KAPITULLI KATËR
«Ja, . . . Luani nga fisi i Judës»
1-3. Cili rrezik iu kanos Jezuit dhe si reagoi ai?
NJË turmë e madhe e armatosur me shpata e hunj po kërkonte Jezuin. Mes këtij grupi të bashkuar nga i njëjti qëllim keqdashës, ishin edhe disa ushtarë. Pasi kaluan nëpër rrugët e errëta të Jerusalemit, përshkuan luginën e Kidronit derisa arritën në Malin e Ullinjve. Ndonëse hëna ishte e plotë, ata mbanin në duar pishtarë e llamba. Mos vallë hënën e kishin mbuluar retë, ndaj i kishin marrë për të bërë dritë? Apo mendonin se ai që po kërkonin, ishte fshehur skutave të errëta? Një gjë është e sigurt: nëse dikush mendonte se Jezui do të strukej nga frika, e kishte shumë gabim.
2 Jezui ishte i vetëdijshëm se po i afrohej rreziku. Megjithatë, nuk u përpoq t’ia mbathte, por qëndroi në vend dhe i priti. Turma iu afrua. Në krye të saj ishte Juda, dikur një mik i ngushtë i Jezuit. Pa pikë turpi, ai e tradhtoi ish-zotërinë e tij, duke e identifikuar me një përshëndetje hipokrite dhe me një puthje. Prapëseprapë, Jezui e ruajti qetësinë. Pastaj, doli para turmës dhe i pyeti: «Kë po kërkoni?» «Jezuin, nazareasin»,—u përgjigjën ata.
3 Shumica e njerëzve do të dridheshin nga tmerri para një turme të tillë të armatosur. Ndoshta kjo turmë mendonte që edhe Jezui do të reagonte ashtu. Por ai nuk u struk nga frika, nuk ia mbathi dhe as nuk gënjeu për të dalë nga situata. Jo, Jezui thjesht tha: «Unë jam.» Kaq qetësi e guxim kishte në fjalët dhe qëndrimin e tij, saqë burrat u shtangën. Ata u sprapsën dhe ranë përtokë.—Gjoni 18:1-6; Mateu 26:45-50; Marku 14:41-46.
4-6. (a) Me çfarë krahasohet Biri i Perëndisë dhe pse? (b) Cilat janë tri aspektet ku shfaqi guxim Jezui?
4 Si arriti Jezui t’i bënte ballë këtij rreziku kaq të madh me gjakftohtësi dhe krejt i qetë? Falë guximit që kishte. Kjo është një nga cilësitë më të domosdoshme dhe më të admirueshme që duhet të ketë një udhëheqës. Askush nuk ka qenë kurrë aq i guximshëm sa Jezui. Në kapitullin e mëparshëm, mësuam se ai ishte shumë i përulur e zemërbutë. Ndaj me të drejtë quhet «Qengji». (Gjoni 1:29) Por, për shkak të guximit që e karakterizon, i është bërë edhe një përshkrim tjetër. Bibla thotë për Birin e Perëndisë: «Ja, . . . Luani nga fisi i Judës.»—Zbulesa 5:5.
5 Shpesh luanin e lidhim me guximin. Të ka ndodhur ndonjëherë të gjendesh përballë një luani të rritur? Mbase po, kur ke qenë në kopshtin zoologjik, ama ndiheshe i sigurt ngaqë të ndanin hekurat e kafazit të tij. Prapëseprapë, një përvojë e tillë mund të jetë tronditëse. Kur ia ngul sytë kësaj krijese të stërmadhe e të fuqishme dhe vëren se edhe ai po të sheh, vështirë të mendosh se luani mund t’ia mbathë nga frika. Bibla i referohet luanit si ‘kafsha më e fuqishme, dhe që nuk zmbrapset para askujt’. (Proverbat 30:30) Edhe Krishti ka një guxim të ngjashëm.
6 Le të shqyrtojmë si Jezui shfaqi një guxim prej luani në tri aspekte: për të mbrojtur të vërtetën, për të përkrahur drejtësinë dhe për të përballuar kundërshtimin. Do të shohim edhe se të gjithë ne, qofshim apo jo guximtarë nga natyra, mund ta imitojmë Jezuin e të tregojmë guxim.
Mbrojti me guxim të vërtetën
7-9. (a) Çfarë ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç, dhe nëse do të ishe në vend të tij, pse kjo situatë do të të ngjallte frikë? (b) Si tregoi guxim Jezui kur foli me mësuesit në tempull?
7 Në këtë botë ku sundon Satanai, «ati i gënjeshtrës», shpeshherë duhet guxim për të mbrojtur të vërtetën. (Gjoni 8:44; 14:30) Jezui nuk priti derisa të rritej për ta bërë këtë. Kur ishte 12 vjeç, pas Festës së Kalimit, mbeti prapa në Jerusalem pa prindërit e tij. Për tri ditë, Maria dhe Jozefi, nga s’e kërkuan. Më në fund, e gjetën në tempull. Çfarë po bënte atje? Ishte «ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». (Luka 2:41-50) Mendo pak si do të ishe ndier, po të ishe në vendin e Jezuit.
8 Historianët thonë se disa nga udhëheqësit fetarë më të shquar, e kishin zakon të qëndronin në tempull pas festave dhe të mësonin njerëzit në një nga portikët e mëdhenj që ndodheshin atje. Njerëzit uleshin te këmbët e tyre për t’i dëgjuar e për t’i pyetur. Këta mësues ishin njerëz të arsimuar. Njihnin shumë mirë jo vetëm Ligjin e Moisiut, por edhe ligjet e traditat e ndërlikuara njerëzore që s’kishin fund dhe që ishin shtuar ndër vite. Si do të ishe ndier ti atje, i ulur mes tyre? Do të kishe frikë? Kjo do të ishte më se e natyrshme. Imagjino tani sikur të ishe vetëm 12 vjeç. Zakonisht, fëmijët janë të ndrojtur nga natyra. (Jeremia 1:6) Disa përpiqen me çdo kusht që të mos tërheqin vëmendjen e mësuesve në shkollë. Mbase kanë frikë se mos i ngrenë në mësim, se mos vihen në qendër të vëmendjes ose se mos i vënë në siklet a i tallin.
9 E megjithatë, ja tek e gjejmë Jezuin, të ulur mes atyre njerëzve të arsimuar, duke u bërë pa frikë pyetje të thella. Dhe jo vetëm kaq. Tregimi thotë: «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me aftësinë e tij për të kuptuar dhe me përgjigjet që jepte.» (Luka 2:47) Bibla nuk na tregon se çfarë tha Jezui në këtë rast, por mund të jemi të sigurt se nuk përsëriti si papagall mësimet e rreme që qarkullonin mes mësuesve fetarë. (1 Pjetrit 2:22) Përkundrazi, mbrojti të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, dhe me siguri dëgjuesit e tij u mahnitën që ky 12-vjeçar mund të kishte një guxim e gjykim kaq të mirë.
10. Si e imitojnë sot fëmijët e krishterë guximin e Jezuit?
10 Shumë fëmijë të krishterë sot, po ndjekin gjurmët e Jezuit. Është e vërtetë që nuk janë të përsosur si Jezui i vogël, ama, ashtu si ai, nuk presin të rriten për të mbrojtur të vërtetën. Në shkollë a në lagjen ku banojnë, me takt e me respekt pyesin, dëgjojnë dhe u flasin të tjerëve për të vërtetën. (1 Pjetrit 3:15) Shumë nga këta fëmijë kanë ndihmuar shokë shkolle, mësues dhe fqinj që të bëhen dishepuj të Krishtit. Sa shumë ia gëzon zemrën Jehovait guximi i tyre! Në Fjalën e tij, ata krahasohen me bulëzat e vesës, që janë freskuese, të këndshme dhe të shumta.—Psalmi 110:3.
11, 12. Si tregoi guxim Jezui për të mbrojtur të vërtetën, edhe kur ishte i rritur?
11 Edhe kur u rrit, Jezui vazhdoi ta mbronte plot guxim të vërtetën. Për shembull, në fillim të shërbimit ai hasi një situatë që shumë veta do ta quanin të frikshme. Tashmë jo si një kryeengjëll i fuqishëm, por si një njeri prej mishi e gjaku, Jezuit iu desh të përballej me Satanain, armikun më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm të Jehovait. Ai e përgënjeshtroi dhe e hodhi poshtë zbatimin e shtrembër që i bëri Satanai Shkrimeve të frymëzuara. Pastaj i dha fund asaj bisede, duke e urdhëruar me guxim: «Ik tutje, Satana!»—Mateu 4:2-11.
12 Kështu, Jezui vendosi një model që do ta ndiqte gjatë gjithë shërbimit, duke e mbrojtur me trimëri Fjalën e Atit të tij nga përpjekjet për ta shtrembëruar ose keqpërdorur. Ashtu si sot, edhe në atë kohë, ishte më se e zakonshme që krerët fetarë të mësonin gënjeshtra. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të ditëve të tij: «E zhvleftësoni fjalën e Perëndisë për shkak të traditave që përcillni.» (Marku 7:13) Njerëzit në përgjithësi i admironin ata burra, kurse Jezui pa frikë i demaskoi si udhërrëfyes të verbër dhe hipokritë.a (Mateu 23:13, 16) Si mund ta imitojmë guximin e Jezuit në këtë aspekt?
13. Çfarë duhet të kemi parasysh kur imitojmë Jezuin, por ç’privilegj kemi?
13 Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk kemi as aftësinë e Jezuit për të lexuar zemrat dhe as autoritetin e tij për të gjykuar. Megjithatë, mund ta imitojmë guximin me të cilin ai mbronte të vërtetën. Për shembull, kur demaskojmë gënjeshtrat që thonë fetë për Perëndinë, për qëllimet që ka, dhe për Fjalën e tij, i ndihmojmë njerëzit të dallojnë dritën e së vërtetës në këtë botë të verbuar nga propaganda satanike. (Mateu 5:14; Zbulesa 12:9, 10) Kështu, po i ndihmojmë të çlirohen nga skllavëria e mësimeve të rreme, të cilat u shtijnë në zemër një frikë të sëmurë dhe ua dëmtojnë miqësinë me Perëndinë. Ç’privilegj i pashoq të shohim përmbushjen e premtimit të Jezuit: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:32.
Përkrahu me guxim drejtësinë
14, 15. (a) Cila ishte një mënyrë si e bëri të qartë Jezui «ç’është drejtësia»? (b) Cilat paragjykime nuk mori parasysh Jezui kur foli me gruan samaritane?
14 Një profeci e Biblës parathoshte se Mesia do t’u bënte të qartë kombeve «ç’është drejtësia». (Mateu 12:18; Isaia 42:1) Jezui filloi ta përmbushte këtë profeci kur ishte në tokë. Ai tregoi guxim duke i trajtuar gjithmonë njerëzit me drejtësi dhe paanshmëri. Për shembull, nuk përvetësoi fanatizmin dhe paragjykimet aq të përhapura asokohe, të cilat bien ndesh me mësimet e Biblës.
15 Kur Jezui i foli një gruaje samaritane te pusi i Siharit, dishepujt e tij u habitën. Pse? Sepse në përgjithësi judenjtë i kishin zët samaritanët, situatë kjo që ekzistonte prej shumë kohësh. (Ezdra 4:4) Për më tepër, disa rabinë i trajtonin me përbuzje gratë. Sipas rregullave rabinike, që më vonë u hodhën me shkrim, nuk ishte e përshtatshme që një burrë të bisedonte me një grua. Madje, ato rregulla linin të kuptohej se gratë nuk ishin të denja as që t’u mësohej Ligji i Perëndisë. Ato konsideroheshin të papastra, sidomos gratë samaritane. Por Jezui nuk u ndikua fare nga këto paragjykime të pabaza dhe nuk e pati problem ta mësonte në sy të të tjerëve këtë grua samaritane (e cila në atë kohë bënte një jetë imorale), madje ia tregoi hapur identitetin e tij si Mesia.—Gjoni 4:5-27.
16. Pse të krishterëve u duhet guxim që t’i hedhin poshtë paragjykimet?
16 A të ka ndodhur ndonjëherë të rrethohesh nga njerëz që kanë paragjykime të forta? Ndoshta që bëjnë shaka poshtëruese për njerëz të një race a kombi të caktuar, që flasin me përbuzje për gjininë tjetër ose përçmojnë ata që i përkasin një shtrese më të ulët ekonomike a shoqërore. Dishepujt e Krishtit nuk i miratojnë këto pikëpamje të urryera, e madje punojnë fort për të çrrënjosur nga zemra çdo gjurmë paragjykimi. (Veprat 10:34) Secili nga ne duhet të zhvillojë guximin për të qenë i paanshëm.
17. Ç’ndodhi kur Jezui shkoi në tempull dhe pse?
17 Guximi e motivoi Jezuin edhe që të nxiste me zell adhurimin e pastër dhe sjelljen e dëlirë mes popullit të Perëndisë. Në fillim të shërbimit të tij, kur vajti në Jerusalem dhe pa tregtarët e këmbyesit e parave që merreshin me tregti në tempull, u trondit thellë. Zelli për atë që është e drejtë, e shtyu Jezuin t’i dëbonte ata njerëz lakmitarë me gjithë ç’kishin me vete. (Gjoni 2:13-17) Edhe nga fundi i shërbimit të tij, bëri po njësoj. (Marku 11:15-18) Me siguri, me këto veprime bëri armiq të përbetuar, por kjo nuk e stepi. Pse? Sepse, që fëmijë ai e quante tempullin shtëpinë e Atit të tij, dhe i tillë mbeti për të. (Luka 2:49) Ndotja e adhurimit të pastër në tempull ishte një padrejtësi që s’mund ta toleronte kurrë. Zelli i dha guximin për të bërë ç’ishte e nevojshme.
18. Si mund të tregojnë guxim të krishterët sot, kur bëhet fjalë për pastërtinë e kongregacionit?
18 Edhe sot dishepujt e Krishtit duan që sjellja e tyre dhe adhurimi që i bëjnë Perëndisë, të jenë të pastër. Nëse shohin që një i bashkëkrishterë kryen mëkat të rëndë, nuk bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë, por me guxim flasin me të. (1 Korintasve 1:11) Veç kësaj, sigurohen që pleqtë të jenë në dijeni të situatës. Këta barinj të dashur i shkojnë në ndihmë kujtdo që i është dobësuar miqësia me Jehovain dhe sigurohen që kongregacioni të mbetet i pastër.—Jakovi 5:14, 15.
19, 20. (a) Ç’padrejtësi ishin të përhapura në kohën e Jezuit dhe çfarë presioni i bënin? (b) Pse dishepujt e Krishtit nuk përfshihen në politikë a në akte dhune, dhe si janë shpërblyer për këtë qëndrim?
19 Por, a duhet të nxjerrim përfundimin se Jezui luftoi kundër gjithë padrejtësive që bëheshin në botë? Në fakt, ai rrethohej nga padrejtësi të shumta. Vendin e tij e kishte pushtuar një fuqi e huaj ushtarake. Romakët i shtypnin judenjtë me ushtritë e tyre të fuqishme, u vinin taksa të rënda dhe ndërhynin madje në zakonet e tyre fetare. S’është për t’u habitur që shumë njerëz donin që Jezui të përfshihej në politikën e asaj kohe. (Gjoni 6:14, 15) Ja pse Jezuit i duhej përsëri të shfaqte guxim.
20 Ai shpjegoi se Mbretëria e tij nuk ishte pjesë e botës. Me anë të shembullit të tij, i stërviti dishepujt që t’u rrinin larg konflikteve politike të kohës dhe të përqendroheshin në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Gjoni 17:16; 18:36) Kur turma erdhi për ta arrestuar, Jezui u dha dishepujve një mësim të qartë për asnjanësinë. Në atë rast, Pjetri u hodh menjëherë në veprim, duke nxjerrë shpatën rrëmbimthi dhe duke plagosur një njeri. Reagimi i tij ishte i kuptueshëm. Prandaj, nëse do të kishte një situatë ku dhuna mund të justifikohej, do të ishte pikërisht atë natë, në momentin kur u sulmua Biri i pafajshëm i Perëndisë. E megjithatë, në atë çast Jezui vendosi standardin që do të ndiqnin dishepujt e tij këtu në tokë deri sot e kësaj dite: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:51-54) Si në atë kohë, edhe sot, dishepujve të Krishtit u është dashur guxim për të mbajtur këtë qëndrim paqësor. Për shkak të asnjanësisë së krishterë, shërbëtorët e Perëndisë sot kanë bërë një emër të mirë në sy të të tjerëve, ngaqë nuk janë përfshirë asnjëherë në luftëra, holokauste, trazira ose në akte të ngjashme dhune. Ky reputacion i shkëlqyer është një shpërblim për guximin që kanë treguar.
Përballoi me guxim kundërshtimin
21, 22. (a) Çfarë e ndihmoi Jezuin të përballonte sprovën më të rëndë? (b) Si u tregua i guximshëm deri në fund Jezui?
21 Biri i Jehovait e dinte që më përpara se do të haste kundërshtime të ashpra kur të vinte në tokë. (Isaia 50:4-7) Disa herë u orvatën ta vrisnin, përpjekje këto që arritën kulmin në rastin e përshkruar në fillim të kapitullit. Si vazhdoi të tregonte guxim Jezui përballë këtyre kërcënimeve? A të kujtohet çfarë po bënte ai para se të vinte turma për ta arrestuar? Po i lutej me zjarr Jehovait. E çfarë bëri Jehovai? Bibla na thotë se lutjet e Jezuit «u dëgjuan». (Hebrenjve 5:7) Po, Jehovai dërgoi një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë Birit të tij trim.—Luka 22:42, 43.
22 Pak pasi mori forcë nga engjëlli, Jezui u tha apostujve: «Ngrihuni, le të shkojmë.» (Mateu 26:46) Mendo sa guxim ka në këto fjalë! Ai tha, «le të shkojmë», edhe pse e dinte se do të duhej t’i kërkonte turmës që t’ia kursente miqtë. Dinte edhe se ata miq do ta braktisnin e do t’ia mbathnin dhe se do të mbetej fillikat përballë sprovës më të vështirë të jetës. I vetëm u përball me një gjyq të paligjshëm e të padrejtë, tallje, tortura dhe me një vdekje të mundimshme. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk e humbi kurrë guximin.
23. Shpjegoni pse Jezui nuk po tregonte guxim prej kokëkrisuri me mënyrën si e përballoi rrezikun dhe kërcënimin e vdekjes.
23 Mos vallë po tregohej kokëkrisur Jezui? Jo, sepse ky qëndrim s’ka të bëjë fare me guximin e vërtetë. Në fakt, ai i mësoi dishepujt të ishin të kujdesshëm, të tregoheshin të matur e të shmangnin rreziqet, me qëllim që të vazhdonin të bënin vullnetin e Perëndisë. (Mateu 4:12; 10:16) Por në këtë rast, Jezui e dinte se nuk duhej të tërhiqej, pasi e kishte të qartë cili ishte vullneti i Perëndisë për të. Meqë ishte i vendosur të mbante integritetin, e kuptonte se e vetmja mënyrë ishte ta duronte sprovën deri në fund.
24. Pse jemi të sigurt se mund të tregojmë guxim përballë çdo sprove që mund të hasim?
24 Sa e sa herë dishepujt e Jezuit kanë ndjekur me guxim gjurmët e tij! Shumë prej tyre kanë qëndruar të palëkundur përballë talljeve, përndjekjes, arrestimit, burgimit, torturave, e madje edhe vdekjes. Ku e gjejnë këtë guxim këta njerëz, edhe pse të papërsosur? Nuk është diçka e lindur. Ata marrin forcë nga lart, njësoj si Jezui. (Filipianëve 4:13) Ndaj, kurrë mos ki frikë se çfarë mund të sjellë e nesërmja. Ji i vendosur të ruash integritetin, dhe Jehovai do të të japë guximin e nevojshëm. Vazhdo të marrësh forcë nga shembulli i Udhëheqësit tonë, Jezuit, i cili tha: «Merrni zemër! Unë e munda botën.»—Gjoni 16:33.
a Historianët thonë se varret e rabinëve nderoheshin njësoj si varret e profetëve dhe të patriarkëve.