KAPITULLI 44
Jezui qetëson një stuhi në det
MATEU 8:18, 23-27 MARKU 4:35-41 LUKA 8:22-25
JEZUI QETËSON NJË STUHI NË DETIN E GALILESË
Jezui ka pasur një ditë të gjatë e të lodhshme. Kur bie mbrëmja, u thotë dishepujve: «Le të kalojmë në bregun tjetër», duke iu referuar pjesës përballë, pra zonës së Kapernaumit.—Marku 4:35.
Në bregun lindor të detit të Galilesë ndodhet rajoni i gerazenëve, që është pjesë e Dekapolit. Edhe pse qytetet e Dekapolit janë qendër e kulturës greke, aty jetojnë edhe shumë judenj.
Njerëzit e vënë re që Jezui po largohet nga Kapernaumi, prandaj disa hipin në varka për të shkuar në anën tjetër. (Marku 4:36) Në fakt, bregu përballë nuk është larg. Deti i Galilesë është një liqen i madh me ujë të ëmbël, rreth 21 km i gjatë dhe me gjerësi maksimale rreth 12 km. Ama nuk është i cekët.
Edhe pse i përsosur, kuptohet që Jezui është i lodhur nga shërbimi intensiv. Ndaj, kur varka niset, ai shtrihet në fund të saj, vë një jastëk te koka dhe bie në gjumë.
Disa nga apostujt janë shumë të aftë për të drejtuar varkën, por ky udhëtim nuk do të jetë i lehtë. Deti i Galilesë rrethohet nga male, dhe shpesh uji në sipërfaqen e tij është i ngrohtë. Ndonjëherë, kur ajri më i freskët i maleve zbret vrullshëm dhe takohet me sipërfaqen e ngrohtë të ujit, krijohen stuhi të papritura dhe të egra në det. Pikërisht kështu ndodh tani dhe dallgët fillojnë të përplasen pas varkës. Ajo ‘nis të mbushet me ujë dhe gati-gati po fundoset’. (Luka 8:23) Prapëseprapë, Jezui vazhdon të flejë.
Duke shfrytëzuar përvojën e tyre për të manovruar gjatë stuhive, dishepujt përpiqen si të marrë që të drejtojnë varkën. Por kjo stuhi është ndryshe. Nga frika se mos vdesin, e zgjojnë Jezuin dhe i thonë gjithë dëshpërim: «Zotëri, na shpëto se morëm fund!» (Mateu 8:25) Dishepujt mendojnë se do të fundosen.
Kur zgjohet, Jezui u thotë apostujve: «Pse keni frikë? Kaq pak besim keni?» (Mateu 8:26) Pastaj Jezui urdhëron erën dhe detin me fjalët: «Pusho! Hesht!» (Marku 4:39) Era e furishme dhe deti qetësohen. (Edhe Marku e Luka flasin për këtë ngjarje mbresëlënëse, por në fillim theksojnë mrekullinë e Jezuit që qetëson stuhinë dhe pastaj përmendin mungesën e besimit nga ana e apostujve.)
Imagjino pak ç’ndikim ka kjo ngjarje te dishepujt! Sapo kanë parë detin e stuhishëm të qetësohet plotësisht. I pushton një frikë e pazakontë dhe i thonë njëri-tjetrit: «Kush është ky, që i binden edhe era, edhe deti?!» Më në fund arrijnë shëndoshë e mirë në bregun lindor. (Marku 4:41–5:1) Mbase varkat e tjera që u nisën për lundrim ia dolën të ktheheshin në kohë, në bregun perëndimor.
Sa na jep zemër fakti që Biri i Perëndisë ka fuqi mbi forcat e natyrës! Kur ai të drejtojë vëmendjen plotësisht nga toka gjatë mbretërimit të tij, të gjithë njerëzit do të jenë të sigurt, sepse nuk do të ndodhin katastrofa natyrore që na kallin tmerrin!