Sikemi—Qyteti në luginë
NË THELLËSI të zemrës së vendit që Perëndia zgjodhi për popullin e tij, i rehatuar ndërmjet malit Ebal dhe malit Gerizim, shtrihet qyteti i Sikemit. Atje, pothuajse katër mijë vjet më parë, Jehovai i premtoi Abrahamit: «Unë do t’ja jap këtë vend pasardhësve të tu.»—Zanafilla 12:6, 7.
Në përputhje me këtë premtim, nipi i Abrahamit, Jakobi, fushoi në Sikem dhe ndërtoi një altar që e quajti: «Perëndia është Perëndia i Izraelit.» Ka mundësi që Jakobi të ketë gërmuar një pus në këtë zonë për ta furnizuar me ujë familjen e tij dhe kopetë, një pus që shekuj më vonë do të njihej si «pusi i Jakobit».—Zanafilla 33:18-20, shënimi BR; Gjoni 4:5, 6, 12.
Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e familjes së Jakobit treguan zell për adhurimin e vërtetë. Dina, vajza e tij, kërkoi shoqe mes vajzave kanaanite të Sikemit. Dina, që në atë kohë ishte ende e re, u largua nga siguria e tendave të familjes së saj dhe filloi të vizitonte qytetin fqinj, duke bërë atje miq.
Si do ta shihnin djemtë e rinj të qytetit këtë virgjëreshë të re që vizitonte rregullisht qytetin e tyre, me sa dukej e pashoqëruar? Një bir prijësi «sa e pa e rrëmbeu, ra në shtrat me të dhe e dhunoi». Përse Dina e ndolli rrezikun, duke u shoqëruar me kanaanitet e pamoralshme? Mos ndjeu vallë nevojën e shoqërisë me vajzat e moshës së saj? Mos ishte aq kokëfortë dhe e pavarur si disa prej vëllezërve të saj? Lexo tregimin e Zanafillës dhe përpiqu të kuptosh brengën dhe turpin që duhet të kenë ndjerë Jakobi dhe Lea, për shkak të pasojave tragjike të vizitave të vajzës së tyre në Sikem.—Zanafilla 34:1-31; 49:5-7; shiko, gjithashtu, Kullën e Rojës, 15 qershor 1985, faqe 31, anglisht.
Pothuajse 300 vjet më vonë, rezultatet e mospërfilljes së udhëzimeve teokratike, dolën edhe një herë në pah. Në Sikem, Josiu organizoi një nga asambletë më të paharrueshme të historisë së Izraelit. Përfytyro skenën në luginë. Më shumë se një milion njerëz, burra, gra dhe fëmijë, që u përkisnin gjashtë fiseve të Izraelit, qëndrojnë përballë malit Gerizim. Në anën tjetër të luginës, pothuajse i njëjti numër nga gjashtë fiset e tjera të Izraelit, qëndrojnë përballë malit Ebal.a Atje poshtë, përgjatë arkës së besëlidhjes dhe ndërmjet dy grumbujve të izraelitëve, qëndrojnë priftërinjtë dhe Josiu. Ç’pamje!—Josiu 8:30-33.
Të ngritur mbi këtë turmë shumë të madhe, dy malet ofrojnë një kontrast të ngrirë të bukurisë dhe shterpësisë. Shpatet e lartë të Gerizimit duken jeshilë dhe pjellorë, ndërsa ata të Ebalit janë kryesisht gri dhe shterpë. A mund ta dëgjosh gumëzhitjen e eksitimit ndërsa izraelitët presin momentin që të flasë Josiu? Çdo tingull jehon në këtë teatër natyror.
Gjatë katër deri gjashtë orëve që Josiu lexon ‘librin e ligjit të Moisiut’, merr pjesë edhe populli. (Josiu 8:34, 35) Me sa duket, izraelitët përballë Gerizimit thonë Amen pas secilit prej bekimeve, ndërkohë që Amen-i i atyre përballë Ebalit thekson çdo mallkim. Ndoshta pamja shterpë e malit Ebal shërben për t’i kujtuar popullit rezultatin shkatërrimtar të mosbindjes.
«Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij», paralajmëron Josiu. Njëzëri, më shumë se një milion zëra përgjigjen: «Amen!» Josiu pret që kjo përgjigje gjëmuese të shuhet përpara se të vazhdojë: «Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij.» Edhe një herë, gjashtë fiset, të shoqëruara nga shumë banorë të huaj, thërrasin: «Amen!» (Ligji i përtërirë 27:16, 17) Po të kishe qenë atje, a do ta kishe harruar ndonjëherë atë mbledhje të mbajtur mes maleve? A nuk do të të ishte fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në mendje nevoja për bindje?
Pothuajse 20 vjet më vonë, pak para se të vdiste, Josiu e thirri edhe një herë të tërë kombin në Sikem, që ata të përforconin vendosmërinë e tyre. Ai vuri para tyre zgjedhjen që duhet të bënte secili. «Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni,— tha ai.—Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit [Jehovait, BR].» (Josiu 24:1, 15) Në mënyrë të dukshme, këto kongrese në Sikem që ta gjallërojnë besimin, lanë gjurmë të thellë. Për shumë vjet pas vdekjes së Josiut, izraelitët imituan shembullin e tij besimplotë.—Josiu 24:31.
Pothuajse 15 shekuj më vonë, kur Jezui ishte duke pushuar nën hijen e malit Gerizim, u zhvillua një bisedë e përzemërt. I lodhur nga një udhëtim i gjatë, Jezui ishte ulur pranë pusit të Jakobit, kur u afrua një grua samaritane me një qyp uji. Gruaja u çudit shumë kur Jezui i kërkoi për të pirë, sepse përderisa judenjtë nuk flisnin me samaritanët, as që çohej nëpër mend që të pinin nga enët e tyre. (Gjoni 4:5-9) Fjalët vijuese të Jezuit e çuditën atë edhe më shumë.
«Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.» (Gjoni 4:13, 14) Përfytyro interesimin e gruas për atë premtim, pasi të nxirrje ujë nga ai pus i thellë ishte një punë e lodhshme. Më tej, Jezui shpjegoi se pavarësisht nga rëndësia e tyre historike, as Jerusalemi dhe as mali Gerizim nuk ishin vende fetare thelbësore për t’iu afruar Perëndisë. Qëndrimi nga zemra dhe sjellja, jo vendi, ishin ato që kishin rëndësi. «Adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën,—tha ai,—sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.» (Gjoni 4:23) Sa ngushëlluese duhet të kenë qenë ato fjalë! Edhe një herë, ajo luginë u bë vendi ku njerëzit u nxitën për t’i shërbyer Jehovait.
Sot, përgjatë rrënojave të Sikemit të lashtë, shtrihet qyteti i Nablusit. Mali Gerizim dhe mali Ebal dominojnë ende luginën, duke qëndruar si dëshmitarë të heshtur të ngjarjeve të së kaluarës. Pusi i Jakobit në rrëzë të këtyre maleve, mund të vizitohet ende. Ndërsa meditojmë mbi ngjarjet që ndodhën atje, na kujtohet rëndësia e mbështetjes së adhurimit të vërtetë, pikërisht ashtu siç na mësuan të bëjmë Josiu dhe Jezui.—Krahaso Isainë 2:2, 3.
[Shënimi]
a Gjashtë fiset përballë malit Gerizim ishin Simoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini. Gjashtë fiset përballë malit Ebal ishin Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Naftali.—Ligji i përtërirë 27:12, 13.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.