«Ora e tij ende nuk kishte ardhur»
«Askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij ende nuk kishte ardhur.»—GJONI 7:30.
1. Cilët ishin dy faktorët që udhëhoqën veprimet e Jezuit?
«BIRI i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave»,—u tha Jezu Krishti apostujve të tij. (Mateu 20:28) Guvernatorit romak, Ponc Pilatit, ai i tha: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Jezui e dinte saktësisht përse do të vdiste dhe çfarë vepre duhej të bënte para se të vdiste. Ai e dinte edhe sa kohë kishte në dispozicion për të përmbushur misionin e tij. Shërbimi që do të bënte në tokë si Mesia do të zgjaste vetëm tre vjet e gjysmë. Ky shërbim filloi me pagëzimin e tij në ujë në lumin Jordan (në vitin 29 të e.s.), në fillim të javës së 70-të simbolike të parathënë dhe përfundoi me vdekjen në një shtyllë torture, në mes të asaj jave (në vitin 33 të e.s.). (Danieli 9:24-27; Mateu 3:16, 17; 20:17-19) Prandaj, të gjitha veprimet e Jezuit në tokë, në thelb, udhëhiqeshin nga dy faktorë: qëllimi përse erdhi dhe një gjykim i mprehtë për sa i përket kohës.
2. Si portretizohet Jezu Krishti në Ungjij dhe si tregoi ai vetëdije për misionin e tij?
2 Tregimet e Ungjijve e portretizojnë Jezu Krishtin si një njeri të veprimit, i cili i ra kryq e tërthor Palestinës duke shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe duke kryer shumë vepra të fuqishme. Gjatë pjesës së parë të shërbimit dinamik të Jezuit, për të thuhet: «Ora e tij ende nuk kishte ardhur.» Vetë Jezui bëri pohimin: «Koha e caktuar për mua ende nuk ka ardhur plotësisht.» Afër fundit të shërbimit të tij, ai përdori shprehjen «ka ardhur ora». (Gjoni 7:8, 30; 12:23) Vetëdija e Jezuit për orën ose për kohën e veprës që i ishte caktuar, duke përfshirë edhe vdekjen flijuese, duhet të ketë ndikuar në atë që tha e që bëri. Duke kuptuar këtë, mund të njohim më thellë personalitetin e tij dhe modelin e të menduarit dhe kjo do të na ndihmojë ‘t’i ndjekim gjurmët e tij’ më me kujdes.—1 Pjetrit 2:21.
I vendosur për të bërë vullnetin e Perëndisë
3, 4. (a) Çfarë ndodh në një dasmë në Kanë? (b) Përse Biri i Perëndisë e kundërshton sugjerimin e Marisë se duhej të bënte diçka për verën që po mbaronte dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
3 Është viti 29 i e.s. Kanë kaluar vetëm disa ditë që kur Jezui personalisht zgjodhi dishepujt e tij të parë. Tani, të gjithë ata kanë ardhur në fshatin e Kanës, në krahinën e Galilesë, për të qenë të pranishëm në një dasmë. Edhe Maria, mamaja e Jezuit, është atje. Ka mbaruar vera. Duke i sugjeruar të birit se duhet të bëjë diçka, Maria i thotë: «Ata nuk kanë verë.» Por Jezui i përgjigjet: «Ç’punë kam unë me ty, o grua? Ora ime ende nuk ka ardhur.»—Gjoni 1:35-51; 2:1-4.
4 Përgjigjja e Jezuit, «ç’punë kam unë me ty, o grua?», është një formë e lashtë pyetëse që tregon kundërshtim ndaj asaj që është sugjeruar ose propozuar. Përse Jezui i kundërshton fjalët e Marisë? Mirë, tani ai është 30 vjeç. Vetëm disa javë më parë u pagëzua, u miros me frymën e shenjtë dhe u prezantua nga Gjon Pagëzori si «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29-34; Luka 3:21-23) Tani, udhëzimet për të duhet të vijnë medoemos nga Autoriteti Suprem që e dërgoi. (1 Korintasve 11:3) Askush, as edhe një pjesëtar i rrethit të ngushtë familjar, nuk mund të lejohej të ndërhynte në veprën që erdhi të bënte Jezui në tokë. Çfarë vendosmërie për të bërë vullnetin e Atit është shprehur në përgjigjen që i dha Jezui Marisë! Qofshim edhe ne, në mënyrë të ngjashme, të vendosur për të përmbushur ‘të gjithë detyrimin’ tonë ndaj Perëndisë!—Eklisiastiu (Predikuesi) 12:13, BR.
5. Çfarë mrekullie kryen Jezu Krishti në Kanë dhe çfarë efekti ka te të tjerët?
5 Duke kapur thelbin e fjalëve të të birit, Maria menjëherë bën mënjanë dhe i udhëzon shërbyesit: «Çfarëdo që t’ju thotë, bëjeni.» E Jezui e zgjidh problemin. Ai u thotë shërbyesve t’i mbushin shtambat me ujë dhe e shndërron ujin në verë të shkëlqyer. Kjo ndodhi shërben si shfaqje e parë e fuqisë mrekullibërëse të Jezuit, duke dhënë një shenjë se mbi të është fryma e Perëndisë. Kur dishepujt e rinj e shohin këtë mrekulli, u forcohet besimi.—Gjoni 2:5-11.
I zellshëm për shtëpinë e Jehovait
6. Përse Jezui indinjohet nga ajo që shikon në tempullin në Jerusalem dhe çfarë veprimi ndërmerr?
6 Pas pak kohe është pranvera e vitit 30 të e.s. dhe Jezui e shokët e tij janë në rrugë për në Jerusalem, që të kremtojnë Pashkën. Ndërsa janë atje, dishepujt e shohin Udhëheqësin e tyre të veprojë në një mënyrë që ndoshta nuk e kishin parë të vepronte kurrë më parë. Tregtarë lakmitarë judenj po shesin kafshë e zogj për flijime tamam brenda tempullit. Gjithashtu, kërkojnë çmime shumë të larta nga adhuruesit besnikë judenj. I mbushur me indinjatë, Jezui hyn në veprim. Ai bën një kamxhik me litarë dhe i dëbon shitësit. Duke derdhur përtokë monedhat e këmbyesve të parave, ua kthen përmbys tavolinat. «Hiqini që këtej këto gjëra!»—i urdhëron ata që shesin pëllumba. Kur dishepujt e shohin Jezuin të veprojë me një zell të tillë, u kujtohet profecia për Birin e Perëndisë: «Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.» (Gjoni 2:13-17; Psalmi 69:9) Edhe ne duhet të ruhemi shumë, që të mos i lejojmë prirjet e botës të na e ndotin adhurimin.
7. (a) Çfarë e shtyn Nikodemin që të vizitojë Mesinë? (b) Çfarë mësojmë nga dëshmia që i jep Jezui një samaritaneje?
7 Ndërsa është në Jerusalem, Jezui kryen shenja të jashtëzakonshme dhe shumë njerëz besojnë tek ai. Edhe Nikodemit, anëtar i Sinedrit ose i gjykatës së lartë judaike, i bën përshtypje Jezui dhe vjen natën tek ai për të mësuar më shumë. Më pas, Jezui dhe dishepujt e tij qëndrojnë në «vendin e Judesë» për afro tetë muaj, duke predikuar e duke bërë dishepuj. Por, pas burgosjes së Gjon Pagëzorit, ata largohen nga Judea për në Galile. Ndërsa udhëtojnë përmes krahinës së Samarisë, Jezui përfiton nga një rast për t’i dhënë dëshmi të plotë një samaritaneje. Kjo hap rrugën që shumë samaritanë të bëhen besimtarë. Le të jemi edhe ne syçelë ndaj rasteve për të folur për Mbretërinë.—Gjoni 2:23; 3:1-22; 4:1-42; Marku 1:14.
Mësimdhënie e zgjeruar në Galile
8. Çfarë vepre fillon Jezui në Galile?
8 Para se t’i vijë «ora» e vdekjes, Jezui ka shumë për të bërë në shërbim të Atit të tij qiellor. Në Galile, Jezui fillon një shërbim edhe më të madh se në Jude e në Jerusalem. Ai shkon «rreth e përqark në mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre e duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë dhe duke shëruar çdo lloj lëngate e çdo lloj sëmundjeje mes njerëzve». (Mateu 4:23) Fjalët e tij nxitëse, «pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar», kumbojnë në të gjithë krahinën. (Mateu 4:17) Pas pak muajsh, kur dy dishepuj të Gjon Pagëzorit vijnë për të dëgjuar drejtpërdrejt nga Jezui, ai u thotë: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë. Dhe i lumtur është ai që nuk është penguar tek unë.»—Luka 7:22, 23.
9. Përse mblidhen turmat te Krishti Jezu dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim nga kjo?
9 ‘Për Jezuin përhapen fjalë të mira në gjithë vendin përreth’, dhe turma të mëdha njerëzish mblidhen tek ai nga Galilea, Dekapoli, Jerusalemi, Judea dhe nga ana tjetër e lumit Jordan. (Luka 4:14, 15; Mateu 4:24, 25) Ata vijnë te Jezui jo vetëm për shkak të shërimeve me anë të mrekullive, por edhe për mësimet e tij të mrekullueshme. Mesazhi i tij është tërheqës dhe inkurajues. (Mateu 5:1–7:27) Fjalët e Jezuit janë plot hir dhe të këndshme. (Luka 4:22) Turmat janë ‘të mahnitura nga mënyra se si mëson ai’, sepse flet nga Shkrimet me autoritet. (Mateu 7:28, 29; Luka 4:32) Kush nuk do të ndihej i tërhequr nga një njeri i tillë? Le ta kultivojmë edhe ne artin e mësimdhënies, kështu që njerëzit me zemër të sinqertë të tërhiqen drejt së vërtetës.
10. Përse banorët e Nazaretit përpiqen ta vrasin Jezuin dhe përse nuk ia arrijnë dot?
10 Megjithatë, jo të gjithë dëgjuesit e Jezuit janë me zemër të ndjeshme. Madje, që në fillim të shërbimit, kur ai po mësonte në sinagogën e vendlindjes në Nazaret, bëhet një përpjekje për ta vrarë. Ndonëse njerëzit e qytetit mrekullohen me «fjalët e tij plot hir», ata duan të shohin mrekulli. Por, në vend që të kryejë shumë vepra të fuqishme atje, Jezui demaskon egoizmin e tyre dhe mungesën e besimit. Të mbushur me zemërim, ata që janë në sinagogë ngrihen, e kapin Jezuin dhe e shtyjnë me nxitim jashtë deri në thepin e një mali, për ta hedhur përposh që nga shkëmbi. Por ai u shpëton nga duart dhe ikën shëndoshë e mirë. «Ora» e vdekjes së tij nuk ka ardhur ende.—Luka 4:16-30.
11. (a) Përse vijnë disa udhëheqës fetarë që të dëgjojnë Jezuin? (b) Për ç’arsye e akuzojnë Jezuin se ka shkelur sabatin?
11 Edhe udhëheqësit fetarë—skribët, farisenjtë, saducenjtë e të tjerë—janë shpesh të pranishëm aty ku predikon Jezui. Shumë prej tyre janë atje jo për të dëgjuar e për të mësuar, por për të gjetur të meta e për t’u përpjekur ta zënë në grackë. (Mateu 12:38; 16:1; Luka 5:17; 6:1, 2) Për shembull, ndërsa viziton Jerusalemin për Pashkën e vitit 31 të e.s., Jezui shëron një njeri që ka qenë i sëmurë për 38 vjet. Udhëheqësit fetarë judenj e akuzojnë Jezuin se po shkel sabatin. Ai u përgjigjet: «Ati im ka vazhduar të punojë deri më tani dhe unë vazhdoj të punoj.» Tani judenjtë e akuzojnë për blasfemi, ngaqë ka pohuar se është Biri i Perëndisë, duke e quajtur Atë Perëndinë. Ata përpiqen ta vrasin Jezuin, por ai me dishepujt largohet nga Jerusalemi për në Galile. Në mënyrë të ngjashme, është e mençur që ne të shmangim ballafaqimet e papërshtatshme me kundërshtarët, ndërsa ia përkushtojmë energjitë veprës së predikimit të Mbretërisë dhe bërjes së dishepujve.—Gjoni 5:1-18; 6:1.
12. Në ç’masë e mbulon Jezui territorin e Galilesë?
12 Për rreth një vit e gjysmë pas kësaj, Jezui e kufizon pjesën më të madhe të shërbimit në Galile, duke e vizituar Jerusalemin vetëm për të ndjekur tri festat vjetore të judenjve. Gjithsej, ai ka ndërmarrë tri udhëtime predikimi në Galile: të parin me katër dishepujt e rinj, të dytin me 12 apostujt dhe një më të zgjeruar, ku u dërguan të predikonin edhe apostujt e stërvitur. Sa dëshmi e zgjeruar për të vërtetën është dhënë në Galile!—Mateu 4:18-25; Luka 8:1-3; 9:1-6.
Dëshmon me guxim në Jude dhe në Pere
13, 14. (a) Në cilin rast judenjtë po kërkojnë ta kapin Jezuin? (b) Përse rojat nuk e arrestojnë Jezuin?
13 Është vjeshta e vitit 32 të e.s. dhe «ora» e Jezuit i përket ende së ardhmes. Po afron Festa e Tabernakujve. Vëllezërit nga nëna tani e nxitin Jezuin: «Ik që këndej e shko në Jude.» Ata duan që Jezui t’ua tregojë fuqitë e tij mrekullibërëse të gjithë atyre që janë mbledhur në festën në Jerusalem. Por Jezui është i vetëdijshëm për rrezikun. Prandaj, u thotë vëllezërve të tij: «Nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha e caktuar për mua ende nuk ka ardhur plotësisht.»—Gjoni 7:1-8.
14 Duke u vonuar në Galile për njëfarë kohe, Jezui ngjitet në Jerusalem «jo haptas, por si në fshehtësi». Në të vërtetë, judenjtë po e kërkojnë atë në festë, duke thënë: «Ku është ai njeri?» Kur festa është në gjysmë të saj, Jezui hyn në tempull dhe fillon të mësojë me guxim. Ata kërkojnë ta kapin, ndoshta për ta futur në burg ose për ta vrarë. Megjithatë, nuk ia arrijnë, sepse ‘ora e tij nuk ka ardhur ende’. Shumë veta tani besojnë te Jezui. Edhe rojat që farisenjtë kanë dërguar për ta kapur atë, kthehen duarbosh, duke thënë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.»—Gjoni 7:9-14, 30-46.
15. Përse judenjtë marrin gurë për t’i gjuajtur Jezuit dhe cilën fushatë predikimi fillon ai më vonë?
15 Përplasjet midis Jezuit dhe kundërshtarëve judenj vazhdojnë, ndërsa ai mëson për Atin e vet në tempull, gjatë festës. Ditën e fundit të festës, të zemëruar për thëniet e Jezuit lidhur me ekzistencën e tij paranjerëzore, judenjtë marrin gurë për t’i gjuajtur. Por, ai fshihet dhe ikën pa u dëmtuar. (Gjoni 8:12-59) Duke qëndruar jashtë Jerusalemit, Jezui fillon një fushatë intensive dëshmie në Jude. Zgjedh 70 dishepuj dhe, pasi i udhëzon, i dërgon dy nga dy për të punuar në territor. Ata shkojnë përpara në çdo vend e qytet ku Jezui, i shoqëruar nga apostujt, po planifikon të shkojë.—Luka 10:1-24.
16. Nga cili rrezik shpëton Jezui gjatë Festës së Dedikimit dhe në cilën vepër është i zënë përsëri?
16 Është dimri i vitit 32 të e.s. dhe «ora» e Jezuit po afrohet gjithnjë e më shumë. Ai vjen në Jerusalem për Festën e Dedikimit. Judenjtë kërkojnë ende ta vrasin. Ndërsa Jezui po ecën në kolonadën e tempullit, ata e rrethojnë. Duke e akuzuar përsëri për blasfemi, ata marrin gurë për ta vrarë. Por, siç ka bërë në rastet e mëparshme, Jezui u ikën nga duart. Shumë shpejt, ai është në rrugë duke mësuar, kësaj radhe nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, në krahinën e Peresë, matanë Jordanit, nga ana tjetër e Judesë. Shumë veta besojnë tek ai. Por, një lajm për mikun e tij të dashur, Lazarin, e bën të kthehet përsëri në Jude.—Luka 13:33; Gjoni 10:20-42.
17. (a) Cilin mesazh urgjent merr Jezui ndërsa po predikon në Pere? (b) Nga duket se Jezui është i vetëdijshëm për qëllimin e veprimit që duhet të ndërmarrë dhe për kohën e zhvillimit të ngjarjeve?
17 Mesazhi urgjent vjen nga Marta dhe Maria, motrat e Lazarit, të cilat jetojnë në Bethani të Judesë. «Zotëri, shiko, ai që ti e ke për zemër është i sëmurë»,—tregon lajmëtari. «Kjo sëmundje nuk ka për qëllim vdekjen,—përgjigjet Jezui,—por është për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.» Për të përmbushur këtë qëllim, Jezui enkas mbetet aty ku është për dy ditë të tjera. Pastaj, u thotë dishepujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.» Me mosbesim, ata i përgjigjen: «Rabi, vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë e ti po shkon atje prapë?» Por Jezui është i vetëdijshëm se pjesa që mbetet nga ‘orët e ditës’ ose nga koha që Perëndia ka caktuar për shërbimin e tij tokësor, është e shkurtër. Ai e di me saktësi çfarë duhet të bëjë dhe përse.—Gjoni 11:1-10.
Një mrekulli që askush nuk mund ta shpërfillë
18. Kur mbërrin Jezui në Bethani, si është situata atje dhe çfarë ndodh pas mbërritjes së tij?
18 Në Bethani, Marta e takon e para Jezuin, duke i thënë: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Maria dhe ata që kishin ardhur në shtëpinë e tyre vijnë më pas. Që të gjithë po qajnë. «Ku e keni vënë?»—pyet Jezui. Ata i përgjigjen: «Zotëri, eja e shiko.» Kur mbërrijnë te varri përkujtimor, një shpellë e mbyllur me një gur, Jezui thotë: «Hiqeni gurin.» Duke mos e kuptuar atë që ka ndër mend të bëjë Jezui, Marta kundërshton: «Zotëri, tanimë duhet të mbajë erë, se ka katër ditë.» Por Jezui e pyet: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?»—Gjoni 11:17-40.
19. Përse lutet publikisht Jezui para se të ringjallë Lazarin?
19 Pasi heqin gurin që mbulon hyrjen e varrit të Lazarit, Jezui lutet me zë të lartë, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ajo që po përgatitet të bëjë kryhet me anë të fuqisë së Perëndisë. Pastaj, thërret me zë të lartë: «Lazar, eja jashtë!» Lazari del jashtë, me këmbët dhe duart ende të lidhura me rripat prej pëlhure të varrimit dhe me fytyrën të mbështjellë me një copë pëlhure. «Zgjidheni dhe lëreni të ikë»,—thotë Jezui.—Gjoni 11:41-44.
20. Si reagojnë ata që e shohin Jezuin të ringjallë Lazarin?
20 Kur shohin këtë mrekulli, shumë judenj që kishin ardhur për të ngushëlluar Martën dhe Marinë besojnë te Jezui. Të tjerët shkojnë t’u tregojnë farisenjve çfarë ka ndodhur. Reagimi i tyre? Menjëherë, ata dhe krerët e priftërinjve thërrasin një mbledhje urgjente të Sinedrit. Në panik, ata ankohen: «Ç’duhet të bëjmë, se ky njeri kryen shumë shenja? Nëse e lëmë rehat kështu, ata të gjithë do të tregojnë besim tek ai dhe romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit, si edhe kombin tonë.» Por, kryeprifti Kajafa u thotë: «Ju . . . nuk arsyetoni se është në dobinë tuaj që të vdesë një njeri për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi.» Prandaj, që nga ajo ditë ata këshillohen për të vrarë Jezuin.—Gjoni 11:45-53.
21. Për çfarë shërben si hyrje mrekullia e ringjalljes së Lazarit?
21 Kështu, ndodh që duke e vonuar mbërritjen në Bethani, Jezui ka mundësi të kryejë një mrekulli që askush nuk mund ta shpërfillë. I fuqizuar nga Perëndia, Jezui ringjall një njeri që ka katër ditë që ka vdekur. Edhe Sinedri me autoritet detyrohet ta vërejë këtë dhe të miratojë një dënim me vdekje për Mrekullibërësin. Kështu, mrekullia shërben si hyrje për një pikë të rëndësishme kthese në shërbimin e Jezuit, një zhvendosje nga periudha kur «ora e tij ende nuk kishte ardhur» në kohën kur «ora ka ardhur».
Si do të përgjigjeshit?
• Si e tregoi Jezui se ishte i vetëdijshëm për veprën që i kishte caktuar Perëndia?
• Përse Jezui e kundërshton sugjerimin e nënës së tij për verën?
• Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si vepronte shpesh Jezui me kundërshtarët?
• Përse Jezui nuk reagon menjëherë ndaj sëmundjes së Lazarit?
[Figurat në faqen 12]
Jezui ia përkushtoi energjitë e tij përgjegjësisë që i kishte caktuar Perëndia