Të krishterët adhurojnë me frymë dhe të vërtetë
«Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.»—GJONI 4:24.
1. Cili adhurim i pëlqen Perëndisë?
JEZU KRISHTI, Biri i vetëmlindur i Jehovait, e shpjegoi shumë qartë se cili adhurim i pëlqen Atit të tij qiellor. Kur po i jepte dëshmi ngushëlluese një gruaje samaritane te një pus afër qytetit Sihar, Jezui tha: «Ju adhuroni atë që nuk e njihni; ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shpëtimi vjen prej judenjve. Megjithatë, po vjen ora dhe ajo është tani, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse, në fakt, Ati po kërkon të këtillë që ta adhurojnë. Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:22-24) Si duhet t’i kuptojmë këto fjalë?
2. Ku e bazonin adhurimin e tyre samaritanët?
2 Samaritanët kishin pikëpamje të rreme fetare. Ata pranonin si të frymëzuar vetëm pesë librat e parë të Shkrimeve të Shenjta; edhe këto vetëm në versionin e tyre të rishikuar që e quanin Pentateuku samaritan. Ndryshe nga samaritanët që nuk e njihnin vërtet Perëndinë, judenjve u ishte besuar njohuria nga Shkrimet. (Romakëve 3:1, 2) Njerëzit besnikë, edhe judenjtë, edhe të tjerët, kishin mundësi të fitonin pëlqimin e Jehovait. Por, çfarë do të kërkonte kjo prej tyre?
3. Çfarë kërkohet për ta adhuruar Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë»?
3 Çfarë duhej të bënin judenjtë, samaritanët dhe të tjerët në të kaluarën për t’i pëlqyer Jehovait? Duhej ta adhuronin «me frymë dhe të vërtetë». Kjo vlen edhe për ne. Ndonëse duhet t’i shërbejmë Perëndisë me një frymë të gjallë e të zellshme dhe të motivuar nga një zemër plot dashuri e besim, ta adhurojmë Perëndinë me frymë kërkon në mënyrë specifike që fryma e tij e shenjtë të jetë mbi ne dhe të lejojmë që ajo të na udhëheqë. Me anë të studimit dhe të zbatimit të Fjalës së Perëndisë, fryma ose prirja jonë mendore duhet vënë në harmoni me të tijën. (1 Korintasve 2:8-12) Që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm për Jehovain, duhet të jetë edhe një adhurim me të vërtetë. Adhurimi ynë duhet të përputhet me atë që zbulon Fjala e Perëndisë, Bibla, për të dhe për qëllimet e tij.
E vërteta mund të gjendet
4. Si e shohin disa të vërtetën?
4 Disa studiues të filozofisë kanë përhapur pikëpamjen se njerëzimi nuk do të arrijë dot kurrë ta gjejë të vërtetën absolute. Në lidhje me këtë, autori suedez Alf Alberg shkroi: «Shumë pyetje filozofike janë të një natyre të tillë, saqë është e pamundur t’u japësh një përgjigje të saktë.» Edhe pse disa thonë se ekziston vetëm e vërteta relative, a është kështu? Sipas Jezu Krishtit jo.
5. Përse erdhi në botë Jezui?
5 Le ta përfytyrojmë veten si vëzhgues në këtë skenë: është fillimi i vitit 33 të e.s. dhe Jezui po qëndron para Ponc Pilatit, guvernatorit romak. Jezui i thotë Pilatit: «Për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» Pilati e pyet: «Ç’është e vërteta?» Por nuk pret për ndonjë përgjigje të mëtejshme nga Jezui.—Gjoni 18:36-38.
6. (a) Si është përkufizuar «e vërteta»? (b) Cilën detyrë u dha Jezui ithtarëve të tij?
6 «E vërteta» është përkufizuar si «diçka që është e vërtetë, që përputhet me realitetin; diçka e sigurt dhe e saktë». (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe) Por, a dha dëshmi Jezui për të vërtetën në përgjithësi? Jo. Ai kishte në mendje një të vërtetë specifike. U caktoi ithtarëve të tij detyrën që ta shpallnin këtë të vërtetë, duke u thënë: «Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Para se të vinte ‘përfundimi i sistemit’, ithtarët e vërtetë të Jezuit do ta shpallnin në mbarë tokën ‘të vërtetën e lajmit të mirë’. (Mateu 24:3; Galatasve 2:14) Kjo do të bëhej në përmbushje të fjalëve të Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Prandaj është jetësore të identifikojmë ata që, duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë, po ua mësojnë të vërtetën gjithë kombeve.
Si mund ta mësojmë të vërtetën?
7. Çfarë provash do të jepnit se Jehovai është Burimi i së vërtetës?
7 Jehovai është Burimi i së vërtetës për veten e tij dhe për qëllimin që ka. Psalmisti David e quajti Jehovain ‘Perëndia i së vërtetës’. (Psalmi 31:5; 43:3) Jezui e pranoi se fjala e Atit të tij është e vërteta dhe tha gjithashtu: «Në Profetët është shkruar: ‘E të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’ Kushdo që ka dëgjuar nga Ati dhe ka mësuar, vjen tek unë.» (Gjoni 6:45; 17:17; Isaia 54:13) Është e qartë, pra, se ata që kërkojnë të vërtetën duhet të mësohen nga Jehovai, Mësuesi i Madh. (Isaia 30:20, 21) Kërkuesit e së vërtetës duhet të fitojnë «njohurinë e Perëndisë». (Proverbat [Fjalët e urta] 2:5, BR) Me dashuri, Jehovai ua ka mësuar ose ua ka përcjellë njerëzve të vërtetën në mënyra të ndryshme.
8. Në cilat mënyra ua ka mësuar ose përcjellë Perëndia njerëzve të vërtetën?
8 Për shembull, Perëndia ua përcolli Ligjin izraelitëve me anë të engjëjve. (Galatasve 3:19) Me anë të ëndrrave, ai u premtoi bekime patriarkëve Abraham dhe Jakob. (Zanafilla 15:12-16; 28:10-19) Madje edhe vetë Perëndia foli nga qielli, si në rastin kur u pagëzua Jezui e në tokë u dëgjuan këto fjalë emocionuese: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Mund të jemi mirënjohës edhe që Perëndia ua përcolli njerëzve të vërtetën duke frymëzuar shkrimtarët e Biblës. (2 Timoteut 3:16, 17) Kështu që duke mësuar nga Fjala e Perëndisë, mund të kemi ‘besim në të vërtetën’.—2 Selanikasve 2:13.
E vërteta dhe Biri i Perëndisë
9. Si e ka përdorur Perëndia Birin e tij për të zbuluar të vërtetën?
9 Në mënyrë të veçantë, Perëndia ka përdorur Birin e tij, Jezu Krishtin, për t’i zbuluar të vërtetën njerëzimit. (Hebrenjve 1:1-3) Jezui foli për të vërtetën si nuk kishte folur askush tjetër më parë. (Gjoni 7:46) Edhe pasi u ngjit në qiell, ai u zbuloi njerëzve të vërtetën nga Ati i tij. Për shembull, apostulli Gjon mori një ‘zbulesë nga Jezu Krishti, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti’.—Zbulesa 1:1-3.
10, 11. (a) Me çfarë lidhet e vërteta për të cilën dha dëshmi Jezui? (b) Si e bëri realitet Jezui të vërtetën?
10 Jezui i tha Ponc Pilatit se kishte ardhur në tokë që të jepte dëshmi për të vërtetën. Gjatë shërbimit të tij, Jezui zbuloi se kjo e vërtetë lidhej me shfajësimin e sovranitetit të Jehovait nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë, me Krishtin si Mbret. Për Jezuin, ama, të jepte dëshmi për të vërtetën përfshinte më shumë sesa vetëm predikimin dhe mësimdhënien. Ai e bëri realitet këtë të vërtetë, duke e përmbushur atë. Prandaj apostulli Pavël shkroi: «Askush të mos ju gjykojë në të ngrënë e në të pirë, për ndonjë festë ose për mbajtjen e hënës së re a të sabatit; sepse këto gjëra janë një hije e atyre që do të vijnë, kurse realiteti i përket Krishtit.»—Kolosianëve 2:16, 17.
11 Një mënyrë në të cilën e vërteta u bë realitet ishte me anë të lindjes së parathënë të Jezuit në Betlehem. (Mikea 5:2; Luka 2:4-11) E vërteta u bë realitet edhe kur u përmbushën fjalët profetike të Danielit për shfaqjen e Mesisë në fund të 69 ‘javëve vjetore’. Kjo ndodhi kur Jezui u paraqit para Perëndisë në kohën e pagëzimit të tij dhe u miros me frymën e shenjtë, pikërisht në kohën e parathënë, në vitin 29 të e.s. (Danieli 9:25; Luka 3:1, 21, 22) E vërteta u bë më tej realitet me anë të shërbimit ndriçues që bëri Jezui si lajmëtar i Mbretërisë. (Isaia 9:1, 2, 6, 7; 61:1, 2; Mateu 4:13-17; Luka 4:18-21) U bë realitet edhe me anë të vdekjes e të ringjalljes së tij.—Psalmi 16:8-11; Isaia 53:5, 8, 11, 12; Mateu 20:28; Gjoni 1:29; Veprat 2:25-31.
12. Përse Jezui mundi të thoshte, ‘unë jam e vërteta’?
12 Duke qenë se e vërteta kishte në qendër Jezu Krishtin, ai mundi të thoshte: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Njerëzit çlirohen frymësisht kur vihen «në anën e së vërtetës», duke pranuar rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë. (Gjoni 8:32-36; 18:37) Duke qenë se e pranojnë të vërtetën dhe e ndjekin Krishtin me besim, njerëzit ngjashëm deleve do të marrin jetën e përhershme.—Gjoni 10:24-28.
13. Cilat janë tri fushat ku do të shqyrtojmë të vërtetën biblike?
13 Tërësia e të vërtetave që tha Jezui dhe dishepujt e tij të frymëzuar përbëjnë besimin e vërtetë të krishterë. Në këtë mënyrë, ata që ‘i binden besimit’ «vazhdojnë të ecin në të vërtetën». (Veprat 6:7; 3 Gjonit 3, 4) Por, cilët ecin në të vërtetën sot? Cilët po ua mësojnë në realitet të gjitha kombeve të vërtetën? Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të përqendrohemi te të krishterët e hershëm dhe do të shqyrtojmë të vërtetën biblike për sa u përket (1) bindjeve, (2) mënyrës së adhurimit dhe (3) sjelljes individuale.
E vërteta dhe bindjet
14, 15. Ç’do të thoshit për qëndrimin e të krishterëve të hershëm dhe të Dëshmitarëve të Jehovait lidhur me Shkrimet?
14 Të krishterët e hershëm e vlerësonin shumë Fjalën e shkruar të Jehovait. (Gjoni 17:17) Ajo ishte norma e tyre për sa u përket bindjeve dhe praktikave. Klementi i Aleksandrisë që jetoi në shekullin e dytë dhe të tretë tha: «Ata që po përpiqen të arrijnë virtytin nuk do të ndalen në kërkimin e tyre për të vërtetën, derisa të kenë marrë prova nga vetë Shkrimet për ato që besojnë.»
15 Ashtu si të krishterët e hershëm, Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë shumë Biblën. Ata besojnë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar». (2 Timoteut 3:16) Atëherë, le të shqyrtojmë disa bindje të të krishterëve të hershëm. Ndërsa e bëjmë këtë, le të mbajmë parasysh se çfarë kanë mësuar nga Bibla shërbëtorët e sotëm të Jehovait, meqë e përdorin atë si manualin e tyre kryesor.
E vërteta për shpirtin
16. Cila është e vërteta për shpirtin?
16 Duke qenë se e besonin atë që thuhet në Shkrime, të krishterët e hershëm u mësonin njerëzve të vërtetën për shpirtin. E dinin se «njeriu u bë një shpirt i gjallë» kur e krijoi Perëndia. (Zanafilla 2:7, BR) E pranonin, gjithashtu, se shpirti njerëzor vdes. (Ezekieli 18:4; Jakovit 5:20) Dinin edhe se «të vdekurit nuk dinë asgjë».—Predikuesi (Eklisiastiu) 9:5, 10.
17. Si do ta shpjegonit shpresën për të vdekurit?
17 Megjithëkëtë, dishepujt e hershëm të Jezuit kishin shpresën e sigurt se të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë do të ringjalleshin ose do të ktheheshin në jetë. Këtë bindje e shprehu shumë qartë Pavli, i cili shpalli: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Edhe më vonë, Minukius Feliksi, një njeri që pohonte se ishte i krishterë, shkroi: «Kush është aq i pamend ose i marrë sa të guxojë të pohojë që njeriu, i krijuar në fillim nga Perëndia, nuk mund të krijohet prapë prej tij?» Ashtu si të krishterët e hershëm, Dëshmitarët e Jehovait i qëndrojnë besnikë së vërtetës biblike për shpirtin njerëzor, për vdekjen dhe për ringjalljen. Le të shqyrtojmë tani identitetin e Perëndisë dhe të Krishtit.
E vërteta dhe Triniteti
18, 19. Përse mund të thuhet që Triniteti nuk është një mësim biblik?
18 Të krishterët e hershëm nuk e shihnin Perëndinë, Krishtin dhe frymën e shenjtë si një Trinitet. Në një enciklopedi, The Encyclopædia Britannica, thuhet: «As fjala dhe as doktrina e qartë e Trinitetit nuk shfaqen në Besëlidhjen e Re dhe as Jezui e ithtarët e tij nuk kishin ndër mend të kundërshtonin Sheman [një lutje hebraike] në Besëlidhjen e Vjetër: ‘Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm’ (Ligj. 6:4).» Të krishterët nuk adhuronin triadën romake ose ndonjë perëndi tjetër. Ata pranonin pohimin e Jezuit se duhet adhuruar vetëm Jehovai. (Mateu 4:10) Për më tepër, besonin fjalët e Krishtit: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Sot Dëshmitarët e Jehovait kanë të njëjtat pikëpamje.
19 Për ithtarët e hershëm të Jezuit ishte i qartë dallimi ndërmjet Perëndisë, Krishtit dhe frymës së shenjtë. Ata i pagëzonin dishepujt (1) në emër të Atit, (2) në emër të Birit dhe (3) në emër të frymës së shenjtë, pra, jo në emër të një Triniteti. Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë të tjerëve të vërtetën biblike e prandaj për ta është i qartë dallimi ndërmjet Perëndisë, Birit të tij dhe frymës së shenjtë.—Mateu 28:19.
E vërteta dhe pagëzimi
20. Për çfarë duhet të kenë njohuri kandidatët për pagëzim?
20 Jezui u caktoi ithtarëve të tij detyrën që të bënin dishepuj duke u mësuar njerëzve të vërtetën. Që të kualifikohen për t’u pagëzuar, këta njerëz kanë nevojë për një njohuri themelore të Shkrimeve. Për shembull, duhet të pranojnë pozitën dhe autoritetin e Atit e të Birit të tij, Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16) Kandidatët për pagëzim duhet të kuptojnë edhe se fryma e shenjtë nuk është një person, por është forca vepruese e Perëndisë.—Veprat 2:1-4.
21, 22. Përse do të thoshe se pagëzimi është për besimtarët?
21 Të krishterët e hershëm pagëzonin vetëm individë që kishin marrë njohuri e që ishin penduar, të cilët i ishin kushtuar pa rezerva Perëndisë për të bërë vullnetin e tij. Judenjtë dhe prozelitët e mbledhur në Jerusalem, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., tashmë kishin njohuri për Shkrimet Hebraike. Kur dëgjuan apostullin Pjetër të fliste për Jezu Mesinë, rreth 3.000 veta «e përqafuan me zemër fjalën e tij» dhe «u pagëzuan».—Veprat 2:41; 3:19–4:4; 10:34-38.
22 Pagëzimi i krishterë është për besimtarët. Në Samari disa e pranuan të vërtetën dhe «kur i besuan Filipit, i cili po shpallte lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë dhe të emrit të Jezu Krishtit, burra e gra bashkë pagëzoheshin». (Veprat 8:12) Si një prozelit i përkushtuar që kishte njohuri për Jehovain, eunuku etiopas në fillim pranoi ato që i tha Filipi për përmbushjen e profecive mesianike dhe pastaj u pagëzua. (Veprat 8:34-36) Më vonë, Pjetri i tha Kornelit dhe johebrenjve të tjerë se «njeriu që i frikësohet [Perëndisë] dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm» dhe se kushdo që beson te Jezu Krishti merr faljen e mëkateve. (Veprat 10:35, 43; 11:18) E gjithë kjo është në përputhje me urdhrin e Jezuit ‘për të bërë dishepuj, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ai u kishte urdhëruar’. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Dëshmitarët e Jehovait ndjekin të njëjtën normë, duke pranuar për pagëzim vetëm ata që kanë njohuri themelore nga Shkrimet dhe që i janë kushtuar Perëndisë.
23, 24. Cila është mënyra e duhur për të bërë pagëzimin e krishterë?
23 Mënyra e duhur e pagëzimit të besimtarëve është zhytja e plotë në ujë. Pasi u pagëzua në lumin Jordan, Jezui «doli nga uji». (Marku 1:10) Eunuku etiopas u pagëzua në «një vend me ujë». Ai dhe Filipi «zbritën në ujë» dhe pastaj ‘dolën nga’ ai. (Veprat 8:36-40) Edhe fakti që Shkrimet thonë se pagëzimi është si një varrosje simbolike tregon zhytjen e plotë në ujë.—Romakëve 6:4-6; Kolosianëve 2:12.
24 Në një libër, The Oxford Companion to the Bible thuhet: «Përshkrimi i pagëzimeve specifike në Besëlidhjen e Re tregon se ai që pagëzohej zhytej në ujë.» Sipas veprës franceze Larousse du XXe Siècle (Paris, 1928) «të krishterët e parë pagëzoheshin duke u zhytur në ujë, kudo që të kishte ujë». Po ashtu, në një libër tjetër, After Jesus—The Triumph of Christianity (Pas Jezuit: Ngadhënjimi i krishterimit) komentohet: «Në formën e tij më primitive, [pagëzimi] kërkonte që kandidati të shpallte besimin e tij, dhe kjo pasohej nga zhytja e plotë në ujë, në emër të Jezuit.»
25. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
25 Hollësitë e mësipërme për sa u përket bindjeve dhe praktikave biblike të të krishterëve të hershëm janë vetëm disa shembuj. Mund të citonim edhe ngjashmëri të tjera midis bindjeve të tyre dhe bindjeve të Dëshmitarëve të Jehovait. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë disa mënyra të tjera për të identifikuar ata që po u mësojnë njerëzve të vërtetën.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’lloj adhurimi kërkon Perëndia?
• Si u bë realitet e vërteta nëpërmjet Jezu Krishtit?
• Cila është e vërteta për shpirtin dhe për vdekjen?
• Si bëhet pagëzimi i krishterë dhe çfarë kërkohet nga kandidatët për pagëzim?
[Figura në faqen 16]
Jezui i tha Pilatit: ‘Unë kam ardhur që të jap dëshmi për të vërtetën’
[Figura në faqen 17]
A mund ta shpjegoni përse tha Jezui ‘unë jam e vërteta’?
[Figura në faqen 18]
Cila është e vërteta për pagëzimin e krishterë?