KAPITULLI 128
Pilati dhe Herodi e shpallin Jezuin të pafajshëm
MATEU 27:12-14, 18, 19 MARKU 15:2-5 LUKA 23:4-16 GJONI 18:36-38
PILATI DHE HERODI MARRIN NË PYETJE JEZUIN
Jezui nuk përpiqet t’ia fshehë Pilatit faktin që është mbret. Sidoqoftë, Mbretëria e tij nuk përbën kërcënim për Romën. Prandaj Jezui thotë: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Nëse Mbretëria ime do të ishte pjesë e kësaj bote, dishepujt e mi do të kishin luftuar që të mos u dorëzohesha judenjve. Por, faktikisht, Mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» (Gjoni 18:36) Po, Jezui ka një Mbretëri, por ajo nuk është pjesë e botës.
Pilati nuk e lë me kaq. Ai pyet: «A je mbret, atëherë?» Jezui i tregon Pilatit se ka arritur në përfundimin e duhur kur i përgjigjet: «Ti vetë po thua se jam mbret. Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën. Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.»—Gjoni 18:37.
Më përpara Jezui i kishte thënë Thomait: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.» Tani i shpjegon edhe Pilatit se ka ardhur në botë që të japë dëshmi «për të vërtetën», pra për të vërtetën rreth Mbretërisë. Jezui është i vendosur t’i qëndrojë besnik kësaj të vërtete, edhe nëse i duhet të vdesë. Pilati e pyet: «Çfarë është e vërteta?» Por në fakt nuk pret përgjigje, se mendon që i mjafton ajo që ka dëgjuar për të dhënë vendimin në lidhje me këtë njeri.—Gjoni 14:6; 18:38.
Më pas, Pilati kthehet te turma që po pret jashtë pallatit. Me sa duket Jezui është në krah të tij kur u thotë krerëve të priftërinjve dhe të tjerëve këto fjalë: «Unë nuk gjej asnjë bazë për ta dënuar këtë njeri.» Të mbushur me mllef nga vendimi, turma këmbëngul: «Me mësimet e tij po nxit trazira në popull, anembanë Judesë, duke filluar që nga Galilea e madje deri këtu.»—Luka 23:4, 5.
Kushedi sa çuditet Pilati nga ky fanatizëm i paarsyeshëm i judenjve! Ndërsa krerët e priftërinjve dhe pleqtë vazhdojnë të bërtasin, Pilati pyet Jezuin: «A nuk e dëgjon sa shumë akuza po ngrenë kundër teje?» (Mateu 27:13) Jezui as e merr mundimin të përgjigjet. Qetësia e tij përballë këtyre akuzave absurde e habit Pilatin.
Kur dëgjoi judenjtë të përmendnin ‘Galilenë’, Pilati arrin në përfundimin që Jezui është galileas. Kështu i vjen një ide si mund ta heqë nga vetja përgjegjësinë për ta gjykuar. Herod Antipa (djali i Herodit të Madh) është sundimtari i Galilesë dhe tani, në periudhën e Festës së Kalimit, ndodhet në Jerusalem. Prandaj Pilati e dërgon Jezuin te Herodi. Herod Antipa është po ai që urdhëroi t’i pritej koka Gjon Pagëzorit. Më vonë, kur dëgjoi se Jezui po kryente mrekulli, Herodi pati frikë mos Jezui ishte Gjoni i ngritur nga të vdekurit.—Luka 9:7-9.
Tani Herodi kënaqet shumë që do të takojë Jezuin. Jo se dëshiron ta ndihmojë ose të kuptojë nëse akuzat ndaj tij qëndrojnë. Është thjesht kurioz dhe ‘shpreson që ai të bëjë ndonjë mrekulli në sytë e tij’. (Luka 23:8) Mirëpo Jezui nuk ia shuan kureshtjen. Madje, ndërsa Herodi i bën pyetje, Jezui nuk thotë asnjë fjalë. Të zhgënjyer, Herodi bashkë me ushtarët e vet e trajtojnë «me përçmim». (Luka 23:11) I hedhin krahëve një veshje madhështore dhe tallen me të. Pastaj Herodi e dërgon Jezuin përsëri te Pilati. Më parë, Herodi dhe Pilati ishin armiq, por tani bëhen miq të ngushtë.
Kur Jezui mbërrin, Pilati mbledh krerët e priftërinjve, qeveritarët e popullin dhe u thotë: «Unë e mora në pyetje në sytë tuaj, por nuk gjeta asnjë bazë për akuzat që ngrini kundër këtij njeriu. Në fakt, as Herodi nuk gjeti gjë, sepse na e ktheu prapë neve. Ju e shihni pra, ai nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj do ta ndëshkoj dhe do ta lë të lirë.»—Luka 23:14-16.
Pilati ka shumë dëshirë ta lirojë Jezuin, se e kupton që priftërinjtë e kanë dorëzuar tek ai nga zilia. Për më tepër, i shtohet edhe një arsye tjetër. Ndërsa është në fronin e gjykimit, e shoqja i dërgon këtë mesazh: «Mos u përziej fare me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr [siç duket, një ëndërr me origjinë hyjnore] për shkak të tij.»—Mateu 27:19.
Pilati e di se duhet ta lirojë këtë njeri të pafajshëm, por si t’ia bëjë?