KAPITULLI 36
Kush do të ringjallet? Ku do të jetojnë?
NË DY kapitujt e fundit lexuam për disa veta që u ringjallën. Sa ishin, të kujtohet? . . . Ishin pesë. Sa prej tyre ishin fëmijë? . . . Tre. I katërti është quajtur djalosh. Si mendon, çfarë tregon kjo? . . .
Po, kjo tregon se Perëndia i do fëmijët dhe të rinjtë. Por ai do të ringjallë edhe shumë të tjerë. A do të ringjallë Perëndia vetëm ata që kishin bërë gjëra të mira? . . . Mund të mendojmë kështu. Megjithatë shumë njerëz nuk e mësuan dot kurrë të vërtetën për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij. Prandaj ata bënë të këqija sepse u kishin mësuar gjëra të këqija. Si thua, a do t’i ringjallë Jehovai njerëzit e tillë? . . .
Bibla thotë: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Pse do të ringjallen ata që nuk ishin të drejtë ose që nuk bënin gjëra të drejta? . . . Do të ringjallen sepse nuk patën asnjëherë mundësi të mësonin për Jehovain dhe për atë që dëshiron ai të bëjnë njerëzit.
Kur do të ringjallen njerëzit, si mendon? . . . Mendo pak për rastin kur vdiq Lazari dhe Jezui i premtoi Martës, motrës së Lazarit: «Vëllai yt do të ngrihet.» Marta iu përgjigj: «E di se do të ngrihet në ringjalljen në ditën e fundit.» (Gjoni 11:23, 24) Çfarë kishte ndër mend Marta kur tha se Lazari do të ngrihej në «ditën e fundit»? . . .
Marta kishte dëgjuar për premtimin që kishte bërë Jezui: ‘Të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do të dalin.’ (Gjoni 5:28, 29) Prandaj, ‘dita e fundit’ është koha kur të gjithë ata që janë në kujtesën e Perëndisë do të kthehen prapë në jetë. Kjo ditë e fundit nuk do të jetë e gjatë 24 orë. Do të jetë e gjatë një mijë vjet. Bibla thotë se në këtë ditë ‘Perëndia do të gjykojë banorët e tokës’. Te këta njerëz që do të gjykohen do të përfshihen edhe ata që janë ringjallur.—Veprat 17:31; 2 Pjetrit 3:8.
Mendo pak se çfarë dite e mrekullueshme do të jetë kjo! Gjatë kësaj dite njëmijëvjeçare do të kthehen në jetë miliona njerëz që kanë vdekur. Jezui e quan Parajsë vendin ku do të kthehen prapë në jetë këta njerëz. Le të shohim ku do të jetë Parajsa dhe si do të jetë jeta atje.
Ndërsa është në shtyllën e torturës, rreth tri orë para se të vdesë, Jezui i flet për Parajsën një njeriu që është vënë në shtyllën tjetër afër tij. Këtë njeri e kanë dënuar me vdekje sepse ka bërë krime. Por, kur ky kriminel e sheh Jezuin dhe dëgjon çfarë thuhet për Të, fillon të besojë te Jezui. Kështu, krimineli i thotë Jezuit: «Më kujto kur të futesh në mbretërinë tënde.» Jezui i përgjigjet: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»—Luka 23:42, 43.
Çfarë do të thotë Jezui me këtë? Ku është Parajsa? . . . Mendo pak. Në fillim fare, ku ishte Parajsa? . . . Sill ndër mend që Perëndia i dha njeriut të parë, Adamit, dhe gruas së tij një parajsë ku të jetonin, që ishte pikërisht këtu në tokë. Kjo parajsë quhej kopshti i Edenit. Në këtë kopsht kishte kafshë, po ato nuk i bënin keq asnjeriu. Kishte edhe pemë me fruta shumë të shijshme, si edhe një lumë të madh. Ishte një vend i mrekullueshëm për të jetuar.—Zanafilla 2:8-10.
Prandaj, kur lexojmë që ai kriminel do të jetë në Parajsë, tokën duhet ta mendojmë të kthyer në një vend të bukur për të jetuar. A do të jetë Jezui këtu në tokë, në Parajsë, bashkë me atë njeri që ishte më parë kriminel? . . . Jo. Pse nuk do të jetë këtu Jezui, e di? . . .
Jezui nuk do të jetë këtu sepse do të jetë në qiell, duke sunduar si Mbret mbi tokën e kthyer në Parajsë. Prandaj, Jezui do të jetë me atë njeri në kuptimin që do ta ringjallë dhe do të kujdeset për nevojat e tij. Por, pse Jezui do ta lejojë një njeri që ka qenë kriminel të jetojë në Parajsë? . . . Të shohim se mos e gjejmë përgjigjen.
A dinte gjë krimineli për qëllimet e Perëndisë para se të fliste me Jezuin? . . . Jo, nuk dinte gjë. Kishte bërë gjëra të këqija sepse nuk e dinte të vërtetën për Perëndinë. Në Parajsë ai do të mësojë për qëllimet e Perëndisë. Pastaj do të ketë mundësi të tregojë me prova nëse e do vërtet Perëndinë, duke bërë vullnetin e Tij.
A do të jetojnë të gjithë në Parajsë në tokë ata që do të ringjallen? . . . Jo, jo të gjithë. Përse jo, e di? . . . Sepse disa do të ringjallen që të jetojnë në qiell me Jezuin. Do të sundojnë me të si mbretër mbi Parajsën që është në tokë. Të shohim nga e kuptojmë këtë.
Natën para se të vdesë, Jezui u thotë apostujve të tij: ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa për të jetuar dhe unë po shkoj të përgatit një vend për ju.’ Pastaj Jezui u premton: «[Unë] do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku jam unë, të jeni edhe ju.»—Gjoni 14:2, 3.
Ku shkon Jezui pasi ringjallet? . . . Po, shkon prapë në qiell që të jetë me Atin e tij. (Gjoni 17:4, 5) Pra, Jezui u premton apostujve të tij dhe dishepujve të tjerë se do t’i ringjallë që të jenë me të në qiell. Çfarë do të bëjnë atje në qiell me Jezuin? . . . Bibla thotë se dishepujt e tij që bëjnë pjesë në «ringjalljen e parë» do të jetojnë në qiell dhe do të sundojnë mbi tokën «si mbretër me të për një mijë vjetët».—Zbulesa 5:10; 20:6; 2 Timoteut 2:12.
Sa veta do të bëjnë pjesë në «ringjalljen e parë» dhe do të sundojnë si mbretër bashkë me Jezuin? . . . Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Ati juaj ka miratuar t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Numri i atyre që përbëjnë këtë ‘kope të vogël’, të cilët ringjallen që të jenë me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore, është një numër i përcaktuar. Bibla tregon se «njëqind e dyzet e katër mijë» veta ringjallen nga toka.—Zbulesa 14:1, 3.
Sa veta do të jetojnë në Parajsë në tokë? . . . Bibla nuk e thotë. Por Perëndia u kishte thënë Adamit dhe Evës kur ishin në kopshtin e Edenit që të kishin fëmijë dhe të mbushnin tokën. Është e vërtetë që ata nuk vepruan kështu. Por Perëndia do të kujdeset që të plotësohet qëllimi i tij, pra, që toka të mbushet me njerëz të mirë.—Zanafilla 1:28; Isaia 45:18; 55:11.
Mendo sa e mrekullueshme do të jetë të jetojmë në Parajsë! E gjithë toka do të bëhet si një park. Do të ketë plot zogj, kafshë, pemë dhe lule të çdo lloji që e zbukurojnë atë. Asnjë nuk do të ketë më dhembje sepse është i sëmurë dhe asnjë nuk do të vdesë. Të gjithë do të jenë miq me njëri-tjetrin. Në qoftë se duam të jetojmë përgjithmonë në Parajsë, tani është koha që të përgatitemi për të.
Lexo edhe më tepër për qëllimin e Perëndisë për tokën te Proverbat 2:21, 22; Eklisiastiu 1:4; Isaia 2:4; 11:6-9; 35:5, 6 dhe 65:21-24.