderimi për të dhe e ndan. «Merrni, hani,—u thotë ai.—Kjo ka si domethënie trupin tim, i cili do të jepet në dobinë tuaj.» Kur secili prej tyre ka ngrënë një copë bukë, ai merr një kupë me verë të kuqe dhe thotë një bekim për të. «Pini prej saj, që të gjithë ju,—u thotë Jezui, duke shpjeguar:—Kjo kupë ka si domethënie besëlidhjen e re, duke u mbështetur në gjakun tim, i cili do të derdhet në dobinë tuaj.» Ai i udhëzon 11 apostujt besimplotë që kanë mbetur: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.»—Mateu 26:26-28, BR; Luka 22:19, 20, BR; 1. Korintasve 11:24, 25.
Atë mbrëmje, Jezui i përgatit me dashamirësi apostujt e tij besnikë për atë që shtrihet përpara tyre dhe u vërteton dashurinë e thellë që ka për ta. «Asnjë nuk ka dashuri më të madhe se kjo,—shpjegon ai,—që dikush të dorëzojë shpirtin e tij në dobi të miqve të tij. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:13-15, BR) Po, të 11 apostujt kanë dhënë prova se janë miq të vërtetë, duke qëndruar afër Jezuit gjatë sprovave të tij.
Aty nga mbrëmja vonë, ndoshta pas mesnate, Jezui bën një lutje të paharrueshme, pas së cilës ata i këndojnë Jehovait këngë lëvdimi. Pastaj, nën dritën e hënës së plotë, ata marrin rrugën për të dalë nga qyteti dhe kapërcejnë luginën e Kidronit.—Gjoni 17:1–18:1.
Në kopshtin e Getsemanisë
Pak më vonë, Jezui dhe apostujt mbërrijnë në kopshtin e Getsemanisë. Pasi i lë tetë nga apostujt në hyrje të kopshtit, Jezui merr Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin më në brendësi, midis pemëve të ullinjve. «Shpirti im është thellësisht i pikëlluar, deri në vdekje,—u thotë ai tre apostujve.—Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar.»—Marku 14:33, 34.
Tre apostujt presin, ndërsa Jezui shkon më thellë në kopsht për t’u lutur. Me klithma të forta e me lot, ai përgjërohet: «O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë.» Mbi shpatullat e Jezuit rëndon një përgjegjësi shumë e madhe. Sa shumë vuan ai kur mendon se çfarë do të thonë armiqtë e Jehovait, kur Biri i Tij i vetëmlindur të vihet në shtyllë si të ishte një kriminel! Akoma më angështues për Jezuin është mendimi i sharjes që do të binte mbi Atin e tij të dashur qiellor, sikur Jezui të dështonte në këtë sprovë torturuese. Jezui lutet në mënyrë kaq të zjarrtë dhe bie në një angështi kaq të madhe, saqë djersa e tij bëhet si pika gjaku që bien në tokë.—Luka 22:42, 44.
Jezui sapo ka mbaruar së luturi për herën e tretë. Tani aty afrohen disa burra me pishtarë dhe llamba në duar. Ai që ecën përpara tyre s’është askush tjetër veç Judë Iskariotit, i cili vjen drejt e te Jezui. «Tungjatjeta, Mësues!»—thotë ai, duke e puthur Jezuin me shumë përzemërsi. «Judë,—përgjigjet Jezui,—ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?»—Mateu 26:49; Luka 22:47, 48; Gjoni 18:3.
Papritur, apostujt e kuptojnë çfarë po ndodh. Zotëria dhe miku i tyre i dashur do të arrestohet! Prandaj, Pjetri merr një shpatë dhe i pret veshin skllavit të kryepriftit. «Lëreni, mjaft kështu»,—thërret me të shpejtë Jezui. Duke dalë përpara, ai e shëron skllavin dhe e urdhëron Pjetrin: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Luka 22:50, 51; Mateu 26:52) Oficerët dhe ushtarët e kapin dhe e lidhin Jezuin. Të pushtuar nga frika dhe pështjellimi, apostujt e braktisin Jezuin dhe ia mbathin këmbëve nëpër natë.—Mateu 26:56; Gjoni 18:12.
E premte në mëngjes, 14 nisan
Tashmë ka kaluar mesnata dhe janë orët e para të së premtes. Jezuin e çojnë së pari në shtëpinë e ish-kryepriftit Ana, i cili ushtron ende influencë e pushtet të madh. Ana e merr në pyetje dhe më pas e dërgon në shtëpinë e kryepriftit Kajafa, ku është mbledhur Sinedri.
Tani udhëheqësit fetarë përpiqen të gjejnë dëshmitarë për të sajuar një rast gjyqësor kundër Jezuit. Por, as dëshmitarët e rremë nuk bien dakord me njëri-tjetrin në dëshminë e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe, Jezui qëndron në heshtje. Duke ndryshuar taktikën, Kajafa e pyet: «Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë!» Ky është një fakt që nuk mund të mohohet, prandaj me guxim Jezui përgjigjet: «Unë jam, dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.»—Mateu 26:63; Marku 14:60-62.
«Ai blasfemoi!—bërtet Kajafa.—Ç’na duhen më dëshmitarët?» Tani disa e qëllojnë Jezuin me shuplaka në fytyrë dhe e pështyjnë. Të tjerë e gjuajnë me grushta dhe e mbysin me sharje. (Mateu 26:65-68; Marku 14:63-65) Pak kohë pasi ka aguar dita e premte, Sinedri mblidhet përsëri, ndoshta për t’i dhënë një dukje të ligjshme gjyqit të paligjshëm që është bërë gjatë natës. Edhe një herë, Jezui tregon me guxim se ai është Krishti, Biri i Perëndisë.—Luka 22:66-71.
Pastaj, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e dorëzojnë Jezuin për t’u gjykuar nga Ponc Pilati, guvernatori romak i Judesë. Ata e akuzojnë Jezuin se ka përmbysur kombin, ka ndaluar pagimin e taksave ndaj Cezarit dhe «është vetëquajtur një mbret, Krishti». (Luka 23:2; krahaso Markun 12:17.) Pasi e merr në pyetje Jezuin, Pilati njofton: «Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri!» (Luka 23:4) Kur dëgjon se Jezui është galileas, Pilati e dërgon te Herod Antipa, sundimtari i Galilesë, i cili gjendet në Jerusalem për Pashkën. Synimi i Herodit nuk është të zbatojë drejtësinë. Ai dëshiron vetëm të shohë një mrekulli të kryer nga Jezui. Meqë Jezui nuk e kënaq kureshtjen e tij dhe qëndron në heshtje, Herodi dhe ushtarët e tij e tallin dhe e dërgojnë përsëri te Pilati.
«Po ç’të keqe bëri ky?—pyet përsëri Pilati.—Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen, prandaj pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj.» (Luka 23:22) Kështu, ai urdhëron që Jezuin ta fshikullojnë me një kamxhik me shumë rripa, i cili çjerr lëkurën e kurizit të Jezuit, duke shkaktuar shumë dhimbje. Më pas, ushtarët i ngjeshin në kokë një kurorë me gjemba. Ata e vënë në lojë dhe e godasin me një kallam të fortë, duke ia ngjeshur kurorën me gjemba edhe më thellë në kokë. Në të gjitha këto dhimbje dhe keqtrajtime të papërshkrueshme, Jezui mban një dinjitet dhe forcë të jashtëzakonshme.
Pilati ia paraqet përsëri Jezuin turmës, ndoshta me shpresë se gjendja e dërrmuar e Jezuit do të ngjallte ndopak keqardhje për të. «Shikoni!—thërret Pilati.—Po e sjell jashtë, me qëllim që ta dini se nuk gjej asnjë faj në të.» Por krerët e priftërinjve bërtasin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» (Gjoni 19:4-6, BR) Duke qenë se turma bëhet gjithnjë e më këmbëngulëse, Pilati tërhiqet dhe e dorëzon Jezuin për ta vënë në shtyllë.
Një vdekje sfilitëse
Tashmë është paradite, ndoshta aty afër drekës. Jezuin e çojnë jashtë Jerusalemit në një vend që quhet Golgota. Atij i ngulin nëpër duar e këmbë gozhdë të mëdha dhe e fiksojnë në një shtyllë mundimesh. Dhimbja e tmerrshme që ndjen Jezui kur shtylla e mundimeve ngrihet në pozicion vertikal, duke i shtuar peshën e trupit plagëve të bëra nga gozhdët, nuk përshkruhet dot me fjalë. Një turmë mblidhet për të vëzhguar Jezuin dhe dy kriminelët që po i vinin në shtyllë. Shumë prej tyre e tallin Jezuin. «Ai i shpëtoi të tjerët,—tallen krerët e priftërinjve dhe ata që ishin aty,—e nuk mund të shpëtojë vetveten!» Madje edhe ushtarët, bashkë me dy kriminelët e vënë në shtyllë, e vënë në lojë Jezuin.—Mateu 27:41-44.
Papritur, aty nga mesdita, pasi Jezui ka pak kohë që është mbi shtyllë, një errësirë e frikshme me origjinë hyjnore pllakos mbi tokë për tre orë.a Ndoshta është kjo që e shtyn njërin nga keqbërësit të qortojë tjetrin. Pastaj, duke iu kthyer Jezuit, ai i lutet: «Më kujto kur të vish në mbretërinë tënde.» Çfarë besimi mahnitës shfaq ai përballë vdekjes së pashmangshme! «Me të vërtetë, të them sot,—përgjigjet Jezui,—do të jesh me mua në Parajsë.»—Luka 23:39-43, BR.
Rreth orës tre pasdite, Jezui e ndien se po i afrohet vdekja. «Kam etje!»—thotë ai. Pastaj, me zë të lartë, thërret: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» Jezui e ndien se Ati i tij, si të thuash, e ka tërhequr prej tij mbrojtjen, me qëllim që ta lejojë integritetin e tij të sprovohet deri në cakun e fundit dhe në këtë rast ai citon fjalët e Davidit. Dikush i vendos Jezuit në buzë një sfungjer të zhytur në verë të thartë. Pasi merr ca verë, Jezui thotë duke gulçuar: «U krye!» Pasi thërret, «Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time», ai ul kokën dhe jep frymë.—Gjoni 19:28-30; Mateu 27:46; Luka 23:46; Psalmi 22:1.
Meqë është pasdite vonë, rregullimet për varrimin e Jezuit bëhen me nxitim para se të fillojë Sabati (15 nisan) me perëndimin e diellit. Jozefi i Arimatesë, një anëtar i mirënjohur i Sinedrit që ka qenë një dishepull në fshehtësi i Jezuit, merr leje për ta varrosur. Nikodemi, edhe ky një anëtar i Sinedrit që e ka rrëfyer fshehtas besimin te Jezui, e ndihmon Jozefin me 33 kilogramë mirrë dhe aloe. Me kujdes, ata e vendosin trupin e Jezuit në një varr të ri përkujtimor aty afër.
Përsëri i gjallë!
Të dielën herët në mëngjes, ndërsa është ende mugëtirë, Maria Magdalena dhe disa gra të tjera i afrohen varrit të Jezuit. Por ç’të shihnin! Guri i hyrjes së varrit është rrokullisur tutje. Varri është bosh! Maria Magdalena vrapon për t’ia treguar Pjetrit dhe Gjonit. (Gjoni 20:1, 2) Ajo sapo është larguar, kur një engjëll u shfaqet grave të tjera. Ai thotë: «Mos kini frikë.» Gjithashtu, i nxit: «Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri.»—Mateu 28:2-7.
Ndërkohë që ato ecin me ngut, përpara u del vetë Jezui! «Shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi»,—u thotë ai. (Mateu 28:8-10) Më vonë, Maria Magdalena është duke qarë te varri, kur i shfaqet Jezui. Ajo mezi e mban gëzimin dhe vrapon t’ua thotë dishepujve të tjerë lajmin e mrekullueshëm. (Gjoni 20:11-18) Në fakt, atë të diel të paharrueshme Jezui iu shfaqet pesë herë dishepujve të ndryshëm, duke mos lënë asnjë fije dyshimi se ai është vërtet përsëri i gjallë!
Çfarë ndikimi ka te ti?
Si mund të ndikojnë ngjarjet e 1.966 vjetëve më parë, te ti që tani je në pragun e shekullit të 21-të? Një dëshmitar okular i atyre ngjarjeve shpjegon: «Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen [si një flijim pajtues, BR] e mëkateve tona.»—1. Gjonit 4:9, 10.
Në ç’mënyrë vdekja e Krishtit është «një flijim pajtues»? Është pajtues, sepse bën të mundur një marrëdhënie të favorshme me Perëndinë. Njeriu i parë, Adami, u rebelua kundër Perëndisë e për këtë arsye i la si trashëgimi pasardhjes së tij mëkatin dhe vdekjen. Nga ana tjetër, Jezui e dha jetën e tij si shpërblesë, për të paguar çmimin për mëkatin dhe vdekjen e njerëzimit, duke siguruar në këtë mënyrë një bazë ku Perëndia të ofrojë mëshirën dhe favorin e tij. (1. Timoteut 2:5, 6) Duke ushtruar besim në flijimin mëkatshlyes të Jezuit, ti mund të çlirohesh nga dënimi që ke trashëguar prej Adamit mëkatar. (Romakëve 5:12; 6:23) Nga ana e vet, kjo të jep mundësinë e mrekullueshme për të pasur një marrëdhënie personale me Atin tënd të dashur qiellor, Perëndinë Jehova. Me pak fjalë, flijimi më i lartë i Jezuit mund të nënkuptojë jetë të pafundme për ty.—Gjoni 3:16; 17:3.
Këto dhe argumente të tjera lidhur me këto do të trajtohen të enjten mbrëma, më 1 prill, nëpër dhjetëra mijë vende përreth botës, kur miliona njerëz do të mblidhen për të përkujtuar vdekjen e Jezu Krishtit. Të ftojmë të jesh i pranishëm. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të tregojnë me kënaqësi se kur dhe ku mund të jesh i pranishëm. Prania aty pa dyshim do ta thellojë vlerësimin tënd për atë që bënë Perëndia ynë i dashur dhe Biri i tij i shtrenjtë ditën e fundit të jetës së Jezuit si njeri.
[Shënimi]
a Errësira nuk mund të ishte shkaktuar nga një eklips i diellit, sepse Jezui vdiq kur ishte hëna e plotë. Eklipset e diellit zgjatin vetëm disa minuta dhe ndodhin kur hëna gjendet mes tokës dhe diellit, në kohën e hënës së re.
[Tabela dhe figurat në faqen 7]
VDEKJA DHE RINGJALLJA E JEZUIT
NISAN, VITI 33 I E.S. NGJARJET NJERIU MË I MADHb
14, e enjte Kremtimi i Pashkës; Jezui u lan 113, par. 2 në mbrëmje këmbët apostujve; Juda largohet 117, par. 1
për të tradhtuar Jezuin; Krishti
themelon Përkujtimin e vdekjes
së tij (këtë vit mbahet të enjten,
më 1 prill, pas perëndimit të diellit);
këshilla për t’i përgatitur apostujt
për largimin e tij
Mesnatë deri Pas lutjes dhe këngëve të lëvdimit, 117 deri në 120
para agimit Jezui dhe apostujt shkojnë në
kopshtin e Getsemanisë; Jezui lutet
me klithma të forta dhe lot; Judë
Iskarioti mbërrin me një turmë të
madhe dhe tradhton Jezuin; apostujt
ua mbathin këmbëve, ndërsa Jezuin
e lidhin dhe e çojnë tek Ana; Jezuin
e çojnë te kryeprifti Kajafa dhe del
para Sinedrit; dënohet me vdekje;
keqtrajtohet gojarisht dhe fizikisht;
Pjetri e mohon Jezuin tri herë
E premte Sapo agon, Jezuin e çojnë përsëri para 121 deri në 124
në mëngjes Sinedrit; e çojnë te Pilati; e dërgojnë
te Herodi; e kthejnë te Pilati; Jezuin
e fshikullojnë, e fyejnë dhe e rrahin;
nën presion, Pilati e dorëzon për ta vënë
në shtyllë; e çojnë në Golgota për ta
ekzekutuar afër mesditës
Mesditë deri E vënë në shtyllë pak para kohës 125, 126
nga mesi së drekës; errësira pllakos nga dreka
i pasdites deri rreth orës tre, kur Jezui vdes;
tërmet i fortë; perdja e tempullit
çahet më dysh
Pasdite Trupin e Jezuit e vendosin në varrin 127, par. 1-7
vonë e një kopshti, para se të fillojë Sabati
15, e premte Fillon Sabati
në mbrëmje
E shtunë Pilati lejon që varri i Jezuit të ruhet 127, par. 8, 9
me roje16, e diel Herët në mëngjes gjejnë varrin e Jezuit 127, par. 10 deri
bosh; Jezui i ringjallur i shfaqet në 129 par. 10
(1) një grupi dishepujsh të përbërë
nga gra, të cilat ishin Saloma, Joana
dhe Maria, nëna e Jakovit; (2) Maria
Magdalenës; (3) Kleopasit dhe shokut të tij;
(4) Simon Pjetrit; (5) në një mbledhje të
apostujve dhe të dishepujve të tjerë
[Shënimi]
b Këtu radhiten numrat që tregojnë kapitujt në librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Për një tabelë me referimet e hollësishme biblike për pjesën e fundit të shërbimit të Jezuit, shiko librin «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», anglisht, faqe 290. Këta libra janë botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.