Kërko pasurinë e vërtetë
«Bëni miq me anë të pasurive të padrejta.»—LUKA 16:9.
1, 2. Pse në këtë sistem do të ketë gjithmonë njerëz të varfër?
SISTEMI i sotëm ekonomik është i egër dhe i padrejtë. Të rinjtë kërkojnë punë, por më kot. Shumë njerëz vënë kokën në rrezik për t’u transferuar në vende me më shumë mirëqenie. Varfëria është goxha e përhapur, madje edhe në vende të pasura. Dhe hendeku mes të pasurve e të varfërve po zgjerohet. Sipas llogaritjeve të fundit, 1 për qind e popullsisë së botës, e përbërë nga njerëzit më të pasur, ka aq pasuri sa pjesa tjetër e banorëve të tokës të marrë së bashku. Ndonëse është e vështirë të konfirmohet kjo shifër, askush nuk e vë në diskutim që miliarda njerëz janë të zhytur në skamje, ndërsa të tjerë kanë aq pasuri sa të jetojnë pasardhësit e tyre për breza të tërë. Jezui e pranoi këtë realitet të egër dhe tha: «Të varfrit do t’i keni gjithmonë.» (Mar. 14:7) Pse kjo pabarazi?
2 Jezui e kishte të qartë se ky sistem ekonomik nuk do të ndryshonte deri në kohën kur të vijë Mbretëria e Perëndisë. Sistemi tregtar lakmitar, i paraqitur nga «tregtarët» e Zbulesës 18:3, përbën një pjesë të botës së Satanait, bashkë me elementët politikë dhe fetarë. Ndërkohë që shërbëtorët e Perëndisë qëndrojnë plotësisht të ndarë nga politika dhe nga feja e rreme, shumica e tyre nuk ndahen dot plotësisht nga pjesa tregtare e botës së Satanait.
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Si të krishterë, bëjmë mirë të shqyrtojmë pikëpamjen tonë për sistemin e sotëm tregtar, duke i bërë vetes pyetje si këto: «Si mund t’i përdor gjërat materiale që zotëroj për të qenë i besueshëm në sytë e Perëndisë? Si ta pakësoj në minimum përzierjen me botën tregtare? Cilët shembuj realë tregojnë se shërbëtorët e Perëndisë mbështeten me besim të plotë tek Ai në këtë ambient sfidues?»
ILUSTRIMI PËR KUJDESTARIN E PADREJTË
4, 5. (a) Në cilën situatë u gjend kujdestari i ilustrimit të Jezuit? (b) Çfarë këshille u dha Jezui dishepujve të tij?
4 Lexo Lukën 16:1-9. Ilustrimi i Jezuit për kujdestarin e padrejtë të fut në mendime. Pasi e akuzuan për shpërdorim, kujdestari veproi me «mençuri» praktike, ‘për të bërë miq’ që ta ndihmonin kur të mos ishte më kujdestar.a Natyrisht që Jezui nuk po i inkurajonte dishepujt e tij të vepronin me padrejtësi për të mbijetuar në këtë botë. Ai e etiketoi këtë si sjellje të ‘bijve të këtij sistemi’, por nëpërmjet këtij ilustrimi theksoi një pikë.
5 Jezui e dinte se, ashtu si kujdestari që u gjend në situatë të vështirë, shumicës së dishepujve të tij do t’u duhej të siguronin jetesën në këtë botë tregtare të padrejtë. Prandaj ai i nxit: «Bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që, kur këto të mbarojnë, ata [Jehovai dhe Jezui] t’ju pranojnë në vendbanimet e përhershme.» Ç’mund të mësojmë nga këshilla e Jezuit?
6. Nga e dimë se sistemi i sotëm tregtar nuk ishte pjesë e qëllimit të Perëndisë?
6 Ndonëse Jezui nuk e shpjegon pse i quan «të padrejta» këto pasuri, Bibla e bën të qartë se sistemi tregtar nuk ishte pjesë e qëllimit të Perëndisë. Në Eden, Jehovai u siguroi me bollëk Adamit dhe Evës gjithë sa u nevojitej. (Zan. 2:15, 16) Më vonë, kur fryma e shenjtë veproi te kongregacioni i të mirosurve në shekullin e parë, «askush nuk thoshte se ndonjë gjë që zotëronte ishte e veta, përkundrazi, e kishin gjithçka të përbashkët». (Vep. 4:32) Profeti Isaia foli për një kohë kur të gjithë njerëzit do t’i gëzojnë me bollëk të mirat materiale të tokës. (Isa. 25:6-9; 65:21, 22) Por deri atëherë, dishepujve të Jezuit do t’u duhej «mençuri» praktike për të siguruar jetesën duke përdorur «pasuritë e padrejta» të botës së sotme teksa përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë.
PËRDORIMI I MENÇUR I PASURIVE TË PADREJTA
7. Cilën këshillë gjejmë te Luka 16:10-13?
7 Lexo Lukën 16:10-13. Kujdestari në ilustrimin e Jezuit bëri miq për leverdi personale. Megjithatë, Jezui i nxiti dishepujt e tij të bënin miq në qiell për qëllime joegoiste. Vargjet pas ilustrimit e lidhin përdorimin e «pasurive të padrejta» me besueshmërinë në sytë e Perëndisë. Ajo që donte të theksonte Jezui ishte se mënyra si i përdorim pasuritë e fituara mund tregojë se ‘jemi të besueshëm’, ose nikoqirë. Si e bëjmë këtë?
8, 9. Si tregohen të besueshëm disa me mënyrën si i përdorin pasuritë e padrejta?
8 Kuptohet qartë se një mënyrë si tregohemi të besueshëm me gjërat tona materiale është duke kontribuar për veprën mbarëbotërore të predikimit që paratha Jezui. (Mat. 24:14) Një vogëlushe në Indi mbante një kuti të vogël kursimi ku hidhte pak nga pak monedha, e për këtë madje hiqte dorë edhe nga lodrat e reja. Kur kutia u mbush plot, i dhuroi paratë që të përdoreshin për veprën e predikimit. Një vëlla në Indi ka një fermë arrash kokosi. Si kontribut, ai çoi një sasi të madhe arrash kokosi në zyrën rajonale të përkthimit për gjuhën malajalame, duke arsyetuar se meqë zyrës i duhet të blejë arra kokosi, furnizimi i tij direkt ishte një kontribut më me vlerë sesa po të jepte pará. Kjo është mençuri praktike. Po ashtu, vëllezërit në Greqi japin rregullisht si kontribut vaj ulliri, djathë dhe ushqime të tjera për familjen Bethel.
9 Një vëlla nga Sri-Lanka, që tani jeton jashtë shtetit, e ka vënë në dispozicion pronën e tij në vendlindje që të përdoret për mbledhje e asamble dhe për strehimin e shërbëtorëve në kohë të plotë. Vërtet, për vëllanë kjo është një sakrificë ekonomike, por për lajmëtarët vendës me të ardhura të pakta është një ndihmë e madhe. Në një vend ku vepra është e kufizuar, vëllezërit vënë në dispozicion shtëpitë që të përdoren si Salla Mbretërie. Kështu, shumë pionierë dhe të tjerë me të ardhura të kufizuara mund të kenë një vend për të mbajtur mbledhjet pa u rënduar aspak nga ana ekonomike.
10. Cilat janë disa bekime që marrim kur japim bujarisht?
10 Shembujt e mësipërm tregojnë si janë ‘të besueshëm në gjëra të vogla’ shërbëtorët e Perëndisë, pra në përdorimin e pasurive materiale, që kanë shumë më pak vlerë se pasuria frymore. (Luka 16:10) Si ndihen këta miq të Jehovait për sakrificat që bëjnë? Ata e dinë mirë se të jesh bujar është një mënyrë për të fituar pasurinë «e vërtetë». (Luka 16:11) Një motër që kontribuon rregullisht për veprën e Mbretërisë tregon për një bekim që ka marrë: «Duke qenë bujare nga ana materiale, kam ndier diçka të pazakontë që ndodh brenda meje me kalimin e viteve. Vërej se sa më bujare të jem nga ana materiale, aq më bujare bëhem në qëndrimin ndaj të tjerëve. Jam më bujare në gatishmërinë për të falur, në durimin me të tjerët dhe në aftësinë për të pranuar zhgënjimet e këshillat.» Shumë veta kanë provuar se bujaria të bën të pasur në sytë e Perëndisë.—Psal. 112:5; Prov. 22:9.
11. (a) Si tregojmë «mençuri» praktike kur japim bujarisht? (b) Çfarë barazimi fondesh po ndodh mes popullit të Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)
11 Një mënyrë tjetër si tregojmë «mençuri» praktike është kur i përdorim të mirat materiale për të mbështetur veprën e Mbretërisë. Kjo na jep mundësi t’i shfrytëzojmë rrethanat tona për të ndihmuar të tjerët. Ata që kanë mjaft të ardhura por që nuk mund të shërbejnë në kohë të plotë ose të transferohen në një vend tjetër, kanë kënaqësinë të dinë se kontributet e tyre financiare mbështetin shërbimin e të tjerëve. (Prov. 19:17) Kontributet vullnetare ndihmojnë të sigurohet literaturë dhe të mbështetet vepra e predikimit në territore ku mbizotëron skamja por ku po rritet vrullshëm numri i atyre që përqafojnë të vërtetën. Për vite të tëra, vëllezërve në vende të tilla si Kongoja, Madagaskari dhe Ruanda shpesh u duhej të zgjidhnin nëse do të blinin ushqim për familjen apo kopje të Biblës, e cila kushton nganjëherë sa rroga e një jave ose e një muaji. Tani, falë kontributeve të shumë vetave dhe një ‘barazimi’ të fondeve, organizata e Jehovait ka financuar përkthimin dhe shpërndarjen e Biblave për çdo pjesëtar të familjes dhe për studentët e Biblës që janë të etur për të vërtetën. (Lexo 2 Korintasve 8:13-15.) Kështu, edhe ata që japin, edhe ata që marrin e kanë derën të hapur për të gëzuar miqësinë e Jehovait.
PËRFSHIRJE MINIMALE NË «ÇËSHTJET TREGTARE TË JETËS»
12. Si e tregoi Abrahami se mbështetej me besim te Perëndia?
12 Një mënyrë tjetër për të fituar miqësinë e Jehovait është duke u përzier sa më pak të jetë e mundur me botën tregtare dhe duke i përdorur rrethanat tona për të kërkuar pasurinë «e vërtetë». Abrahami, një njeri plot besim në kohët e lashta, u bind dhe iku nga Uri i begatë, që të jetonte në tenda dhe të vazhdonte të kultivonte miqësinë me Jehovain. (Hebr. 11:8-10) Ai mbështetej gjithmonë te Perëndia si Burimi i pasurisë së vërtetë, pa rendur kurrë pas përfitimit material, çka do të tregonte mungesë besimi. (Zan. 14:22, 23) Jezui inkurajoi këtë lloj besimi dhe i tha një të riu pasanik: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit zotërimet e tua dhe paratë jepua të varfërve, e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu ithtari im.» (Mat. 19:21) Ndonëse ai njeri nuk kishte një besim si ai i Abrahamit, të tjerë kanë treguar besim absolut te Perëndia.
13. (a) Çfarë këshille i dha Pavli Timoteut? (b) Si mund ta zbatojmë sot këshillën e Pavlit?
13 Timoteu ishte një njeri me besim të fortë. Pasi e quajti Timoteun ‘ushtar të shkëlqyer të Krishtit Jezu’, Pavli i tha: «Kush është ushtar, nuk përzihet në çështjet tregtare të jetës, me qëllim që të fitojë miratimin e atij që e ka marrë ushtar.» (2 Tim. 2:3, 4) Dishepujt e Jezuit sot, mes të cilëve një ushtri me mbi një milion shërbëtorë në kohë të plotë, bëjnë çmos ta zbatojnë këshillën e Pavlit me sa ua lejojnë rrethanat. Ata u rezistojnë presioneve që vijnë nga reklamat e nga bota përreth dhe mbajnë në mend parimin: «Huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» (Prov. 22:7) Satanai do të kënaqej sa s’ka sikur t’i harxhonim gjithë kohën dhe energjitë tona si skllevër të botës së tij tregtare. Disa vendime mund të na mbajnë për vite të tëra në skllavëri ekonomike. Kreditë e mëdha për shtëpi, kreditë studentore që nuk shlyhen dot për vite me radhë, kreditë për makina të shtrenjta, e madje edhe dasmat ekstravagante mund të krijojnë presion të madh ekonomik. Tregojmë mençuri praktike kur e thjeshtojmë jetën dhe i pakësojmë borxhet e shpenzimet. Kështu jemi të lirë që të shërbejmë si skllevër të Perëndisë, jo të sistemit të sotëm tregtar.—1 Tim. 6:10.
14. Për çfarë duhet të jemi të vendosur? Jepni shembuj.
14 Për ta mbajtur jetën të thjeshtë duhet të vëmë përparësi. Një çift kishte një biznes industrial që po lulëzonte. Megjithatë, dëshira për të rifilluar shërbimin e plotkohor i motivoi të shitnin biznesin e tyre, motobarkën dhe gjëra të tjera materiale. Pastaj dolën vullnetarë për të ndihmuar në ndërtimin e selisë botërore në Uoruik, Nju-Jork. Një bekim i veçantë për ta ka qenë të shërbejnë në Bethel bashkë me vajzën e me burrin e saj dhe, për disa javë, bashkë me prindërit e vëllait, që punuan po ashtu në projektin e Uoruikut. Një pioniere në Kolorado, SHBA, gjeti punë me orar të reduktuar në një bankë. Personeli ishte aq i kënaqur me punën e saj, sa i ofruan një punë me orar të plotë dhe me trefishin e rrogës. Mirëpo ajo punë do ta shpërqendronte nga shërbimi, prandaj nuk e pranoi ofertën fitimprurëse. Këta janë vetëm pak shembuj nga sakrificat e panumërta që bëjnë shërbëtorët e Jehovait. Kjo vendosmëri për të vënë Mbretërinë në vend të parë tregon se për ne miqësia me Perëndinë dhe pasuria frymore janë shumë më të çmuara se gjërat që na servir bota e sotme tregtare.
KUR PASURITË MATERIALE TË MBAROJNË
15. Cila pasuri sjell kënaqësinë më të madhe?
15 Pasuria materiale nuk është medoemos tregues i bekimit të Perëndisë. Jehovai bekon ata që janë «të pasur në vepra të shkëlqyera». (Lexo 1 Timoteut 6:17-19.) Për shembull, kur Luçiab mori vesh se në Shqipëri kishte nevojë për lajmëtarë, u transferua nga Italia atje në vitin 1993 pa pasur asnjë mjet jetese, duke u mbështetur me besim të plotë te Jehovai. Ajo e mësoi mirë gjuhën shqipe dhe ka ndihmuar më shumë se 60 veta që t’ia kushtojnë jetën Jehovait. Edhe pse shumica e shërbëtorëve të Perëndisë nuk predikojnë në territore kaq të frytshme, çdo gjë që bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë rrugën e jetës dhe të qëndrojnë në të do të jetë në përjetësi një thesar i vyer për ne e për ta.—Mat. 6:20.
16. (a) Cila është e ardhmja e sistemit të sotëm tregtar? (b) Si duhet të ndikojë ajo që dimë për të ardhmen te pikëpamja jonë për pasurinë materiale?
16 Jezui tha: «Kur këto [pasuri të padrejta] të mbarojnë», jo ‘nëse mbarojnë’. (Luka 16:9) Falimentimet e bankave dhe kolapset ekonomike që kanë ndodhur në këto ditë të fundit janë të papërfillshme krahasuar me atë që do të ndodhë në shkallë botërore në të ardhmen e afërt. Krejt sistemi i Satanait—politik, fetar dhe tregtar—është e sigurt se do të marrë fund. Profetët Ezekiel dhe Sofonia parathanë se ari dhe argjendi—të mira bazë të botës tregtare ndër shekuj—do ta humbin vlerën fare. (Ezek. 7:19; Sof. 1:18) Si do të ndiheshim sikur të arrinim në fund të jetës sonë në këtë botë dhe të kuptonim se kemi sakrifikuar pasurinë e vërtetë për të grumbulluar një mal me ‘pasuri të padrejta’ të botës? Mund të ndiheshim si një njeri që ka punuar tërë jetën për të vënë pasuri të madhe, kur ja, merr vesh se ato pará janë fallso. (Prov. 18:11) Po, në fund këto pasuri do të mbarojnë, prandaj mos e humb mundësinë që t’i përdorësh ‘për të bërë miq’ në qiell. Çfarëdo gjëje që bëjmë për të mbështetur Mbretërinë e Jehovait na bën të pasur në sytë e Tij.
17, 18. Ç’e ardhme i pret miqtë e Perëndisë?
17 Kur të vijë Mbretëria e Perëndisë, askujt nuk do t’i duhet më të paguajë qira dhe kredi për shtëpi, ushqimet do të jenë falas e me bollëk dhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor s’do të ekzistojnë më. Familja e Jehovait në tokë do të gëzojë gjërat më të mira që ofron toka. Ari, argjendi dhe gurët e çmuar do të jenë për stolisje, jo për investime a për t’u fshehur gjëkundi si pasuri. Do të ketë me bollëk materiale të cilësisë së lartë si dru, gurë dhe metale për të ndërtuar shtëpi të bukura. Miqtë do të na ndihmojnë thjesht nga dëshira, jo për pará. Do të ekzistojë një sistem i ri për t’i gëzuar të gjithë bashkë begatitë e tokës.
18 Kjo është veçse një pjesë e trashëgimisë së vyer të atyre që bëjnë miq në qiell. Si do të fluturojnë nga gëzimi adhuruesit e Jehovait në tokë kur të dëgjojnë fjalët e Jezuit: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.»—Mat. 25:34.
a Jezui nuk tregon nëse akuza ishte me baza. Fjala greke e përkthyer «akuzuan» te Luka 16:1, mund të përcjellë idenë se për kujdestarin kishin shpifur. Gjithsesi, Jezui përqendrohet te reagimi i kujdestarit, jo tek arsyet pse e hoqën nga puna.
b Jetëshkrimi i Luçia Musanetit gjendet në revistën Zgjohuni! të 22 qershorit 2003, f. 18-22.