‘Shkoni dhe bëni dishepuj’
«Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj.»—MATEU 28:18, 19.
1, 2. (a) Çfarë detyre u caktoi Jezui ithtarëve të tij? (b) Cilat pyetje në lidhje me urdhrat e Jezuit do të shqyrtohen?
ISHTE një ditë pranvere në Izrael në vitin 33 të e.s. dhe dishepujt e Jezuit ishin mbledhur në një mal në Galile. Zotëria i tyre i ringjallur së shpejti do të ngjitej në qiell, por më parë kishte diçka të rëndësishme për t’u thënë. Jezui do t’u caktonte një detyrë. Cila ishte ajo? Si reaguan dishepujt? Si lidhet me ne sot?
2 Ajo që tha Jezui është dokumentuar te Mateu 28:18-20: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» Jezui foli për «çdo autoritet», ‘të gjitha kombet’, «të gjitha gjërat» dhe «gjithë ditët». Urdhrat e tij që përfshijnë këto katër shprehje ngrenë disa pyetje të rëndësishme të cilat mund të përmblidhen me fjalët pse, ku, çfarë dhe kur. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto pyetje.a
«Çdo autoritet më është dhënë»
3. Pse duhet t’i bindemi urdhrit për të bërë dishepuj?
3 Së pari, pse duhet t’i bindemi urdhrit për të bërë dishepuj? Jezui tha: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj.» Fjala «pra» tregon një arsye kryesore pse duhet t’i bindemi këtij urdhri. Arsyeja është sepse Jezui, ai që dha urdhrin, ka «çdo autoritet». Sa i madh është autoriteti i tij?
4. (a) Sa i madh është autoriteti i Jezuit? (b) Si duhet të ndikojë kuptueshmëria që kemi për autoritetin e Jezuit në mënyrën se si duhet ta shohim urdhrin për të bërë dishepuj?
4 Jezui ka autoritet mbi kongregacionin e tij dhe që prej vitit 1914 ka autoritet mbi Mbretërinë e Perëndisë të sapovendosur në atë kohë. (Kolosianëve 1:13; Zbulesa 11:15) Ai është kryeengjëlli dhe si i tillë ka nën autoritet një ushtri qiellore prej qindra milionë engjëjsh. (1 Selanikasve 4:16; 1 Pjetrit 3:22; Zbulesa 19:14-16) Është autorizuar nga Ati që të asgjësojë «çdo qeveri, autoritet dhe fuqi» që kundërshton parimet e drejta. (1 Korintasve 15:24-26; Efesianëve 1:20-23) Jezui nuk ka autoritet vetëm mbi të gjallët. Ai është gjithashtu «gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve» dhe Perëndia i ka dhënë fuqinë që të ringjallë ata që janë në gjumin e vdekjes. (Veprat 10:42; Gjoni 5:26-28) Sigurisht i duhet kushtuar rëndësia më e madhe një urdhri të dhënë nga Ai që ka një autoritet kaq të madh. Prandaj, me respekt dhe gatishmëri i bindemi urdhrit që ‘të shkojmë dhe të bëjmë dishepuj’.
5. (a) Si iu bind Pjetri fjalëve të Jezuit? (b) Çfarë bekimi pati Pjetri duke iu bindur fjalëve të Jezuit?
5 Në fillim të shërbimit të tij tokësor, Jezui u mësoi dishepujve në një mënyrë të jashtëzakonshme se duke pranuar autoritetin e tij dhe duke iu bindur urdhrave të tij do të kishin bekime. Një herë ai i tha Pjetrit, që ishte peshkatar: «Shko ku është thellë dhe hidhini rrjetat tuaja për të zënë peshk.» Pjetri ishte i sigurt se nuk kishte peshq, prandaj i tha Jezuit: «Mësues, ne u robtuam gjithë natën dhe nuk morëm gjë.» Megjithatë, Pjetri me përulësi shtoi: «Por meqë po thua ti, do t’i hedh rrjetat.» Pasi iu bind urdhrit të Jezuit, ai zuri «një shumicë të madhe peshqish». I mahnitur, Pjetri «i ra në gjunjë Jezuit, duke thënë: ‘Ik prej meje, Zotëri, sepse jam njeri mëkatar.’» Por Jezui iu përgjigj: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» (Luka 5:1-10; Mateu 4:18) Çfarë mësojmë nga ky tregim?
6. (a) Ç’lloj bindjeje kërkon Jezui, siç ilustrohet nga tregimi për zënien e mrekullueshme të peshqve? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin?
6 Jezui i caktoi Pjetrit, Andreas dhe apostujve të tjerë detyrën ‘për të qenë peshkatarë njerëzish’, pasi zunë këtë sasi të jashtëzakonshme peshqish, dhe jo më përpara. (Marku 1:16, 17) Është e qartë pra, se Jezui nuk kërkonte bindje të verbër. Ai u dha atyre burrave një arsye të fortë se përse duhet t’i bindeshin. Ashtu si bindja ndaj urdhrit të Jezuit për të hedhur rrjetat çoi në rezultate të jashtëzakonshme, po kështu bindja ndaj urdhrit të Jezuit ‘për të zënë njerëz’ do të sillte bekime të mëdha. Plot besim, apostujt vepruan sipas fjalëve të Jezuit. Tregimi përfundon: «Ata i nxorën barkat në tokë, braktisën çdo gjë dhe e ndoqën.» (Luka 5:11) Sot, ndërsa i nxitim të tjerët që të marrin pjesë në veprën e bërjes së dishepujve, ne imitojmë Jezuin. Nuk kërkojmë që njerëzit të bëjnë thjesht atë që u themi, por u japim arsye të forta përse duhet t’i binden urdhrit të Krishtit.
Arsye të forta dhe motive të drejta
7, 8. (a) Cilat janë disa arsye biblike pse duhet të predikojmë Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj? (b) Cili shkrim në veçanti ju nxit që të vazhdoni në veprën e predikimit? (Shih edhe shënimin.)
7 Meqë pranojmë autoritetin e Krishtit, ne bëjmë pjesën tonë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Çfarë arsyesh të tjera biblike mund t’u japim atyre që duam t’i nxitim për vepra të shkëlqyera lidhur me motivet për këtë vepër? Shqyrtoni pohimet vijuese që kanë bërë disa Dëshmitarë besnikë nga vende të ndryshme dhe vini re se si shkrimet e përmendura i mbështetin komentet e tyre.
8 Roi, i pagëzuar në vitin 1951, thotë: «Kur ia kushtova jetën Jehovait, i premtova se do t’i shërbeja përgjithmonë. Dua ta mbaj këtë premtim.» (Psalmi 50:14; Mateu 5:37) Hedhëra, e pagëzuar në vitin 1962, thotë: «Kur mendoj për gjithçka që ka bërë Jehovai për mua, dua t’ia tregoj mirënjohjen duke i shërbyer besnikërisht.» (Psalmi 9:1, 9-11; Kolosianëve 3:15) Hanelora, e pagëzuar në vitin 1954, thotë: «Çdo herë që jemi në shërbim kemi mbështetjen e engjëjve. Çfarë privilegji është ky!» (Veprat 10:30-33; Zbulesa 14:6, 7) Honora, e pagëzuar në vitin 1969, thotë: «Kur të vijë koha e gjykimit të Jehovait, nuk dua që ndonjë nga lagjja ime të akuzojë Jehovain dhe Dëshmitarët e tij se nuk i kanë kushtuar kujdes dhe të thotë: ‘Kurrë s’më ka lajmëruar njeri!’» (Ezekieli 2:5; 3:17-19; Romakëve 10:16, 18) Klaudio, i pagëzuar në vitin 1974, thotë: «Kur predikojmë, ne jemi ‘nën shikimin e Perëndisë’ dhe ‘bashkë me Krishtin’. Imagjinoni! Kur jemi në shërbim jemi në shoqëri me Miqtë tanë më të mirë.»—2 Korintasve 2:17.b
9. (a) Çfarë zbulon tregimi për zënien e jashtëzakonshme të peshqve në lidhje me motivin e drejtë të bindjes ndaj Krishtit? (b) Cili është motivi i drejtë që na nxit t’i bindemi sot Perëndisë dhe Krishtit dhe pse?
9 Tregimi për zënien e jashtëzakonshme të peshqve tregon gjithashtu se sa e rëndësishme është që të kemi motivin e drejtë për t’iu bindur Krishtit, pra nga dashuria. Kur Pjetri tha ‘ik prej meje, sepse jam njeri mëkatar’, Jezui nuk iku dhe as nuk e dënoi Pjetrin për kryerjen e ndonjë mëkati. (Luka 5:8) Jezui madje as nuk e kritikoi Pjetrin që iu lut të largohej. Përkundrazi, Jezui iu përgjigj me dashamirësi: «Mos ki më frikë.» Frika e sëmurë do të kishte qenë një motiv i gabuar për t’iu bindur Krishtit. Në vend të saj Jezui i tha Pjetrit se ai dhe shokët e tij do të ishin të dobishëm duke u bërë peshkatarë njerëzish. Sot, po kështu edhe ne nuk përdorim frikën ose ndjenja negative të ngjashme, si faji dhe turpi, për t’i detyruar njerëzit që t’i binden Krishtit. Vetëm bindja me gjithë shpirt, që bazohet në dashurinë për Perëndinë dhe për Krishtin, ia gëzon zemrën Jehovait.—Mateu 22:37.
«Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve»
10. (a) Cila hollësi e urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj ishte një detyrë e vështirë për dishepujt? (b) Si reaguan dishepujt ndaj urdhrit të Jezuit?
10 Pyetja e dytë që ngrihet në lidhje me urdhrin e Krishtit është: Ku do të kryhej kjo vepër e bërjes së dishepujve? Jezui u tha ithtarëve të tij: «Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve.» Para kohës së shërbimit të Jezuit, njerëzit nga kombet ishin të mirëpritur nëse vinin në Izrael për t’i shërbyer Jehovait. (1 Mbretërve 8:41-43) Jezui vetë u predikoi kryesisht judenjve, por tani ai u tha ithtarëve që të shkonin te njerëzit e të gjitha kombeve. Në të vërtetë zona e peshkimit, ose territori që duhej të predikonin dishepujt e tij, ishte kufizuar në një «pellg» të vogël, pra te judenjtë. Por, shumë shpejt, ajo zonë do të përfshinte tërë «detin» e njerëzimit. Ndonëse ky ndryshim ishte një detyrë e vështirë për dishepujt, ata menjëherë iu bindën urdhrit të Jezuit. Më pak se 30 vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Pavël mundi të shkruante se lajmi i mirë ishte predikuar jo vetëm ndër judenjtë, por «ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell».—Kolosianëve 1:23.
11. Cili zgjerim i ‘zonave të peshkimit’ ka ndodhur që nga fillimi i shekullit të 20-të?
11 Në kohën e sotme është vërejtur një zgjerim i ngjashëm i territorit për të predikuar. Në fillim të shekullit të 20-të ‘zonat e peshkimit’ ishin vetëm në disa vende. Mirëpo në atë kohë, ithtarët e Krishtit imituan shembullin e të krishterëve të shekullit të parë dhe me ngulm e zgjeruan territorin e predikimit. (Romakëve 15:20) Në fillim të viteve 30 ata po bënin dishepuj në rreth njëqind vende. Sot ‘zonat tona të peshkimit’ janë zgjeruar në 235 vende.—Marku 13:10.
«Nga të gjitha gjuhët»
12. Çfarë detyre të vështirë vë në dukje profecia që gjendet te Zakaria 8:23?
12 Të bëhen dishepuj në të gjitha kombet është një detyrë e vështirë, jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana gjuhësore. Nëpërmjet profetit Zakaria, Jehovai paratha: «Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23) Në përmbushjen më të madhe të kësaj profecie ‘judeu’ përfaqëson mbetjen e të krishterëve të mirosur, kurse ‘dhjetë burrat’ përfaqësojnë ‘shumicën e madhe’.c (Zbulesa 7:9, 10; Galatasve 6:16) Kjo shumicë e madhe me dishepuj të Krishtit do të ishte në shumë kombe dhe, siç e tha Zakaria, pjesëtarët e saj do të flitnin shumë gjuhë. A e ilustron këtë veçori të bërjes së dishepujve historia e ditëve të sotme e popullit të Perëndisë? Po.
13. (a) Për sa i përket gjuhëve, çfarë zhvillimi ka ndodhur në popullin e Perëndisë të ditëve të sotme? (b) Si ka reaguar klasa e skllavit të besueshëm ndaj nevojës gjithnjë e më të madhe për ushqim frymor në gjuhë të ndryshme? (Përfshi kutinë «Botime për të verbrit».)
13 Në vitin 1950, 3 në çdo 5 Dëshmitarë të Jehovait anembanë botës, kishin si gjuhë amtare anglishten. Në vitin 1980 ky raport kishte ndryshuar 2 në çdo 5 Dëshmitarë, kurse sot vetëm 1 në çdo 5 Dëshmitarë ka si gjuhë amtare anglishten. Si ka reaguar klasa e skllavit të besueshëm e të matur ndaj faktit që shumica e vëllezërve nuk flasin anglisht? Duke siguruar ushqim frymor në gjithnjë e më shumë gjuhë. (Mateu 24:45) Për shembull, në vitin 1950 literatura jonë botohej në 90 gjuhë, por sot ajo botohet në rreth 400 gjuhë. A ka pasur rezultate ngaqë i është kushtuar më shumë vëmendje njerëzve që flasin gjuhë të tjera? Po. Çdo javë mesatarisht 5.000 veta ‘nga të gjitha gjuhët’ bëhen dishepuj të Krishtit. (Zbulesa 7:9) Dhe numri vazhdon të rritet. Në disa vende «rrjetat» po zënë shumë peshq.—Luka 5:6; Gjoni 21:6.
Një shërbim i kënaqshëm: A mund të merrni pjesë edhe ju?
14. Si mund t’i ndihmojmë individët në territorin tonë që flasin një gjuhë të huaj? (Përfshi kutinë «Gjuha e shenjave dhe bërja e dishepujve».)
14 Në shumë vende perëndimore, meqë kanë ardhur shumë emigrantë, është gjithnjë e më e nevojshme që të bëhen dishepuj nga njerëz të ‘çdo gjuhe’ pikërisht në këto vende. (Zbulesa 14:6) Si mund t’i ndihmojmë personat në territorin tonë të cilët nuk flasin gjuhën tonë? (1 Timoteut 2:4) Mund të përdorim pajisjet e duhura të peshkimit, si të thuash. T’u ofrojmë këtyre individëve literaturë në gjuhën që flasin. Nëse është e mundur, të marrim masa që t’i vizitojë një Dëshmitar që flet gjuhën e tyre. (Veprat 22:2) Tani kjo gjë është më e lehtë, sepse shumë Dëshmitarë kanë mësuar të flasin një gjuhë tjetër me qëllim që t’i ndihmojnë të huajt të bëhen dishepuj të Krishtit. Raportet tregojnë se është një përvojë e këndshme t’i ndihmosh të tjerët në këtë mënyrë.
15, 16. (a) Cilët shembuj e ilustrojnë se është një përvojë e këndshme të ndihmojmë ata që flasin një gjuhë të huaj? (b) Cilat pyetje rreth shërbimit në fushën në gjuhë të huaj mund të shqyrtojmë?
15 Të shqyrtojmë dy shembuj nga Holanda ku vepra e organizuar e predikimit të Mbretërisë kryhet në 35 gjuhë. Një çift Dëshmitarësh doli vullnetar që të shkonte e të bënte dishepuj mes emigrantëve polakë. Pati kaq shumë interes, saqë burri u ndie i nxitur të pakësonte orët e punës me qëllim që të kishte një ose disa ditë të lira për të studiuar Biblën me ata që ishin të interesuar. Shumë shpejt çifti drejtonte më shumë se 20 studime biblike çdo javë. Ata thonë: «Shërbimi na bën shumë të lumtur.» Ata që bëjnë dishepuj ndihen veçanërisht të lumtur kur u shprehin mirënjohjen njerëz që dëgjojnë të vërtetat biblike në gjuhën e tyre. Për shembull, gjatë një mbledhjeje në gjuhën vietnameze, një i moshuar u ngrit në këmbë dhe kërkoi leje të fliste. Me lot në sy, ai u tha Dëshmitarëve: «Faleminderit për përpjekjet që po bëni për të mësuar gjuhën time të vështirë. Ju jam shumë mirënjohës që në pleqëri po mësoj mjaft gjëra të mrekullueshme nga Bibla.»
16 Nuk habitemi pra, që ata që shërbejnë në kongregacionet në gjuhë të huaj ndihen shumë të kënaqur. Një çift nga Britania tha: «Shërbimi në fushën në gjuhë të huaj është shërbimi më emocionues që kemi bërë gjatë 40 vjetëve në shërbimin e Mbretërisë.» A mund të bëni ndryshime në mënyrën e jetesës, me qëllim që të merrni pjesë në këtë shërbim nxitës? Nëse jeni ende në shkollë, a mund të studioni një gjuhë të huaj që të përgatiteni për këtë lloj shërbimi? Kjo mund të çojë në një mënyrë jetese të kënaqshme dhe plot bekime. (Fjalët e urta 10:22) Pse të mos e diskutoni këtë me prindërit?
Të ndryshojmë metodat
17. Si mund të flasim me më shumë njerëz në territorin e kongregacionit tonë?
17 Kuptohet që për shkak të rrethanave shumica prej nesh nuk ka mundësi të hedhë «rrjetat» në territoret në gjuhë të huaj. Megjithatë mund të flasim me më shumë njerëz sesa flasim tani në territorin e kongregacionit tonë. Si? Këtë mund ta bëjmë duke ndryshuar jo mesazhin, por metodat tona. Në shumë zona gjithnjë e më tepër njerëz jetojnë në ndërtesa të sigurisë së lartë. Mjaft të tjerë nuk janë në shtëpi kur i vizitojmë gjatë shërbimit nga shtëpia në shtëpi. Prandaj, ndoshta duhet t’i hedhim «rrjetat» në orare të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Kështu imitojmë Jezuin. Ai gjeti mënyra të ndryshme për të folur me njerëzit në rrethana të ndryshme.—Mateu 9:9; Luka 19:1-10; Gjoni 4:6-15.
18. Si ka dalë frytdhënëse dëshmia në vende të ndryshme? (Përfshi kutinë «Bëjnë dishepuj në territorin tregtar».)
18 Në disa vende të botës, të dëshmojmë atje ku mund të gjenden njerëzit është një metodë e rëndësishme për të bërë dishepuj. Bërës të dishepujve që kanë përvojë i kanë kushtuar më shumë vëmendje dëshmisë në vende të ndryshme. Përveçse marrin pjesë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, tani lajmëtarët dëshmojnë në aeroporte, në zyra, në dyqane, në vendet e parkimit, në stacionet e autobusëve, në rrugë, në parqe, në plazhe dhe në vende të tjera. Shumë Dëshmitarë të sapopagëzuar në Havai u kontaktuan për herë të parë në këto vende. Duke ndryshuar metodat, kjo na ndihmon të zbatojmë plotësisht urdhrin e Jezuit për të bërë dishepuj.—1 Korintasve 9:22, 23.
19. Cilat veçori të detyrës që na ngarkoi Jezui do të shqyrtohen në artikullin vijues?
19 Detyra që caktoi Jezui për të bërë dishepuj nuk përfshinte hollësi vetëm rreth arsyeve pse duhet bërë kjo vepër dhe ku, por edhe se çfarë duhet të predikojmë dhe deri kur duhet të vazhdojmë të predikojmë. Këto dy veçori të detyrës që na ngarkoi Jezui do të shqyrtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Në këtë artikull do të shqyrtojmë dy pyetjet e para. Dy pyetjet e tjera do të trajtohen në artikullin vijues.
b Arsye të tjera përse duhet të predikojmë gjenden te Fjalët e urta (Proverbat) 10:5; Amosi 3:8; Mateu 24:42; Marku 12:17; Romakëve 1:14, 15.
c Për më shumë informacione rreth përmbushjeve të kësaj profecie shihni Kullën e Rojës 15 maj 2001, faqja 12 dhe Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin vëllimi II, faqja 408, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A ju kujtohet?
• Për cilat arsye dhe me çfarë motivi marrim pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve?
• Deri në ç’masë e kanë kryer shërbëtorët e Jehovait sot detyrën që u ngarkoi Jezui për të bërë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve?
• Si mund ta ndryshojmë ‘metodën e peshkimit’ dhe pse duhet të veprojmë kështu?
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
Botime për të verbrit
Alberti është një plak i krishterë dhe shërbëtor në kohë të plotë që banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i verbër. Literatura biblike në gjuhën braile e ndihmon që të jetë më frytdhënës në shërbim, përfshirë edhe në përgjegjësitë si mbikëqyrës shërbimi. Si e përmbush ai caktimin e tij në kongregacion?
Xhejmsi, mbikëqyrësi drejtues, thotë: «Në kongregacionin tonë nuk kemi pasur asnjëherë një mbikëqyrës shërbimi më të efektshëm sesa Alberti.» Alberti është një nga 5.000 të verbrit në Shtetet e Bashkuara që gjatë viteve kanë marrë botime biblike në gjuhën braile në anglisht dhe në spanjisht. Në fakt, që prej vitit 1912, klasa e skllavit të besueshëm ka botuar më shumë se njëqind botime të ndryshme në braile. Duke përdorur metoda të përparuara, në shtypshkronjat e Dëshmitarëve të Jehovait, çdo vit prodhohen miliona faqe braile në më tepër se dhjetë gjuhë dhe ato shpërndahen në më shumë se 70 vende. A njihni dikë që mund të nxjerrë dobi nga botimet biblike që janë përgatitur për të verbrit?
[Kutia dhe figura në faqen 11]
Gjuha e shenjave dhe bërja e dishepujve
Anembanë tokës mijëra Dëshmitarë, përfshirë shumë të rinj të zellshëm, kanë mësuar gjuhën e shenjave për t’i ndihmuar personat që nuk dëgjojnë, që të bëhen dishepuj të Krishtit. Si rezultat, vetëm në Brazil, në një nga vitet e fundit, u pagëzuan 63 veta që nuk dëgjojnë dhe tani aty ka 35 Dëshmitarë që s’dëgjojnë të cilët shërbejnë si ungjillëzues në kohë të plotë. Në të gjithë botën ka më shumë se 1.200 kongregacione dhe grupe në gjuhën e shenjave. Qarku i vetëm në gjuhën e shenjave në Rusi, në kuptimin gjeografik është qarku më i madh në botë, pasi përfshin gjithë Rusinë.
[Kutia në faqen 12]
Bëjnë dishepuj në territorin tregtar
Kur po vizitonte nëpër zyra personat që ndodhen në territorin tregtar, një Dëshmitare në Havai takoi drejtorin e një shoqërie transporti. Edhe pse ishte i zënë me punë, ai pranoi të studionte Biblën për 30 minuta çdo javë në zyrën e tij. Çdo të mërkurë në mëngjes ai i thotë personelit të tij që të mos i telefonojnë dhe pastaj i kushton vëmendje të plotë studimit. Një Dëshmitare tjetër në Havai studion Biblën një herë në javë me pronaren e një dyqani për riparimet e këpucëve. Studimi bëhet te banaku i dyqanit. Kur vjen ndonjë klient, Dëshmitarja tërhiqet mënjanë. Kur klienti largohet, ato rifillojnë studimin.
Si drejtori i shoqërisë, ashtu edhe pronarja e dyqanit u kontaktuan, sepse Dëshmitarët morën iniciativën për t’i hedhur «rrjetat» në vende të ndryshme. A mund të mendoni për ato vende në territorin e kongregacionit tuaj ku mund të kontaktoni njerëz që është vështirë të gjenden në shtëpi?
[Figura në faqen 12]
A mund të shërbeni në fushën në gjuhë të huaj?