Shfrytëzoni këtë rast të pashoq!
PETROJA kishte ecur shumë në studimet për mjekësi, kur mesazhi biblik i shpëtimit zgjoi interesin e tij. Kur mori diplomën dhe nisi praktikën si mjek në një spital, shefat e tij vazhdimisht e inkurajonin të specializohej në neurokirurgji. Ky ishte një rast që shumë mjekë të rinj do ta shfrytëzonin pa ngurrim.
Megjithatë, Petrojaa vendosi ta linte këtë rast. Përse? Mos vallë vetëm ngaqë s’kishte ambicjen dhe motivin e nevojshëm? Jo, sepse Petroja e shqyrtoi me kujdes ofertën. Pasi u bë një Dëshmitar i Jehovait, i dedikuar dhe i pagëzuar, ai dëshironte të harxhonte sa më shumë kohë të ishte e mundur në aspektet e ndryshme të shërbimit të krishterë. Po të kualifikohej si kirurg neurolog, arsyetoi ai, profesioni do t’i gëlltiste gjithnjë e më shumë kohë dhe energji. A u tregua i pamend apo i mençur, që dorëzoi këtë perspektivë të shquar?
Disave, vendimi i Petros mund t’u dukej i pamend. Megjithatë, ai mbajti parasysh të tillë tekste biblikë, si Efesianëve 5:15, 16. Atje, apostulli Pavël i nxiti bashkë të krishterët: «Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke shfrytëzuar kohën [duke blerë kohën e përshtatshme, BR], sepse ditët janë të mbrapshta.»
Të lutemi të vëresh shprehjen «kohën e përshtatshme». Është përkthyer nga një fjalë greke, e cila është përdorur në Bibël kryesisht për t’iu referuar një kohe apo një periudhe të karakterizuar nga disa aspekte apo e përshtatshme për një aktivitet specifik. Këtu, Pavli po theksonte idenë se të krishterët duhet të gjejnë kohë për çështjet e rëndësishme. Në fakt, ata duhet «të sigurohen për gjërat më të rëndësishme». (Filipianëve 1:10, BR) Puna është që të vendosësh radhën e përparësive.
Kështu, pra, cili është qëllimi hyjnor për kohën tonë? Cili është vullneti i Perëndisë për ata që e duan? Profecitë e Biblës i identifikojnë qartësisht ditët tona, si «koha e mbarimit» ose «ditët e fundit». (Danieli 12:4; 2. Timoteut 3:1) Krishti Jezu nuk la asnjë dyshim se çfarë do të kishte rëndësi parësore në ditët tona. Ai tha në mënyrë specifike se përpara fundit të këtij sistemi të lig gjërash, ‘ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohej në të gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet’. Vetëm atëherë do të vinte fundi.—Mateu 24:3, 14.
Prandaj, duhet që të shfrytëzojmë çdo rast për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë dhe të bëjmë dishepuj. (Mateu 28:19, 20) Meqë këto aktivitete s’do të përsëriten më kurrë, ky është rasti i fundit për të dhënë gjithçka që kemi në këtë vepër jetëshpëtuese. «Tani është koha veçanërisht e pranueshme.» Në fakt, «tani është dita e shpëtimit».—2. Korintasve 6:2, BR.
Të marrim një vendim të mençur
Petroja, i riu i përmendur në fillim, mendoi me kujdes në lidhje me vendimin e tij dhe vlerësoi zgjedhjet që kishte. Ai e kuptonte se nuk do të ishte e gabuar të studionte, me perspektivën për t’u bërë një neurokirurg. Por çfarë ishte më e rëndësishme për të? Ishte aktiviteti i tij në shërbimin e krishterë, duke shqyrtuar urgjencën e kësaj vepre. Njëkohësisht, ai kishte disa detyrime për të përmbushur. Ai ishte i martuar dhe duhej të mbështeste të shoqen, e cila merr pjesë në veprën e predikimit të plotë kohor. (1. Timoteut 5:8) Gjithashtu, Petroja duhej të paguante borxhet që lidheshin me arsimimin e tij. Çfarë vendosi, pra, ai të bënte?
Petroja vendosi të specializohej në radiologji dhe të bënte vëzhgime ultrazanore. Kjo gjë do të përfshinte një ditë normale pune. Gjithashtu, ai do të stërvitej gjatë orëve të rregullta të punës. Po, disa mund ta konsiderojnë këtë si një pozitë më pak të çmuar, por ama kjo i lejon atij më shumë kohë për t’iu kushtuar synimeve frymore.
Edhe një shqyrtim tjetër ndikoi në vendimin e Petros. Edhe pse pa gjykuar të tjerët, që mund të kishin vendosur ndryshe, ai e dinte se përfshirja e tepërt në çështjet e botës përbën rrezik për një të krishterë. Mund të bëjë që ai të lërë pas dore përgjegjësitë frymore. Kjo ilustrohet nga një shembull tjetër që ka të bëjë me punën.
Një predikues i Mbretërisë në shërbim të plotë kohor, ishte artist profesionist. Ai kishte mundësi të mbante veten financiarisht, duke shitur pikturat e tij. Edhe pse i dedikonte pjesën më të madhe të kohës së tij shërbimit më të rëndësishëm të krishterë, prapëseprapë ai mund të mbahej pa kokëçarje. Megjithatë, brenda tij nisi të rritej dëshira për të çuar më tej karrierën artistike. Ai u përfshi edhe më shumë në pikturë dhe në botën e artit, la shërbimin e plotë kohor dhe së fundi u bë plotësisht joaktiv në aktivitetin e predikimit të Mbretërisë. Me kalimin e kohës, u përfshi në sjellje jobiblike, gjë e cila bëri që ai të mos ishte më pjesë e kongregacionit të krishterë.—1. Korintasve 5:11-13.
Koha në të cilën jetojmë është e veçantë
Si persona që tani i shërbejmë Jehovait, ne dëshirojmë t’i mbetemi besnikë atij. Ne e dimë që po jetojmë në kohën më të jashtëzakonshme të historisë njerëzore. Me qëllim që të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të përballojmë siç duhet rrethanat e ditëve tona, ndoshta kemi nevojë të bëjmë rregullime të ndryshme. Këtë mund ta krahasojmë me kohën e korrjeve për një bujk. Është një periudhë me aktivitet të veçantë, gjatë së cilës nga bujqit pritet të punojnë më tepër se zakonisht dhe me orare më të zgjatura pune. Përse? Sepse të korrat duhen mbledhur brenda një periudhe të kufizuar kohe.
Për sistemin e tanishëm të lig të gjërave ka mbetur vetëm një kohë shumë e kufizuar. Tani, më shumë se kurrë më parë, një i krishterë i vërtetë ka nevojë të ngjeshet për të ndjekur shembullin e Jezuit dhe për të ecur në gjurmët e tij. Mënyra e tij e jetesës mbi tokë tregoi qartësisht se çfarë kishte më shumë rëndësi për të. Ai tha: «Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata, kur askush nuk mund të veprojë.» (Gjoni 9:4) Duke thënë se po vinte nata, Jezui kishte ndër mend kohën e gjykimit të tij, shtyllëzimit dhe vdekjes, kur shërbimi i tij tokësor do të merrte fund dhe ai s’do të ishte më në gjendje të merrej me veprat e Atit të tij qiellor.
Vërtet, gjatë shërbimit të tij prej tre vjet e gjysmë, Jezui kaloi ca kohë duke kryer mrekulli dhe duke shëruar të sëmurë. Megjithatë, pjesën më të madhe të kohës së tij ai e kaloi duke predikuar mesazhin e Mbretërisë dhe «për të shpallur çlirimin e të burgosurve» nga feja e rreme. (Luka 4:18; Mateu 4:17) Jezui u përpoq sinqerisht në shërbimin e tij, duke gjetur, gjithashtu, kohë edhe për të stërvitur dishepujt e tij, në mënyrë që ata të mund të ndërtonin mbi themelin që ai shtroi e të vazhdonin me efektshmëri veprën e predikimit. Jezui shfrytëzoi çdo rast për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe dëshironte që edhe dishepujt e tij të bënin të njëjtën gjë.—Mateu 5:14-16; Gjoni 8:12.
Si Jezui, edhe ne që jemi ithtarë të tij modernë, duhet ta shohim situatën e njerëzimit siç e shikon Perëndia Jehova. Koha po mbaron për këtë sistem gjërash dhe me mëshirë Perëndia dëshiron që të gjithë të kenë rastin për të marrë shpëtimin. (2. Pjetrit 3:9) Prandaj, a s’do të ishte e mençur t’i hidhnim të gjitha synimet e tjera në vend të dytë, pas kryerjes së vullnetit të Jehovait? (Mateu 6:25-33) Veçanërisht gjatë një kohe të tillë të veçantë si kjo, diçka që normalisht do të konsiderohej si e rëndësishme, fare mirë mund të ketë më pak rëndësi në jetën tonë si të krishterë.
A do të na vijë ndonjëherë keq, që kemi vënë vullnetin e Jehovait në vend të parë në jetën tonë? Në të vërtetë jo, sepse rruga vetëflijuese e krishterë ka një shpërblim të mrekullueshëm. Për shembull, Jezui u tha dishepujve të tij: «Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje dhe në botën [sistemin e gjërave, BR] e ardhshme, jetën e përjetshme.»—Marku 10:29, 30.
Askush s’mund të vendosë një vlerë monetare për shpërblimet që gëzojnë ata, të cilët e përdorin jetën e tyre për të lavdëruar Jehovain dhe për të shpallur mesazhin e Mbretërisë. Ata gëzojnë kaq shumë bekime! Aty përfshihen shokët e vërtetë, kënaqësia e kryerjes së vullnetit hyjnor, buzëqeshja miratuese e Perëndisë dhe perspektiva e jetës së pasosur. (Zbulesa 21:3, 4) Ç’bekim është të ndihmosh njerëzit frymësisht që t’i sjellin nder emrit të shenjtë të Jehovait, si Dëshmitarë të tij! Pa dyshim, «blerja e kohës së përshtatshme» është vërtet një rrugë e mençur dhe shpërblyese. Tani, si kurrë më parë, është koha për të marrë pjesë në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. A do ta shfrytëzosh dhe ta mbash fortë këtë rast të pashoq?
[Shënimi]
a Nuk është emri i vërtetë.