-
«Arsyetonte në zemër për kuptimin»Kulla e Rojës—2008 | 1 Tetor
-
-
Fshati ishte dëng me njerëz. Të tjerë kishin mbërritur më parë për t’u regjistruar, kështu për ta nuk kishte më vend në bujtinë.b S’kishin ç’të bënin, veçse ta kalonin natën në një stallë. Mund ta përfytyrojmë sa i shqetësuar ishte Jozefi tek shihte të shoqen që kishte dhembje të forta që s’i kish provuar kurrë, të cilat po shtoheshin. E pra, tamam në atë vend aq të papërshtatshëm i filluan dhembjet e lindjes.
Çdo grua mund ta kuptojë Marinë. Rreth 4.000 vjet më parë, Jehovai kishte parathënë se të gjitha gratë do të vuanin gjatë lindjes për shkak të mëkatit të trashëguar. (Zanafilla 3:16) Nuk ka ndonjë provë që tregon se Maria bënte përjashtim. Luka nuk i përshkruan dhembjet e Marisë, por thotë thjesht: «Lindi një djalë, të parëlindurin.» (Luka 2:7) Po, i parëlinduri i saj kishte ardhur në jetë. Ishte i pari i shumë fëmijëve që pati Maria, të paktën shtatë. (Marku 6:3) Por do të dallonte përherë nga gjithë të tjerët. Ai jo vetëm ishte i parëlinduri i saj, por edhe për Perëndinë Jehova ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit», i vetëmlinduri Bir i Perëndisë.—Kolosianëve 1:15.
Pikërisht në këtë moment tregimi shton një detaj të famshëm: «E mbështolli me pelena dhe e vuri në një grazhd.» (Luka 2:7) Shfaqjet, pikturat dhe skenat që përshkruajnë lindjen e Krishtit përreth botës, i japin këtij rasti ngjyra sentimentalizmi dhe jorealiste. Megjithatë, ja ç’ndodhi vërtet. Një grazhd është një lug, është si një govatë ku hanë kafshët bujqësore. Pra, familja ishte strehuar në një stallë, që patjetër nuk është një vend që dallohet për ajrin e mirë ose për higjienën, si atëherë, ashtu edhe sot. E cilët prindër do të zgjidhnin një vend të tillë për të lindur fëmijën po të kishin mundësi tjetër?! Shumica e prindërve duan më të mirën për fëmijët e tyre, aq më shumë Maria dhe Jozefi dëshironin t’i krijonin kushtet më të mira Birit të Perëndisë.
Sidoqoftë ata nuk i lejuan kufizimet që t’i hidhëronin. Bënë gjithçka kishin në dorë brenda mundësive të tyre. Për shembull, vëreni se Maria vetë u kujdes për foshnjën, duke e mbështjellë ngrohtë me pelena, pastaj e vuri me kujdes të flinte në grazhd dhe u sigurua që ai të ishte ngrohtë dhe i sigurt. Maria nuk lejoi kurrsesi që ankthi për kushtet përreth ta shpërqendronte e të mos bënte më të mirën që mundej. Ajo dhe Jozefi e dinin edhe se gjëja më e rëndësishme që mund të bënin për fëmijën ishte ta mbështetnin në adhurimin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 6:6-8) Sot prindërit e mençur vënë këtë gjë në vend të parë, teksa i rritin fëmijët në një botë që nuk e vlerëson shërbimin ndaj Perëndisë.
-
-
«Arsyetonte në zemër për kuptimin»Kulla e Rojës—2008 | 1 Tetor
-
-
b Në atë kohë, qytezat e kishin zakon të mbanin një bujtinë për të strehuar udhëtarët dhe karvanët e rastit.
-