KAPITULLI 14
Jezui fillon të bëjë dishepuj
DISHEPUJT E PARË TË JEZUIT
Pas 40 ditëve në shkretëtirë dhe para se të shkojë sërish në Galile, Jezui kthehet te Gjoni që e kishte pagëzuar. Ndërsa Jezui afrohet, Gjoni ua drejton vëmendjen të pranishmëve tek ai dhe u thotë: «Ja Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin thashë: ‘Pas meje po vjen një njeri që është më i madh se unë, sepse ekzistonte para meje.’» (Gjoni 1:29, 30) Gjoni është pak më i madh se Jezui, megjithatë e di se Jezui ka ekzistuar para tij si krijesë qiellore.
Kur Jezui erdhi të pagëzohej ca javë më parë, Gjoni nuk ishte i sigurt nëse Jezui do të bëhej Mesia. Ai pranon: «As unë nuk e njihja, por arsyeja pse erdha të pagëzoja me ujë, ishte që ai t’i bëhej i njohur Izraelit.»—Gjoni 1:31.
Pastaj u tregon dëgjuesve se çfarë ndodhi kur pagëzoi Jezuin: «E pashë frymën e Perëndisë të zbriste nga qielli porsi një pëllumb dhe të qëndronte mbi të. As unë nuk e njihja, por pikërisht Ai që më dërgoi të pagëzoja me ujë, më tha: ‘Ai tek i cili do të shohësh të zbresë e të qëndrojë fryma, është ai që do të pagëzojë me frymë të shenjtë.’ Dhe unë e pashë dhe dhashë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.»—Gjoni 1:32-34.
Të nesërmen Gjoni është me dy nga dishepujt e tij kur sheh Jezuin duke kaluar, dhe thotë: «Ja Qengji i Perëndisë!» (Gjoni 1:36) Atëherë dy dishepujt e Gjon Pagëzorit nisin të ndjekin Jezuin. Njëri është Andrea kurse tjetri Gjoni, ai që shkroi edhe këtë ngjarje. Me sa duket Gjoni është kushëri i Jezuit, biri i Zebedeut dhe i Salomës, motrës së Marisë.
Kur Jezui sheh Andrean dhe Gjonin që po e ndjekin, i pyet: «Çfarë kërkoni?»
Ata i thonë: «Rabi, ku po rri?»
Jezui u përgjigjet: «Ejani e do të shihni.»—Gjoni 1:37-39.
Është afërsisht ora katër e pasdites dhe Andrea e Gjoni kalojnë pjesën tjetër të ditës me Jezuin. Andrea është kaq i entuziazmuar sa kur gjen të vëllanë, Simonin, që quhet edhe Pjetër, i thotë: «Kemi gjetur Mesinë.» (Gjoni 1:41) Pastaj Andrea e çon Pjetrin te Jezui. Ndonëse Gjoni nuk e specifikon, nga ngjarjet e mëvonshme kuptojmë se me shumë mundësi edhe ai shkon të kërkojë të vëllanë, Jakovin, për ta çuar te Jezui.
Ditën tjetër Jezui gjen Filipin nga Betsaida, qytet në veri të detit të Galilesë. Nga i njëjti qytet janë edhe Andrea e Pjetri. Jezui e fton Filipin: «Bëhu dishepulli im.»—Gjoni 1:43.
Pastaj Filipi gjen Natanaelin, i quajtur edhe Bartolome, dhe i thotë: «Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj, si edhe Profetët: Jezuin, të birin e Jozefit, nga Nazareti.» Natanaelit nuk i mbushet mendja dhe ia kthen: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?»
Por Filipi e nxit: «Hajde shikoje vetë.» Teksa vëren Natanaelin të afrohet, Jezui thotë: «Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka mashtrim.»
Natanaeli e pyet: «Nga më njeh?!»
Jezui i përgjigjet: «Të pashë kur po rrije nën një pemë fiku, para se të të thërriste Filipi.»
I mrekulluar, Natanaeli i thotë: «Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbreti i Izraelit.»
Atëherë Jezui e pyet: «Ti beson vetëm ngaqë të thashë se të pashë nën një pemë fiku? Ke për të parë gjëra edhe më të mëdha se kjo.» Më tej ai premton: «Po, me të vërtetë po ju them të gjithëve se do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë të ngjiten e të zbresin te Biri i njeriut.»—Gjoni 1:45-51.
Pak pas kësaj, Jezui bashkë me dishepujt e parë lënë luginën e Jordanit dhe nisen drejt Galilesë.