KAPITULLI 19
Mëson një grua samaritane
JEZUI MËSON NJË GRUA SAMARITANE DHE SAMARITANË TË TJERË
ADHURIMI QË MIRATON PERËNDIA
Për të shkuar nga Judea në Galile, Jezui dhe dishepujt udhëtojnë drejt veriut dhe kalojnë nëpër krahinën e Samarisë. Është afërsisht ora 12 e drekës dhe, të lodhur nga udhëtimi, ndalojnë pranë një pusi afër qytetit të Siharit. Ka mundësi që pusin ta ketë hapur ose të ketë paguar për ta hapur Jakobi, shekuj më parë. Sot e kësaj dite, ky pus gjendet pranë qytetit të Nablusit.
Ndërsa Jezui pushon pranë pusit, dishepujt shkojnë në qytetin aty pranë që të blejnë ushqim. Ndërkohë, afrohet një grua samaritane për të mbushur ujë. Jezui i thotë: «Më jep pak ujë.»—Gjoni 4:7.
Për shkak të paragjykimeve të rrënjosura thellë, judenjtë dhe samaritanët në përgjithësi nuk bëhen me njëri-tjetrin. Ja pse gruaja çuditet dhe e pyet Jezuin: «Si ka mundësi që ti, edhe pse jude, më kërkon ujë mua, që jam samaritane?» Ai i përgjigjet: «Po ta dije ç’dhuratë jep Perëndia dhe se kush po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, do t’i kishe kërkuar ujë, e ai do të të jepte ujin e jetës.» Atëherë, ajo ia kthen: «Imzot, ti nuk ke kovë për të nxjerrë ujë dhe pusi është i thellë. Nga cili burim, pra, e nxjerr këtë ujë jete?! Mos je më i madh se Jakobi, paraardhësi ynë, i cili na dha pusin? Ai vetë, bijtë e tij, si edhe bagëtitë e veta pinë ujë nga ky pus.»—Gjoni 4:9-12.
Jezui i thotë: «Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë prapë etje. Por, kushdo që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës, sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet brenda tij si një burim uji që gufon për t’i dhënë jetë të përhershme.» (Gjoni 4:13, 14) Megjithëse i lodhur, Jezui i tregon me gatishmëri gruas samaritane të vërteta jetëdhënëse.
Pastaj gruaja i thotë: «Imzot, më jep nga ky ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të nxjerrë ujë.» Tani duket se Jezui ndryshon temë dhe i thotë: «Shko, thirre burrin tënd dhe eja prapë këtu.» Por ajo i përgjigjet: «Unë nuk kam burrë.» Imagjino sa habitet nga ajo që i thotë Jezui tani: «Mirë e the se nuk ke burrë, sepse ke pasur pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt.»—Gjoni 4:15-18.
Gruaja e kupton qartë se Jezui nuk është njeri i zakonshëm, ndaj i thotë e mahnitur: «Imzot, e shoh që je profet.» Fjalët që thotë më pas tregojnë se i intereson adhurimi i Perëndisë: «Paraardhësit tanë [samaritanët] adhuruan në këtë mal [në malin Gerizim, që është aty pranë], kurse ju judenjtë thoni se duhet të adhurojmë vetëm në Jerusalem.»—Gjoni 4:19, 20.
Gjithsesi, Jezui i shpjegon se vendi i adhurimit nuk është i rëndësishëm. Ai thotë: «Po vjen ora kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.» Pastaj vazhdon: «Po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.»—Gjoni 4:21, 23, 24.
Për Atin nuk ka rëndësi vendi, por mënyra si e adhurojnë adhuruesit e vërtetë. Gruas i bëjnë shumë përshtypje këto fjalë dhe i thotë: «Unë e di se po vjen Mesia, i cili quhet Krisht. Kurdo që të vijë, ai do të na i tregojë hapur të gjitha gjërat.»—Gjoni 4:25.
Tani Jezui i zbulon një të vërtetë të rëndësishme: «Unë që po të flas, jam ai.» (Gjoni 4:26) Mendo pak: Jezui i jep një privilegj të mrekullueshëm një gruaje, që për më tepër është samaritane, e cila ka ardhur të nxjerrë ujë në mesditë. Ai i tregon hapur një të vërtetë që s’ia ka thënë akoma askujt—Jezui është Mesia.
SHUMË SAMARITANË BESOJNË
Dishepujt e Jezuit kthehen nga Sihari me ushqime dhe e gjejnë Jezuin aty ku e lanë, te pusi i Jakobit. Por tani e shohin duke folur me një grua samaritane. Ndërsa dishepujt afrohen, ajo lë shtambën e ujit dhe niset për në qytet.
Kur mbërrin në Sihar, gruaja u tregon të tjerëve gjërat që i tha Jezui. Ajo u thotë plot bindje: «Ejani të shikoni! Është një njeri që më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë.» Pastaj, mbase për të zgjuar kureshtjen, pyet: «Të jetë ky Krishti?!» (Gjoni 4:29) Kjo pyetje prek një temë jetësore e cila ka ngjallur interes që në kohën e Moisiut. (Ligji i përtërirë 18:18) Ja pse këta njerëz nxiten që ta takojnë vetë Jezuin.
Ndërkohë dishepujt i luten Jezuit të hajë nga ushqimi që i kanë sjellë. Por ai u përgjigjet: «Unë kam për të ngrënë një ushqim që ju nuk e njihni.» Dishepujt çuditen dhe pyesin njëri-tjetrin: «Mos i ka sjellë dikush ndonjë gjë për të ngrënë?» Me dashamirësi Jezui u shpjegon ku e ka fjalën, dhe ajo që u thotë ka shumë rëndësi për të gjithë dishepujt e tij: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe ta çoj deri në fund veprën e tij.»—Gjoni 4:32-34.
Vepra për të cilën po flet Jezui nuk lidhet me korrjen e drithit, që do edhe katër muaj. Ai e ka fjalën për veprën e bërjes së dishepujve, siç e tregon tani: «Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje. Korrësi tashmë po e merr pagën e vet dhe po mbledh fryte për jetë të përhershme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzojnë së bashku.»—Gjoni 4:35, 36.
Jezui e kupton se shumë banorë të Siharit fillojnë të besojnë tek ai falë dëshmisë së gruas samaritane, e cila po u thotë: «Ai më tregoi fije e për pe çdo gjë që kam bërë.» (Gjoni 4:39) Ja pse kur vijnë te pusi, i kërkojnë Jezuit të qëndrojë në Samari e t’u shpjegojë më shumë. Jezui e pranon ftesën dhe rri dy ditë atje.
Ndërsa dëgjojnë Jezuin, gjithnjë e më shumë samaritanë besojnë tek ai dhe i thonë gruas: «Tani nuk besojmë vetëm se na tregove ti, por ngaqë e dëgjuam me veshët tanë. Ne e dimë se ky njeri është vërtet shpëtimtari i botës.» (Gjoni 4:42) Gruaja samaritane na lë një shembull të shkëlqyer si të japim dëshmi për Krishtin: duke u ngjallur dëgjuesve kureshtjen që të mësojnë më shumë.
Jemi katër muaj para stinës së korrjes—me sa duket korrjes së elbit, që në këtë rajon bëhet në pranverë. Prandaj, ndoshta është nëntor ose dhjetor. Kjo do të thotë se pas Festës së Kalimit të vitit 30 të e.s., Jezui dhe dishepujt e tij kanë ndenjur afro tetë muaj në Jude duke mësuar dhe duke pagëzuar. Tani nisen drejt veriut për në vendin e tyre, në Galile. Çfarë i pret atje?