FILIPI
[që do të thotë «i do kuajt»].
1. Një nga dishepujt e parë mes 12 apostujve të Jezu Krishtit. Në Ungjijtë e Mateut, Markut dhe Lukës, Filipi përmendet vetëm në listat e apostujve. (Mt 10:3; Mr 3:18; Lu 6:14) Tregimi i Gjonit është i vetmi që jep disa hollësi rreth tij.
Filipi ishte nga qyteti i Pjetrit dhe i Andreas, domethënë nga Betsaida, në bregun verior të detit të Galilesë. Kur dëgjoi ftesën e Jezuit «bëhu ithtari im», Filipi bëri si Andrea një ditë më parë. Andrea kishte shkuar të kërkonte të vëllanë, Simonin (Pjetrin) dhe e kishte çuar te Jezui; Filipi bëri të njëjtën gjë me Natanaelin (Bartolomeun), duke i thënë: «Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët, Jezuin, të birin e Jozefit nga Nazareti. . . . Eja e shih.» (Gjo 1:40, 41, 43-49) Mbase Jezui dhe Filipi njiheshin tashmë, pasi tregimi thotë se Jezui «gjeti Filipin», njësoj siç thotë pak më poshtë se Filipi gjeti Natanaelin; madje Filipi i përmendi Natanaelit emrin, familjen dhe vendbanimin e Jezuit. Në Bibël nuk thuhet nëse mes Filipit dhe Natanaelit (Bartolomeut) përveç miqësisë, kishte edhe ndonjë lidhje tjetër, por zakonisht ata përmenden bashkë, përveçse te Veprat 1:13.
Kur Jezui hyri ngadhënjimtar në Jerusalem pesë ditë para Pashkës së vitit 33 të e.s. (Mr 11:7-11), disa grekë deshën ta shihnin. Ata i kërkuan Filipit që t’i çonte tek ai. Ndoshta iu afruan këtij apostulli për shkak të emrit grek, ose ndoshta thjesht sepse ishte i vetmi që gjendej aty në atë moment. Gjithsesi, me sa duket Filipi nuk ndihej i autorizuar t’ua plotësonte kërkesën grekëve (që mund të kenë qenë prozelitë). Fillimisht u këshillua me Andrean, me të cilin përmendet edhe në një rast tjetër (Gjo 6:7, 8) e që mbase kishte lidhje më të ngushtë me Jezuin. (Krahaso Mr 13:3.) Të dy vajtën e i thanë Jezuit. (Gjo 12:20-22) Kjo maturi e ky lloj kujdesi pasqyrohet edhe në përgjigjen që Filipi i dha Jezuit kur pyeti se si të ushqenin turmën, si dhe në kërkesën e bërë pas pyetjeve disi të rrëmbyera të Pjetrit e të Thomait: «Na e trego Atin, dhe kjo na mjafton.» (Gjo 6:5-7; 13:36, 37; 14:5-9) Takti i tij është në kontrast me të folurit troç e me rrëmbim të Pjetrit; kështu tregimet e shkurtra ku përmendet Filipi tregojnë diçka për larminë e personaliteteve mes atyre që zgjodhi Jezui si apostuj.
Meqenëse ishte shumë i lidhur me Natanaelin (Bartolomeun) dhe me bijtë e Zebedeut, Filipi mund të ketë qenë një prej dy dishepujve (që nuk përmenden me emër) në breg të detit të Galilesë kur u shfaq Jezui i ringjallur.—Gjo 21:2.
2. Ungjillëzues dhe misionar i shekullit të parë. Bashkë me Stefanin, Filipi ishte një ndër shtatë ‘burrat për të cilët flitej mirë, . . . plot frymë dhe mençuri’, të zgjedhur për t’u shpërndarë në mënyrë të barabartë racionin ditor të ushqimit vejushave të krishtere në Jerusalem që flisnin greqisht dhe hebraisht. (Ve 6:1-6) Aktiviteti i Filipit (si dhe ai i Stefanit) pas këtij shërbimi të veçantë dëshmon për cilësitë e shkëlqyera frymore të atyre që kryenin këtë detyrë administrative, pasi Filipi kreu një vepër të ngjashme me atë që kreu më vonë apostulli Pavël, megjithëse në një shkallë më të kufizuar.
Kur përndjekja shpërndau të gjithë të krishterët, përveç apostujve që qëndruan në Jerusalem, Filipi shkoi në Samari. Atje ai shpalli lajmin e mirë për Mbretërinë dhe, falë fuqisë së mrekullueshme të frymës së shenjtë, dëboi demonë e shëroi të paralizuar e të çalë. Plot gëzim, turma njerëzish e pranuan lajmin e mirë dhe u pagëzuan, mes tyre edhe njëfarë Simoni që merrej me magji. (Ve 8:4-13) Kështu, kur apostujt «dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin», që besimtarët e pagëzuar të merrnin falas dhuratën e frymës së shenjtë.—Ve 8:14-17.
Më pas, fryma e Jehovait e dërgoi Filipin të takonte eunukun etiopas në rrugën për në Gazë, dhe atje, brenda një kohe të shkurtër, ky «njeri me pushtet në shërbim të kandakes, mbretëreshës së etiopasve» tregoi besim te Jezui dhe i kërkoi Filipit ta pagëzonte. (Ve 8:26-38) Që atje, Filipi shkoi në Ashdod e më pas në Cezare dhe gjatë rrugës «shpalli pa pushim lajmin e mirë në të gjitha qytetet». (Ve 8:39, 40) Të gjitha këto tregojnë se ai ishte një ‘ungjillëzues’ i vërtetë.—Ve 21:8.
Pikërisht në Cezare, ku kryqëzoheshin rrugët ndërkombëtare, rreth 20 vjet më vonë, Filipi vazhdonte aktiv në shërbim dhe ende njihej si ‘një nga shtatë’ burrat e caktuar nga apostujt. Luka thotë se kur ai dhe Pavli qëndruan për njëfarë kohe në shtëpinë e Filipit, rreth vitit 56 të e.s., Filipi «kishte katër bija, virgjëresha, që profetizonin». (Ve 21:8-10) Nëse katër vajzat e tij kishin moshë për të profetizuar, atëherë Filipi duhet të ketë qenë i martuar në kohën e aktivitetit të tij të mëparshëm.
3. Burri i Herodiadës dhe i ati i Salomës. Ai jetonte në Romë kur e shoqja e tradhtoi dhe u bë gruaja e gjysmëvëllait të tij, Herod Antipës. (Mt 14:3, 4; Mr 6:17, 18; Lu 3:19, 20) Filipi ishte bir i Herodit të Madh dhe i gruas së tij të tretë, Mariamnës II, bijës së kryepriftit Simon. Pra ishte gjysmë jude e gjysmë idumeas.—Shih HERODI nr. 5.
4. Qeveritari i krahinës së Ituresë dhe i Trakonitidës në kohën kur Gjon Pagëzori nisi shërbimin ‘vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiber Cezarit’, në vitin 29 të e.s. (Lu 3:1-3) Filipi ishte bir i Herodit të Madh dhe i Kleopatrës së Jerusalemit, pra, gjysmëvëlla i Herod Antipës, Arkelaut dhe Filipit nr. 3.—Shih HERODI nr. 6.