Mos gjyko nga pamja e jashtme
«Mos gjykoni më nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi.»—GJONI 7:24.
1. Çfarë profetizoi Isaia për Jezuin, dhe pse na jep zemër kjo?
ME ANË të profecisë së tij për Zotërinë Jezu Krisht, Isaia na ngroh zemrën dhe na siguron. Isaia paratha se Jezui «nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh». Ai «do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi». (Isa. 11:3, 4) Pse na jep zemër kjo? Sepse jetojmë në një botë plot me paragjykime. Të gjithë ne presim me zjarr Gjykatësin e përsosur që nuk do të na gjykojë kurrë nga pamja e jashtme!
2. Cilin urdhër na dha Jezui, dhe ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Çdo ditë krijojmë opinione për të tjerët. Mirëpo, si njerëz të papërsosur, nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë gjërat në mënyrë të përsosur ashtu si Jezui. Ne kemi prirjen të ndikohemi nga ajo që na sheh syri. Megjithatë, kur ishte në tokë, Jezui urdhëroi: «Mos gjykoni më nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi.» (Gjoni 7:24) Është e qartë se Jezui dëshiron të jemi si ai dhe të mos i gjykojmë të tjerët nga pamja e jashtme. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë tri aspekte ku njerëzit ndikohen shpesh nga ajo që shohin: raca ose prejardhja, pasuria dhe mosha. Në secilin aspekt, do të shohim mënyra praktike si t’i bindemi urdhrit të Jezuit.
GJYKIMI SIPAS RACËS DHE PREJARDHJES
3, 4. (a) Cilat ngjarje e nxitën apostullin Pjetër të rishqyrtonte pikëpamjen e tij për jojudenjtë? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilën të vërtetë të re kuptoi Pjetri falë Jehovait?
3 Imagjino mendimet që do t’i kenë kaluar nëpër mend apostullit Pjetër kur e thirrën të shkonte në Cezare, në shtëpinë e jojudeut Kornel. (Vep. 10:17-29) Ashtu si judenjtë e tjerë të kohës së tij, edhe Pjetri ishte rritur me bindjen se jojudenjtë ishin të papastër. Mirëpo, Pjetrit i kishin ndodhur disa gjëra që e nxitën të rishqyrtonte pikëpamjen e tij. Për shembull, Pjetri sapo kishte marrë një vegim nga Perëndia. (Vep. 10:9-16) Çfarë kishte parë? Një pëlhurë që ngjante si një enë plot kafshë të papastra që zbriti para tij, dhe ndërkohë një zë nga qielli e urdhëroi: «Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!» Pjetri refuzoi prerazi. Pastaj, zëri nga qielli i tha ‘të mos i quante më të ndotura gjërat që Perëndia i kishte pastruar’. Kur u zgjua nga vegimi, Pjetri ishte në mëdyshje se çfarë po përpiqej t’i thoshte ai zë. Tamam në atë moment, mbërritën të dërguarit e Kornelit. Pas drejtimit që i dha fryma e shenjtë, Pjetri nxitoi të shkonte me ta për në shtëpinë e Kornelit.
4 Nëse Pjetri do t’i kishte gjykuar gjërat vetëm nga pamja e jashtme, nuk do të kishte shkelur kurrë në shtëpinë e Kornelit. Judenjtë nuk hynin absolutisht në shtëpitë e jojudenjve. Po pse Pjetri shkoi pavarësisht nga paragjykimet e rrënjosura thellë? Vegimi që pa dhe garancia që i dha fryma e shenjtë ndikuan thellë tek ai. Pasi dëgjoi tregimin e Kornelit, Pjetri pa dyshim u prek dhe tha nën frymëzim: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Vep. 10:34, 35) Çfarë të vërtete të re drithëruese kuptoi Pjetri—një të vërtetë me ndikim goxha të gjerë! Si do të ndikonte te të gjithë të krishterët kjo e vërtetë për paanshmërinë?
5. (a) Çfarë do Jehovai që të kuptojnë gjithë të krishterët? (b) Cilat paragjykime mund të kemi akoma brenda nesh, edhe pse e dimë se Jehovai është i paanshëm?
5 Me anë të Pjetrit, Jehovai po ndihmonte gjithë të krishterët të kuptonin se Ai nuk është i anshëm. Për të nuk kanë pikë rëndësie ndryshimet raciale, etnike, kombëtare, fisnore ose gjuhësore. Çdo burrë a grua që i frikësohet Perëndisë dhe bën atë që është e drejtë, është i pranuar nga Ai. (Gal. 3:26-28; Zbul. 7:9, 10) Patjetër që ti e di mirë se kjo është e vërtetë. Por, ç’të themi nëse je rritur në një vend ose në një familje plot me paragjykime? Mbase e sheh veten si të paanshëm, mirëpo thellë brenda teje mund të kenë mbetur akoma gjurmë paragjykimi. Edhe Pjetri, që pati privilegjin të zbulonte paanësinë e Jehovait, më vonë shfaqi paragjykime. (Gal. 2:11-14) Si mund t’ia vëmë veshin fjalëve të Jezuit e të mos gjykojmë më nga pamja e jashtme?
6. (a) Çfarë mund të na ndihmojë të çrrënjosim nga zemra paragjykimet? (b) Çfarë nxori në pah raporti që shkroi një vëlla me përgjegjësi?
6 Duhet të shqyrtojmë veten me kujdes nën dritën e Fjalës së Perëndisë për të kuptuar nëse po ushqejmë ende mendime ose ndjenja paragjykuese. (Psal. 119:105) Mbase kemi nevojë edhe për ndihmën e dashur të të tjerëve që mund të pikasin te ne paragjykime, edhe nëse ne nuk i pikasim dot te vetja. (Gal. 2:11, 14) Ndoshta këto paragjykime janë kaq të ngulitura te ne, sa s’jemi të vetëdijshëm që i kemi. Të marrim për shembull, rastin e një vëllai me përgjegjësi që shkroi një raport për një çift të shkëlqyer që shërbenin në kohë të plotë. Bashkëshorti ishte nga një minoritet etnik që shpesh shihej me përçmim nga të tjerët. Me sa duket ai vëlla me përgjegjësi nuk ishte i vetëdijshëm që kishte paragjykime për atë minoritet. Ai shkruante shumë fjalë të mira për bashkëshortin, por në fund e mbyllte kështu raportin: «Edhe pse ai është nga [kjo kombësi], sjellja dhe mënyra si jeton i ndihmon të tjerët të kuptojnë se të jesh [nga ky grup etnik] nuk do të thotë medoemos të mos mbash pastërti ose të jetosh në mënyrë inferiore, diçka tipike për shumë veta me prejardhje [të tillë].» A e dallon mësimin që mund të nxjerrim? Pavarësisht se çfarë përgjegjësish kemi, duhet ta analizojmë veten me kujdes dhe të jemi të gatshëm të pranojmë ndihmë për të pikasur çdo gjurmë paragjykimi që mund të na ketë mbetur në zemër. Ç’gjë tjetër mund të bëjmë?
7. Si mund të tregojmë se po e hapim plotësisht zemrën?
7 Nëse e hapim plotësisht zemrën, do të lejojmë që dashuria t’i zërë vendin paragjykimeve. (2 Kor. 6:11-13) A e ke zakon të mbash shoqëri të ngushtë vetëm me njerëz të racës, prejardhjes, kombësisë, fisit ose gjuhës tënde? Nëse po, zgjerohu. Pse të mos ftosh persona me prejardhje tjetër të dalin me ty në shërbim ose t’i ftosh në shtëpi për të ngrënë diçka a për një aktivitet shoqëror? (Vep. 16:14, 15) Po të bësh kështu, do ta mbushësh zemrën me aq shumë dashuri sa nuk do të ketë vend fare për paragjykime. Por, ka edhe aspekte të tjera ku kemi prirjen t’i gjykojmë njerëzit nga ajo që shohim. Le të flasim tani për pasurinë materiale.
GJYKIMI SIPAS PASURISË OSE VARFËRISË
8. Sipas Levitikut 19:15, si mund të ndikojnë pasuria ose varfëria te mënyra si i gjykojmë të tjerët?
8 Pasuria materiale është një faktor tjetër që mund të ndikojë te pikëpamja jonë për dikë. Levitiku 19:15 thotë: «Mos mbani anën e të varfrit, as mos anoni nga pasaniku. Duhet ta gjykosh shokun me drejtësi.» Por si mund të ndikojë pasuria ose varfëria e dikujt te mënyra si e shohim?
9. Cilën të vërtetë të trishtë dokumentoi Solomoni, dhe çfarë na mëson kjo?
9 Fryma e shenjtë e nxiti Solomonin të dokumentonte një të vërtetë të trishtë për njerëzit e papërsosur. Te Proverbat 14:20, ai tha: «Të vobektin e urren edhe i afërmi i tij, por të shumtë janë miqtë e të pasurit.» Çfarë na mëson ky proverb? Nëse nuk tregojmë kujdes, mund të dëshirojmë miqësinë e vëllezërve të pasur e ndërkohë të shmangim vëllezërit e varfër. Pse është kaq e rrezikshme ta matim vlerën e të tjerëve duke u bazuar vetëm te pasuria e tyre?
10. Cilin problem nxori në pah Jakovi?
10 Nëse i gjykojmë të tjerët në bazë të pasurisë, mund të krijojmë dallime klasore brenda kongregacionit. Dishepulli Jakov paralajmëroi se ky problem po përçante disa kongregacione në shekullin e parë. (Lexo Jakovin 2:1-4.) Duhet të jemi syçelë për të mos lejuar që kjo mënyrë të menduari të ndikojë në kongregacionet tona sot. Si mund ta luftojmë prirjen për të gjykuar sipas pamjes së jashtme?
11. A ndikon pasuria ose varfëria e dikujt te marrëdhënia e tij me Jehovain? Shpjegoni.
11 Duhet t’i shohim vëllezërit tanë siç i sheh Jehovai. Një person nuk është i çmuar në sytë e Jehovait ngaqë është i pasur ose ngaqë është i varfër. Marrëdhënia jonë me Jehovain nuk do të përcaktohet kurrë nga gjërat e shumta që zotërojmë ose nga mungesa e tyre. Është e vërtetë që Jezui tha se «një i pasur do ta ketë të vështirë të futet në mbretërinë e qiejve», por nuk tha se do ta kishte të pamundur. (Mat. 19:23) Nga ana tjetër, Jezui tha: «Lum ju të varfrit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë!» (Luka 6:20) Mirëpo, kjo s’donte të thoshte se gjithë të varfrit do t’i pranonin mësimet e Jezuit dhe do të merrnin bekime të veçanta. Shumë të varfër nuk i pranuan mësimet e tij. Çështja është: nuk mund ta gjykojmë kurrsesi marrëdhënien e dikujt me Jehovain nga gjërat materiale që ka.
12. Si i udhëzojnë Shkrimet të pasurit dhe të varfrit?
12 Jemi të bekuar që kemi shumë vëllezër e motra, të pasur e të varfër, që e duan Jehovain dhe i shërbejnë me gjithë zemër. Shkrimet i udhëzojnë ata që janë të pasur, «të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia». (Lexo 1 Timoteut 6:17-19.) Njëkohësisht, Fjala e Perëndisë i këshillon të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, të pasur a të varfër qofshin, të bëjnë kujdes të mos i duan paratë. (1 Tim. 6:9, 10) Vërtet, kur hapim sytë për t’i parë vëllezërit tanë siç i sheh Jehovai, nuk do të tundohemi t’i gjykojmë vetëm në bazë të asaj që kanë ose që nuk kanë nga ana materiale. Por ç’të themi për moshën e dikujt? A është kjo një bazë e shëndoshë për t’i gjykuar të tjerët? Le të shohim.
GJYKIMI SIPAS MOSHËS
13. Çfarë na mësojnë Shkrimet për respektin ndaj të moshuarve?
13 Në Shkrime na thuhet shpesh se duhet t’u tregojmë respektin e duhur të moshuarve. Levitiku 19:32, thotë: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit. Trego nderim për të moshuarin dhe frikësoju Perëndisë tënd.» Po ashtu, Proverbat 16:31 na mëson se «flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë». Gjithashtu, Pavli e këshilloi Timoteun të mos e kritikonte ashpër një më të moshuar, por ta konsideronte si baba këtë vëlla në moshë të shkuar. (1 Tim. 5:1, 2) Ndonëse Timoteu kishte njëfarë autoriteti për t’u dhënë drejtim këtyre vëllezërve më të moshuar, duhej t’i trajtonte me dhembshuri dhe respekt.
14. Në cilat rrethana mund të jetë e përshtatshme t’i japim këshilla ose disiplinë të nevojshme dikujt që është më i madh në moshë?
14 Mirëpo, ku janë kufijtë e zbatimit të këtij parimi? Për shembull, a duhet të ndihemi të detyruar t’i hapim rrugë një më të moshuari nëse po mëkaton me dashje ose nëse po përkrah diçka që s’i pëlqen Jehovait? Jehovai nuk gjykon nga pamja e jashtme dhe nuk e shfajëson dikë që mëkaton me dashje thjesht se është i moshuar. Vër re parimin që gjejmë tek Isaia 65:20: «Mëkatari, edhe pse njëqind vjeç, do të mallkohet.» Një parim i ngjashëm del në pah edhe te vegimi i Ezekielit. (Ezek. 9:5-7) Pra, meraku ynë kryesor duhet të jetë gjithmonë që të tregojmë respekt për të Lashtin e Ditëve, Perëndinë Jehova. (Dan. 7:9, 10, 13, 14) Po të veprojmë kështu, nuk do të druhemi ta ndreqim dikë që ka nevojë për këshilla, pavarësisht nga mosha e tij.—Gal. 6:1.
15. Çfarë mësimi nxjerrim nga apostulli Pavël për respektin ndaj vëllezërve më të rinj?
15 Ç’të themi për vëllezërit më të rinj në kongregacion? Me çfarë syri i sheh? Apostulli Pavël i shkroi Timoteut të ri: «Askush të mos e përçmojë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.» (1 Tim. 4:12) Kur Pavli shkroi këto fjalë, Timoteu mund të ketë qenë në fillim të të 30-ave. Prapëseprapë, Pavli i kishte caktuar përgjegjësi me peshë. Pavarësisht nga arsyet pse ia dha këtë këshillë, mësimi është i qartë: nuk duhet t’i gjykojmë vëllezërit më të rinj duke u bazuar thjesht te mosha e tyre. Bëjmë mirë të kujtojmë se edhe Zotëria ynë, Jezui, e kreu gjithë shërbimin e tij në tokë kur ishte në fillim të të 30-ave.
16, 17. (a) Si e përcaktojnë pleqtë nëse një vëlla është i kualifikuar për t’u rekomanduar si shërbëtor ndihmës ose plak? (b) Si mund të bien ndesh me Shkrimet pikëpamjet personale ose të shoqërisë ku jetojmë?
16 Mbase jetojmë në një shoqëri që ka prirjen t’i nënvlerësojë burrat më të rinj. Nëse është kështu, pleqtë në kongregacion mund të ngurrojnë të rekomandojnë vëllezër të rinj të kualifikuar që të emërohen si shërbëtorë ndihmës ose pleq. Të gjithë pleqtë bëjnë mirë të mos harrojnë se Shkrimet nuk përcaktojnë një moshë minimale se kur mund të rekomandohet një burrë si shërbëtor ndihmës ose plak. (1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Tit. 1:5-9) Nëse një plak vendos një rregull duke u bazuar te mentaliteti i shoqërisë, nuk po vepron në përputhje me Shkrimet. Burrat më të rinj në moshë nuk duhen vlerësuar sipas pikëpamjeve personale a të shoqërisë, por sipas standardit të Fjalës së Perëndisë.—2 Tim. 3:16, 17.
17 Të shohim një shembull se si pikëpamje të tilla jobiblike të shoqërisë mund t’i pengojnë vëllezërit e kualifikuar të emërohen. Në një shtet, një shërbëtori ndihmës mjaft të kualifikuar i ishin besuar përgjegjësi me peshë. Edhe pse pleqtë në kongregacionin e tij ishin dakord se ai vëlla i ri i plotësonte në një masë të arsyeshme kualifikimet biblike për t’u emëruar plak, nuk e rekomandonin. Disa pleq më të moshuar këmbëngulnin se vëllai dukej tepër i ri që të tjerët ta shihnin si plak. Mjerisht, ajo që u bë pengesë që vëllai të emërohej ishte thjesht pamja e tij. Edhe pse ky është vetëm një rast, raportet tregojnë se ky mentalitet ndikon te shumë veta në pjesë të ndryshme të botës. Sa e rëndësishme është të mbështetemi te Shkrimet dhe jo te pikëpamjet personale ose të shoqërisë ku jetojmë! Kjo është e vetmja mënyrë për t’iu bindur Jezuit dhe për të mos gjykuar më nga pamja e jashtme.
GJYKO ME DREJTËSI
18, 19. Çfarë na duhet për t’i parë të tjerët siç i sheh Jehovai?
18 Pavarësisht nga papërsosmëria njerëzore, mund të mësojmë t’i shohim të tjerët me syrin e paanshëm të Jehovait. (Vep. 10:34, 35) Por, për këtë duhen përpjekje të pareshtura nga ana jonë dhe përkujtues të vazhdueshëm nga Fjala e Perëndisë. Duke zbatuar këta përkujtues, do të vazhdojmë t’i bindemi më plotësisht urdhrit të Jezuit për të mos gjykuar më nga pamja e jashtme.—Gjoni 7:24.
19 Së shpejti Mbreti ynë, Jezu Krishti, do ta gjykojë gjithë njerëzimin, jo nga ajo që i shohin sytë ose nga fjalët që i bien në vesh, por me drejtësi. (Isa. 11:3, 4) Sa kohë e mrekullueshme do të jetë ajo!