KAPITULLI GJASHTË
«Mësoi bindjen»
1, 2. Pse një baba i dashur kënaqet kur sheh të birin që i bindet dhe si ngjajnë ndjenjat e tij me ato të Jehovait?
NJË baba sheh nga dritarja djalin bashkë me shokët e tij, që po luajnë me top. Topi del nga oborri dhe përfundon në rrugë. Djali e ndjek me sy. Një shok i thotë të dalë me vrap në rrugë dhe ta marrë, por djali tund kokën dhe ia kthen: «Jo, nuk duhet të dal në rrugë.» Babai buzëqesh i kënaqur.
2 Pse është kaq i kënaqur ky baba? Sepse është ai që i ka thënë të birit të mos dalë në rrugë vetëm, dhe djali po i bindet, madje pa e ditur që i ati po e sheh. Në këtë mënyrë vëren që djali e ka kuptuar sa e rëndësishme është bindja, dhe si rezultat fëmija është më i mbrojtur. Ati ynë qiellor, Jehovai, provon ndjenja të ngjashme me ato të këtij babai. Perëndia e di se për t’i qëndruar besnikë e për të parë të ardhmen e mrekullueshme që na ka premtuar, duhet të mësojmë t’i besojmë dhe t’i bindemi. (Proverbat 3:5, 6) Ja pse na dërgoi mësuesin më të mirë që mund të ekzistojë.
3, 4. Si e «mësoi bindjen» Jezui dhe «u bë i përsosur»? Ilustroje.
3 Bibla thotë diçka mahnitëse për Jezuin: «Edhe pse ishte i biri, ai mësoi bindjen nga gjërat që vuajti dhe, pasi u bë i përsosur, u bë mjeti për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.» (Hebrenjve 5:8, 9) Ky Bir i parëlindur kishte ekzistuar në qiell për epoka të tëra. Ai pa kur Satanai dhe engjëjt e tjerë rebelë treguan mosbindje, por nuk u bashkua kurrë me ta. Në një profeci të frymëzuar thuhen këto fjalë për të: «Unë nuk u rebelova.» (Isaia 50:5) Prandaj, nëse Biri i ishte bindur gjithnjë Atit të tij, pse themi që «mësoi bindjen»? Si ka mundësi që një krijesë tashmë e përsosur, ‘të bëhej e përsosur’?
4 Ta ilustrojmë. Një murator shkon të blejë një vegël pune dhe e zgjedh të një cilësie shumë të mirë. Por, si mund të sigurohet që ajo është vërtet e tillë? Edhe pse në pamje të parë duket shumë e mirë, vetëm kur të fillojë ta përdorë në punë të rënda, do të jetë i sigurt që është vërtet cilësore. Po kështu ishte edhe me Jezuin. Para se të vinte në tokë, ai i bindej Jehovait, dhe bindja e tij ishte pa asnjë të metë. Por më pas, kur erdhi në tokë, bindja e tij fitoi një cilësi krejt tjetër. Tani bindja e tij po sprovohej në rrethana që Jezui nuk do t’i kishte hasur kurrë në qiell.
5. Pse ishte kaq thelbësore bindja e Jezuit dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
5 Që Jezui të përmbushte caktimin e tij në tokë, bindja ishte thelbësore. Ai quhet «Adami i fundit», sepse erdhi në tokë për të bërë atë që nuk bëri Adami: të vazhdonte t’i bindej Perëndisë Jehova edhe në sprova. (1 Korintasve 15:45) Megjithatë, bindja e Jezuit nuk ishte mekanike. Ai tregonte bindje me gjithë mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Dhe e bënte këtë me gëzim. Për të, bërja e vullnetit të Atit ishte më e rëndësishme se ushqimi. (Gjoni 4:34) Çfarë do të na ndihmojë të imitojmë bindjen që tregoi Jezui? Së pari, le të shqyrtojmë motivet që e shtynin të bindej. Nëse kemi edhe ne të njëjtat motive, do të arrijmë t’u kundërvihemi tundimeve dhe të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Më pas, do të shohim disa shpërblime që vijnë kur bindemi si Krishti.
Motivet që e shtynin Jezuin të bindej
6, 7. Cilat ishin disa arsye pse bindej Jezui?
6 Bindja e Jezuit buronte nga zemra e tij. Siç e pamë në kapitullin 3, Krishti ishte i përulur në zemër. Njerëzit arrogantë nuk duan t’i binden askujt, por nëse jemi të përulur, do t’i bindemi me dëshirë Jehovait. (Eksodi 5:1, 2; 1 Pjetrit 5:5, 6) Veç kësaj, gjërat që Jezui donte dhe urrente, e ndihmuan t’i bindej Jehovait.
7 Para së gjithash, Jezui e donte Atin e tij qiellor, Jehovain. Në kapitullin 13 do të flasim më me hollësi për këtë dashuri. Dashuria e madhe për Jehovain e shtynte të kishte respekt të thellë për të, ndaj nuk donte të bënte asgjë që mund t’i shkaktonte pakënaqësi atij. Nderimi i thellë për Perëndinë ishte një ndër arsyet pse lutjet e Jezuit u dëgjuan. (Hebrenjve 5:7) Gjithashtu, është një tipar i spikatshëm i qeverisjes së tij si Mbret mesianik.—Isaia 11:3.
8, 9. Siç ishte profetizuar, si ndihej Jezui për drejtësinë e për ligësinë dhe si i shfaqi këto ndjenja?
8 Dikush që e do Jehovain, duhet edhe të urrejë gjërat që ai urren. Për shembull, shiko këtë profeci për Mbretin mesianik: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve ligësinë. Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të mirosi me vaj e të mbushi me më shumë gëzim se mbretërit e tjerë.» (Psalmi 45:7) «Mbretërit e tjerë» ishin mbretërit e linjës familjare të Davidit. Jezui ka shkak për t’u ngazëllyer ose për t’u gëzuar tej mase me mirosjen e tij, më shumë se kushdo prej tyre. Pse? Sepse Jehovai i dha një shpërblim shumë më të madh nga ç’u kishte dhënë mbretërve të tjerë, dhe mbretërimi i tij do të sjellë ku e ku më shumë bekime për të gjithë njerëzit. Ai u shpërblye ngaqë dashuria për drejtësinë dhe urrejtja për ligësinë e shtynë t’i bindej Perëndisë në çdo gjë.
9 Si e tregoi Jezui se çfarë ndiente për drejtësinë dhe për ligësinë? Për shembull, si u ndie ai kur dishepujt iu bindën udhëzimeve të tij për veprën e predikimit, dhe si rezultat u bekuan? U mbush me gëzim. (Luka 10:1, 17, 21) Po kur populli i Jerusalemit tregonte vazhdimisht mosbindje, pavarësisht nga përpjekjet e tij të dashura për t’i ndihmuar, si u ndie? Ai qau për shkak të qëndrimit rebel të atij qyteti. (Luka 19:41, 42) Po, sjellja e njerëzve, qoftë e mirë a e keqe, ndikonte te ndjenjat e Jezuit.
10. Cilat ndjenja duhet të zhvillojmë kur bëhet fjalë për të drejtën dhe të gabuarën, e çfarë do të na ndihmojë për këtë?
10 Meditimi rreth ndjenjave të Jezuit na ndihmon të shqyrtojmë motivet pse i bindemi Jehovait. Sado të papërsosur të jemi, prapëseprapë mund të zhvillojmë dashuri të thellë për atë që është e drejtë dhe urrejtje të fortë për atë që është e gabuar. Duhet t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë të zhvillojmë ndjenja si të tijat dhe të Birit të tij. (Psalmi 51:10) Në të njëjtën kohë, duhet të shmangim ato gjëra që i gërryejnë këto ndjenja. Ndaj është thelbësore të zgjedhim me kujdes zbavitjen dhe shoqërinë. (Proverbat 13:20; Filipianëve 4:8) Nëse zhvillojmë të njëjtat motive si të Krishtit, bindja jonë nuk do të jetë sa për sy e faqe. Kështu, do të bëjmë atë që është e drejtë sepse duam ta bëjmë. Veç kësaj, do t’i shmangim veprimet e gabuara jo nga frika se mos na zbulojnë, por sepse e urrejmë të keqen.
«Nuk kreu asnjë mëkat»
11, 12. (a) Çfarë i ndodhi Jezuit në fillim të shërbimit? (b) Ç’taktika tinëzare përdori në fillim Satanai për të tunduar Jezuin?
11 Urrejtja që Jezui ndiente për mëkatin, u vu në provë që në fillim të shërbimit të tij. Pas pagëzimit, ai kaloi 40 ditë e 40 net në shkretëtirë pa ngrënë. Në fund të asaj periudhe, Satana Djalli erdhi për ta tunduar. Vër re sa tinëzar u tregua!—Mateu 4:1-11.
12 Së pari, Satanai i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» (Mateu 4:3) Jezui kishte agjëruar për një kohë të gjatë, ndaj Bibla thotë hapur: «E mori uria.» (Mateu 4:2) Satanai e dinte se Jezui ishte i uritur dhe i dobët fizikisht, ja pse e përdori këtë situatë për ta tunduar. Shiko edhe mënyrën tinëzare që përdori për ta sfiduar: «Nëse je bir i Perëndisë.» Sikur s’e dinte që Jezui ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit»! (Kolosianëve 1:15) Gjithsesi, Jezui nuk lejoi të binte pre e provokimit dhe nuk tregoi mosbindje. Ai e dinte se nuk ishte vullneti i Perëndisë që ta përdorte fuqinë e tij për arsye egoiste. Ndaj nuk pranoi ta bënte këtë, duke treguar kështu se mbështetej me përulësi te Jehovai për ndihmë e drejtim.—Mateu 4:4.
13-15. (a) Cili ishte tundimi i dytë dhe i tretë që i bëri Satanai Jezuit dhe si u përgjigj ky? (b) Si e dimë që Jezui duhej të ishte gjithmonë vigjilent?
13 Në përpjekjen e dytë për ta tunduar, Satanai e çoi Jezuin lart, te bedenat e tempullit. Duke shtrembëruar me dinakëri Fjalën e Perëndisë, Satanai i kërkoi Jezuit të bënte një shfaqje para njerëzve: të hidhej nga kjo lartësi me qëllim që ta shpëtonin engjëjt. Në rast se turma në tempull do të shihte një mrekulli të tillë, a do të guxonte kush të vinte në dyshim se Jezui ishte Mesia i premtuar?! E nëse, falë kësaj shfaqjeje, turmat e pranonin Jezuin si Mesinë, a nuk do të shmangte kështu ai shumë vështirësi e probleme? Ndoshta. Por Jezui e dinte se vullneti i Jehovait ishte që Mesia ta kryente caktimin me përulësi, jo të përdorte shfaqje spektakolare për t’i bërë njerëzit të besonin tek ai. (Isaia 42:1, 2) Edhe një herë, Jezui nuk pranoi të tregonte mosbindje ndaj Jehovait. Për të, fama nuk kishte fare vlerë.
14 Po pushteti? Në orvatjen e tretë, Satanai i ofroi Jezuit të gjitha mbretëritë e botës, nëse ky do ta adhuronte një herë. A e mori në konsideratë Jezui ofertën e Satanait? Përgjigjja e tij ishte: «Ik tutje, Satana!» Pastaj shtoi: «Se është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mateu 4:10) Asgjë s’do ta detyronte kurrë Jezuin të adhuronte një perëndi tjetër. Asnjë ofertë për pushtet ose autoritet në këtë botë s’do ta shtynte të shfaqte mosbindje ndaj Jehovait.
15 A u dorëzua Satanai? Është e vërtetë që u largua kur e urdhëroi Jezui, por në Ungjillin sipas Lukës thuhet se Djalli «u largua nga ai duke pritur një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Po, Satanai do të kërkonte raste të tjera për ta sprovuar e për ta tunduar Jezuin për sa kohë të ishte në tokë. Bibla na thotë se Jezui ‘u sprovua në çdo aspekt’. (Hebrenjve 4:15) Ndaj ai duhej të ishte gjithmonë vigjilent, e po kështu duhet të jemi edhe ne.
16. Si i tundon Satanai sot shërbëtorët e Perëndisë dhe si mund t’i hedhim poshtë përpjekjet e tij?
16 Satanai vazhdon t’i tundojë edhe sot shërbëtorët e Perëndisë. Mjerisht, për shkak të papërsosmërive tona, jemi pre edhe më e lehtë për të. Me dinakëri luan me prirjen tonë për të qenë egoistë, krenarë dhe të etur për pushtet. Duke përdorur si karrem materializmin, Satanai mund t’i shfrytëzojë madje të gjitha këto prirje njëherësh. Është jetësore që herë pas here të ndalemi e të bëjmë një vetëshqyrtim të ndershëm. Duhet të meditojmë për fjalët që gjejmë te 1 Gjonit 2:15-17. Ndërsa e bëjmë këtë, mund të pyesim veten: «A na e kanë gërryer sadopak dashurinë për Atin tonë qiellor dëshirat e trupit mëkatar, lakmia për gjërat materiale dhe dëshira për t’u bërë përshtypje të tjerëve?» Nuk duhet të harrojmë se kjo botë po kalon, e po ashtu edhe sundimtari i saj, Satanai. Ndaj, le t’i hedhim poshtë përpjekjet e tij dinake për të na joshur drejt mëkatit! Qoftë Zotëria ynë, i cili «nuk kreu asnjë mëkat», shembull motivues për ne!—1 Pjetrit 2:22.
«Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij»
17. Si ndihej Jezui kur i bindej Atit të tij, por çfarë mund të thonë disa?
17 Bindja përfshin shumë më tepër sesa thjesht të mos mëkatosh. Krishti zbatoi me vendosmëri çdo urdhër të Atit të tij. Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:29) Kjo bindje i sillte shumë gëzim. Është e vërtetë që disa mund të thonë se Jezui e kishte më të lehtë se ne të bindej. Ndoshta ngaqë mendojnë se ai i bindej vetëm Jehovait, i cili është i përsosur, ndryshe nga ne që duhet t’u bindemi njerëzve me autoritet, por që janë të papërsosur. Por, e vërteta është se Jezui u bindej edhe njerëzve të papërsosur që kishin autoritet.
18. Çfarë shembulli la Jezui për bindjen kur ishte fëmijë?
18 Gjatë fëmijërisë, Jezui ishte nën autoritetin e prindërve të tij të papërsosur njerëzorë, Jozefit dhe Marisë. Me siguri, ai mund të dallonte të metat e prindërve të tij më shumë se çdo fëmijë tjetër. Por, a u rebelua, duke mos mbajtur vendin e tij dhe duke u treguar prindërve si duhej të kujdeseshin për familjen? Shiko çfarë thuhet te Luka 2:51 për Jezuin 12-vjeçar: «Vazhdoi t’u nënshtrohej [atyre].» Me këtë bindje, ai la një shembull të shkëlqyer për fëmijët e krishterë, të cilët përpiqen t’u binden prindërve dhe t’u tregojnë respektin e duhur.—Efesianëve 6:1, 2.
19, 20. (a) Cilat sfida të veçanta hasi Jezui për sa i përket bindjes ndaj njerëzve të papërsosur? (b) Pse të krishterët e vërtetë sot duhet të jenë të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin?
19 Jezui iu bind njerëzve të papërsosur edhe në disa situata të vështira, që të krishterët e vërtetë sot s’kanë për t’i përjetuar ndonjëherë. Mendo për periudhën e pazakontë në të cilën jetoi. Për shumë kohë, Jehovai kishte miratuar sistemin fetar judaik, pjesë e të cilit ishte tempulli i Jerusalemit dhe priftëria. Por shumë shpejt, ky sistem do të hidhej poshtë dhe do të zëvendësohej me kongregacionin e krishterë. (Mateu 23:33-38) Ndërkohë, shumë nga udhëheqësit fetarë u mësonin njerëzve gënjeshtra të bazuara në filozofinë greke. Në tempull, korrupsioni ishte kaq sheshit, sa Jezui e quajti «shpellë kusarësh». (Marku 11:17) Por, a i shmangu Jezui sinagogat dhe tempullin? Jo! Jehovai ende po e përdorte atë sistem adhurimi. Jezui vazhdoi të bindej dhe të shkonte në tempull e në sinagogë, deri në momentin që Perëndia ndërhyri për të bërë ndryshime.—Luka 4:16; Gjoni 5:1.
20 Nëse Jezui tregoi bindje edhe në ato rrethana, aq më shumë duhet të tregojnë bindje të krishterët e vërtetë sot! Në fund të fundit, jetojmë në një periudhë shumë më ndryshe, në periudhën e rivendosjes së adhurimit të vërtetë, të parathënë prej kohësh. Perëndia na siguron se nuk do ta lejojë kurrë Satanain të korruptojë popullin e tij të rivendosur. (Isaia 2:1, 2; 54:17) Është e vërtetë që të gjithë në kongregacionin e krishterë janë të papërsosur dhe mëkatarë. Por, a duhet t’i përdorim papërsosmëritë e të tjerëve si justifikim për të mos iu bindur Jehovait, ndoshta duke mos ndjekur më mbledhjet e krishtere ose duke kritikuar pleqtë? Kurrsesi! Përkundrazi, i mbështetim me gjithë zemër ata që marrin drejtimin në kongregacion. Tregojmë bindje duke ndjekur mbledhjet, asambletë e kongreset e krishtere dhe duke zbatuar këshillat e Biblës që marrim atje.—Hebrenjve 10:24, 25; 13:17.
21. Si reagoi Jezui ndaj presionit të njerëzve për të mos iu bindur Perëndisë dhe çfarë shembulli la për ne?
21 Jezui nuk i lejoi kurrë të tjerët, madje as miqtë e tij, ndonëse me qëllime të mira, ta pengonin t’i bindej Jehovait. Për shembull, apostulli Pjetër u përpoq ta bindte Zotërinë e tij se s’ishte e nevojshme që të vuante e të vdiste. Edhe pse motivet e Pjetrit ishin të mira, këshilla e tij binte ndesh me vullnetin e Jehovait, prandaj me vendosmëri Jezui e hodhi poshtë. (Mateu 16:21-23) Sot, të afërmit tanë shpesh nisen nga qëllime të mira kur përpiqen të na mbushin mendjen që të mos u bindemi ligjeve dhe parimeve të Perëndisë. Por, ashtu si dishepujt e Jezuit në shekullin e parë, edhe ne «i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve».—Veprat 5:29.
Shpërblimet kur tregojmë bindje si të Krishtit
22. Cilës pyetje i dha përgjigje Jezui dhe si e bëri këtë?
22 Kur Jezui ishte përballë vdekjes, bindja e tij u sprovua në mënyrën më ekstreme. Gjatë asaj dite të zymtë, ai e «mësoi bindjen» në kuptimin më të plotë të mundshëm, duke mos bërë vullnetin e vet, por të Atit. (Luka 22:42) Kështu la një shembull të përsosur integriteti. (1 Timoteut 3:16) Jezui i dha përgjigje pyetjes që ishte ngritur prej shumë kohësh: a mund të vazhdojë t’i bindet Jehovait një njeri i përsosur edhe në sprova? Adami kishte dështuar, e po ashtu edhe Eva. Por kur erdhi Jezui, me jetën dhe vdekjen e tij, tregoi se Satanai ishte gënjeshtar. Krijesa më e rëndësishme e Jehovait iu bind, edhe kur bindja i kushtoi shtrenjtë.
23-25. (a) Si lidhet bindja me integritetin? Ilustroje. (b) Çfarë do të trajtohet në kapitullin vijues?
23 Integriteti, domethënë përkushtimi me gjithë zemër ndaj Jehovait, shprehet me anë të bindjes. Me bindjen e tij, Jezui tregoi se e ruajti integritetin, dhe kjo i solli dobi gjithë njerëzimit. (Romakëve 5:19) Jehovai e shpërbleu shumë për këtë. Ai do të na shpërblejë edhe ne, nëse i bindemi Krishtit, Zotërisë tonë. Bindja ndaj Krishtit na siguron ‘shpëtim të përhershëm’.—Hebrenjve 5:9.
24 Për më tepër, vetë integriteti është një shpërblim që vjen si rezultat i bindjes. Te Proverbat 10:9 thuhet: «Kush ecën me integritet, do të ecë i sigurt.» Në rast se integriteti do të krahasohej me një vilë të madhe të ndërtuar me tulla të forta, çdo akt bindjeje mund të krahasohej me një tullë. Një tullë mund të duket e papërfillshme, ama ka vendin dhe vlerën e saj. Nga ana tjetër, kur bashkojmë shumë tulla, ndërtohet diçka me vlerë shumë më të madhe. Po kështu, kur aktet e bindjes grumbullohen ditë pas dite e vit pas viti, ndërtojmë një strukturë të mrekullueshme integriteti.
25 Bindja e vazhdueshme na sjell ndër mend një cilësi tjetër: qëndrueshmërinë. Në kapitullin vijues do të trajtojmë shembullin që la Jezui për sa i përket kësaj cilësie.