KAPITULLI 91
Ringjallja e Lazarit
RINGJALLET LAZARI
SINEDRI KOMPLOTON TË VRASË JEZUIN
Pasi Jezui takon Martën dhe Marinë në afërsi të Betanisë, së bashku nisen drejt varrit të Lazarit, një shpellë që hyrjen e ka të mbyllur me një gur. Jezui thotë: «Hiqeni gurin.» Meqë nuk e di se çfarë ka ndër mend Jezui, Marta i thotë e merakosur: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kanë kaluar katër ditë.» Por Jezui ia kthen: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?»—Gjoni 11:39, 40.
Pasi heqin gurin, Jezui ngre sytë drejt qiellit dhe lutet: «Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar! Vërtet e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por fola për shkak të turmës që kam përreth, që ata të besojnë se ti më dërgove.» Kjo lutje publike u tregon të gjithëve se ajo që do të bëjë Jezui, është e mundur vetëm falë fuqisë së Perëndisë. Pastaj Jezui thërret me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!» Atëherë Lazari del me këmbë e duar të lidhura me fasha dhe me fytyrën e mbështjellë me napë. «Zgjidheni dhe lëreni të lirë»,—thotë Jezui.—Gjoni 11:41-44.
Pas kësaj mrekullie, shumë nga judenjtë që kanë ardhur të ngushëllojnë Marinë dhe Martën, fillojnë të besojnë te Jezui. Të tjerë shkojnë te farisenjtë dhe u tregojnë gjithë sa bëri. Atëherë farisenjtë dhe krerët e priftërinjve mbledhin Sinedrin, gjykatën e lartë judaike, ku bën pjesë edhe kryeprifti Kajafa. Disa prej të pranishmëve ankohen: «Si t’ia bëjmë pra? Se ky njeri po kryen shumë shenja. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na e marrin nga duart vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.» (Gjoni 11:47, 48) Megjithëse kanë dëgjuar nga goja e dëshmitarëve okularë se Jezui «kryen shumë shenja», s’janë aspak të kënaqur për çka po bën Perëndia nëpërmjet tij. Meraku i tyre kryesor është pozita dhe autoriteti.
Ringjallja e Lazarit është goditje e fortë për saducenjtë, të cilët nuk besojnë te ringjallja. Tani fjalën e merr Kajafa, një saduce: «Ju nuk kuptoni fare. Si nuk e kuptoni se është në dobinë tuaj që një njeri të vdesë për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi?!»—Gjoni 11:49, 50; Veprat 5:17; 23:8.
Kajafa nuk i thotë «nga vetja» këto fjalë, por i nxitur nga Perëndia, për shkak të pozitës së tij të shenjtë si kryeprift. Me pak fjalë po thotë se Jezui duhet të vritet që të mos minojë më tej autoritetin dhe ndikimin e krerëve fetarë judenj. Gjithsesi, profecia e Kajafës nxjerr në pah se Jezui me vdekjen e tij, do të sigurojë një shpërblesë jo vetëm për judenjtë, por edhe për gjithë «fëmijët e Perëndisë, të cilët ishin hallakatur andej-këtej».—Gjoni 11:51, 52.
Kajafa arrin ta bindë Sinedrin të komplotojë vrasjen e Jezuit. Pjesë e Sinedrit është edhe Nikodemi, i cili e vlerëson Jezuin. Nuk dimë nëse i ka treguar për komplotin, por ajo që dimë është se Jezui largohet menjëherë nga rrethinat e Jerusalemit. Kështu shmang vdekjen para kohës së caktuar nga Perëndia.