Jezu Krishti—Misionari më i madh
«Jam përfaqësues që vjen nga ai dhe Ai më dërgoi.»—GJONI 7:29.
1, 2. Çfarë është një misionar dhe cili mund të quhet Misionari më i madh?
ÇFARË ju vjen në mendje kur dëgjoni fjalën «misionar»? Disa mendojnë për misionarët e feve të krishtere, shumë prej të cilëve përzihen në çështjet politike dhe ekonomike të vendeve ku shërbejnë. Por, si Dëshmitarë të Jehovait, ndoshta ju vijnë në mendje misionarët që Trupi Udhëheqës dërgon për të predikuar lajmin e mirë në vende të ndryshme përreth tokës. (Mat. 24:14) Me vetëmohim këta misionarë përdorin kohën dhe energjitë në veprën fisnike për të ndihmuar njerëzit që t’i afrohen Perëndisë Jehova dhe të kenë një marrëdhënie të çmuar me të.—Jak. 4:8.
2 Fjalët «misionar» dhe «misionarë» nuk përmenden në tekstin kryesor të versionit Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Megjithatë, tek Efesianëve 4:11, fjala greke e përkthyer «ungjillëzues» mund të përkthehet edhe «misionarë». Edhe pse Jehovai është Ungjillëzuesi më i madh, ai nuk mund të quhet Misionari më i madh, sepse nuk është dërguar kurrë nga dikush. Gjithsesi, në lidhje me Atin e tij qiellor, Jezu Krishti tha: «Jam përfaqësues që vjen nga ai dhe Ai më dërgoi.» (Gjoni 7:29) Për të shprehur dashurinë e madhe për njerëzimin, Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur. (Gjoni 3:16) Jezui mund të quhet Misionari më i madh dhe më i mirë, pasi një arsye pse u dërgua në tokë ishte që ‘të jepte dëshmi për të vërtetën’. (Gjoni 18:37) Ai pati sukses të plotë në shpalljen e lajmit të mirë për Mbretërinë, e madje edhe ne sot mund të nxjerrim dobi nga shërbimi i tij. Për shembull, mund t’i zbatojmë në shërbim metodat e tij të mësimdhënies, pavarësisht nëse jemi caktuar apo jo si misionarë.
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Për rolin e Jezuit si lajmëtar i Mbretërisë ngrihen pyetje të tilla, si: Çfarë përjetoi Jezui në tokë? Pse mësimdhënia e tij ishte e efektshme? Dhe, pse shërbimi i tij ishte i suksesshëm?
Një frymë gatishmërie nën rrethana të reja
4-6. Si ndryshuan rrethanat për Jezuin kur u dërgua në tokë?
4 Misionarëve të sotëm dhe disa të krishterëve që shkojnë në vende ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, mund t’u duhet të përshtaten me standarde jetese më të ulëta sesa ishin mësuar. Por ne as që mund ta përfytyrojmë ndryshimin midis rrethanave të Jezuit në tokë dhe rrethanave në qiell, ku jetonte me Atin mes krijesave engjëllore që i shërbenin Jehovait me motive të pastra. (Jobi 38:7) Sa ndryshe ishte për të që të gjendej mes njerëzve mëkatarë në një botë të korruptuar! (Mar. 7:20-23) Jezuit madje iu desh të duronte rivalitetin që kishin midis tyre dishepujt e tij më të afërt. (Luka 20:46; 22:24) Sigurisht që ai ia doli mbanë në çfarëdo rrethane që hasi në tokë.
5 Jezui nuk filloi të fliste një gjuhë njerëzore me anë të një mrekullie, por nisi ta mësonte kur ishte foshnjë. Çfarë ndryshimi qe kjo për atë që kishte nën komandë engjëjt në qiell! Në tokë Jezui përdori të paktën një nga «gjuhët e njerëzve». Ajo ishte krejt e ndryshme nga ‘gjuhët e engjëjve’. (1 Kor. 13:1) Megjithatë, përveç Jezuit, asnjë njeri nuk foli fjalë plot hir si ai.—Luka 4:22.
6 Le të shqyrtojmë disa ndryshime të tjera dramatike që përjetoi Biri i Perëndisë kur erdhi në tokë. Edhe pse Jezui nuk trashëgoi mëkatin e Adamit, Ai u bë njeri si ata që më vonë do të bëheshin ‘vëllezër’ të tij ose dishepuj të mirosur. (Lexo Hebrenjve 2:17, 18.) Natën e fundit si njeri në tokë Jezui nuk i kërkoi Atit të tij qiellor që t’i dërgonte «më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh». E megjithatë, si Kryeengjëlli Mikael, ai kishte autoritet mbi krijesat engjëllore! (Mat. 26:53; Jud. 9) Vërtet që Jezui kreu mrekulli, por ajo që bëri në tokë ishte relativisht e kufizuar, po ta krahasojmë me atë që ishte në gjendje të bënte në qiell.
7. Si vepronin judenjtë në lidhje me Ligjin?
7 Gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore si «Fjala», Jezui mund të ketë qenë Zëdhënësi i Perëndisë që i udhëhoqi izraelitët përmes shkretëtirës. (Gjoni 1:1; Dal. 23:20-23) Sidoqoftë, ndonëse ‘e kishin marrë Ligjin siç u përcoll nga engjëjt, ata nuk e zbatuan’. (Vep. 7:53; Hebr. 2:2, 3) Në të vërtetë, udhëheqësit fetarë judenj në shekullin e parë nuk e kapën kuptimin e vërtetë të Ligjit. Për shembull, të shqyrtojmë ligjin e Sabatit. (Lexo Markun 3:4-6.) Skribët dhe farisenjtë ‘shpërfillnin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë’. (Mat. 23:23) Prapëseprapë, Jezui nuk hoqi dorë që të mos ua shpallte më të vërtetën.
8. Pse Jezui mund të na vijë në ndihmë?
8 Jezui kishte frymën e gatishmërisë. Ai nxitej nga dashuria për njerëzit dhe donte me gjithë zemër t’i ndihmonte. Kurrë nuk e humbi frymën e ungjillëzimit. E falë besnikërisë së tij ndaj Jehovait kur ishte në tokë, Jezui «u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden». Për më tepër, «meqë vuajti vetë kur u vu në provë, ai është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre [si ne] që po vihen në provë».—Hebr. 2:18; 5:8, 9.
Mësues i stërvitur
9, 10. Ç’lloj stërvitjeje mori Jezui para se të dërgohej në tokë?
9 Para se të krishterët e sotëm të dërgohen si misionarë, Trupi Udhëheqës merr masa që ata të stërviten. A u stërvit Jezu Krishti? Po, por, para se të mirosej si Mesia, ai nuk ndoqi shkollat rabinike. Gjithashtu nuk mësoi ‘te këmbët’ e udhëheqësve të shquar fetarë. (Gjoni 7:15; krahaso Veprat 22:3.) Pse atëherë, Jezui ishte kaq i kualifikuar për të mësuar të tjerët?
10 Pavarësisht se çfarë mund ketë mësuar nga e ëma, Maria, dhe nga i ati birësues, Jozefi, stërvitjen kryesore për shërbimin Jezui e mori nga Burimi më i lartë. Në lidhje me këtë Jezui tha: «Nuk fola nga vetja, por vetë Ati që më dërgoi, më urdhëroi se çfarë të them e çfarë të flas.» (Gjoni 12:49) Vini re që Birit iu dhanë udhëzime specifike se çfarë t’u mësonte të tjerëve. Para se të vinte në tokë, pa dyshim, Jezui kaloi shumë kohë duke dëgjuar udhëzimet që i jepte Ati. E ç’stërvitje më të mirë mund të merrte?
11. Deri në ç’masë e pasqyroi Jezui qëndrimin e Atit të tij ndaj njerëzve?
11 Që kur u krijua, Biri kishte një marrëdhënie të ngushtë me Atin. Gjatë ekzistencës paranjerëzore, Jezui dalloi qëndrimin që kishte Perëndia ndaj njerëzve, duke vëzhguar mënyrën si vepronte Ai me ta. Dashuria e Perëndisë për njerëzit u pasqyrua te Biri aq shumë, saqë, si mençuria e personifikuar, ai mundi të thoshte: «I kisha për zemër gjërat që kishin lidhje me bijtë e njerëzve.»—Prov. 8:22, 31.
12, 13. (a) Si mësoi Jezui duke vëzhguar mënyrën si veproi Jehovai me izraelitët? (b) Si e përdori Jezui stërvitjen që mori?
12 Gjatë stërvitjes që merrte, Biri vëzhgonte gjithashtu se si vepronte Ati në rrethana të pafavorshme. Për shembull, të shqyrtojmë si veproi Jehovai me izraelitët kokëfortë. Te Nehemia 9:28 thuhet: «Sapo gjenin prehje, bënin përsëri atë që është e keqe para teje [Jehovait], dhe ti i lije në duart e armiqve të tyre, që i shtypnin. Atëherë ktheheshin e të thërritnin për ndihmë, dhe ti i dëgjoje nga qiejt e i çliroje në përputhje me mëshirën tënde të madhe, herë pas here.» Duke bashkëpunuar me Jehovain dhe duke e vëzhguar Atë, Jezui shfaqi dhembshuri të ngjashme për njerëzit në vendet ku predikoi.—Gjoni 5:19.
13 Jezui e vuri në praktikë këtë stërvitje duke u sjellë me dhembshuri me dishepujt. Natën para se të vdiste, të gjithë apostujt që i donte shumë «e braktisën dhe ikën». (Mat. 26:56; Gjoni 13:1) Madje apostulli Pjetër e mohoi Krishtin tri herë! Megjithatë, Jezui, si të thuash, ua la hapur derën apostujve që të ktheheshin tek ai. Jezui i tha Pjetrit: «Unë kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket. Prandaj, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32) Izraeli frymor është themeluar në mënyrë të suksesshme mbi ‘apostujt e profetët’ dhe gurët e themelit të murit të Jerusalemit të Ri mbanin emrat e 12 apostujve besnikë të Qengjit, Jezu Krishtit. Edhe sot e kësaj dite, të krishterët e mirosur bashkë me shokët e tyre të kushtuar, ‘delet e tjera’, kanë sukses në veprën e tyre të predikimit për Mbretërinë. Këtë vepër e bëjnë me fuqinë e Perëndisë dhe nën udhëheqjen e Birit të tij të dashur.—Efes. 2:20; Gjoni 10:16; Zbul. 21:14.
Si i mësonte të tjerët Jezui?
14, 15. Në cilat mënyra ndryshonte mësimdhënia e Jezuit nga ajo e skribëve dhe e farisenjve?
14 Si e vuri në praktikë Jezui stërvitjen e tij kur mësonte dishepujt? Kur e krahasojmë mësimdhënien e Jezuit me atë të udhëheqësve fetarë judenj, shohim qartë epërsinë e mënyrës si mësonte Jezui. Skribët dhe farisenjtë ‘e bënin fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës së tyre’. Krejt ndryshe nga kjo, gjërat që thoshte Jezui nuk i thoshte nga vetja. Ai mësonte gjithnjë fjalën ose mesazhin e Perëndisë. (Mat. 15:6; Gjoni 14:10) Edhe ne duhet të bëjmë po kështu.
15 Edhe një gjë tjetër e bënte Jezuin krejt të ndryshëm nga udhëheqësit fetarë. Ai tha për skribët dhe farisenjtë: «Bëni dhe zbatoni gjithçka që ju thonë, por mos veproni si ata, sepse flasin, mirëpo nuk veprojnë.» (Mat. 23:3) Jezui e praktikonte atë që mësonte. Le të shqyrtojmë një shembull që tregon se ishte kështu.
16. Pse mund të themi se Jezui jetoi në përputhje me fjalët e dokumentuara te Mateu 6:19-21?
16 Jezui i nxiti dishepujt ‘të grumbullonin thesare në qiell’. (Lexo Mateun 6:19-21.) A jetoi vetë Jezui në përputhje me këtë këshillë? Po, pasi me të drejtë mundi të thoshte për veten: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» (Luka 9:58) Jezui bëri një jetë të thjeshtë. Ai u mor kryesisht me shpalljen e lajmit të mirë për Mbretërinë dhe e tregoi se ç’do të thotë të jesh pa ankthet që sjell grumbullimi i thesareve në tokë. Jezui tregoi se përse është shumë më mirë të grumbullojmë thesare në qiell «ku nuk bren as mola, as ndryshku, dhe ku hajdutët nuk thyejnë e nuk vjedhin». A po e zbatoni këshillën e Jezuit që të grumbulloni thesare në qiell?
Cilësi të Jezuit që i tërhiqnin njerëzit
17. Cilat cilësi e bënë Jezuin një ungjillëzues të jashtëzakonshëm?
17 Cilat cilësi e bënë Jezuin një ungjillëzues të jashtëzakonshëm? Njëra prej tyre ishte qëndrimi që kishte ndaj njerëzve që ndihmonte. Ndër cilësitë e shkëlqyera të Jehovait që pasqyroi Jezui ishin përulësia, dashuria dhe dhembshuria. Vini re se si këto cilësi të Jezuit tërhoqën shumë veta.
18. Pse mund të thuhet se Jezui ishte i përulur?
18 Meqë kishte pranuar caktimin për të ardhur në tokë, Jezui «e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve». (Filip. 2:7) Ky ishte një akt përulësie. Për më tepër, Jezui nuk i shihte njerëzit si më të ulët se veten. Nuk kishte qëndrimin ‘unë kam zbritur nga qielli, prandaj duhet të më dëgjoni’. Ndryshe nga mesitë e rremë të vetëshpallur, Jezui nuk trumbetonte rolin e tij si Mesia i vërtetë. Disa herë ai u tha njerëzve të mos u thoshin të tjerëve se kush ishte ose çfarë kishte bërë. (Mat. 12:15-21) Jezui donte që njerëzit të vendosnin ta ndiqnin duke u bazuar në gjërat që kishin vëzhguar vetë. Sa të bekuar ishin dishepujt e tij që Zotëria i tyre nuk priste që të ishin si engjëjt e përsosur me të cilët kishte qenë në qiell!
19, 20. Si e nxiti dashuria dhe dhembshuria Jezuin që të ndihmonte njerëzit?
19 Gjithashtu Jezu Krishti shfaqi dashuri—cilësia mbizotëruese e Atit të tij qiellor. (1 Gjon. 4:8) Jezui i mësonte njerëzit i shtyrë nga dashuria për ta. Për shembull, shqyrtoni se çfarë ndjeu ai për një sundimtar të ri. (Lexo Markun 10:17-22.) Jezui «ndjeu dashuri për të» dhe donte ta ndihmonte, por sundimtari i ri nuk hoqi dorë nga zotërimet e shumta që të bëhej dishepull i Tij.
20 Një ndër cilësitë e Jezuit që i tërhiqte njerëzit ishte dhembshuria. Si të gjithë njerëzit e papërsosur, edhe ata që pranonin mësimet e tij ishin të rënduar nga problemet. Duke e ditur këtë, Jezui i mësoi me dhembshuri dhe keqardhje. Për shembull, në një rast Jezui dhe apostujt ishin kaq të zënë, saqë nuk kishin kohë madje as të hanin një vakt. Por, si reagoi Jezui kur pa se ishte mbledhur një turmë me njerëz? «I shtyrë nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari, nisi t’u mësonte shumë gjëra.» (Mar. 6:34) Jezui e vuri re gjendjen e mjerë të njerëzve në vendet ku predikoi dhe i përdori energjitë për t’i mësuar e për të kryer mrekulli për ta. Disa u tërhoqën nga cilësitë e tij të shkëlqyera, u nxitën nga fjalët e tij dhe u bënë dishepuj.
21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 Ka edhe shumë gjëra të tjera që mund të mësojmë rreth shërbimit të Jezuit në tokë, siç do të tregohet në artikullin vijues. Në cilat mënyra të tjera mund ta imitojmë Jezu Krishtin, Misionarin më të madh?
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’stërvitje mori Jezui para se të vinte në tokë?
• Në ç’drejtim mënyra si mësonte Jezui kishte epërsi ndaj mënyrës si mësonin skribët dhe farisenjtë?
• Cilat cilësi të Jezuit i tërhiqnin njerëzit?
[Figura në faqen 15]
Si i mësonte Jezui turmat e njerëzve?