KAPITULLI 77
Jezui jep këshilla për pasurinë
ILUSTRIMI I TË PASURIT TË PAARSYESHËM
JEZUI FLET PËR KORBAT DHE PËR ZAMBAKËT
NJË «KOPE E VOGËL» DO TË JETË PJESË E MBRETËRISË
Jezui është akoma për drekë te shtëpia e fariseut. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në Galile, jashtë e presin turma njerëzish. (Marku 1:33; 2:2; 3:9) Këtu në Jude, shumë njerëz, duke shfaqur një qëndrim krejt ndryshe nga farisenjtë e pranishëm në drekë, duan ta shohin e ta dëgjojnë Jezuin.
Fjalët e para të Jezuit kanë domethënie të veçantë për dishepujt e tij: «Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizi.» Jezui e ka dhënë edhe më parë këtë paralajmërim, por ajo që ndodhi gjatë drekës, tregon sa urgjente është kjo këshillë. (Luka 12:1; Marku 8:15) Edhe pse farisenjtë mund të përpiqen ta fshehin ligësinë duke u hequr si të përkushtuar, ata janë një rrezik që duhet demaskuar. Jezui shpjegon: «S’ka asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të merret vesh dhe asgjë të mbuluar që nuk do të dalë në dritë.»—Luka 12:2.
Mbase mjaft prej atyre që kanë ardhur, janë judenj që nuk e kanë dëgjuar Jezuin të mësojë në Galile. Prandaj, ai përsërit pika kyçe që ka thënë edhe më parë. Jezui i nxit: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, dhe pastaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.» (Luka 12:4) Si më parë, Jezui rithekson se dishepujt duhet të besojnë se Perëndia do të kujdeset për ta. Gjithashtu duhet ta pranojnë Birin e njeriut dhe të kuptojnë se Perëndia mund t’i ndihmojë.—Mateu 10:19, 20, 26-33; 12:31, 32.
Tani, një burrë nga turma përmend një çështje që e shqetëson: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» (Luka 12:13) Ligji përcakton se i parëlinduri duhet të marrë dy pjesë të trashëgimisë, ndaj s’ka vend për mosmarrëveshje. (Ligji i përtërirë 21:17) Por, me sa duket, ky njeri kërkon më shumë nga ç’i takon me ligj. Me mençuri, Jezui nuk pranon të mbajë anë. Ai i thotë: «Or mik, kush më caktoi mua gjykatës ose ndërmjetës mes jush?»—Luka 12:14.
Më pas, Jezui u jep të gjithëve këtë paralajmërim: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Pavarësisht nga pasuria që ka dikush, a nuk është e vërtetë se një ditë do të vdesë dhe do të lërë gjithçka pas? Jezui e përforcon këtë pikë me një ilustrim të paharrueshëm, që thekson edhe sa e rëndësishme është të jesh i pasur në sytë e Perëndisë.
Ai thotë: «Toka e një njeriu të pasur dha prodhime të mbara. Prandaj ai nisi të arsyetonte me vete: ‘Ç’të bëj tani që s’kam ku t’i fut të korrat?’ Kështu tha: ‘Ja ç’do të bëj: do t’i shemb depot që kam e do të ndërtoj më të mëdha. Atje do të fut gjithë grurin dhe gjithë të mirat që kam dhe do t’i them vetes: ‘Ti ke vënë mënjanë shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj merre shtruar, ha, pi dhe kënaqu.’ Por Perëndia i tha: ‘Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë jetën tënde. Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që vure mënjanë?’ Kështu i ndodh njeriut që vë mënjanë thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»—Luka 12:16-21.
Dishepujt e Jezuit dhe të tjerët mund të bien në grackën e grumbullimit të pasurive a të rendjes pas tyre. Edhe ankthet e jetës mund t’i shpërqendrojnë nga shërbimi që i bëjnë Jehovait. Prandaj, Jezui përsërit këshillën e mençur që ka dhënë rreth një vit e gjysmë më parë, në Predikimin në Mal.
Ja ç’thotë: «Mos jini më në ankth për jetën tuaj, se ç’do të hani, as për trupin tuaj, se ç’do të vishni. . . . Mendoni pak për korbat: ata as mbjellin e as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se zogjtë?! . . . Mendoni pak si rriten zambakët: as robtohen, as tjerrin, e megjithatë unë po ju them se as Solomoni, me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre. . . . Prandaj, mos u merakosni më se ç’do të hani e ç’do të pini dhe mos jini më në ankth . . . Ati juaj e di mirë se ju keni nevojë për këto gjëra. . . . Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, dhe këto gjëra do t’ju shtohen.»—Luka 12:22-31; Mateu 6:25-33.
Cilët do ta kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë? Jezui tregon se do të jetë një «kope e vogël», një numër relativisht i vogël besnikësh. Më vonë do të zbulohet se ky grup përbëhet vetëm nga 144.000 veta. Çfarë është rezervuar për ta? Ja si i siguron Jezui: «Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë Mbretërinë.» Ata nuk do të përqendrohen te grumbullimi i thesareve në tokë, ku mund t’i vjedhin hajdutët. Përkundrazi, zemrat do t’i kenë te ‘një thesar i pashtershëm në qiej’, ku do të mbretërojnë me Krishtin.—Luka 12:32-34.