KAPITULLI 68
«Drita e botës»—Biri i Perëndisë
JEZUI SHPJEGON KUSH ËSHTË BIRI
NË Ç’KUPTIM JANË SKLLEVËR JUDENJTË?
Ditën e shtatë, pra ditën e fundit të Festës judeje të Tabernakujve, Jezui po mëson në atë pjesë të tempullit ku janë «arkat e thesarit». (Gjoni 8:20; Luka 21:1) Me sa duket, ato ndodhen në Oborrin e Grave, atje ku njerëzit hedhin kontribute.
Gjatë festës, në këtë zonë të tempullit, sigurohet ndriçim i veçantë natën. Atje ka katër shandanë gjigantë me katër enë të mëdha të mbushura me vaj. Drita që lëshojnë, ndriçon zonën përreth deri në një distancë të largët. Mbase dëgjuesve u vjen në mendje kjo pamje, kur Jezui thotë: «Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë kurrsesi në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.»—Gjoni 8:12.
Farisenjtë e kundërshtojnë Jezuin me këto fjalë: «Ti jep dëshmi për veten, prandaj dëshmia jote nuk është e vërtetë.» Jezui ua kthen: «Edhe nëse jap dëshmi për veten, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur dhe ku po shkoj. Kurse ju nuk e dini as nga kam ardhur dhe as ku po shkoj.» Pastaj shton: «Në vetë Ligjin tuaj është shkruar: ‘Dëshmia e dy vetave është e vërtetë.’ Unë jap dëshmi për veten time, e po ashtu edhe Ati që më dërgoi, jep dëshmi për mua.»—Gjoni 8:13-18.
Farisenjtë nuk e pranojnë arsyetimin e tij, ndaj pyesin: «Ku është Ati yt?» Jezui u përgjigjet prerazi: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do ta njihnit edhe Atin tim.» (Gjoni 8:19) Edhe pse farisenjtë duan akoma ta arrestojnë, askush nuk e prek me dorë.
Jezui përsërit diçka që ka thënë pak më parë: «Unë po iki dhe ju do të më kërkoni, por prapëseprapë do të vdisni në mëkatet tuaja. Atje ku po shkoj unë, ju nuk vini dot.» Judenjtë, që i keqkuptojnë plotësisht fjalët e tij, fillojnë të hamenden: «Mos do të vrasë veten, ngaqë thotë: ‘Atje ku po shkoj unë, ju nuk vini dot.’» Nuk e kuptojnë ku e ka fjalën, ngaqë nuk e dinë nga ka ardhur. Jezui shpjegon: «Ju jeni nga toka, kurse unë jam nga qielli. Ju jeni nga kjo botë, kurse unë nuk jam nga kjo botë.»—Gjoni 8:21-23.
Jezui po flet për ekzistencën e tij paranjerëzore në qiell dhe për identitetin e tij si Mesia i premtuar ose si Krishti. Krerët fetarë duhet ta pranojnë, por në vend të kësaj e pyesin gjithë përçmim: «Kush je ti?»—Gjoni 8:25.
Meqë ata nuk e pranojnë, por i kundërvihen, Jezui përgjigjet: «Më kot flas me ju!» Gjithsesi, ai e drejton vëmendjen tek Ati i tij dhe shpjegon pse judenjtë duhet ta dëgjojnë Birin: «Po i them botës pikërisht gjërat që dëgjova nga Ai që më dërgoi, dhe Ai është i vërtetë.»—Gjoni 8:25, 26.
Pastaj Jezui shpreh sigurinë që ka tek Ati i tij, siguri që këta judenj nuk e kanë: «Kur ta keni ngritur Birin e njeriut, do ta merrni vesh se unë jam ai që duhej të vinte dhe se nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati. Ai që më dërgoi, është me mua dhe nuk më ka braktisur, sepse bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.»—Gjoni 8:28, 29.
Gjithsesi, disa judenj tregojnë besim te Jezui dhe ai u drejtohet me këto fjalë: «Nëse i zbatoni gjithmonë fjalët e mia, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:31, 32.
Disave u tingëllojnë të çuditshme këto fjalë për lirinë. Ata e kundërshtojnë: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit e nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si na thënke: ‘Do të bëheni të lirë.’» Judenjtë e dinë që disa herë kanë qenë nën sundimin e huaj, e prapëseprapë nuk pranojnë të quhen skllevër. Megjithatë Jezui u thotë se janë ende skllevër: «Me të vërtetë po ju them: çdo njeri që nuk heq dorë nga mëkati, është skllav i mëkatit.»—Gjoni 8:33, 34.
Judenjtë nuk e pranojnë se janë skllevër të mëkatit, prandaj Jezui u thotë se çfarë do t’u ndodhë: «Skllavi nuk qëndron gjithmonë në shtëpinë e zotërisë së tij, kurse biri qëndron përgjithmonë.» (Gjoni 8:35) Një skllav nuk e ka të drejtën e trashëgimisë dhe mund ta përzënë nga shtëpia në çfarëdo momenti. Vetëm biri që lind ose birësohet në një familje qëndron «përgjithmonë», pra për sa kohë të jetojë.
Kështu, e vërteta për Birin është e vërteta që i bën njerëzit të lirë përgjithmonë nga mëkati që çon në vdekje. Ja pse Jezui pohon: «Do të jeni vërtet të lirë, nëse Biri ju bën të lirë.»—Gjoni 8:36.