MARTA
Judeje, motra e Lazarit dhe e Marisë nga Betania. (Gjo 11:1, 2) Me sa duket Krishti shkonte shpesh në shtëpinë e tyre kur ishte afër Jerusalemit. Mes tij dhe atyre të treve ekzistonte një lidhje e përzemërt, sepse në Bibël thuhet: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.»—Gjo 11:5.
Luka thotë se kur Jezui hyri «në një fshat», «një grua që quhej Marta, e mikpriti në shtëpinë e vet». (Lu 10:38) Duke u nisur nga fjalët e Mateut 26:6, Markut 14:3 dhe Gjonit 12:1-3, disa kanë hedhur idenë se Marta ishte gruaja ose vejusha, a mbase e bija e Simonit që ishte me lebër. Megjithatë, në Shkrime nuk saktësohet asgjë lidhur me këto hamendje.
Njëherë kur Jezui shkoi në shtëpinë e Lazarit, Marisë dhe Martës, Maria «ishte ulur te këmbët e Zotërisë dhe dëgjonte fjalët e tij», kurse Marta «ishte e shpërqendruar ngaqë merrej me shumë punë». Marta donte që Maria ta ndihmonte, prandaj tha: «Zotëri, s’do t’ia dish që motra ime më ka lënë të merrem vetëm unë me punët? Thuaji të më ndihmojë edhe ajo.» Me sa duket, Marta shqetësohej si ta kënaqte Jezuin në tryezë. Por Krishti theksoi vlerën e pashoqe të gjërave frymore dhe e qortoi dashamirësisht: «Martë, Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një. Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» (Lu 10:38-42) Krishti do të ishte kënaqur vetëm me një gjë në tryezë, mjaft që Marta të nxirrte më shumë dobi nga mësimi i tij.
Megjithëse mund të duket se Marta merakosej së tepërmi për gjërat materiale, nuk duhet menduar se ajo nuk kishte interes për gjërat frymore. Pas vdekjes së Lazarit, pikërisht Marta shkoi të takonte Jezuin që po vinte drejt Betanisë, kurse Maria fillimisht ndenji ulur në shtëpi (ndoshta nga pikëllimi ose ngaqë shkonin për vizitë miq të shumtë). Marta tregoi besim te Krishti kur tha se Lazari nuk do të kishte vdekur po të kishte qenë Jezui. Gjithashtu, ajo tregoi se besonte te ringjallja, sepse tha: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.». Gjatë asaj bisede, Jezui shpjegoi se ai është «ringjallja dhe jeta» dhe tha se, edhe nëse dikush që tregonte besim tek ai vdiste, do të vinte përsëri në jetë. Kur Krishti e pyeti Martën: «A e beson këtë?», ajo e shfaqi dukshëm besimin duke i thënë: «Po, Zotëri. Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, Ai që duhet të vijë në botë.» (Gjo 11:19-27) Natyrisht, kjo nuk e përjashtonte ndonjë dyshim që mund të kishte ajo për atë që mund të bënte ose do të bënte Jezui për vëllanë e saj të vdekur. (Krahaso qëndrimin e apostujve te Lu 24:5-11.) Kur ishin te varri i Lazarit dhe Krishti urdhëroi që të hiqej guri, Marta i tha: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kjo është dita e katërt.» Jezui iu përgjigj: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» Pikërisht këtë pa ajo me sytë e vet kur i vëllai u ringjall.—Gjo 11:39-44.
Pasi ringjalli Lazarin, Krishti iku. Më vonë, ai u kthye në Betani dhe bashkë me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Marta, Maria e Lazari, shkoi në shtëpinë e Simonit që kish qenë i lebrosur. Darka ishte shtruar dhe përsëri «Marta po shërbente». Lazari ishte në tryezë dhe pikërisht në këtë rast Maria e leu Jezuin me vaj aromatik shumë të kushtueshëm. (Gjo 12:1-8; Mt 26:6-13; Mr 14:3-9) Shkrimet nuk flasin më për ngjarje të mëvonshme në jetën e Martës, as se kur vdiq dhe si.