A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Pse i miratonte Jehovai luftërat e Izraelit të lashtë?
Jehovai është i dashur. E megjithatë, kur popullin e tij e kërcënonin ligësia dhe shtypja, me raste ai e autorizonte të luftonte. Vetëm Zoti vendoste kush do të luftonte dhe kur.—w15 1/11, f. 4-5.
Ç’gjëra të rëndësishme mund të bëjnë prindërit për të stërvitur adoleshentët që t’i shërbejnë Jehovait?
Është jetësore që prindërit t’i duan fëmijët e tyre adoleshentë dhe të tregojnë përulësi. Gjithashtu është e rëndësishme që prindërit të shfaqin gjykim të thellë dhe të përpiqen t’i kuptojnë fëmijët e tyre adoleshentë.—w15 15/11, f. 9-11.
Pse papa nuk duhet konsideruar si pasues i Pjetrit?
Mateu 16:17, 18 nuk thotë se apostulli Pjetër do të ishte kreu i kongregacionit të krishterë. Bibla nuk tregon se Pjetri kishte supremacinë, por se Jezui do të ishte guri i qoshes për kongregacionin. (1 Pjet. 2:4-8)—w15 1/12, f. 12-14.
Për çfarë duhet të mendojmë para se të flasim?
Që ta përdorim për mirë gjuhën, duhet të mbajmë parasysh (1) kur të flasim (Ekl. 3:7), (2) çfarë të themi (Prov. 12:18) dhe (3) si të flasim (Prov. 25:15).—w15 15/12, f. 19-22.
Cilat janë disa forma pandershmërie që duhet të shmangin të krishterët?
Të krishterët e vërtetë as gënjejnë e as shpifin. Nuk thonë gjëra të rreme dhe dashakeqe që dëmtojnë të tjerët. Ata nuk mashtrojnë e nuk vjedhin.—wp16.1, f. 5.
Kush ishin «krerët e priftërinjve» që përmenden në Bibël?
Shprehja «krerët e priftërinjve» me sa duket u referohet anëtarëve kryesorë të priftërisë, përfshirë ish-kryepriftërinj që i kishin hequr nga ai caktim.—wp16.1, f. 10.
Si duhet ta trajtojmë dikë që merr simbolet e Përkujtimit?
Të krishterët nuk i ngrenë në piedestal ata që marrin simbolet. Ai që është vërtet i mirosur nuk do që ta trajtojnë kështu; as nuk i pëlqen t’ua tregojë të gjithëve pozitën që ka para Perëndisë. (Mat. 23:8-12)—w16.01, f. 23-24.
Ç’mund të mësojmë nga mënyra si u bë Abrahami mik i Perëndisë?
Abrahami mori njohuri për Perëndinë ndoshta nëpërmjet Semit. Ai fitoi përvojë nga mënyra si veproi Perëndia me të dhe me familjen e tij. Ne mund të përpiqemi të bëjmë njësoj.—w16.02, f. 9-10.
Si u nda Bibla në kapituj e vargje?
Kleriku anglez i shekullit të 13-të, Stivën Langtën, e ndau Biblën në kapituj. Kopistët judenj ishin të parët që ndanë në vargje Biblën Hebraike, dhe në shekullin e 16-të, studiuesi Robert Estieni bëri njësoj me Shkrimet e Krishtere Greke.—wp16.2, f. 14-15.
A e çoi realisht në tempull Satanai Jezuin për ta tunduar?
Nuk mund ta themi me siguri. Mateu 4:5 dhe Luka 4:9 mund të nënkuptojnë se Satanai e çoi Jezuin atje me anë të një vegimi ose se Jezui qëndroi në ndonjë vend të lartë në tempull.—w16.03, f. 31-32.
Në cilat mënyra mund të jetë si vesa shërbimi ynë?
Vesa formohet dalëngadalë dhe është freskuese e jetëdhënëse. Ajo është një bekim nga Perëndia. (Ligj. 33:13) Po kështu janë edhe përpjekjet që bëjnë në shërbim të gjithë shërbëtorët e Perëndisë.—w16.04, f. 4.