Një bukuri që nuk venitet
«BUKURIA shuhet; bukuria kalon»,—vërejti poeti Walter De la Mare. Dhe sigurisht, kjo ndodh edhe me lulet e mrekullueshme shumëngjyrëshe që shohim. Lavdia e tyre venitet shpejt.
Dishepulli i krishterë Jakovi shkroi: «Ai [i pasuri] do të kalojë si një lule në fushë. Kur dielli ngritet në qiell dhe i përhap rrezet e tij djegëse, gjethet thahen dhe lulet bien për tokë; mbarë bukuria e tyre zhduket. Kështu edhe të pasurit do të rrënohen dhe të gjitha ndërmarrjet e tyre do të marrin fund.»—Jakovit 1:10, 11, Dhiata e re dhe Psalmet.
Në fakt, në këtë botë të pasigurt pasuria mund të zhduket brenda natës. Prandaj, i pasuri—si çdo njeri tjetër—«jeton pak ditë, si një hije». (Jobi 14:1, 2, Dio) Jezui tregoi shëmbëlltyrën e një njeriu që ishte marrë me grumbullimin e pasurisë dhe tani mund të ulej dhe të bënte një jetë të qetë. Por pikërisht kur mendonte se kishte çdo gjë të nevojshme për të bërë një jetë me nge, ai vdiq. Jezui paralajmëroi: «Kështu i ndodh atij që për vete grumbullon thesar, e nuk kujdeset të pasurohet në sy të Perëndisë.»—Luka 12:16-21, Dhiata e re dhe Psalmet.
«Të pasurohet në sy të Perëndisë». Çfarë donte të thoshte Jezui me këtë? Një njeri i pasur në këtë mënyrë, ka «pasuri në qiell»—një emër të mirë me Perëndinë. Kjo pasuri nuk venitet kurrë. (Mateu 6:20; Hebrenjve 6:10) Në vend se të jetë si një lule që fishket, në Bibël ky njeri është krahasuar me një pemë, gjethnaja e së cilës nuk thahet kurrë. Dhe kemi edhe sigurinë se «ka sukses në çdo veprim që ndërmerr».—Psalmi 1:1-3, 6, Dhiata e re dhe Psalmet.