Luka—Një bashkëpunëtor i dashur
ROMË, viti 65 i e.s. Luka i dinte rreziqet nëse identifikohej si mik i apostullit Pavël, i cili në atë kohë do të gjykohej për shkak të besimit. Dukej se Pavli do të dënohej me vdekje. Por, gjatë kësaj kohe kritike, vetëm Luka ishte me të.—2 Timoteut 4:6, 11.
Emri Lukë është i njohur për lexuesit e Biblës, pasi Ungjilli që shkroi, mban emrin e tij. Luka bëri udhëtime të gjata me Pavlin i cili e quajti ‘mjek i dashur’ dhe ‘bashkëpunëtor’. (Kolosianëve 4:14; Filemonit 24) Në Shkrime nuk flitet shumë për Lukën, i cili përmendet vetëm tri herë. Megjithatë, ndërsa shqyrtoni gjërat që janë zbuluar për të, mund të keni edhe ju të njëjtin vlerësim që kishte Pavli për këtë të krishterë besnik.
Shkrimtar dhe misionar
Ungjilli i Lukës dhe libri i Veprave të Apostujve i drejtohen Teofilit, dhe kjo tregon se të dyja këto dokumente të frymëzuara nga Perëndia i shkroi Luka. (Luka 1:3; Veprat 1:1) Luka nuk thotë se ka qenë i pranishëm gjatë shërbimit të Jezu Krishtit. Përkundrazi thotë se informacionet i mblodhi nga dëshmitarë okularë dhe ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi’. (Luka 1:1-3) Prandaj, ka mundësi që Luka u bë dishepull i Krishtit pak kohë pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.
Disa hedhin idenë se Luka ishte nga Antiokia e Sirisë. Ata theksojnë se libri i Veprave jep hollësi të ngjarjeve që ndodhën në atë qytet dhe se veçon një nga shtatë ‘burrat për të cilët flitet mirë’ duke e quajtur «një prozelit nga Antiokia», kurse qytetet e gjashtë burrave të tjerë nuk përmenden në mënyrë konkrete. Natyrisht, nga këto fjalë nuk mund të themi me siguri se Luka tregoi këtë interes të veçantë për Antiokinë ngaqë ishte vërtet qyteti i tij.—Veprat 6:3-6.
Megjithëse Luka nuk përmendet me emër te Veprat, në disa fragmente përdoren përemra dhe folje në vetën e parë shumës. Kjo tregon se ai mori pjesë në disa prej ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër. Kur Luka përshkruan udhëtimin e Pavlit dhe të shokëve të tij nëpër Azinë e Vogël, ai thotë: «Kaluan Misinë dhe zbritën në Troadë.» Pikërisht në Troadë Pavli pati një vegim ku një maqedonas i përgjërohej: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» Më tej, Luka thotë: «Menjëherë pas vegimit, u përpoqëm të shkonim në Maqedoni.» (Veprat 16:8-10) Kalimi nga veta e tretë në vetën e parë shumës lë të nënkuptojë se Luka u bashkua në Troadë me ata që shoqëronin Pavlin. Më pas Luka përshkroi veprën e predikimit në Filipi në vetën e parë shumës, duke treguar kështu se mori pjesë edhe vetë. Ai shkruan: «Ditën e sabatit dolëm jashtë portës së qytetit, buzë një lumi, ku mendonim se kishte një vend për t’u lutur. U ulëm e nisëm t’u flitnim grave që ishin mbledhur.» Si rrjedhim, Lidia dhe të gjithë ata të shtëpisë së saj pranuan lajmin e mirë dhe u pagëzuan.—Veprat 16:11-15.
Ata hasën kundërshtim në Filipi ku Pavli shëroi një shërbëtore që bënte parashikime nën ndikimin e ‘një demoni falli’. Kur zotërinjtë e saj panë se s’kishin më shpresë të nxirrnin fitime nga ajo, zunë Pavlin e Silën, i rrahën dhe i futën në burg. Duket se Lukën nuk e arrestuan, sepse ai i përshkruan peripecitë e shokëve të tij në vetën e tretë shumës. Kur i liruan, Pavli dhe Sila «u dhanë zemër [vëllezërve] dhe u nisën». Luka shkroi përsëri në vetën e parë shumës vetëm kur Pavli u kthye në Filipi më vonë. (Veprat 16:16-40; 20:5, 6) Ndoshta Luka kishte qëndruar në Filipi për të mbikëqyrur veprën në atë vend.
Mbledh informacione
Si e gjeti Luka materialin që hodhi me shkrim në Ungjillin e tij dhe në librin e Veprave? Disa pjesë nga Veprat ku flitet në vetën e parë shumës—ato në të cilat Luka përfshin veten—tregojnë se ai e shoqëroi Pavlin nga Filipia në Jerusalem, ku Pavlin e arrestuan përsëri. Gjatë rrugës, Pavli me njerëzit që e shoqëronin, qëndruan në Cezare tek ungjillëzuesi Filip. (Veprat 20:6; 21:1-17) Luka mund t’i ketë mbledhur nga Filipi informacionet për tregimin në lidhje me veprën e misionarëve të hershëm në Samari. Filipi kishte qenë në ballë të veprës së predikimit në atë vend. (Veprat 8:4-25) Por cilat ishin burimet e tjera të informacioneve të Lukës?
Ndoshta gjatë dy vjetëve që Pavli qëndroi i burgosur në Cezare, Luka pati mundësi të bënte kërkime për Ungjillin e tij. Jo shumë larg ndodhej Jerusalemi, ku Luka mund të konsultonte regjistrimet gjenealogjike në lidhje me Jezuin. Luka shkroi shumë ngjarje nga jeta dhe shërbimi i Jezuit që gjenden vetëm në Ungjillin e tij. Një studiues ka vërejtur 82 raste të tilla.
Ka mundësi që Luka i mësoi gjërat rreth lindjes së Gjon Pagëzorit nga Elizabeta, nëna e Gjonit. Hollësitë për lindjen dhe vitet e para të jetës së Jezuit duhet t’i ketë marrë nga nëna e Jezuit, Maria. (Luka 1:5–2:52) Mbase Pjetri, Jakovi ose Gjoni i treguan Lukës për rastin kur zunë peshq falë një mrekullie të Jezuit. (Luka 5:4-10) Vetëm në Ungjillin e Lukës mësojmë për disa ilustrime të Jezuit, si për shembull: për samaritanin e mirë, derën e ngushtë, drahmën e humbur, djalin plëngprishës, si edhe për të pasurin e Lazarin.—Luka 10:29-37; 13:23, 24; 15:8-32; 16:19-31.
Luka tregoi shumë interes për njerëzit. Ai shkroi për flijimin e pastrimit që paraqiti Maria, për ringjalljen e djalit të vejushës dhe për rastin kur një grua ia leu këmbët me vaj Jezuit. Luka përmend gratë që i shërbenin Jezuit, dhe thotë se Marta dhe Maria e mikpritën Atë. Ungjilli i Lukës tregon për shërimin e një gruaje që ishte krejt e kërrusur dhe të një njeriu që i mblidhte trupi ujë, si edhe për pastrimin e dhjetë të lebrosurve. Luka flet për Zakeun shtatvogël që u ngjit në pemë për të parë Jezuin dhe për pendimin që shfaqi një keqbërës i vënë në shtyllë pranë Jezuit.—Luka 2:24; 7:11-17, 36-50; 8:2, 3; 10:38-42; 13:10-17; 14:1-6; 17:11-19; 19:1-10; 23:39-43.
Vlen të përmendet se Ungjilli i Lukës shkruan për mjekimin e një plage nga samaritani i mirë në ilustrimin e Jezuit. Me sa duket, nga këndvështrimi i një mjeku, Luka jep përshkrimin që i bëri Jezui këtij mjekimi, përfshirë verën si antiseptik, vajin si qetësues dhe lidhjen e plagës.—Luka 10:30-37.
Kujdeset për Pavlin në burg
Luka merakosej për apostullin Pavël. Kur Pavli ishte në burg në Cezare, guvernatori romak, Feliksi, urdhëroi që ‘të mos ndalohej asnjë nga njerëzit e [Pavlit] që t’i shërbenin’. (Veprat 24:23) Ka mundësi që Luka ishte një nga këta. Meqë Pavli nuk ishte gjithnjë mirë me shëndet, ky ‘mjek i dashur’ mund të jetë kujdesur për të.—Kolosianëve 4:14; Galatasve 4:13.
Kur Pavli iu apelua Cezarit, guvernatori Fest e dërgoi Pavlin në Romë. Me besnikëri Luka e shoqëroi të burgosurin Pavël në udhëtimin e gjatë për në Itali dhe i bëri një përshkrim të gjallë shkatërrimit të anijes së tyre. (Veprat 24:27; 25:9-12; 27:1, 9-44) Kur ishte në arrest shtëpie në Romë, Pavli shkroi disa letra të frymëzuara, duke përmendur Lukën në dy prej tyre. (Veprat 28:30; Kolosianëve 4:14; Filemonit 24) Ndoshta ishte gjatë kësaj periudhe dyvjeçare që Luka shkroi librin e Veprave.
Ka shumë mundësi që shtëpia ku rrinte Pavli në Romë ziente nga aktivitetet frymore. Atje Luka mund të jetë lidhur me disa nga bashkëpunëtorët e tjerë të Pavlit, si për shembull, Tikiku, Aristarku, Marku, Justi, Epafrai dhe Onesimi.—Kolosianëve 4:7-14.
Gjatë burgosjes së dytë, kur Pavli mendonte se po i afrohej vdekja, Luka besnik dhe i guximshëm ishte në krah të tij, edhe pse të tjerët e kishin braktisur Pavlin. Luka mund t’i ketë qëndruar pranë duke rrezikuar edhe vetë lirinë e tij. Në rolin e shkruesit, Luka mund të ketë shkruar fjalët e Pavlit: «Me mua është vetëm Luka.» Sipas gojëdhënave, jo shumë kohë më pas, Pavlit i prenë kokën.—2 Timoteut 4:6-8, 11, 16.
Luka ishte vetëmohues dhe modest. Ai nuk i trumbetonte njohuritë e tij dhe as kapardisej para të tjerëve. Mund të vazhdonte të bënte jetën e tij si mjek, por zgjodhi të çonte përpara interesat e Mbretërisë. Ashtu si Luka, le të shpallim me altruizëm lajmin e mirë dhe të shërbejmë përulësisht në lavdi të Jehovait!—Luka 12:31.
[Kutia në faqen 19]
CILI ISHTE TEOFILI?
Luka ia drejtonte Teofilit Ungjillin e tij dhe Veprat e Apostujve. Në Ungjillin e Lukës ky person quhet «fort i shkëlqyeri Teofil». (Luka 1:3) «Fort i shkëlqyeri» ishte një titull për t’iu drejtuar një individi të shquar e të pasur dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë romake. Apostulli Pavël iu drejtua Festit, guvernatorit të Judesë, në një mënyrë të ngjashme.—Veprat 26:25.
Duket se Teofili kishte dëgjuar mesazhin për Jezuin dhe kishte treguar interes për të. Luka shpresonte se Ungjilli i tij do ta ndihmonte Teofilin që ‘të njihte plotësisht se sa të sigurta ishin gjërat që i kishin mësuar gojarisht’.—Luka 1:4.
Sipas studiuesit të greqishtes Riçard Lenski, ka pak të ngjarë që Teofili të ishte besimtar kur Luka e quajti «fort i shkëlqyeri», sepse «në gjithë literaturën e krishterë . . . asnjë i krishterë nuk i drejtohet një të krishteri tjetër me një titull të tillë nderi». Kur më vonë shkroi librin e Veprave, Luka nuk përdori titullin «fort i shkëlqyeri», por tha vetëm: «O Teofil.» (Veprat 1:1) Lenski nxjerr këtë përfundim: «Kur Luka i shkroi Ungjillin Teofilit, ky njeri i shquar nuk ishte ende një i krishterë, por ishte mjaft i interesuar për krishterimin. Kurse, kur Luka i dërgoi librin e Veprave, Teofili ishte bërë i tillë.»