Mbretëria
Përkufizimi: Mbretëria e Perëndisë është shprehje e sovranitetit universal të Jehovait ndaj krijesave të tij ose mjeti që përdor për të shprehur këtë sovranitet. Ky term përdoret veçanërisht për të treguar shfaqjen e sovranitetit të Perëndisë nëpërmjet mbretërisë së udhëhequr nga Biri i tij, Jezu Krishti. Fjala «mbretëri» mund t’i referohet sundimit të atij që është mirosur si Mbret ose sferës tokësore që sundohet nga ajo qeveri qiellore.
A është Mbretëria e Perëndisë një qeveri reale?
Apo, përkundrazi, është një gjendje në zemrën e njerëzve?
Luka 17:21, Dio: «As nuk do të mund të thuhet: ‘Ja, këtu’, ose: ‘Ja, atje’; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush [«mes jush», DSF, BR].» (Vër re se, siç tregohet te vargu 20, Jezui po u fliste farisenjve, të cilët i dënoi si hipokritë, prandaj nuk mund të kishte si qëllim të thoshte se Mbretëria ishte në zemrën e tyre. Por Mbretëria, e përfaqësuar nga Krishti, ishte mes tyre. Kështu, versioni Emphatic Diaglott thotë: «Madhështia mbretërore e Perëndisë është mes jush.»)
A thotë në të vërtetë Bibla se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri?
Isa. 9:5, 6, Dio: «Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria [Isa. 9:6, 7, «shenja e mbretërisë», DSF; «sundimi princëror», BR] dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja.»
Cilët janë sundimtarët e Mbretërisë?
Zbul. 15:3: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë!»
Dan. 7:13, 14: «Pashë . . . dikë si një bir njeriu [Jezu Krishti; shih Markun 14:61, 62], i cili po vinte me retë e qiejve. Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve [Perëndia Jehova] dhe e afruan pranë, pikërisht përpara Tij. Atij [Jezu Krishtit] iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët.»
Zbul. 5:9, 10: «Ti [Jezu Krishti] u there dhe me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.» (Ata që «ishin blerë nga toka», për të qenë sundimtarë me Qengjin në malin qiellor të Sionit, sipas Zbulesës 14:1-3, janë 144.000 veta.)
Ç’ndikim do të ketë kjo Mbretëri te qeveritë njerëzore?
Dan. 2:44: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»
Psal. 2:8, 9: «Më kërko, e unë do të të jap kombe si trashëgimi dhe skajet e tokës si zotërim. Ti do t’i copëtosh me një skeptër të hekurt, e do t’i bësh copë e çikë si të ishin enë poçari.»
Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?
Do të shenjtërojë emrin e Jehovait dhe do të mbështetë sovranitetin e tij
Mat. 6:9, 10: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote.’» (Këtu shenjtërimi i emrit të Perëndisë lidhet ngushtë me ardhjen e Mbretërisë së tij.)
Ezek. 38:23: «Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Emrit të Perëndisë do t’i hiqet çdo sharje; ai do të trajtohet si i shenjtë dhe që meriton respekt, dhe të gjithë ata që do të jetojnë, do të jenë persona që e mbështetin vullnetarisht sovranitetin e Jehovait, duke gjetur kënaqësi në bërjen e vullnetit të tij. Nga një shenjtërim i tillë i emrit të Jehovait varen paqja dhe mirëqenia e tërë universit.)
Nuk do të lejojë më që Satanai të jetë sundimtari i botës
Zbul. 20:2, 3: «Ai [mbreti qiellor, Jezu Krishti] e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët. Pas këtyre gjërave, ai do të zgjidhet për pak kohë.» (Në këtë mënyrë njerëzimi do të çlirohet nga ndikimi satanik, që ua kishte bërë të vështirë jetën atyre që donin të bënin çfarë është e drejtë. Do të zhduket ndikimi djallëzor, që ka shkaktuar akte çnjerëzore ekstreme dhe ndikimi demonik, që ua ka mbushur jetën me frikë shumë njerëzve.)
Do të bashkojë tërë krijimin në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë
Zbul. 5:13; 15:3, 4: «Çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë e në det, çdo gjë që është në to, e dëgjova të thoshte: ‘Ai që rri ulur në fron [Perëndia Jehova] dhe Qengji [Jezu Krishti] paçin bekimin, nderimin, lavdinë dhe fuqinë në jetë të jetëve!’» «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë! Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd? Sepse vetëm ti je besnik! Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje, pasi ato e panë qartë drejtësinë e dekreteve të tua.»
Do ta risjellë njerëzimin në një marrëdhënie të harmonishme me Perëndinë
Rom. 8:19-21: «Krijesa [njerëzimi] po pret me një pritje të zjarrtë zbulimin e bijve të Perëndisë [dëshminë se ata që do të jenë ringjallur në jetën qiellore me Jezu Krishtin, do të kenë filluar të veprojnë si sundimtarë]. Në të vërtetë, krijesa i ishte nënshtruar kotësisë, jo me vullnetin e vet, por nga ai që e nënshtroi, në bazë të shpresës se edhe vetë krijesa [njerëzimi në përgjithësi] do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»
Do ta çlirojë njerëzimin nga kërcënimi i luftës
Psal. 46:8, 9: «Ejani dhe shihni veprat e Jehovait, se si ka bërë të ndodhin ngjarje befasuese në tokë. Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut.»
Isa. 2:4: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»
Do të heqë nga toka sundimtarët e korruptuar dhe shtypjen
Psal. 110:5: «Jehovai, që është në të djathtën tënde, do t’i copëtojë mbretërit ditën e zemërimit të tij.»
Psal. 72:12-14: «Ai [Mbreti Mesianik i Jehovait] do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.»
Do t’i sigurojë bollëk ushqimi tërë njerëzimit
Psal. 72:16: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»
Isa. 25:6: «Në këtë mal [në malin qiellor të Sionit, selia e Mbretërisë së Perëndisë, do të merren masat për nënshtetasit e saj tokësorë], Jehovai i ushtrive do të shtrojë për të gjithë popujt një gosti me gjellë plot yndyrë, një gosti me verë që është lënë të kullojë, me gjellë plot yndyrë e plot palcë, me verë që është lënë të kullojë dhe është filtruar.»
Do të zhdukë çdo lloj sëmundjeje ose gjymtimi fizik
Luka 7:22; 9:11: «Shkoni, tregojini Gjonit ç’patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë.» «Ai [Jezu Krishti] i priti me dashamirësi, nisi t’u fliste për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë të shëroheshin.» (Në këtë mënyrë, Jezui tregoi se çfarë do të bënte për njerëzit si Mbret qiellor.)
Do t’u sigurojë të gjithëve shtëpi të përshtatshme
Isa. 65:21, 22: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»
Do t’u sigurojë të gjithëve punë të kënaqshme
Isa. 65:23: «Nuk do të robtohen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë që të shkatërrohen papritur, sepse ata dhe bijtë e tyre janë pasardhës të bekuar nga Jehovai.»
Do të garantojë siguri; njerëzit ose gjërat nuk do të jenë më në rrezik
Mik. 4:4: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij.»
Psal. 37:10, 11: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
Do të bëjë që të mbizotërojnë e drejta dhe drejtësia
2 Pjet. 3:13: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»
Isa. 11:3-5: «Ai [Mbreti Mesianik] nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi. . . . Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij, kurse besnikëria brezi i ijëve të tij.»
Do ta mbrojë njerëzimin nga dëmtimet e forcave natyrore
Mar. 4:37-41: «Atëherë shpërtheu një stuhi e egër dhe e fortë, dhe dallgët e përplasnin barkën, aq sa ajo po mbushej. . . . Atëherë ai [Jezui] u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: ‘Pusho! Hesht!’ Era ra dhe u bë një qetësi e madhe. . . . Por ata i kishte zënë një frikë e pazakontë dhe i thoshin njëri-tjetrit: ‘Kush është ky, që i binden edhe era dhe deti?’» (Kështu, Jezui tregoi fuqinë që do të ushtrojë si Mbret qiellor ndaj elementeve të natyrës.)
Do të ringjallë të vdekurit
Gjoni 5:28, 29: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [zërin e Krishtit Mbret] dhe do të dalin.»
Zbul. 20:12: «Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat. Por u hap edhe një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre [ato vepra që do të kryejnë pas ringjalljes; krahaso Romakëve 6:7].»
Do të zhdukë vdekjen që është trashëguar nga mëkati adamik
Isa. 25:8: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.»
Zbul. 21:4: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»
Do të sjellë një botë ku njerëzit do ta duan vërtet njëri-tjetrin
Gjoni 13:35: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi [e kështu të kenë shpresën për të qenë bashkësundimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore ose nënshtetas tokësorë të kësaj Mbretërie], nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»
Do të rivendosë marrëdhënie të harmonishme mes kafshëve dhe njerëzve
Isa. 11:6-9: «Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. Viçi, luani i ri me krifë dhe kafsha e majme do të jenë të gjithë bashkë, dhe një djalë i vogël do t’u prijë. Lopa dhe arusha do të kullotin së bashku; të vegjlit e tyre do të shtrihen tok. Edhe luani do të hajë kashtë si kau. Foshnja e gjirit do të luajë mbi vrimën e kobrës dhe fëmija i zvjerdhur do ta vërë dorën te vrima e folesë së një gjarpri helmues. Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë.» (Shih edhe Isainë 65:25.)
Hoz. 2:18: «Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje lidhur me bishat e fushës, me zogjtë e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. . . . Do të bëj që ata të shtrihen në siguri.»
Do ta bëjë tokën parajsë
Luka 23:43: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»
Psal. 98:7-9: «Le të gjëmojë deti dhe çdo gjë që mban ai, toka dhe ata që banojnë në të. Lumenjtë le të duartrokasin, malet të gjitha tok, të lëshojnë britma të gëzuara para Jehovait, se ai ka ardhur për të gjykuar dheun. Ai do ta gjykojë tokën me drejtësi dhe popujt me paanësi.»
Krahaso Zanafillën 1:28; 2:15; Isainë 55:11.
Kur duhej të fillonte të sundonte Mbretëria e Perëndisë?
Në shekullin e parë?
Kolos. 1:1, 2, 13: «Pavli, një apostull i Krishtit Jezu nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, dhe Timoteu, vëllai ynë, të shenjtëve [atyre që ishin trashëgimtarë të Mbretërisë qiellore] . . . Ai [Perëndia] na çliroi nga pushteti i errësirës dhe na çoi [të shenjtët, pjesëtarë të kongregacionit të krishterë] në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij.» (Pra, Krishti kishte filluar të mbretëronte mbi kongregacionin e krishterë në shekullin e parë, para se të shkruheshin këto fjalë, por vendosja e Mbretërisë për të sunduar mbi gjithë tokën duhej të ndodhte në të ardhmen.)
1 Kor. 4:8: «Tashmë jeni të ngopur, apo jo? Tashmë jeni të pasur, apo jo? Keni filluar të mbretëroni pa ne, apo s’është kështu? Do të desha të kishit filluar të mbretëronit, që edhe ne të mbretëronim me ju.» (Është e qartë se apostulli Pavël i qorton ata, ngaqë kanë një pikëpamje të gabuar.)
Zbul. 12:10, 12: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij, sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë! Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta! Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Vendosja e Mbretërisë së Perëndisë këtu, është shoqëruar me hedhjen e Satanait nga qielli. Siç tregohet te Jobi kapitujt 1, 2, kjo nuk kishte ndodhur në kohën e rebelimit në Eden. Zbulesa u shkrua në vitin 96 të e.s., dhe Zbulesa 1:1 tregon se ngjarjet që përmenden aty, do të ndodhnin në të ardhmen.)
Mos vallë duhet të pritet kthimi në besim i gjithë botës, përpara se të vijë në fuqi Mbretëria e Perëndisë?
Psal. 110:1, 2: «Jehovai i thotë Zotërisë tim [Jezu Krishtit]: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’ Nga Sioni, Jehovai do të zgjatë shkopin e forcës së tij dhe do t’i thotë: ‘Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.’» (Pra, do të kishte armiq që duheshin mundur; jo të gjithë do t’i nënshtroheshin sundimit të tij.)
Mat. 25:31-46: «Kur Biri i njeriut [Jezu Krishti] të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. . . . Ata [që nuk treguan dashuri për vëllezërit e tij të mirosur] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.» (Natyrisht, nuk duhej kthyer në besim i gjithë njerëzimi para se Krishti të merrte fronin e tij; jo të gjithë do të ishin të drejtë.)
A e tregon Bibla se kur do të fillonte të sundonte Mbretëria?
Shih faqet 67-70, te tema «Datat» dhe faqet 82-86, te tema «Ditët e fundit».
Nëse dikush thotë:
‘S’ka për të ardhur në kohën time’
Mund të përgjigjesh: ‘Por ama, do të vijë në kohën e dikujt, apo jo? . . . A do të mundte dikush ta dinte se brezi i tij do ta shihte atë mbretëri? Edhe apostujt e Jezuit donin ta dinin këtë dhe përgjigjja që u dha ai, është shumë domethënëse për ne. (Mat. 24:3-14)’
Ose mund të thuash: ‘Shumë mendojnë kështu. Por Dëshmitarët e Jehovait besojnë fort, duke u bazuar në Bibël, se Mbretëria e Perëndisë po sundon tashmë në qiej dhe varet nga ne, nëse duam ose jo të vazhdojmë të jetojmë në tokë nën qeverinë e drejtë të Perëndisë. Ja përse erdha në derën tuaj. Vëreni se çfarë thuhet këtu te Mateu 25:31-33.’