KAPITULLI TREMBËDHJETË
Mësoi nga gabimet e veta
1, 2. (a) Çfarë i ndodhi Jonait dhe ekuipazhit të anijes për faj të tij? (b) Për çfarë na ndihmon historia e Jonait?
JONAI donte të zinte veshët që të mos i dëgjonte ata tinguj të tmerrshëm. Nuk ishte vetëm era e furishme që ulërinte mes direkëve të anijes dhe as dallgët gjigante që vërsuleshin mbi të, duke bërë që çdo dërrasë të rënkonte e të kërciste. Jo, për Jonain më të tmerrshme ishin britmat e marinarëve, kapitenit dhe ekuipazhit të tij, që po luftonin ta mbanin anijen mbi ujë. Jonai ishte i sigurt se ata burra do të vdisnin, dhe e gjithë kjo për faj të tij!
2 Pse ishte Jonai në këtë situatë të dëshpëruar? Kishte bërë një gabim të rëndë ndaj Perëndisë së tij, Jehovait. Ç’kishte bërë? A mund të ndreqeshin gjërat? Përgjigjet mund të na tregojnë shumë. Për shembull, historia e Jonait na ndihmon të kuptojmë se edhe ata që kanë besim të vërtetë, mund të bëjnë gabime dhe na tregon si mund t’i ndreqin gjërat.
Një profet nga Galilea
3-5. (a) Ku përqendrohen zakonisht njerëzit kur mendojnë për Jonain? (b) Çfarë dimë për prejardhjen e Jonait? (Shih edhe shënimin.) (c) Pse shërbimi i Jonait si profet nuk ishte i lehtë apo i këndshëm?
3 Kur mendojnë për Jonain, shpesh njerëzit përqendrohen me sa duket në anët negative, si rastet kur ka treguar mosbindje ose edhe kokëfortësi. Por nuk duhet të ndalemi vetëm këtu. Të mos harrojmë se Jonai u zgjodh të shërbente si profet i Perëndisë. Jehovai nuk do ta kishte zgjedhur për një përgjegjësi kaq të madhe, nëse ai do të kishte qenë i pabindur ose i padrejtë.
Nuk duhet të ndalemi vetëm tek anët negative të Jonait
4 Bibla flet pak për prejardhjen e Jonait. (Lexo 2 Mbretërve 14:25.) Ai ishte nga Gath-Heferi, vetëm 4 kilometra larg Nazaretit, qytetit ku rreth tetë shekuj më vonë do të rritej Jezu Krishti.a Jonai shërbeu si profet gjatë mbretërimit të Jeroboamit II në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Epoka e Elijas kishte kaluar me kohë dhe pasardhësi i tij, Eliseu, kishte vdekur gjatë mbretërimit të të atit të Jeroboamit. Edhe pse Jehovai i kishte përdorur ata profetë për të zhdukur adhurimin e Baalit, Izraeli me kokëfortësi po largohej përsëri. Tani vendi ishte nën pushtetin e një mbreti që «bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». (2 Mbret. 14:24) Pra, shërbimi i Jonait mund të ketë qenë i vështirë ose i pakëndshëm. E megjithatë, ai e kreu me besnikëri.
5 Por një ditë jeta e Jonait mori një kthesë dramatike. Jehovai i dha një caktim që iu duk tejet i vështirë. Çfarë i kërkoi Jehovai?
«Ngrihu, shko në Ninevi»
6. Cilin caktim i dha Jehovai Jonait dhe pse mund t’i jetë dukur i vështirë?
6 Jehovai i tha Jonait: «Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall kundër saj se ligësia e tyre është ngjitur deri tek unë.» (Jon. 1:2) S’do shumë mend të kuptosh pse mund t’i jetë dukur i vështirë ky caktim. Ninevia ndodhej rreth 800 kilometra në lindje, një udhëtim me rrugë tokësore që do të zgjaste një muaj në këmbë. Por vështirësitë e udhëtimit mund të jenë dukur pjesa më e lehtë e punës. Në Ninevi, Jonai duhej t’u shpallte mesazhin e gjykimit të Jehovait asirianëve, të cilëve u kishte dalë nami si të dhunshëm e madje të egër. Nëse Jonai s’kishte parë shumë rezultate te populli i Perëndisë, ç’mund të shpresonte të shihte tek ata paganë? Si do t’i vente halli një shërbëtori të vetëm të Jehovait në Ninevinë e madhe, që më vonë do të quhej «qyteti gjakatar»?—Nau. 3:1, 7.
7, 8. (a) Sa i vendosur ishte Jonai të largohej nga caktimi që i kishte dhënë Jehovai? (b) Pse nuk duhet t’ia vëmë vulën si burracak?
7 Këto mendime mund t’i kenë kaluar nëpër mend Jonait. Nuk e dimë me siguri, por dimë se ia mbathi. Jehovai e kishte udhëzuar të shkonte në lindje, kurse ai u drejtua për nga perëndimi, sa më larg të mundej. Zbriti në bregdet, në një qytet-port të quajtur Jopë, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Disa studiues thonë se Tarshishi ndodhej në Spanjë. Nëse është kështu, Jonai po shkonte 3.500 kilometra larg Ninevisë. Për një udhëtim të tillë deri në skajin tjetër të Detit të Madh mund të jetë dashur një vit. Kaq i vendosur ishte Jonai të largohej nga caktimi që i kishte dhënë Jehovai!—Lexo Jonain 1:3.
8 A do të thotë kjo se duhet t’ia vëmë vulën Jonait si burracak? S’duhet ta gjykojmë kaq shpejt. Siç do të shohim, ai ishte në gjendje të tregonte guxim të jashtëzakonshëm. Por, ashtu si të gjithë ne, Jonai ishte njeri i papërsosur dhe luftonte me shumë të meta. (Psal. 51:5) Cili prej nesh nuk ka luftuar ndonjëherë me frikën?
9. Si mund të na duket nganjëherë një caktim që vjen nga Jehovai dhe cilën të vërtetë s’duhet të harrojmë në këto raste?
9 Nganjëherë mund të na duket sikur ajo që na kërkon Perëndia, është e vështirë, madje e pamundur. Mund të na duket frikësuese edhe të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, siç u kërkohet të gjithë të krishterëve. (Mat. 24:14) Është shumë e lehtë të harrojmë të vërtetën themelore që tha Jezui: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Mar. 10:27) Nëse nganjëherë e harrojmë këtë të vërtetë, ndoshta mund ta kuptojmë vështirësinë që hasi Jonai. Por ç’pasoja pati ikja e tij?
Jehovai e disiplinon profetin e pashtruar
10, 11. (a) Çfarë mund të ketë shpresuar Jonai ndërsa anija e mallrave largohej nga porti? (b) Ç’rrezik iu kanos anijes dhe ekuipazhit të saj?
10 Mund ta përfytyrojmë Jonain tek zë vend në anije, ndoshta një anije mallrash fenikase. Sheh kapitenin dhe ekuipazhin tek vrapojnë andej-këtej që ta vënë në lëvizje anijen e ta nxjerrin nga porti. Teksa bregu zhdukej dalëngadalë, Jonai mund të ketë shpresuar se po i shpëtonte rrezikut që i druhej aq shumë. Por papritur moti ndryshoi.
11 Erëra të forta e trazuan detin i cili u kthye si në një përbindësh, me dallgë që edhe një anije të sotme mund ta bënin të dukej e vogël. Edhe sa do të rezistonte anija e humbur mes dallgëve gjigante që krijonin humnera të mëdha? A e dinte Jonai në ato momente atë që shkroi më vonë, pra se «Jehovai bëri që në det të ngrihej një erë e fortë»? Nuk e dimë. Gjithsesi, pa se marinarët nisën t’u thërritnin perëndive të ndryshme dhe e dinte se nga ai drejtim s’do të vinte kurrfarë ndihme. (Lev. 19:4) Në tregim thuhet: «Anija ishte gati të shkatërrohej.» (Jon. 1:4) Po si mund t’i lutej Jonai Perëndisë nga i cili po ia mbathte?
12. (a) Pse s’duhet ta gjykojmë shpejt Jonain që e zuri gjumi ndërsa stuhia bëhej gjithnjë e më e fortë? (Shih edhe shënimin.) (b) Si e zbuloi Jehovai shkakun e furtunës?
12 Jonai u ndie i pafuqishëm t’i ndihmonte, ndaj zbriti në fund të anijes dhe gjeti një vend ku të shtrihej. Atje e zuri një gjumë i rëndë.b Kapiteni e gjeti, e zgjoi dhe i tha t’i lutej perëndisë së tij, siç po bënin gjithë të tjerët. Të bindur se kjo furtunë kishte diçka të mbinatyrshme, marinarët hodhën short për të parë nga cili njeri në bord po u vinte kjo e keqe. Pa dyshim, Jonai mund të jetë frikësuar teksa shorti mënjanonte njerëzit me radhë. Pas pak e vërteta doli në shesh. Jehovai po drejtonte furtunën, si dhe shortin, te një njeri, Jonai!—Lexo Jonain 1:5-7.
13. (a) Çfarë u tregoi Jonai marinarëve? (b) Për çfarë i nxiti Jonai marinarët dhe pse?
13 Jonai u tha gjithçka marinarëve. U tregoi se ishte shërbëtor i Perëndisë së plotfuqishëm, Jehovait. Ky ishte Perëndia nga i cili po ikte dhe të cilin e kishte fyer, duke i vënë të gjithë para një rreziku kaq të madh. Burrat shtangën dhe Jonai mund t’ua shihte tmerrin në sy. E pyetën ç’të bënin që të shpëtonin anijen dhe jetën e tyre. Çfarë u tha ai? Mund t’i jetë drithëruar zemra nga mendimi se do të mbytej në atë det të egër e të ftohtë. Por si t’i çonte të gjithë ata burra drejt një vdekjeje të tillë kur e dinte se mund t’i shpëtonte? Kështu, i nxiti: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet. Sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe u ngrit mbi ju për shkakun tim.»—Jon. 1:12.
14, 15. (a) Si mund ta imitojmë besimin e fortë të Jonait? (b) Si reaguan marinarët ndaj kërkesës së Jonait?
14 S’ngjajnë si fjalët e një burracaku, apo jo? Fryma vetëmohuese dhe e guximshme e Jonait në atë çast kritik duhet t’ia ketë ngrohur zemrën Jehovait. Këtu e shohim fare qartë besimin e fortë të Jonait. Mund ta imitojmë këtë besim duke vënë mirëqenien e të tjerëve para tonës. (Gjoni 13:34, 35) A bëjmë çmos të ndihmojmë ata që kanë nevoja fizike, emocionale ose frymore? Sa kënaqet Jehovai kur veprojmë kështu!
15 Ndoshta edhe marinarët u prekën, sepse fillimisht nuk pranuan të bënin ç’u tha Jonai. Në vend të kësaj, u munduan me gjithë shpirt t’i bënin ballë stuhisë, por më kot. Ajo vetëm sa u bë më e egër. Së fundi, panë se s’kishin rrugë tjetër. Pasi thirrën Perëndinë e Jonait, Jehovain, që t’u tregonte mëshirë, e morën Jonain dhe e hodhën në det.—Jon. 1:13-15.
Jonait i tregohet mëshirë dhe shpëton
16, 17. Përshkruaj çfarë i ndodhi Jonait pasi e hodhën nga anija. (Shih edhe figurat.)
16 Jonai u plandos mes dallgëve shkumëzuese. Ndoshta luftoi të qëndronte sipër, pluskoi për pak dhe, mes shkumës e stërkalave, pa anijen tek largohej me të shpejtë. Mirëpo dallgët e fuqishme u përplasën mbi të dhe e zhytën poshtë. Teksa binte poshtë e më poshtë, ndiente se s’kishte më shpresë.
17 Më vonë Jonai përshkroi çfarë ndjeu në ato çaste. Në mendje i kaluan me shpejtësi copëza kujtimesh. Mendoi me trishtim se nuk do ta shihte më kurrë tempullin e bukur të Jehovait në Jerusalem. Pati ndjesinë se po zbriste në thellësitë e detit, aty ku ishin themelet e maleve, ku leshterikët iu përdrodhën rreth trupit. Iu duk sikur kjo do të ishte gropa ose varri i tij.—Lexo Jonain 2:2-6.
18, 19. Ç’i ndodhi Jonait në thellësitë e detit, cila krijesë iu afrua dhe kush qëndronte pas asaj ngjarjeje? (Shih edhe shënimin.)
18 Po prit pak! Diçka po lëvizte aty pranë, një siluetë gjigante dhe e errët, një qenie e gjallë. Ajo u afrua më tepër dhe e piketoi. Një gojë e madhe u hap dhe e gëlltiti Jonain.
19 Ky duhet të jetë fundi. Megjithatë, Jonai ndjeu diçka mahnitëse. Ishte ende gjallë! As u copëtua, as u tret dhe as u mbyt. Jo, ende merrte frymë, ndonëse ndodhej në vendin që me të drejtë duhej të ishte varri i tij. Pak nga pak, ai u mbush plot me nderim të thellë. Pa dyshim, ishte Perëndia i tij, Jehovai i cili «bëri që një peshk i madh ta gëlltiste Jonain».c—Jon. 1:17.
20. Çfarë mësojmë për Jonain nga lutja që i bëri Jehovait në barkun e peshkut të madh?
20 Kaluan minuta, pastaj orë. Atje, në errësirën më të thellë që kishte përjetuar ndonjëherë, Jonai mblodhi mendimet dhe iu lut Perëndisë Jehova. Lutja e tij, e dokumentuar fjalë për fjalë në kapitullin e dytë të librit të Jonait, na tregon shumë. Ajo tregon se Jonai i njihte mirë Shkrimet, pasi shpeshherë u referohet Psalmeve. Tregon edhe një cilësi që të bën për vete: mirënjohjen. Jonai e mbylli kështu lutjen: «Unë do të të bëj flijime dhe me zërin tim do të të bëj falënderime. Zotimin që kam marrë, do ta mbaj. Shpëtimi i takon Jehovait.»—Jon. 2:9.
21. Ç’mësoi Jonai për shpëtimin dhe cilin mësim të çmuar duhet të mbajmë mend?
21 Atje, në vendin më të pazakontë, pra «në barkun e peshkut», Jonai mësoi se Jehovai mund t’i sjellë shpëtimin kujtdo, kudo dhe kurdo. Edhe atje, Jehovai e gjeti dhe e shpëtoi nga telashet shërbëtorin e tij. (Jon. 1:17) Vetëm Jehovai mund ta mbante gjallë dhe shëndoshë e mirë një njeri për tri ditë e tri net në barkun e një peshku të madh. Është mirë që sot të mbajmë mend se Jehovai është ‘Perëndia në dorë të të cilit është fryma jonë’. (Dan. 5:23) I detyrojmë atij edhe ajrin që thithim, vetë ekzistencën tonë. A jemi mirënjohës për këtë? A nuk i detyrojmë edhe bindjen tonë?
22, 23. (a) Si u vu shpejt në provë mirënjohja e Jonait? (b) Çfarë mësojmë nga Jonai për sa i përket gabimeve që bëjmë?
22 Po me Jonain, ç’ndodhi? A mësoi t’i shfaqte mirënjohje Jehovait me anë të bindjes? Po, mësoi. Pas tri ditësh e tri netësh, peshku e çoi Jonain në breg dhe ‘e volli në tokë të thatë’. (Jon. 2:10) Mendo pak: në fund fare, Jonait nuk iu desh as të notonte deri në breg! Natyrisht, duhej të gjente rrugën për të ikur nga ai breg, kudo që të ishte. Por, s’kaloi shumë dhe fryma e mirënjohjes iu vu në provë. Te Jonai 3:1, 2 thuhet: «Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua për herë të dytë Jonait: ‘Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall atje këtë që po të them.’» Ç’do të bënte Jonai?
23 Ai nuk ngurroi. Lexojmë: «Jonai u ngrit dhe shkoi në Ninevi, sipas fjalës së Jehovait.» (Jon. 3:3) Po, u bind. Është e qartë se kishte mësuar nga gabimet e tij. Edhe këtu duhet ta imitojmë besimin e Jonait. Të gjithë mëkatojmë, të gjithë bëjmë gabime. (Rom. 3:23) Por, a dorëzohemi apo mësojmë nga gabimet tona dhe kthehemi e i shërbejmë me bindje Perëndisë?
24, 25. (a) Cilin shpërblim mori Jonai më vonë gjatë jetës së tij? (b) Cili shpërblim e pret Jonain në të ardhmen?
24 A e shpërbleu Jehovai Jonain për bindjen? Patjetër që po. Pikësëpari, duket se më vonë Jonai mori vesh se marinarët kishin shpëtuar. Stuhia ishte qetësuar menjëherë pas aktit vetëflijues të Jonait e ata marinarë «patën shumë frikë nga Jehovai» dhe i bënë një flijim atij, jo perëndive të tyre të rreme.—Jon. 1:15, 16.
25 Një shpërblim edhe më i madh erdhi shumë më vonë. Kohën që kaloi Jonai në barkun e peshkut të madh, Jezui e përdori si përshkrim profetik për kohën që do të kalonte vetë në varr ose në Sheol. (Lexo Mateun 12:38-40.) Sa do të kënaqet Jonai kur të marrë vesh për këtë bekim, pasi të ringjallet në tokë! (Gjoni 5:28, 29) Jehovai dëshiron të të bekojë edhe ty. A do të mësosh nga gabimet e tua, si Jonai, dhe a do të shfaqësh një frymë të bindur e vetëmohuese?
a Vlen të përmendet origjina e Jonait nga një qytet i Galilesë, sepse me arrogancë farisenjtë thanë për Jezuin: «Shqyrto e shiko se nga Galilea nuk ka për t’u ngritur asnjë profet.» (Gjoni 7:52) Shumë përkthyes e studiues mendojnë se farisenjtë po bënin një përgjithësim duke thënë se asnjë profet s’ishte ngritur e s’do të ngrihej kurrë nga Galilea e parëndësishme. Nëse është kështu, ata farisenj po shpërfillnin edhe historinë, edhe profecinë.—Isa. 9:1, 2.
b Septuaginta e thekson sa i thellë ishte gjumi që kishte zënë Jonain, duke shtuar se ai gërhiste. Por, në vend që ta shohim gjumin e Jonait si shenjë indiference prej tij, mund të kujtojmë se nganjëherë gjumi i kaplon ata që janë shumë të dëshpëruar. Gjatë orëve agonike që kaloi Jezui në kopshtin e Getsemanisë, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni ‘po dremitnin ngaqë ishin të hidhëruar’.—Luka 22:45.
c Kur u përkthye në greqisht, fjala hebraike për «peshk» u la «përbindësh deti» ose «peshk i madh». Ndonëse nuk ka ndonjë mënyrë për të përcaktuar me saktësi ç’lloj krijese detare ishte, është vërejtur se në Mesdhe ka peshkaqenë aq të mëdhenj sa mund ta gëlltitin një njeri të tërin. Në vende të tjera ka peshkaqenë shumë më të mëdhenj; peshkaqeni-balenë mund të arrijë gjatësinë 15 metra e ndoshta më tepër!