Përkujtimi (Darka e Zotërisë)
Përkufizimi: Darkë që përkujton vdekjen e Jezu Krishtit; pra, përkujtim i vdekjes së tij, vdekje që ka ndikuar shumë më tepër se vdekja e kujtdo tjetër. Kjo është e vetmja ngjarje që Zotëria Jezu Krisht urdhëroi dishepujt të përkujtonin. Ajo njihet edhe si Darka e Zotërisë.—1 Kor. 11:20.
Cila është domethënia e Përkujtimit?
Jezui u tha apostujve të tij besnikë: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Kur apostulli Pavël u shkroi pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë të lindur nga fryma, ai shtoi: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Kor. 11:26) Pra, Përkujtimi tërheq vëmendjen veçanërisht te rëndësia e vdekjes së Jezu Krishtit në realizimin e qëllimit të Jehovait. Ai nxjerr në pah domethënien e vdekjes flijuese të Jezuit, sidomos në lidhje me besëlidhjen e re dhe me mënyrën se si ndikon vdekja e tij tek ata që do të jenë me të trashëgimtarë të Mbretërisë qiellore.—Gjoni 14:2, 3; Hebr. 9:15.
Përkujtimi shërben për të kujtuar edhe se vdekja e Jezuit dhe mënyra se si ndodhi ajo, sipas qëllimit të Perëndisë të shprehur te Zanafilla 3:15 dhe më pas, shërbeu për të shenjtëruar emrin e Jehovait. Duke ruajtur deri në vdekje integritetin ndaj Jehovait, Jezui tregoi se mëkati i Adamit nuk erdhi për shkak të ndonjë të mete në mënyrën si e krijoi njeriun Krijuesi, por njeriu mund të mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Perëndisë, edhe nën presionet më të ashpra. Kështu Jezui shfajësoi Perëndinë Jehova si Ai që është Krijuesi dhe Sovrani i universit. Përveç kësaj, Jehovai kishte si qëllim që, me vdekjen e Jezuit, të sigurohej flijimi njerëzor i përsosur që u nevojitej pasardhësve të Adamit, dhe kështu t’u jepte mundësinë miliarda njerëzve të cilët do të ushtronin besim, të jetonin përgjithmonë në një tokë parajsore. Kjo do të përmbushte qëllimin që kishte në fillim Jehovai dhe do të ishte shprehje e dashurisë së tij të madhe për njerëzimin.—Gjoni 3:16; Zan. 1:28.
Ç’barrë të rëndë që mbante mbi supe Jezui natën e fundit në tokë si njeri! Ai e dinte se cili ishte qëllimi i Atit për të, por e dinte edhe se duhej të qëndronte besnik në sprova! Po të dështonte, çfarë sharjeje do të sillte mbi emrin e Atit dhe çfarë humbjeje për njerëzimin! Duke pasur parasysh të gjitha gjërat që do të përmbusheshin me anë të vdekjes, ishte shumë e përshtatshme që Jezui të urdhëronte të përkujtohej vdekja e tij.
Ç’domethënie kanë buka dhe vera që shërbehen në Përkujtim?
Në lidhje me bukën pa maja që u dha apostujve kur themeloi Përkujtimin, Jezui tha: «Kjo përfaqëson trupin tim.» (Mar. 14:22) Ajo bukë simbolizonte trupin e tij pa mëkat, të cilën Jezui do ta jepte që njerëzit të kishin shpresën për jetën e ardhshme. Në këtë ngjarje i kushtohet vëmendje e veçantë shpresës që do të mund të kishin ata që do të zgjidheshin për të marrë pjesë me Jezuin në Mbretërinë qiellore.
Kur po u kalonte verën apostujve të tij besnikë, Jezui tha: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave.» (Mar. 14:24) Ajo verë simbolizonte gjakun e Jezuit. Nëpërmjet gjakut të tij të derdhur do të mund të faleshin mëkatet e atyre që do të besonin në të. Në atë rast Jezui po theksonte se gjaku do të bënte të mundur pastrimin nga mëkati për bashkëtrashëgimtarët e tij të ardhshëm. Gjithashtu, fjalët që tha tregojnë se me anë të atij gjaku do të hynte në fuqi besëlidhja e re midis Perëndisë Jehova dhe kongregacionit të krishterë të mirosur nga fryma.
Shih edhe faqet 253-255, te tema «Mesha».
Kush duhet të marrë bukën dhe verën?
Cilët morën pjesë kur Jezui themeloi Darkën e Zotërisë pak kohë para se të vdiste? Ishin njëmbëdhjetë ithtarët e tij besnikë, të cilëve Jezui u tha: «Unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua.» (Luka 22:29) Të gjithëve atyre po u bëhej ftesa për të marrë pjesë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. (Gjoni 14:2, 3) Edhe sot, ata që marrin bukën dhe verën duhet të jenë personat që Krishti i fton në atë «besëlidhje për një mbretëri».
Sa veta i marrin këto simbole? Jezui tha se vetëm ‘një kope e vogël’ do të merrte si shpërblim mbretërinë qiellore. (Luka 12:32) Numri i plotë i tyre do të ishte 144.000 veta. (Zbul. 14:1-3) Ai grup njerëzish filloi të zgjidhej në vitin 33 të e.s. Siç mund të jetë e arsyeshme, tani duhet të ketë mbetur vetëm një numër i vogël që merr këto simbole.
A tregon Gjoni 6:53, 54 se vetëm ata që marrin simbolet, do të fitojnë jetën e përhershme?
Gjoni 6:53, 54: «Jezui u tha: ‘Me të vërtetë po ju them se po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete. Ai që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme, dhe unë do ta ringjall ditën e fundit.’»
Ngrënia dhe pirja natyrisht ishin në kuptimin e figurshëm; përndryshe, ai që do ta bënte një gjë të tillë në kuptimin e mirëfilltë, do të shkelte ligjin e Perëndisë. (Zan. 9:4; Vep. 15:28, 29) Megjithatë, duhet vërejtur se pohimi i Jezuit te Gjoni 6:53, 54 nuk u tha për përurimin e Darkës së Zotërisë. Askush nga ata që e dëgjuan Jezuin, nuk dinte gjë për ndonjë kremtim me bukë dhe verë, të cilat do të përdoreshin për të përfaqësuar mishin dhe gjakun e Krishtit. Ky kremtim u themelua një vit më vonë, dhe përshkrimi i apostullit Gjon për Darkën e Zotërisë fillon vetëm shtatë kapituj më pas (te Gjoni kapitulli 14) tek Ungjilli që mban emrin e tij.
Si mundet dikush ‘të hajë mishin e Birit të njeriut e të pijë gjakun e tij’ në mënyrë të figurshme, nëse nuk merr bukën dhe verën në Përkujtim? Jezui tha se ata që do të hanin e do të pinin në këtë mënyrë, do të kishin «jetë të përhershme». Cili ishte vullneti i Atit të tij, sipas fjalëve që tha më parë, në vargun 40, kur po shpjegonte se çfarë duhej të bënin njerëzit për të pasur jetën e përhershme? Ky vullnet ishte që «kushdo që e sheh Birin dhe tregon besim tek ai, të ketë jetë të përhershme». Prandaj, në mënyrë logjike, ‘të hash mishin e tij dhe të pish gjakun e tij’ në kuptimin e figurshëm kjo mund të bëhet duke treguar besim te fuqia shpenguese e mishit dhe e gjakut të Jezuit që u dha si flijim. Nga të gjithë ata që do të marrin plotësi jete, qoftë në qiej me Krishtin, qoftë në Parajsën tokësore, kërkohet që të tregojnë një besim të tillë.
Sa shpesh duhet kremtuar Përkujtimi dhe kur?
Jezui nuk tha në mënyrë specifike se sa shpesh duhej kremtuar. Ai tha vetëm: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Pavli tha: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Kor. 11:26) Shprehja «sa herë që» nuk do të thotë medoemos shumë herë në vit; ajo mund të ketë kuptimin çdo vit për një periudhë shumëvjeçare. Nëse ti kremton një ngjarje të veçantë, si përvjetorin e martesës, ose një komb kremton një ngjarje të rëndësishme në historinë e tij, sa shpesh duhet bërë kjo? Patjetër, duhet kremtuar një herë në vit, datën e përvjetorit. Kjo do të ishte në përputhje edhe me faktin që Darka e Zotërisë u themelua ditën e Pashkës hebraike, një kremtim i përvitshëm që nuk duhej mbajtur më nga ata hebrenj të cilët ishin bërë të krishterë.
Dëshmitarët e Jehovait e mbajnë Përkujtimin më 14 nisan pas perëndimit të diellit, sipas kalendarit hebraik që ishte i zakonshëm në shekullin e parë. Dita për hebrenjtë fillon pas perëndimit të diellit dhe vazhdon deri në perëndimin e diellit të ditës vijuese. Pra, Jezui vdiq po atë ditë të kalendarit hebraik kur themeloi Përkujtimin. Muaji nisan fillonte me perëndimin e diellit kur hëna e re më afër ekuinoksit pranveror dukej nga Jerusalemi. Përkujtimi është 14 ditë më pas. (Prandaj, data e Përkujtimit mund të mos përkojë me datën e Pashkës që mbajnë hebrenjtë e sotëm. Pse? Fillimi i muajve të tyre kalendarikë është bërë që të përkojë me hënën e re astronomike, dhe jo me hënën e re që shfaqet në Jerusalem, e cila mund të duket 18 deri 30 orë më vonë. Po ashtu, shumica e hebrenjve sot e mbajnë Pashkën më 15 nisan dhe jo më 14 siç bëri Jezui në përputhje me atë që thuhet në Ligjin e Moisiut.)