ESHTRAT, KOCKAT
Të përbëra nga inde të gjalla, kockat formojnë një skelet të fortë në trupin e vertebrorëve. Trupi i njeriut është ndërtuar në mënyrë aq të ndërlikuar, sa edhe shkencëtarët e kanë të vështirë ta kuptojnë, dhe është ‘endur’ me një skelet të përbërë nga më shumë se 200 kocka bashkë me tejzat e tyre. (Jb 10:11; Ek 11:5) Në përpjesëtim me peshën, kocka është më e fortë se çeliku dhe struktura e saj mund të krahasohet me betonarmenë. Në fakt, kur përshkroi «behemothin», Jehovai tha: «Eshtrat e tij janë si tuba bakri, kockat e tij të forta si shufra hekuri të farkëtuar.» (Jb 40:15, 18) Ky përshkrim i përshtatet më së miri hipopotamit, këmbët e shkurtra e të forta të të cilit, si dhe këllqet e tij të fuqishme, kanë kocka që arrijnë të mbajnë peshën e tij të jashtëzakonshme që shkon nga 2.300 deri në 3.600 kg.
Fjala e zakonshme hebraike për «kockë» ose «eshtër» është ʽécem (Zn 2:23); një sinonim është gérem. (Pr 25:15) Termi grek është osté.—Gjo 19:36.
Eva, gruaja e parë, u formua nga një brinjë që u mor nga Adami. Kjo ishte me vend, pasi kockat janë themeli i trupit, të përbëra plotësisht nga qeliza të gjalla dhe prodhojnë rruazat e gjakut. Adami mund të thoshte me plot gojën për Evën: «Kjo më në fund është kockë e kockave të mia.» Ishte e afërmja më e ngushtë që mund të kishte ai. (Zn 2:22, 23) Shprehje të ngjashme janë përdorur disa herë në Shkrime për të treguar këtë lidhje të ngushtë.—Zn 29:14; Gjy 9:2; 2Sa 5:1; 19:12; 1Kr 11:1.
Dëshmi besimforcuese. Jozefi e dinte se do të kalonte kohë para se Perëndia ta nxirrte Izraelin nga Egjipti e ta vendoste në Kanaan. Si dëshmi për Izraelin dhe me besim, ai dha urdhër që eshtrat e tij t’i merrnin me vete kur izraelitët të dilnin. (Zn 50:25; He 11:22) Izraeli e mbajti ndër mend këtë dhe Moisiu e zbatoi urdhrin kur e udhëhoqi Izraelin jashtë Egjiptit. (Da 13:19) Së fundi, eshtrat e Jozefit i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që kishte blerë Jakobi.—Js 24:32.
Një mrekulli që kishte lidhje me Eliseun (pas vdekjes së tij) ndodhi kur një burrë u ringjall menjëherë sapo trupi i tij i vdekur u hodh në varrin e Eliseut dhe preku kockat e profetit. Kjo ishte një provë se mrekullitë e kryera nga Eliseu ishin falë fuqisë së Perëndisë dhe jo të tij, si dhe një dëshmi ose vulë nga Perëndia që provonte se ai ishte vërtet profeti i tij besnik.—2Mb 13:20, 21.
Pasi u ringjall, Jezui iu shfaq disa prej dishepujve të tij, të cilët menduan se po shihnin një frymë. Që t’i siguronte, ai u tha: «Më prekni dhe shihni, sepse fryma nuk ka mish dhe kocka, siç e shihni që kam unë.» (Lu 24:39) Përderisa Jezui nuk tha se ishte mish e gjak, disa kanë pohuar se ai kishte një lloj trupi me mish e kocka, por pa gjak. Mirëpo, ky argumentim është fare pa bazë, pasi dishepujt mund të shihnin që ai kishte kocka e mish, por nga trupi i tij nuk po dilte gjak që Jezui t’ua drejtonte vëmendjen te ky fakt. Kështu, nga goja e 11 apostujve dhe e të tjerëve që ishin mbledhur me ta në atë rast, Jezui siguroi dëshmi se ishte ringjallur vërtet dhe se, kur shpallnin se ai ishte ringjallur, dishepujt nuk kishin parë halucinacione.
Papastërti. Sipas Ligjit që u dha përmes Moisiut, në kuptimin fetar, një person ishte i papastër për shtatë ditë nëse prekte një kufomë a eshtër njeriu, ose ndonjë varr. (Nu 19:16) Mbreti Josia e luftoi adhurimin e rremë duke i mbushur me eshtra njerëzish vendet ku më parë ngriheshin shtyllat e shenjta të adhurimit pagan, si dhe duke djegur mbi altar eshtrat që ishin në varre. Në këtë mënyrë, ai i ndoti altarët dhe i bëri të papërshtatshëm për t’u përdorur.—2Mb 23:14, 16, 19; 2Kr 34:5.
Përdorimi i figurshëm. Kur u referohet kockave, Bibla thekson se sa jetësore janë ato për shëndetin fizik të njeriut, në kuptimin e mirëfilltë, si dhe për shëndetin frymor, në kuptimin e figurshëm. Kockat përbëjnë strukturën e brendshme mbështetëse të trupit dhe si të tilla janë përdorur në mënyrë metaforike në Bibël për të përfaqësuar vetë individin, sidomos kur preket nga ndjenja dhe emocione të thella. Kështu, për shembull, për kockat e një personi që ka frikë, thuhet se «i mbërtheu tmerri». (Jb 4:14) Kockat e dikujt mund të dridhen për shkak të ndonjë brenge të skajshme ose mund ‘të përvëlojnë nga zjarrmia’ në rast sëmundjeje. (Jr 23:9; Jb 30:30) Frika nga Jehovai është «freskim për kockat». (Pr 3:8) Një lajm i mirë thuhet se «i majm kockat» ose i mbush me palcë, domethënë, forcon gjithë trupin. (Pr 15:30) «Fjalët e këndshme janë . . . shërim për kockat.» (Pr 16:24) Nga ana tjetër, emocionet negative mund të ndikojnë për keq tek organizmi i një personi. «Një frymë e dërrmuar i than kockat.» (Pr 17:22) Gruaja që vepron në mënyrë të turpshme, thuhet se është «si kalbësirë në kockat» e të shoqit. (Pr 12:4) Nëse ushqen xhelozi për të tjerët, një person mund të shkatërrohet fizikisht dhe frymësisht, prandaj «xhelozia është kalbësirë për kockat».—Pr 14:30.
Për shkak të ndërtimit të fortë të kockave, te Proverbat 25:15 thuhet se fuqia e durimit dhe fjalët e buta mund të kapërcejnë edhe kundërshtimin e fortë e të vendosur: «Me durim i mbushet mendja një komandanti, dhe gjuha e butë mund të thyejë kocka.»
Përdorimi profetik. Kur themeloi Pashkën, Jehovai urdhëroi që qengji (ose keci) duhej pjekur i tëri dhe pa ‘i thyer asnjë eshtër’. (Da 12:46) Kjo u përmbush te Jezu Krishti, «Qengji i Perëndisë», i cili simbolizohej nga flia e Pashkës. (Gjo 1:29; 1Ko 5:7) Jezui vdiq në shtyllën e torturës. Ushtarët shkuan t’u thyenin këmbët atyre që ishin vënë në shtyllë atë ditë, sikurse ishte zakon që t’u shpejtonin vdekjen. Ata u thyen kockat dy keqbërësve. Mirëpo, kur vajtën te Jezui, panë se ai kishte vdekur tashmë, prandaj nuk ia thyen këmbët; por njëri nga ata e shpoi në ijë me heshtë.—Gjo 19:31-36; Ps 34:20.
Në Babiloni, Jehovai i dha Ezekielit një vegim ku e krahasoi Izraelin me eshtra të thata që dergjeshin në një rrafshinë. Në këtë vegim, teksa Ezekieli u profetizonte eshtrave, me anë të një mrekullie ato nisën t’i afroheshin njëra-tjetrës dhe u mbushën me mish. Pastaj, ai i profetizoi erës, e cila u çoi frymë atyre trupave që u ngritën në këmbë si një ushtri e madhe. Jehovai shpjegoi se vegimi lidhej me izraelitët, të cilët duke qenë në mërgim në Babiloni, ishin bërë si njerëz shpresëhumbur. (Ezk 37:1-11) Në mënyrë të ngjashme, Jeremia e krahasoi mbretin e Asirisë që çoi në mërgim mbretërinë dhjetëfisëshe, me një luan që gllabëroi popullin e Perëndisë, kurse Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, që mori Judën, me një luan që u breu kockat. (Jr 50:17) Perëndia e kishte lejuar këtë për shkak të apostazisë së Izraelit. Mirëpo, Jehovai do të kujtohej për ta dhe do të shtinte tek ata frymën e tij, e cila do t’i rikthente në jetë e do t’i rigjallëronte, si dhe do t’i rikthente në Tokën e Premtuar.—Ezk 37:12-14.
Pasi Jehovai të shkatërrojë Gogun dhe hordhitë e tij, që sulen kundër popullit të Perëndisë, do të duhen ‘shtatë muaj’ për të vënë nga një shenjë në vendin ku gjenden eshtrat e turmave të Gogut e për t’i varrosur, që të pastrohet sipërfaqja e tokës nga gjithë papastërtia e ndotja.—Ezk 39:14-16.
Duke iu referuar palcës së kockave, Jehovai përshkruan në mënyrë të figurshme bekimet e bollshme që do të sjellë për popullin e tij kur të shfarosë vdekjen, duke thënë se do të shtrojë një gosti «me gjellë plot yndyrë e plot palcë».—Is 25:6; shih PALCA.