Të forcuar për t’i thënë jo keqbërjes
«KUR isha ende adoleshent dhe punoja në një dyqan artikujsh ushqimorë,—shpjegon Timothi,—një shok pune më ftoi në shtëpinë e tij. Ai tha se nuk do t’i kishte prindërit aty, se do të kishte vajza dhe do të kishim rast për të pasur marrëdhënie seksuale.» Shumë të rinj të sotëm do t’i përgjigjeshin menjëherë po një ftese të tillë. Por, cila ishte përgjigjja e Timothit? «I thashë në çast se nuk do të shkoja dhe se, për shkak të ndërgjegjes sime të krishterë, nuk dëshiroja të kisha marrëdhënie seksuale me dikë me të cilën nuk isha i martuar.»
Kur po i shpjegonte shokut të punës arsyet për refuzimin, Timothi nuk e vuri re se një punonjëse, një grua në moshë të re, po e dëgjonte bisedën. Ndershmëria e tij e tërhoqi këtë grua dhe shumë shpejt atij iu desh t’i thoshte jo edhe asaj, madje në një numër rastesh, siç do ta shohim më vonë.
Sigurisht, në kohën tonë nuk është e pazakontë që të bombardohemi me tundime. Rreth 3.000 vjet më parë, mbreti Solomon shkroi: «Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano. . . . Ndale hapin nga shtegu i tyre.» (Fjalët e urta 1:10, 15) Vetë Jehovai e urdhëroi kombin izraelit: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.» (Eksodi 23:2) Po, disa herë ne duhet të themi jo, duke i rezistuar tundimit për të bërë të keqen, edhe pse të tjerët në përgjithësi nuk veprojnë kështu.
Të themi jo është veçanërisht e rëndësishme sot
T’i thuash jo keqbërjes nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe në ditët tona mund të jetë veçanërisht e vështirë, sepse jetojmë në ato që Bibla i quan «ditët e fundit» të këtij sistemi gjërash. Në vërtetim të profecisë biblike, njerëzit në përgjithësi janë bërë dashurues të kënaqësive dhe të dhunës, pa gjendje frymore dhe morale. (2. Timoteut 3:1-5) Drejtori i një universiteti Jezuit u shpreh: «Kemi pasur disa standarde tradicionale, të cilat tani janë sfiduar dhe është gjetur që kanë mangësi ose që janë të vjetëruara. Tani, nuk duket se ka ndonjë udhëheqje morale.» Duke folur në mënyrë të ngjashme, një gjykatës në gjykatën e lartë tha: «Gjërat nuk janë më bardhë e zi. Çdo gjë është gri. . . . Gjithnjë e më pak njerëz e kuptojnë dallimin mes së drejtës dhe të gabuarës. Tani mëkati është të të zënë me presh në dorë, jo shkelja në vetvete.»
Për njerëzit me qëndrime të tilla, apostulli Pavël shkroi: «Ata janë të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.» (Efesianëve 4:18, 19) Por, për ata do të ketë vetëm probleme. Isaia deklaroi: «Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr.» (Isaia 5:20) Këta jo vetëm që do të korrin çfarë kanë mbjellë sot, por së shpejti do të përjetojnë ‘mjerimin’ më të madh, gjykimin e pafavorshëm nga Jehovai.—Galatasve 6:7.
«Të pabesët mbijnë si bari dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë»,—thuhet në Psalmin 92:7. Me fjalë të tjera, ky prodhim tepër i madh ligësie nuk do të vazhdojë pafundësisht, duke e bërë jetën të padurueshme për të gjithë. Në fakt, Jezui tha se «brezi» që shkakton këtë ligësi, do të jetë pikërisht ai brez që Perëndia do ta eliminojë gjatë një ‘mjerimi të madh’. (Mateu 24:3, 21, 34) Prandaj, nëse duam të kursehemi në atë mjerim, na duhet të dallojmë të drejtën nga e gabuara sipas normave të Perëndisë dhe, sigurisht, na duhet edhe forca morale për t’i thënë jo keqbërjes në të gjitha format e saj. Edhe pse kjo nuk është e lehtë, Jehovai na ka pajisur me disa shembuj inkurajues të kohëve biblike dhe të sotëm.
Të mësojmë nga një i ri që tha jo
T’i thuash jo kurvërisë dhe tradhtisë bashkëshortore duket se është veçanërisht e vështirë, edhe për disa në kongregacionin e krishterë. Timothi, që u përmend në paragrafin hyrës, mori për zemër shembullin e të riut Jozef, të dokumentuar në Shkrime, në Zanafillën 39:1-12. Jozefi tregoi forcë morale, kur gruaja e zyrtarit egjiptian, Potifarit, e ftonte vazhdimisht për të pasur marrëdhënie me të. Tregimi thotë se Jozefi «refuzonte dhe i thoshte . . . : ‘Si do ta kryeja unë këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoja faktikisht kundër Perëndisë?’».—BR.
Si e fitoi Jozefi forcën morale për t’i thënë ditë pas dite jo gruas së Potifarit? Së pari, ai e vlerësonte marrëdhënien e tij me Jehovain shumë më tepër sesa vlerësonte kënaqësitë e momentit. Përveç kësaj, edhe pse nuk ishte nën ndonjë kod ligjesh hyjnore (Ligji i Moisiut ende nuk kishte ardhur), Jozefi kishte një kuptueshmëri të qartë të parimeve morale dhe e dinte se kryerja e kurvërisë me gruan e Potifarit, që përpiqej ta bënte për vete, do të ishte një mëkat jo vetëm ndaj burrit të saj, por edhe ndaj Perëndisë.—Zanafilla 39:8, 9.
Është e qartë se Jozefi e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që as të mos e ndizte dëshirën, e cila mund të çonte në një shpërthim të pakontrollueshëm pasioni. Është e mençur që të krishterët të ndjekin shembullin e Jozefit. Kulla e Rojës, 1 korrik 1957, thoshte: «Ata duhet të pranojnë dobësitë e tyre mëkatare dhe të mos mendojnë se mund të ndjekin dëshirat epshore deri në kufijtë biblikë dhe se mund të ndalen atje. Edhe pse mund t’ia dalin mbanë për njëfarë kohe, përfundimisht ata do ta kalojnë atë kufi, duke shkuar në mëkat. Kjo është e sigurt që do të ndodhë, sepse dëshirat që ushqehen forcohen gjithnjë e më shumë dhe e mbërthejnë më fort një person. Më pas, ai e ka shumë më të vështirë ta heqë mendjen prej tyre. Mbrojtja më e mirë është t’u rezistojë këtyre dëshirave që në fillim.»
Të rezistosh që në fillim bëhet më e lehtë dora-dorës që zhvillojmë një dashuri për atë që është e drejtë dhe një urrejtje për atë që është e gabuar. (Psalmi 37:27) Por duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë, të jemi këmbëngulës. Nëse veprojmë kështu, me ndihmën e Jehovait dashuria jonë për të drejtën dhe neveria për të gabuarën do të bëhet më e fortë. Ndërkohë, është e qartë se duhet të qëndrojmë vigjilentë, siç na drejtoi Jezui, duke u lutur vazhdimisht që të ruhemi nga ngasjet dhe të çlirohemi nga i ligu.—Mateu 6:13; 1. Thesalonikasve 5:17.
T’i themi jo presionit të bashkëmoshatarëve
Një ndikim tjetër drejt keqbërjes është presioni i bashkëmoshatarëve. Një vajzë në moshë të re pranoi: «Po bëj një jetë të dyfishtë: një në shkollë dhe një në shtëpi. Në shkollë e kaloj kohën me fëmijë që shajnë pothuajse sa herë që hapin gojën. Po bëhem dhe unë si ata. Çfarë duhet të bëj?» Ajo që nevojitet është guximi për të qenë i ndryshëm dhe një mënyrë për ta arritur këtë është duke lexuar dhe duke medituar rreth tregimeve biblike që na flasin për shërbëtorë besnikë të Perëndisë si Jozefi. Shembuj të tjerë të shkëlqyer janë Danieli, Shadraku, Meshaku dhe Abednegu: katër djem të rinj që patën guximin të ishin të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tyre.
Ndërsa po arsimoheshin me të rinjtë e tjerë në oborrin mbretëror të Babilonisë, këtyre katër izraelitëve të rinj në moshë iu kërkua të hanin «një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit». Duke mos dashur të shkelnin aspektet e përdorimit të ushqimit, të shprehura në Ligjin e Moisiut, ata i thanë jo këtij ushqimi. Kjo gjë kërkonte forcë dhe aq më tepër ngaqë ushqimet, duke qenë «ushqime të shijshme nga ato të mbretit», ka të ngjarë të kenë qenë mjaft tunduese. Sa shembull të shkëlqyer dhanë këta djem të rinj për të krishterët e sotëm që mund të tundohen, e madje t’u bëhet edhe presion, për ta tepruar me alkoolin ose për të marrë drogë dhe për të pirë duhan!—Danieli 1:3-17.
Shadraku, Meshaku dhe Abednegu shfaqën edhe vërtetësinë e asaj që tha më vonë Jezu Krishti: «Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdha.» (Luka 16:10) Qëndrimi i tyre i guximshëm lidhur me çështjen relativisht të vogël të ushqimit dhe rezultati i shkëlqyer që dha Jehovai, patjetër i forcoi ata për një sprovë të mëvonshme, më të rëndë. (Danieli 1:18-20) Kjo sprovë erdhi kur atyre iu urdhërua, nën kërcënimin e vdekjes me zjarr, të merrnin pjesë në idhujtari. Me guxim, tre djemtë e rinj qëndruan të vendosur për të adhuruar vetëm Jehovain, duke besuar plotësisht në të, cilido që të ishte rezultati. Edhe një herë, Jehovai i bekoi ata për besimin dhe për guximin e tyre, kësaj radhe duke i mbrojtur në mënyrë të mrekullueshme nga flakët, kur i hodhën në një furrë të mbinxehur.—Danieli 3:1-30.
Fjala e Perëndisë përmban shumë shembuj të tjerë të atyre që i thanë jo keqbërjes. Moisiu i tha jo mundësisë për ‘t’u quajtur biri i së bijës së faraonit’, edhe pse kjo do t’i kishte dhënë atij mundësi të shumta për t’u dhënë pas ‘gëzimit për njëfarë kohe të dëfrimeve të mëkatit’ në Egjipt. (Hebrenjve 11:24-26) Profeti Samuel refuzoi të abuzonte me autoritetin e tij duke pranuar rryshfete. (1. Samuelit 12:3, 4) Me guxim, apostujt e Jezu Krishtit u përgjigjën jo kur i urdhëruan që të ndalnin predikimin. (Veprat 5:27-29) Vetë Jezui i tha me vendosmëri jo çfarëdo keqbërjeje, madje deri në momentet e fundit të jetës, kur ushtarët i ofruan «verë të përzier me mirrë». Pranimi i saj mund ta kishte dobësuar vendosmërinë e tij në atë kohë kritike.—Marku 15:23; Mateu 4:1-10.
Të thuash jo: Një çështje për jetë a vdekje
Jezui tha: «Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!»—Mateu 7:13, 14.
Rruga e gjerë është më e rrahur sepse është e lehtë të udhëtosh nëpër të. Udhëtarët e saj janë rehatidashës, të dhënë pas mendimeve dhe udhëve mëkatare dhe dëshirojnë, jo që të jenë të ndryshëm, por që të jenë në harmoni me botën e Satanait. Ata ndihen të kufizuar moralisht nga ligjet dhe parimet e Perëndisë. (Efesianëve 4:17-19) Megjithatë, Jezui e tha në mënyrë specifike se rruga e gjerë çon «në shkatërrim».
Por, përse Jezui tha se vetëm pak veta zgjedhin rrugën e vështirë? Në radhë të parë, sepse vetëm një pjesë e vogël njerëzish duan që ligjet dhe parimet e Perëndisë të drejtojnë jetën e tyre dhe t’i ndihmojnë për t’u rezistuar tundimeve dhe rasteve për keqbërje, që janë me bollëk përreth tyre. Më tej, vetëm një numër relativisht i vogël njerëzish janë gati të luftojnë dëshirat e paligjshme, presionin e bashkëmoshatarëve dhe frikën e talljes që mund t’u bëhet për shkak të rrugës që kanë zgjedhur.—1. Pjetrit 3:16; 4:4.
Këta persona e kuptojnë plotësisht se si u ndie apostulli Pavël kur përshkroi luftën e tij për t’i thënë jo mëkatit. Ashtu si bota e sotme, bota romake dhe ajo greke e kohës së Pavlit siguronte një rrugë të gjerë mundësish për t’u dhënë pas keqbërjes. Pavli shpjegoi se mendja e tij, e cila e dinte atë që ishte e drejtë, bënte një ‘luftë’ të vazhdueshme me mishin e tij, i cili anonte nga keqbërja. (Romakëve 7:21-24) Po, Pavli e dinte se trupi i tij ishte një shërbëtor i mirë, por një zotëri i keq, kështu që mësoi t’i thoshte jo atij. «E mundoj trupin tim dhe e nënshtroj»,—shkroi ai. (1. Korintasve 9:27) Si e arrinte ai këtë zotërim? Jo me forcat e veta, të cilat ishin të pamjaftueshme për këtë punë, por me ndihmën e frymës së Perëndisë.—Romakëve 8:9-11.
Si rezultat, edhe pse ishte i papërsosur, Pavli e mbajti deri në fund integritetin e tij ndaj Jehovait. Jo shumë kohë para se të vdiste, ai mundi të shkruante: «Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë.»—2. Timoteut 4:7, 8.
Ndërsa luftojmë me papërsosmëritë tona, sa shembuj inkurajues që kemi, jo vetëm Pavlin, por edhe ata që i shërbyen atij si shembuj: Jozefin, Moisiun, Danielin, Shadrakun, Meshakun, Abednegun e shumë të tjerë. Edhe pse ishin njerëz të papërsosur, secili prej këtyre burrave me besim i tha jo keqbërjes, jo për shkak të kokëfortësisë ose të kryeneçësisë, por për shkak të forcës morale që u dha fryma e Jehovait. (Galatasve 5:22, 23) Ata ishin burra frymorë. Kishin uri për çdo shprehje të gojës së Jehovait. (Ligji i përtërirë 8:3) Për ta, fjala e tij nënkuptonte jetë. (Ligji i përtërirë 32:47) Mbi të gjitha, ata e donin Jehovain, i druheshin atij dhe me ndihmën e tij, kultivuan me durim një urrejtje për keqbërjen.—Psalmi 97:10; Fjalët e urta 1:7
Qofshim edhe ne si ata! Në fakt, që të vazhdojmë t’i themi jo keqbërjes në të gjitha format e saj, ne kemi nevojë për frymën e Jehovait ashtu si ata. Me bujari, Jehovai na jep frymën e tij nëse e kërkojmë sinqerisht atë, nëse studiojmë Fjalën e tij dhe nëse ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere.—Psalmi 119:105; Luka 11:13; Hebrenjve 10:24, 25.
Timothi, i përmendur në hyrje të artikullit, ishte i kënaqur që nuk i la pas dore nevojat e tij frymore. Punonjësja e re, e cila dëgjoi shkarazi bisedën e tij me kolegun e punës dhe e cila u tërhoq në mënyrë të gabuar nga ndershmëria e Timothit, më vonë e ftoi atë me qetësi në shtëpinë e saj, kur nuk e kishte të shoqin aty. Timothi nuk pranoi. Duke mos u dorëzuar me lehtësi, ajo e përsëriti ftesën në shumë raste, ashtu si gruaja e Potifarit. Me vendosmëri, por me mirësjellje, Timothi i thoshte jo çdo herë. Madje ai i dha kësaj gruaje një dëshmi të shkëlqyer nga Fjala e Perëndisë. Shumë mirënjohës ndaj Jehovait që i dha forcën e duhur morale për të thënë jo, Timothi tani është lumturisht i martuar me një të bashkëkrishterë të këndshme. Vërtet, Jehovai do të bekojë dhe do të forcojë të gjithë ata që dëshirojnë të mbajnë integritetin e tyre të krishterë, duke i thënë jo keqbërjes.—Psalmi 1:1-3.