Kapitulli tridhjetë
«Ngushëlloni popullin tim»
1. Cila është një mënyrë në të cilën na ngushëllon Jehovai?
JEHOVAI është ‘Perëndia i ngushëllimit’. Një mënyrë në të cilën ai na ngushëllon është nëpërmjet premtimeve që ka bërë të shkruhen në fjalën e tij. (Romakëve 15:4, 5) Për shembull, kur gjendemi përballë vdekjes së një personi të dashur, çfarë mund të jetë më ngushëlluese, sesa perspektiva e ringjalljes së tij në botën e re të Perëndisë? (Gjoni 5:28, 29) Gjithashtu, ç’të themi lidhur me premtimin e Jehovait për t’i dhënë fund së shpejti ligësisë dhe për ta transformuar tokën në një parajsë? A nuk është ngushëlluese perspektiva për të mbijetuar e për të hyrë në atë Parajsë të ardhshme dhe për të mos vdekur kurrë?—Psalmi 37:9-11, 29; Zbulesa 21:3-5.
2. Pse mund t’i besojmë premtimet e Perëndisë?
2 A mund t’i besojmë me të vërtetë premtimet e Perëndisë? Patjetër që po. Ai që i ka bërë ato premtime është plotësisht i besueshëm. Perëndia ka si mundësinë, ashtu edhe dëshirën për ta përmbushur fjalën e tij. (Isaia 55:10, 11) Një demonstrim i fuqishëm i kësaj u pa në rastin kur Jehovai pohoi nëpërmjet Isaisë se do të rivendoste adhurimin e pastër në Jerusalem. Le ta shqyrtojmë këtë profeci që gjendet në kapitullin 40 të Isaisë, sepse kjo mund ta forcojë besimin tonë te Jehovai, Përmbushësi i premtimeve.
Një premtim ngushëllues
3, 4. (a) Cilat fjalë ngushëlluese që do t’i nevojiten më vonë popullit të Perëndisë shkruan Isaia? (b) Pse do të merren në mërgim në Babiloni banorët e Judës e të Jerusalemit dhe sa do të zgjasë robëria e tyre?
3 Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Isaia shkruan fjalë ngushëlluese, të cilat do t’i nevojiten më vonë popullit të Perëndisë. Menjëherë pasi i tregon mbretit Hezekia për shkatërrimin e afërt të Jerusalemit dhe për marrjen me forcë të popullit jude në Babiloni, Isaia shpall fjalët e Jehovait që premtojnë rivendosje: «‘Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim,—thotë Perëndia juaj.—Flitini zemrës së Jerusalemit dhe shpallini që shërbimi i tij ushtarak është plotësuar, që gabimi i tij është shlyer. Sepse ka marrë nga dora e Jehovait çmimin e plotë për të gjitha mëkatet e tij.’»—Isaia 40:1, 2.
4 «Ngushëlloni»—fjala hapëse e kapitullit 40 të Isaisë—e përshkruan mirë mesazhin e dritës dhe të shpresës që gjendet në pjesën tjetër të librit të Isaisë. Meqë janë kthyer në apostatë, banorët e Judës dhe të Jerusalemit do të merren në mërgim në Babiloni në vitin 607 p.e.s. Por ata judenj të robëruar nuk do t’u shërbejnë babilonasve përgjithmonë. Jo, ajo robëri do të zgjasë vetëm deri sa të ‘shlyhet’ gabimi i tyre. Sa kohë do të duhet për këtë? Sipas profetit Jeremia, 70 vjet. (Jeremia 25:11, 12) Pas kësaj kohe, Jehovai do të nxjerrë nga Babilonia një mbetje të penduar dhe do ta kthejë në Jerusalem. Çfarë ngushëllimi do të jetë për të robëruarit kur në vitin e 70-të të shkretimit të Judës, të kuptojnë që koha për çlirimin e premtuar ka ardhur!—Danieli 9:1, 2.
5, 6. (a) Pse nuk do ta pengojë përmbushjen e premtimit të Perëndisë udhëtimi i gjatë nga Babilonia në Jerusalem? (b) Çfarë ndikimi do të ketë te kombet e tjera rivendosja e judenjve në vendin e tyre?
5 Udhëtimi nga Babilonia për në Jerusalem është 800 deri në 1600 kilometra i gjatë, në varësi të rrugës që ndiqet. A do ta pengojë udhëtimi i gjatë përmbushjen e premtimit të Perëndisë? Aspak! Isaia shkruan: «Dëgjoni! Dikush po thërret në shkretëtirë: ‘Pastroni rrugën e Jehovait! Bëjeni të drejtë rrugën kryesore përmes rrafshinës shkretinore për Perëndinë tonë. Le të ngrihet çdo luginë dhe le të ulet çdo mal e kodër. Vendi me gunga duhet të bëhet i sheshtë dhe terreni i thyer rrafshinë lugine. Dhe lavdia e Jehovait me siguri do të shfaqet dhe çdo mish duhet ta shohë bashkë, sepse këtë e ka thënë vetë goja e Jehovait.’»—Isaia 40:3-5.
6 Para se të ndërmerrnin një udhëtim, sundimtarët e vendeve të Lindjes, shpesh, dërgonin njerëz për të përgatitur rrugën, të cilët hiqnin gurët e mëdhenj e madje ndërtonin rrugë të ngritura përmes zonave me ujë dhe sheshonin kodra. Në rastin e kthimit të judenjve është njësoj sikur në ballë të jetë vetë Perëndia, i cili largon çdo pengesë. Në fund të fundit, ky është populli që mban emrin e Jehovait, prandaj, duke përmbushur premtimin për ta rivendosur atë në vendin e tij, Perëndia do të bëjë që lavdia e Tij të shfaqet para tërë kombeve. Duan apo nuk duan, ato kombe do të jenë të detyruara të shikojnë që Jehovai është Përmbushësi i premtimeve të tij.
7, 8. (a) Ç’përmbushje patën fjalët e Isaisë 40:3 në shekullin e parë të e.s.? (b) Ç’përmbushje më të madhe pati profecia e Isaisë në vitin 1919?
7 Rivendosja në shekullin e gjashtë p.e.s. nuk ishte përmbushja e vetme e kësaj profecie. Ajo pati një përmbushje edhe në shekullin e parë të e.s. Gjon Pagëzori ishte zëri i dikujt që «thërret në shkretëtirë», në përmbushje të Isaisë 40:3. (Luka 3:1-6) Nën frymëzim, Gjoni ia aplikoi vetes fjalët e Isaisë. (Gjoni 1:19-23) Duke filluar nga viti 29 e.s., Gjoni filloi të përgatiste rrugën për Jezu Krishtin.a Shpallja paraprake e Gjonit e nxiti popullin të kërkonte Mesinë e premtuar, me qëllim që, më pas, ta dëgjonte dhe ta ndiqte atë. (Luka 1:13-17, 76) Nëpërmjet Jezuit, Jehovai do t’i çonte individët e penduar drejt një lirie që vetëm Mbretëria e Perëndisë mund ta sigurojë—drejt lirisë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. (Gjoni 1:29; 8:32) Fjalët e Isaisë u përmbushën në një shkallë më të madhe kur mbetja e Izraelit frymor u çlirua nga Babilonia e Madhe në vitin 1919 dhe rifilloi adhurimin e pastër.
8 Por ç’të themi për ata që do të nxjerrin dobi nga përmbushja e parë e premtimit—robërit judenj në Babiloni? A mund ta besojnë ata premtimin e Jehovait se do t’i kthejë në vendin e tyre të dashur? Patjetër që po! Duke përdorur fjalë dhe ilustrime të gjalla nga jeta e përditshme, tani Isaia jep arsye të forta përse mund të kenë besim të plotë se Jehovai do ta mbajë fjalën e tij.
Një Perëndi fjala e të cilit zgjat përgjithmonë
9, 10. Si e vë në kontrast Isaia natyrën kalimtare të jetës së njeriut me natyrën e përhershme të ‘fjalës’ së Perëndisë?
9 Pikësëpari, fjala e Atij që premton rivendosjen qëndron përgjithmonë. Isaia shkruan: «Dëgjo! Dikush thotë: ‘Thërrit!’ Dhe tjetri tha: ‘Çfarë të thërras?’ ‘Çdo mish është bar i gjelbër dhe gjithë dashamirësia e tyre është si lulja e fushës. Bari i gjelbër është tharë, lulja është fishkur, sepse fryma e Jehovait ka fryrë mbi të. Sigurisht njerëzit janë bar i gjelbër. Bari i gjelbër është tharë, lulja është fishkur, por sa për fjalën e Perëndisë tonë, ajo do të zgjasë deri në kohë të pacaktuar.’»—Isaia 40:6-8.
10 Izraelitët e dinë mirë që bari nuk qëndron përgjithmonë. Gjatë stinës së thatë, nxehtësia e madhe e diellit e kthen atë nga të gjelbër, në bar të thatë e të kaftë. Në disa aspekte, jeta e njeriut është si bari—me natyrë të përkohshme. (Psalmi 103:15, 16; Jakovit 1:10, 11) Isaia vë në kontrast natyrën kalimtare të jetës së njeriut me natyrën e përhershme të ‘fjalës’ së Perëndisë ose të qëllimit të tij të shpallur. Po, ‘fjala e Perëndisë tonë’ qëndron përgjithmonë. Kur flet Perëndia, asgjë nuk mund t’i anulojë fjalët e tij ose të bëjë që të mos përmbushen.—Josiu 23:14.
11. Pse mund të besojmë se Jehovai do t’i përmbushë premtimet që gjenden në Fjalën e tij të shkruar?
11 Sot, në Bibël, ne e kemi të shpallur qëllimin e Jehovait në formë të shkruar. Bibla ka hasur kundërshtim të ashpër gjatë shekujve dhe përkthyesit e guximshëm dhe njerëz të tjerë kanë rrezikuar jetën për ta ruajtur atë. Megjithatë, arsyeja për të cilën ajo ka mbijetuar nuk shpjegohet vetëm me përpjekjet e tyre. E gjithë merita për mbijetesën e saj duhet t’i jepet Jehovait, që është ‘Perëndia i gjallë që qëndron përjetë’ dhe Ruajtësi i Fjalës së tij. (1 Pjetrit 1:23-25) Mendoni për këtë: përderisa Jehovai e ka ruajtur Fjalën e tij të shkruar, a nuk mund të besojmë se edhe do t’i përmbushë premtimet që përmban ajo?
Një Perëndi i fuqishëm që kujdeset me butësi për delet e tij
12, 13. (a) Pse mund të besohet premtimi i rivendosjes? (b) Çfarë lajmi të mirë ka për judenjtë e mërguar dhe pse mund të jenë ata të sigurt për këtë?
12 Isaia jep një arsye të dytë që tregon përse duhet besuar premtimi për rivendosjen. Ai që bën premtimin është një Perëndi i fuqishëm që kujdeset me butësi për popullin e tij. Isaia vazhdon: «Ngjitu në një mal të lartë, o grua që sjell lajme të mira për Sionin. Ngrije zërin me forcë, o grua që sjell lajme të mira për Jerusalemin. Ngrije. Mos ki frikë. Thuaju qyteteve të Judës: ‘Ja Perëndia juaj!’ Ja, vetë Zotëria Sovran Jehova do të vijë si një i fuqishëm [«me fuqi», shënimi] dhe krahu i tij do të sundojë për të. Ja, shpërblimi i tij është me të dhe paga që ai paguan është para tij. Si një bari do ta kullotë kopenë e vet. Me krahun e tij do t’i mbledhë së bashku qengjat dhe do t’i mbajë në kraharorin e vet. Ato që japin gji, do t’i drejtojë me kujdes.»—Isaia 40:9-11.
13 Në kohët biblike ishte zakon që gratë t’i kremtonin fitoret, duke thirrur me zë të lartë ose duke shpallur me këngë lajmin e mirë të betejave të fituara ose të çlirimit që po afrohej. (1 Samuelit 18:6, 7; Psalmi 68:11) Në mënyrë profetike, Isaia tregon se ka një lajm të mirë për judenjtë e mërguar, një lajm që mund të shpallet pa frikë me zë të lartë, madje, nga majat e maleve—Jehovai do ta kthejë popullin në Jerusalemin e tij të dashur. Ata mund të jenë të sigurt, sepse Jehovai do të vijë «me fuqi». Prandaj, asgjë nuk mund ta pengojë që të përmbushë qëllimin e tij.
14. (a) Si e ilustron Isaia mënyrën e butë në të cilën do ta udhëheqë Jehovai popullin e tij? (b) Cili shembull e ilustron kujdesin e butë që tregojnë barinjtë për delet e tyre? (Shih kutinë në faqen 405.)
14 Megjithatë, në natyrën e këtij Perëndie të fuqishëm ka një aspekt të butë. Isaia bën një përshkrim të ngrohtë të mënyrës se si do ta udhëheqë Jehovai popullin e tij për në vendin e vet. Jehovai është si një bari i dashur që i mbledh bashkë qengjat e tij dhe i mban në ‘kraharor’. Fjala ‘kraharor’ në këtë rast i referohet, me sa duket, palëve në pjesën e sipërme të mantelit. Këtu barinjtë mbajnë ndonjëherë qengjat e sapolindur që nuk mund të ecin në një hap me kopenë. (2 Samuelit 12:3) Një përshkrim i tillë prekës nga jeta baritore, pa dyshim, e siguron popullin e mërguar të Jehovait për kujdesin e dashur që ka ai për ta. Patjetër që mund të besohet se një Perëndi i tillë i fuqishëm, por i butë, do ta përmbushë atë që u ka premtuar.
15. (a) Kur erdhi Jehovai «me fuqi» dhe kush është ‘krahu që sundon për të’? (b) Cili lajm i mirë duhet shpallur pa frikë?
15 Fjalët e Isaisë janë plot me kuptim profetik për kohën tonë. Në vitin 1914, Jehovai erdhi «me fuqi» dhe vendosi Mbretërinë e tij në qiej. ‘Krahu që sundon për të’ është Biri i tij Jezu Krisht, të cilin Jehovai e ka hipur në fronin qiellor. Në vitin 1919, Jehovai i çliroi shërbëtorët e tij të mirosur mbi tokë nga robëria e Babilonisë së Madhe dhe filloi të rivendosë plotësisht adhurimin e pastër të Perëndisë së gjallë e të vërtetë. Ky është një lajm i mirë që duhet shpallur pa frikë, sikur të thirrej me zë të lartë nga majat e maleve, me qëllim që shpallja të dëgjohet gjithandej. Prandaj, le t’i ngremë zërat tanë dhe le t’u bëjmë të njohur të tjerëve me guxim se Perëndia Jehova e ka rivendosur adhurimin e tij të pastër në tokë!
16. Në ç’mënyrë e udhëheq Jehovai popullin e tij sot dhe çfarë shembulli është ky?
16 Fjalët e Isaisë 40:10, 11 kanë edhe një vlerë tjetër praktike për ne sot. Është ngushëlluese të shohësh mënyrën e butë, në të cilën e udhëheq Jehovai popullin e tij. Ashtu si një bari i kupton nevojat e çdo deleje të tij—duke përfshirë edhe qengjat e vegjël që nuk mund të ecin në një hap me të tjerët—Jehovai i kupton kufizimet e secilit prej shërbëtorëve të tij besnikë. Veç kësaj, si një Bari i butë, Jehovai lë një shembull për barinjtë e krishterë. Pleqtë duhet ta trajtojnë kopenë me butësi, duke imituar merakun e dashur që tregon vetë Jehovai. Ata duhet të kenë gjithmonë parasysh se si ndihet Jehovai për secilin pjesëtar të kopesë, «të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të tij».—Veprat 20:28.
I Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm
17, 18. (a) Pse mund të kenë besim në premtimin për rivendosje judenjtë e mërguar? (b) Çfarë pyetjesh që të ngjallin frikë përnderuese bën Isaia?
17 Judenjtë e mërguar mund të kenë besim në premtimin për rivendosje, pasi Perëndia është i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm. Isaia thotë: «Kush i ka matur ujërat thjesht në gropën e dorës së vet, kush i ka marrë përmasat e qiejve vetëm me një pëllëmbë dhe kush e ka përfshirë pluhurin e tokës në një masë ose kush i ka peshuar malet me një shigjetë peshoreje dhe kodrat me peshore? Kush i ka marrë përmasat e frymës së Jehovait dhe kush mund ta bëjë të njohë diçka, si këshilltari i tij? Me kë është konsultuar që të mund ta bëjë të kuptojë ose kush e mëson në shtegun e drejtësisë, ose i mëson njohurinë, ose e bën të njohë rrugën e kuptueshmërisë së vërtetë?»—Isaia 40:12-14.
18 Këto janë pyetje që ngjallin frikë përnderuese, rreth të cilave judenjtë e mërguar duhet të meditojnë. A mund ta frenojnë njerëzit baticën e detit të fuqishëm? Sigurisht që jo! Megjithatë, për Jehovain, detet që mbulojnë tokën janë si një pikë ujë në pëllëmbën e dorës së tij.b A munden njerëzit e veckël të matin qiejt e pafund plot yje ose të peshojnë malet dhe kodrat e tokës? Jo. Megjithatë, Jehovai i mat qiejt po aq kollaj sa një njeri do të maste një objekt me një pëllëmbë të vetme (distanca nga maja e gishtit të madh deri në majën e gishtit të vogël, kur dora është e shtirë). Perëndia mund t’i peshojë faktikisht malet dhe kodrat me një peshore. A munden madje edhe njerëzit më të mençur ta këshillojnë Perëndinë se çfarë të bëjë në rrethanat aktuale ose t’i thonë çfarë të bëjë në të ardhmen? Sigurisht që jo!
19, 20. Cilat ilustrime përdor Isaia për të nxjerrë në pah madhështinë e Jehovait?
19 Ç’të themi për kombet e fuqishme të tokës. A mund ta kundërshtojnë ato Perëndinë, ndërsa përmbush premtimin e tij? Isaia përgjigjet duke i përshkruar kombet si vijon: «Ja, kombet janë si një pikë uji nga një kovë dhe janë konsideruar si shtresa e pluhurit mbi peshore. Ja, ai i ngre ishujt, thjesht, si pluhur i imët. Madje as Libani nuk mjafton për ta mbajtur një zjarr të ndezur dhe kafshët e tij të egra nuk mjaftojnë për një ofertë të djegur. Të gjitha kombet janë para tij si diçka që nuk ekziston, janë konsideruar nga ai si asgjë dhe si diçka joreale.»—Isaia 40:15-17.
20 Për Jehovain, kombe të tëra janë si një pikë uji që bie nga një kovë. Nuk janë asgjë më tepër se pluhuri i imët që grumbullohet mbi një peshore, por që nuk ndikon fare.c Supozoni sikur dikush të ndërtonte një altar të stërmadh dhe të përdorte si dru zjarri për altarin të gjitha pemët që mbulonin malet e Libanit. Pastaj, supozoni sikur ai të ofronte si flijime të gjitha kafshët që vërtiteshin nëpër ato male. Edhe një ofertë si kjo nuk do të kishte vlerë për Jehovain. Sikur të mos mjaftonin përfytyrimet e përdorura deri tani, Isaia përdor një pohim edhe më të fuqishëm: të gjitha kombet janë «më pak se asgjë» në sytë e Jehovait.—Isaia 40:17, New Revised Standard Version.
21, 22. (a) Si e thekson Isaia faktin që Jehovai është i pakrahasueshëm? (b) Në cilin përfundim na çojnë përshkrimet e gjalla të Isaisë? (c) Çfarë pohimi të saktë nga ana shkencore shkruan Isaia? (Shih kutinë në faqen 412.)
21 Për ta theksuar më tej faktin që Jehovai është i pakrahasueshëm, Isaia vazhdon, duke nxjerrë në pah marrëzinë e atyre që bëjnë idhuj prej ari, argjendi ose druri. Çfarë marrëzie është të mendosh se ndonjë prej këtyre idhujve mund të jetë një përfaqësim i përshtatshëm i Atij «që banon mbi rrethin e tokës» dhe që është sundimtari i banorëve të saj!—Lexo Isainë 40:18-24.
22 Të gjitha këto përshkrime të gjalla na çojnë në një përfundim: asgjë nuk mund ta pengojë të plotfuqishmin, të gjithëdijshmin dhe të pakrahasueshmin Jehova që të përmbushë premtimin e tij! Sa shumë duhet t’i kenë ngushëlluar dhe forcuar fjalët e Isaisë judenjtë e mërguar në Babiloni, që mezi pritnin të ktheheshin në vendin e tyre! Edhe ne sot mund të jemi të sigurt se premtimet e Jehovait për të ardhmen tonë do të bëhen realitet.
«Kush i ka krijuar këto gjëra?»
23. Për cilën arsye mund të marrin zemër judenjtë e mërguar dhe çfarë nxjerr në pah tani Jehovai për veten e tij?
23 Ka edhe një arsye tjetër për të cilën judenjtë e mërguar mund të marrin zemër. Ai që premton çlirimin është Krijuesi i çdo gjëje dhe Burimi i gjithë energjisë dinamike. Për të nxjerrë në pah kapacitetin e tij të mahnitshëm, Jehovai tërheq vëmendjen drejt aftësive të tij të manifestuara në krijim: «‘Me kë mund të më krahasoni që të barazohem me të?—thotë i Shenjti.—Ngrijini sytë lart dhe shikoni. Kush i ka krijuar këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre, madje, me numër, të cilat i thërret të gjitha, madje, me emër. Falë bollëkut të energjisë dinamike, duke qenë se është edhe energjik në fuqi, asnjë prej tyre nuk mungon.’»—Isaia 40:25, 26.
24. Si tregon Jehovai, duke folur për veten, se nuk ka asnjë të barabartë me të?
24 I Shenjti i Izraelit po flet për veten e tij. Për të treguar se nuk ka asnjë të barabartë me të, Jehovai e drejton vëmendjen nga yjet e qiellit. Si një komandant ushtarak në gjendje të rreshtojë trupat e tij, Jehovai ka komandën e yjeve. Nëse do t’i grumbullonte, ‘asnjë prej tyre nuk do të mungonte’. Ndonëse numri i yjeve është i madh, ai e thërret secilin prej tyre me emër, i cili mund të jetë ose një emër individual, ose një term dallues në funksionin e një emri. Si ushtarë të bindur, ato mbajnë vendin dhe radhën e tyre, sepse Udhëheqësi i tyre ka një bollëk ‘energjie dinamike’ dhe është «energjik në fuqi». Prandaj, judenjtë e mërguar kanë arsye për të qenë të sigurt. Krijuesi që komandon yjet, e ka fuqinë t’i mbështetë shërbëtorët e tij.
25. Si mund t’i përgjigjemi ftesës hyjnore të shkruar në Isainë 40:26 dhe me çfarë rezultati?
25 Cili prej nesh mund t’i rezistojë ftesës hyjnore «Ngrijini sytë lart dhe shikoni» të shkruar në Isainë 40:26? Zbulimet e astronomëve të sotëm, kanë bërë që qielli me yje të ngjallë akoma më shumë frikë përnderuese, sesa në kohën e Isaisë. Astronomët që e vëzhgojnë nga afër qiellin me teleskopët e tyre të fuqishëm kanë llogaritur se ajo pjesë e universit që mund të vëzhgohet sot për sot përmban 125 miliardë galaktika. Në fakt, vetëm njëra prej tyre, galaktika Udha e Qumështit, përmban, sipas disa llogaritjeve, më shumë se 100 miliardë yje! Njohja e këtyre gjërave duhet të ngjallë në zemrat tona respekt të thellë për Krijuesin tonë dhe besim të plotë te premtimet e tij.
26, 27. Si përshkruhen ndjenjat e të mërguarve në Babiloni dhe cilat gjëra duhet të dinë ata?
26 Duke e ditur se vitet e robërisë do ta dobësojnë frymën e robërve judenj, Jehovai e frymëzon Isainë të shkruajë para kohe këto fjalë që japin siguri: «Për cilën arsye thua ti o Jakob dhe thërret ti o Izrael ‘Rruga ime është fshehur nga Jehovai dhe drejtësia ndaj meje i shpëton Perëndisë tim’? Nuk e ke njohur vallë apo nuk e ke dëgjuar? Jehovai, Krijuesi i skajeve të tokës, është Perëndi deri në kohë të pacaktuar. Ai nuk rraskapitet ose lodhet. Kuptueshmëria e tij është e pashqyrtueshme.»—Isaia 40:27, 28.d
27 Isaia shkruan fjalët e Jehovait, të cilat përshkruajnë ndjenjat e të mërguarve në Babiloni, qindra kilometra larg vendit të tyre. Disa mendojnë se Perëndia nuk e sheh ose nuk e njeh ‘rrugën’ e tyre, d.m.th. jetën e tyre të vështirë. Mendojnë se Jehovai është indiferent ndaj padrejtësive që u bëhen. Atyre u kujtohen gjëra që duhet t’i dinë, në mos nga përvoja personale, të paktën nga informacioni i transmetuar. Jehovai ka mundësi dhe dëshiron ta çlirojë popullin e tij. Ai është Perëndia i përjetshëm dhe Krijuesi i gjithë tokës. Prandaj, ai ka ende të njëjtën fuqi që shfaqi në krijim dhe as Babilonia e fuqishme nuk është jashtë mundësive të tij. Një Perëndi i tillë nuk mund të lodhet dhe të zhgënjejë popullin e tij. Ata nuk duhet të presin të jenë në gjendje për të kuptuar plotësisht mënyrat në të cilat vepron Jehovai, sepse kuptueshmëria e tij ose mendjehollësia, mendjemprehtësia dhe perceptimi i tij është përtej kuptueshmërisë së tyre.
28, 29. (a) Në ç’mënyrë i kujton Jehovai popullit të tij se do të vijë në ndihmë të të lodhurve? (b) Cili ilustrim përdoret për të treguar se si i fuqizon Jehovai shërbëtorët e tij?
28 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai vazhdon të inkurajojë të mërguarit e dëshpëruar: «Ai i jep fuqi të lodhurit dhe bën që ai pa energji dinamike të ketë fuqi të plotë me bollëk. Djemtë do të rraskapiten e do të lodhen dhe të rinjtë me siguri do të pengohen, por ata që shpresojnë te Jehovai do të rifitojnë fuqi. Ata do të ngjiten me krahë si shqiponja. Do të vrapojnë dhe nuk do të lodhen, do të ecin dhe nuk do të rraskapiten.»—Isaia 40:29-31.
29 Kur i referohet nevojës për t’i dhënë fuqi të lodhurit, Jehovai mund të ketë ndër mend udhëtimin e lodhshëm që do të duhet të bëjnë të mërguarit për t’u kthyer në vendin e tyre. Jehovai i kujton popullit të tij se është në natyrën e tij që t’u vijë në ndihmë të lodhurve që i drejtohen atij për mbështetje. Edhe individët me më shumë gjallëri—«djemtë» dhe «të rinjtë»—mund të dobësohen nga lodhja dhe të pengohen nga rraskapitja. Megjithatë, Jehovai premton se do t’u japë fuqi, fuqi të pashterueshme për të vrapuar e për të ecur, atyre që besojnë tek ai. Fluturimi, në dukje, pa asnjë mund i shqiponjës—një shpend i fuqishëm që mund të qëndrojë pezull pa i rrahur krahët për disa orë pa ndërprerje—është përdorur për të treguar se si i fuqizon Jehovai shërbëtorët e tij.e Me perspektivën për të pasur një mbështetje të tillë, judenjtë e mërguar nuk kanë pse të dëshpërohen.
30. Si mund të nxjerrin ngushëllim të krishterët e vërtetë sot nga vargjet përmbyllëse të kapitullit 40 të Isaisë?
30 Këto vargje përmbyllëse të kapitullit 40 të Isaisë përmbajnë fjalë ngushëlluese për të krishterët që jetojnë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig. Me kaq shumë presione dhe telashe që kanë prirjen të na shkurajojnë, fakti që vështirësitë që po kalojmë dhe padrejtësitë që po përjetojmë nuk kalojnë pa u vënë re nga Perëndia ynë, na jep siguri. Mund të jemi të sigurt se Krijuesi i gjithçkaje, Ai, ‘kuptueshmëria e të cilit është e patregueshme’, do t’i vërë në vend, në kohën dhe në mënyrën e duhur sipas tij, të gjitha padrejtësitë. (Psalmi 147:5, 6) Ndërkohë, nuk na duhet të rezistojmë me fuqinë tonë. Jehovai, burimet e të cilit janë të pashtershme, mund t’u japë fuqi shërbëtorëve të tij në kohë sprove, po, ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Korintasve 4:7.
31. Ç’premtim drite përmban profecia e Isaisë për judenjtë e robëruar në Babiloni dhe ku mund të kemi besim të plotë?
31 Mendoni për ata judenj të robëruar në Babiloni në shekullin e gjashtë p.e.s. Qindra kilometra larg, Jerusalemi i tyre i dashur dergjet i shkretë dhe tempulli i tij i rrënuar. Për ta, profecia e Isaisë përmbante një premtim ngushëllues drite dhe shprese—Jehovai do t’i rivendoste në vendin e tyre! Në vitin 537 p.e.s., Jehovai e udhëhoqi popullin në vendin e tij, duke treguar se është Përmbushësi i premtimeve. Edhe ne mund të kemi besim absolut te Jehovai. Premtimet e tij në lidhje me Mbretërinë, të cilat shprehen kaq bukur në profecitë e Isaisë, do të bëhen realitet. Ky është vërtet një lajm i mirë—një mesazh drite për gjithë njerëzimin!
[Shënimet]
a Isaia parathotë përgatitjen e rrugës para Jehovait. (Isaia 40:3) Por Ungjilli ia aplikon këtë profeci asaj që bëri Gjon Pagëzori për të përgatitur rrugën për Jezu Krishtin. Shkrimtarët e frymëzuar të Shkrimeve të Krishtere Greke e bënë këtë aplikim sepse Jezui përfaqësonte Atin e tij dhe erdhi në emër të Atit të tij.—Gjoni 5:43; 8:29.
b Është llogaritur që «masa e oqeaneve është afërsisht 1,35 kuintilion (1,35 x 1018) tonë sipas sistemit metrik ose rreth 1/4400 e masës së përgjithshme të Tokës».—Encarta 97 Encyclopedia.
c Në një vepër, The Expositor’s Bible Commentary, thuhet: «Në Lindjen e Afërt, në tregtinë e bërë në pazar, nuk merrej parasysh një pikë shumë e vogël uji në kovën që përdorej për matje ose pak pluhur në peshore kur peshoheshin mish a fruta.»
d Në Isainë 40:28, shprehja ‘kohë e pacaktuar’ do të thotë «përgjithmonë», pasi Jehovai është ‘Mbreti i përjetësisë’.—1 Timoteut 1:17.
e Shqiponja qëndron lart me një shpenzim minimal energjie. Këtë e bën duke përdorur me mjeshtëri rrymat ngjitëse me ajër të ngrohtë.
[Kutia dhe figura në faqet 404, 405]
Jehovai, një bari i dashur
Isaia e krahason Jehovain me një bari të dashur që i mban qengjat në kraharorin e tij. (Isaia 40:10, 11) Me sa duket, Isaia e bazon këtë ilustrim të ngrohtë në praktikat e jetës reale të barinjve. Një vëzhgues i ditëve tona që vrojtoi barinjtë në shpatet e malit Hermon në Lindjen e Mesme raporton: «Çdo bari e këqyrte me kujdes kopenë e tij për të parë se në ç’gjendje ishte. Kur gjente një qengj të sapolindur e vendoste në palët e xhybes së tij . . . të madhe, meqë qengji ishte i pafuqishëm për të ndjekur nënën. Kur në kraharor nuk kishte më vend, i vendoste qengjat mbi shpatulla duke i mbajtur nga këmbët ose në një çantë a kosh në shpinën e një gomari, derisa të vegjlit të ishin në gjendje të ndiqnin nënat.» A nuk na ngushëllon fakti që i shërbejmë një Perëndie, i cili kujdeset me po kaq butësi për popullin e tij?
[Kutia dhe figura në faqen 412]
Cila është forma e tokës?
Në kohën e lashtë njerëzit, në përgjithësi, besonin se toka ishte e sheshtë. Gjithsesi, në shekullin e gjashtë p.e.s., filozofi grek Pitagora hodhi idenë që toka duhej të ishte sferike. Megjithatë, dy shekuj para se Pitagora të formulonte teorinë e tij, profeti Isaia pohoi me një qartësi dhe siguri të jashtëzakonshme: «Është Një që banon mbi rrethin e tokës.» (Isaia 40:22) Fjala hebraike chugh e përkthyer në këtë rast «rreth» mund të përkthehet «sferë». Është interesant fakti që vetëm një objekt sferik duket si rreth nga çdo kënd vështrimi.f Pra, shumë kohë para Pitagorës, profeti Isaia shkroi një pohim që është i saktë shkencërisht dhe i pandikuar nga mitet e lashta.
[Shënimi]
f Për të qenë të saktë teknikisht, toka është një objekt sferik i shtypur në pole. Ajo është paksa e shtypur në polet e saj.
[Figura në faqen 403]
Gjon Pagëzori ishte një zë që ‘thërriste në shkretëtirë’