Mësimet që nxjerrim nga mrekullitë e Jezuit
«TRI ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë . . . Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë. Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ‘Nuk kanë më verë!’» Kjo rrethanë i dha mundësi Jezuit të kryente mrekullinë e tij të parë.—Gjoni 2:1-3.
A nuk ishte një problem tepër i parëndësishëm dhe banal që të meritonte vëmendjen e Jezuit? Një studiues biblik shpjegon: «Në vendet e lindjes mikpritja ishte një detyrë e shenjtë . . . Mikpritja e vërtetë, veçanërisht në një dasmë, kërkonte një tepri në ushqim e në pije. Po të mbaronte ushqimi e pija në dasmë, familja dhe çifti i ri do të jetonin gjithnjë në turp.»
Prandaj, Jezui ndërhyri. Ai pa «gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve». Larja rituale para ngrënies ishte zakon midis hebrenjve dhe kërkohej një sasi e mirë uji për të plotësuar nevojat e të gjithë të pranishmëve. «Mbushni enët me ujë»,—i urdhëroi Jezui ata që u shërbenin mysafirëve. Jezui nuk ishte «i pari i festës», megjithatë foli në mënyrë të prerë e me autoritet. Tregimi thotë: «Mbasi i pari i festës e provoi ujin [ai ishte] shndërruar në verë.»—Gjoni 2:6-9; Marku 7:3.
Mund të duket e çuditshme që diçka aq e zakonshme si një dasmë, të bëhej rrethana për mrekullinë e parë të Jezuit, por ky episod flet shumë për cilësitë e Jezuit. Ai ishte beqar dhe në raste të mëvonshme diskutoi me dishepujt e tij përparësitë e beqarisë. (Mateu 19:12) Megjithatë, prania e tij në dasmë tregonte se ai nuk ishte në asnjë mënyrë kundër martesës, por, përkundrazi ishte i ekuilibruar dhe mbështetës i rregullit martesor. Ai e shikonte atë si diçka të ndershme në sytë e Perëndisë.—Krahaso Hebrenjve 13:4.
Jezui nuk ishte një asket i ashpër siç e kanë portretizuar më vonë artistët e kishës. Qartë që i pëlqente të rrinte në shoqëri me njerëzit e nuk ishte kundër shoqërimit. (Krahaso Lukën 5:29.) Duke vepruar kështu që më parë ai dha një shembull për ithtarët e tij. Jezui personalisht tregoi se ata nuk duhej të ishin tepër seriozë e të zymtë atje ku nuk ishte e nevojshme, sikur drejtësia të nënkuptonte mungesë gëzimi. Përkundrazi, të krishterët më vonë u urdhëruan: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin!» (Filipianëve 4:4) Të krishterët sot kanë kujdes që të zbaviten brenda kufijve të arsyeshëm. Ata gjejnë gëzim në shërbim të Perëndisë, por duke ndjekur shembullin e Jezuit, herë pas here gjejnë kohë për t’u shoqëruar e për të gëzuar shoqëri reciproke.
Vëre, gjithashtu, butësinë e ndjenjave të Jezuit. Ai nuk e kishte për detyrë të bënte një mrekulli. Në lidhje me këtë nuk kishte asnjë profeci që duhej plotësuar. Siç duket qartë, Jezui u nxit thjeshtë nga shqetësimi i nënës së tij dhe nga ngushtica në të cilën gjendej çifti i sapomartuar. Ai pati parasysh ndjenjat e tyre dhe dëshironte t’ua kursente atyre shqetësimet. A nuk e përforcon kjo bindjen tënde se Krishti kujdeset me të vërtetë për ty, madje edhe për problemet e tua të përditshme?—Krahaso Hebrenjve 4:14-16.
Meqë secila nga poçet «nxënte dy ose tri masa» ujë, mrekullia e Jezuit bëri një sasi të madhe vere, ndoshta 390 litra (105 gallonë)! (Gjoni 2:6) Përse gjithë kjo sasi? Jezui nuk po përkrahte dehjen, gjë që Perëndia e dënon. (Efesianëve 5:18) Përkundrazi, po tregonte një bujari ngjashëm me atë të Perëndisë. Pasi vera ishte pije e zakonshme, çdo tepricë mund të përdorej në raste të tjera.—Krahaso Mateun 14:14-20; 15:32-37.
Të krishterët e hershëm imituan shembullin e Jezuit në bujari. (Krahaso Veprat 4:34, 35.) Edhe populli i Jehovait sot është i inkurajuar «të praktikojë të dhënit». (Luka 6:38, BR) Por mrekullia e parë e Jezuit ka, gjithashtu, edhe një nënkuptim profetik. Ajo tërheq vëmendjen drejt një të ardhmeje kur Perëndia do të shtrojë me bujari «një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra», duke eliminuar plotësisht urinë.—Isaia 25:6.
Por, ç’mund të themi për mrekullitë e shumta të shërimit fizik të kryera nga Jezui? Çfarë mund të mësojmë nga ato?
Bërja mirë në Sabat
«Çohu, merr vigun tënd dhe ec!» Këto fjalë i tha Jezui një burri, që kishte qenë i sëmurë për 38 vjet me radhë. Tregimi i ungjillit vazhdon: «Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci.» Për habi, jo të gjithë ishin të kënaqur nga ky ndryshim. Tregimi thotë: «Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin . . . sepse i bënte këto gjëra të shtunave.»—Gjoni 5:1-9, 16.
Sabati ishte paracaktuar si një ditë pushimi dhe gëzimi për të gjithë. (Të Dalët 20:8-11) Por në ditët e Jezuit kjo gjë ishte bërë një rregull njerëzor jashtëzakonisht i rëndë dhe i ndërlikuar. Studiuesi Alfred Edershim shkruan se në seksionet e gjata të ligjeve të Talmudit lidhur me legjislacionin e Sabatit «diskutohen me seriozitetin më të madh si diçka me rëndësi jetësore fetare, çështje që vështirë se mund të shqyrtohen seriozisht nga një mendje e shëndoshë». (The Life and Times of Jesus the Messiah) Rabinët i atribuonin një rëndësi për jetë a vdekje rregullave të kota e tekanjoze që drejtonin praktikisht çdo aspekt të jetës hebreje; shpesh me një përçmim gjakftohtë për ndjenjat njerëzore. Një rregull i Sabatit citonte: «Nëse një ndërtesë shembet e bie mbi një njeri dhe dyshohet nëse ai është atje apo jo, është gjallë apo vdekur, është pagan apo izraelit, mund t’i heqin gërmadhat që kanë rënë sipër tij. Nëse e gjejnë gjallë, mund të heqin akoma, por nëse [ai është] i vdekur le ta lënë.»—Traktati Yoma 8:7, The Mishnah, i përkthyer në anglisht nga Herbert Danbi.
Si i shikonte Jezui këto yçkla? Kur e kritikuan pse kishte shëruar në Sabat, ai tha: «Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.» (Gjoni 5:17) Jezui nuk po bënte një punë me pagë që të pasurohej. Përkundrazi, ai bënte vullnetin e Perëndisë. Ashtu siç u lejohej levitëve të vazhdonin shërbimin e tyre të shenjtë në Sabat, edhe Jezui me të drejtë mund të kryente detyrat e tij si Mesia, të caktuara nga Perëndia e pa i thyer ligjet e Tij.—Mateu 12:5.
Shërimet e Jezuit në ditën e Sabatit, gjithashtu, demaskonin skribët dhe farisenjtë hebrenj si ‘tepër të drejtë’, të ashpër e të paekuilibruar në mendimet e tyre. (Eklisiastiu 7:16) Sigurisht që nuk ishte vullneti i Perëndisë që veprat e mira të kufizoheshin vetëm në disa ditë të javës. Perëndia as që kishte ndër mend që Sabati të ishte një ushtrim i kotë në ndjekjen e rregullave. Në Markun 2:27 Jezui tha: «E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.» Jezui donte njerëzit e jo rregullat e ashpra.
Prandaj, të krishterët sot bëjnë mirë të mos jenë tepër të ashpër ose t’i orientojnë mendimet e tyre sipas rregullave. Ata që ushtrojnë autoritet mbi kongregacionin, duhet të mos i rëndojnë të tjerët me rregulla e procedura të tepërta njerëzore. Shembulli i Jezuit, gjithashtu, na inkurajon të kërkojmë mundësi për të bërë mirë. Për shembull, një i krishterë nuk do të ishte kurrë i mendimit se do t’i ndajë të vërtetat biblike vetëm kur aktivizohet formalisht në shërbimin shtëpi më shtëpi ose kur është mbi podium. Apostulli Pjetër tha se i krishteri duhet të jetë ‘gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen e vet kujtdo që i kërkon shpjegime për shpresën që është në të’. (1. Pjetrit 3:15) Koha për të bërë mirë nuk ka kufij.
Një mësim në dhembshuri
Një tjetër mrekulli e famshme është regjistruar në Lukën 7:11-17. Sipas tregimit, Jezui «shkoi në një qytet që quhej Nain dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe». Edhe sot e kësaj dite mund të shihen vende varrimi në juglindje të fshatit modern arab të Neinit. «Kur iu afrua portës së qytetit», ai pa një skenë të zhurmshme. «Ja, që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.» H. B. Tristram vërejti se «mënyra e drejtimit të funeralit nuk ka ndryshuar» që nga kohët e lashta, duke shtuar: «Kam parë gra që ndiqnin arkivolin, të drejtuara nga llahingat [gra profesioniste për të qarë të vdekurit]. Ato përplasnin krahët e shkulnin flokët, duke bërë gjestet më të egra të hidhërimit, duke ulëritur e duke thënë emrin e të vdekurit.»—Eastern Customs in Bible Lands.
Në mes të këtij kaosi të zhurmshëm ecte një vejushë e pikëlluar, fytyra e së cilës pasqyronte një dhembje të thellë. Pas humbjes së të shoqit, sipas fjalëve të profesorit Herbert Lakier, ajo e shihte të birin si «shkopin e moshës dhe ngushëllimin e vetmisë së saj, mbështetja dhe shtylla e shtëpisë së saj. Me humbjen e djalit të saj të vetëm, kishte rënë edhe mbështetja e fundit e mbetur». (All the Miracles of the Bible) Si reagoi Jezui? Sipas fjalëve elokuente të Lukës, «posa e pa, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: ‘Mos qaj’». Shprehja «pati dhembshuri», vjen nga një fjalë greke që fjalë për fjalë do të thotë «të përbrendshme». Ajo do të thotë «të nxitesh në brendësi». (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Po, Jezui ishte nxitur në thellësi të vetë qenies së tij.
Ka mundësi që edhe nëna e Jezuit në atë kohë të ishte e ve, prandaj duhej ta njihte dhimbjen e humbjes së atit të tij të adoptuar, Jozefit. (Krahaso Gjonin 19:25-27.) Vejushës nuk iu desh ta luste Jezuin. Vetvetiu, ai «u afrua, preku arkivolin», pavarësisht se nga Ligji i Moisiut prekja e një kufome të bënte të papastër. (Numrat 19:11) Përmes fuqisë së tij të mrekullueshme, Jezui ishte i aftë të eliminonte vetë shkakun e papastërtisë! «Ai tha: ‘Djalosh, unë të them, çohu!’ Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.»
Çfarë mësimi nxitës në dhembshuri! Të krishterët nuk duhet të imitojnë mungesën e dashurisë dhe qëndrimin e ftohtë mbizotërues në këto ‘ditë të fundit’. (2. Timoteut 3:1-5) Përkundrazi, 1. Pjetrit 3:8 këshillon: «Më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës.» Kur një i njohur përjeton vdekjen ose sëmuret rëndë, ne nuk mund ta ringjallim të vdekurin apo ta shërojmë të sëmurin. Megjithatë, mund të ofrojmë ndihmë praktike dhe ngushëllim, ndoshta thjesht duke qenë atje e duke qarë me ta.—Romakëve 12:15.
Kjo ringjallje dramatike e kryer nga Jezui, ndër të tjera tërheq vëmendjen drejt një të ardhmeje, një kohe «kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre»! (Gjoni 5:28, 29) Në mbarë tokën, ata që kanë humbur një person të dashur, do të përjetojnë personalisht dhembshurinë e Jezuit kur nënat, baballarët, fëmijët dhe miqtë e vdekur të dalin nga varret!
Mësime që nxjerrim nga mrekullitë
Është e qartë, pra, se mrekullitë e Jezuit nuk ishin thjesht shfaqje emocionuese të fuqisë. Ato lavdëronin Perëndinë, duke lënë një shembull për të krishterët që janë të nxitur të ‘përlëvdojnë Perëndinë’. (Romakëve 15:6) Ato të inkurajojnë për të bërë mirë, për t’u treguar bujar dhe të dhembshur. Ajo që është më e rëndësishme, ato shërbyen si një parashikim për veprat e fuqishme që do të kryheshin gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.
Kur ishte në tokë, Jezui i kreu veprat e tij të fuqishme brenda një zone gjeografike relativisht të vogël. (Mateu 15:24) Si Mbret i lavdëruar, juridiksioni i tij do të shtrihet në të gjithë tokën! (Psalmi 72:8) Në kohën e Jezuit, ata që morën dobi nga shërimet e mrekullueshme dhe ringjalljet në fund të fundit vdiqën. Nën mbretërimin e tij qiellor, mëkati dhe vdekja do të zhduken krejtësisht, duke i hapur rrugë jetës së përhershme. (Romakëve 6:23; Zbulesa [Apokalipsi] 21:3, 4) Po, mrekullitë e Jezuit tregojnë një të ardhme të lavdishme. Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar miliona njerëz që të ushqejnë një shpresë të vërtetë për të marrë pjesë në të. Derisa të vijë ajo ditë, çfarë parashikimi i mrekullueshëm i asaj që së shpejti do të ndodhë, na është siguruar nga mrekullitë e Jezu Krishtit!
[Figura në faqen 7]
Jezui e kthen ujin në verë