Jezui: Sundimtari, «origjina e të cilit është nga kohët e hershme»
EMOCIONI rritet kur pret mbërritjen e një të afërmi që nuk e ke parë nga shumë kohë. Më në fund e takon dhe e përshëndet me ngrohtësi. E dëgjon me vëmendje kur ai të tregon se përse e ka dërguar babai i tij që të të vizitonte. Pastaj, shpejt mbërrin koha kur ai duhet të kthehet në shtëpi. Me trishtim, ti i thua lamtumirë. Humbja që ndien me nisjen e tij zvogëlohet kur merr lajme se ai ka mbërritur shëndoshë e mirë në shtëpi.
Më vonë, kur je duke kërkuar nëpër disa korrespondenca të vjetra, bie në kontakt me letra që përmendin shkurtimisht veprat e atij të afërmi kohë përpara se të niste udhëtimin për të të takuar. Ajo që thuhet në ato letra të ofron kuptueshmëri interesante mbi të kaluarën e tij dhe e rrit vlerësimin tënd, si për vizitën që të ka bërë, ashtu edhe për punën e tij të tanishme.
«Nga kohët e hershme»
Midis dokumenteve të vjetra që ishin në dispozicion të judenjve të shekullit të parë, ndodheshin shkrimet e profetit të Perëndisë, Mikeas, të regjistruara përafërsisht shtatëqind vjet para atij shekulli. Këto shkrime përcaktonin vendlindjen e Mesisë. «Ti, o Bethlehem Efratah, ai që është tepër i vogël për të qenë mes mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të bëhet sundimtar në Izrael, origjina e të cilit është nga kohët e hershme, nga ditët e kohës së pacaktuar.» (Mikea 5:2, BR) Në vërtetim të këtyre fjalëve, Jezui lindi në një fshat të Judës, të quajtur Bethlehem, në vitin që tani konsiderohet viti 2 p.e.s. Por, si mund të ishte origjina e tij «nga kohët e hershme»?
Jezui pati një ekzistencë paranjerëzore. Në letrën e tij drejtuar të krishterëve në Kolose, apostulli Pavël e përshkroi Jezuin si «shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese».—Kolosianëve 1:15.
Jehovai, Burimi i mençurisë, krijoi Birin e tij të parë si ‘veprën e tij më të hershme’, duke përdorur shprehjen e frymëzuar që u shkrua nga mbreti Solomon në librin e Fjalëve të urta. Pas qëndrimit të tij të përkohshëm në tokë dhe kthimit në qiell, Jezui dëshmoi se ishte në të vërtetë «fillimi i krijimit nga Perëndia». Si mençuria e personifikuar, Jezui paranjerëzor deklaroi: «Kur ai [Jehovai] fiksonte qiejt, unë isha aty.»—Fjalët e urta 8:22, 23, 27; Zbulesa 3:14.
Që nga fillimi Biri i Perëndisë mori një caktim unik, ai do të ishte «kryemjeshtër» përkrah Atit të tij. Çfarë gëzimi i solli kjo gjë Jehovait! «Unë arrita të jem ai, të cilin [Jehovai] e kishte veçanërisht për zemër dita-ditës,—vëren Fjalët e urta 8:30 dhe shton,—duke u gëzuar para tij gjatë gjthë kohës.»—BR.
Më vonë, Jehovai e ftoi Birin e tij të parëlindur që të merrte pjesë në krijimin e njerëzimit. «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë,—deklaroi ai,—në ngjasim me ne.» (Zanafilla 1:26) Si rezultat u zhvillua edhe një tjetër ndjenjë përzemërsie. «Gjërat që unë i kisha për zemër,—shpjegoi Jezui paranjerëzor,—ishin me bijtë e njerëzve.» (Fjalët e urta 8:31, BR) Në fillim të Ungjillit të tij, apostulli Gjon njohu rolin paranjerëzor të Jezuit në krijimin: «Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.»—Gjoni 1:3.
Zëdhënësi i Jehovait
Fjalët e Gjonit tërheqin vëmendjen te një tjetër privilegj që gëzonte Biri i Perëndisë, domethënë në faktin se ai ishte një zëdhënës. Që nga fillimi ai shërbeu si Fjala. Kështu, kur Jehovai i foli Adamit dhe më vonë kur iu drejtua atij së bashku me Evën, ka të ngjarë që ai të ketë bërë kështu me anë të Fjalës së tij. Dhe kush mund t’i transmetonte më mirë udhëzimet e Perëndisë për mirëqenien e njerëzimit, sesa ai që i kishte për zemër ata?—Gjoni 1:1, 2.
Sa duhet të jetë lënduar Fjala kur pa Evën dhe pastaj Adamin që nuk iu bindën Krijuesit! E sa me zjarr duhet të ketë dëshiruar të lehtësojë pasojat që solli mosbindja e tyre mbi pasardhësit që patën! (Zanafilla 2:15-17; 3:6, 8; Romakëve 5:12) Duke iu drejtuar Satanait që e kishte inkurajuar Evën për t’u rebeluar, Jehovai deklaroi: «Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Duke qenë dëshmitar në atë që ndodhi në Eden, Fjala e kuptoi se si pjesë kryesore e «farës» së gruas, ai do të bëhej shënjestra e urrejtjes së mbrapshtë. Ai e dinte se Satanai ishte një vrasës.—Gjoni 8:44.
Kur më vonë Satanai vuri në pikëpyetje integritetin e Jobit, Fjala duhet të jetë tërbuar nga akuzat e shpifura që u drejtuan kundër Atit të tij. (Jobi 1:6-10; 2:1-4) Në fakt, në rolin e tij si kryeengjëll Fjala njihet me emrin Mikael, emër që do të thotë «Kush është si Perëndia?» dhe tregon se si e mbron ai Jehovain kundër të gjithë atyre që aspirojnë të uzurpojnë sovranitetin e Perëndisë.—Danieli 12:1; Zbulesa 12:7-10.
Me zhvillimin e historisë së Izraelit, Fjala vëzhgoi përpjekjet e Satanait për t’i larguar njerëzit nga adhurimi i pastër. Pas daljes nga Egjipti, Perëndia i tha Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Ja, unë po dërgoj një engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës dhe të të futë në vendin që kam përgatitur. Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij, mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t’i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të.» (Eksodi 23:20, 21) Kush ishte ky engjëll? Ka të ngjarë të ishte Jezui paranjerëzor.
Nënshtrim besimplotë
Moisiu vdiq në vitin 1473 p.e.s dhe trupi i tij u varros «në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit». (Ligji i përtërirë 34:5, 6) Me sa duket Satanai donte ta përdorte kufomën ndoshta për të nxitur idhujtarinë. Mikaeli iu kundërvu kësaj, por i la vend me nënshtrim autoritetit të Atit të tij, Jehovait. ‘Duke mos guxuar të sillte një gjykim kundër Satanait në terma abuzivë’, Mikaeli e paralajmëroi atë: «Jehovai të qortoftë!»—Judës 9, BR.
Pas kësaj Izraeli filloi pushtimin e Tokës së Premtuar të Kanaanit. Afër qytetit të Jerikos, Josiu mori një sigurim tjetër se Fjala vazhdonte ta mbikqyrte kombin. Atje ai takoi një njeri që mbante një shpatë të zhveshur. Josiu eci deri tek i huaji dhe e pyeti: «Je për ne apo për kundërshtarët tanë?» Imagjino habinë e Josiut kur i huaji zbuloi identitetin e tij, duke thënë: «Jo, por unë kam ardhur tani si princi i ushtrisë së Jehovait.» S’është për t’u çuditur që Josiu ra me fytyrë përtokë para këtij përfaqësuesi me pozitë të lartë të Jehovait, që pa dyshim ishte Jezui paranjerëzor, i cili më vonë do të bëhej «Mesia, Udhëheqësi».—Josiu 5:13-15, BR; Danieli 9:25.
Një ballafaqim i mëtejshëm me Satanain ndodhi në ditët e profetit të Perëndisë, Danielit. Në këtë rast, Mikaeli ndihmoi një engjëll tjetër kur princi demon i Persisë ‘e kundërshtoi’ për tri javë. Engjëlli shpjegoi: «Ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.»—Danieli 10:13, 21.
Lavdia paranjerëzore dhe ajo njerëzore
Në vitin 778 p.e.s, viti kur vdiq mbreti judaik Uzia, profeti i Perëndisë, Isaia, pa një vizion të Jehovait në fronin e vet madhështor. «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?»—pyeti Jehovai. Isaia doli vullnetar, por Jehovai e paralajmëroi se izraelitët e tjerë do të ishin të pandjeshëm ndaj deklaratave të tij. Apostulli Gjon i krahasoi judenjtë jobesimtarë të shekullit të parë me popullin e ditëve të Isaisë dhe vërejti: «Këto gjëra tha Isaia kur e pa lavdinë e tij.» Lavdinë e kujt? Atë të Jehovait dhe të Jezuit paranjerëzor që ishte përkrah tij në oborret qiellore.—Isaia 6:1, 8-10; Gjoni 12:37-41.
Disa shekuj më vonë erdhi caktimi më i madh që kishte pasur Jezui deri në atë kohë. Jehovai e transferoi forcën e jetës së Birit të tij më të dashur nga qielli në mitrën e Marisë. Nëntë muaj më vonë ajo lindi një foshnjë mashkull, Jezuin. (Luka 2:1-7, 21) E shprehur me fjalët e apostullit Pavël: «Kur mbërriti kufiri i plotë i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij, që lindi prej një gruaje.» (Galatasve 4:4, BR) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Gjon pranoi: «Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.»—Gjoni 1:14.
Shfaqet Mesia
Së paku në moshën 12-vjeçare, Jezui kishte arritur të kuptonte se duhej të ishte i zënë duke bërë punët e Atit të tij qiellor. (Luka 2:48, 49) Gati 18 vjet më vonë, Jezui erdhi te Gjon Pagëzuesi në lumin Jordan dhe u pagëzua. Ndërsa Jezui po lutej, qiejt u hapën dhe fryma e shenjtë zbriti mbi të. Imagjino vërshimën e kujtimeve që i erdhën ndër mend, ndërsa ai rikujtonte mijëvjeçarët e panumërt kur kishte shërbyer përkrah Atit të tij si kryemjeshtër, zëdhënës, princ i ushtrisë së Perëndisë dhe si kryeengjëlli Mikael. Më pas, ç’rrëqethje ishte për të të dëgjonte zërin e Atit të tij që i thoshte Gjon Pagëzuesit: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.»—Mateu 3:16, 17, BR; Luka 3:21, 22.
Gjon Pagëzuesi sigurisht që nuk dyshoi për ekzistencën paranjerëzore të Jezuit. Kur po i afrohej Jezui, Gjoni deklaroi: «Ja, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» Dhe shtoi: «Ky është ai për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje.’ » (Gjoni 1:15, 29, 30) Edhe apostulli Gjon e dinte ekzistencën e mëparshme të Jezuit. «Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë,—shkroi ai, dhe,—ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë. Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe ka dëgjuar.»—Gjoni 3:31, 32.
Rreth vitit 61 të e.s., apostulli Pavël i nxiti të krishterët hebrenj që të çmonin rëndësinë e plotë të mbërritjes së Mesisë mbi tokë dhe të veprës së tij si Kryeprift. Duke tërhequr vëmendjen drejt rolit të Jezuit si Zëdhënës, Pavli shkroi: «Perëndia . . . , së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, . . . me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë [sistemet e gjërave, BR].» Qoftë që kjo i referohet rolit të Jezuit si «kryemjeshtër» në krijim, qoftë përfshirjes së tij në rregullimet progresive të Perëndisë për pajtimin e njeriut, këtu Pavli po shton dëshminë e tij për ekzistencën paranjerëzore të Jezuit.—Hebrenjve 1:1-6; 2:9.
Besnikëri nga «kohët e hershme»
Të krishterëve të shekullit të parë në Filipi, Pavli u drejtoi këtë thirrje: «Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.» (Filipianëve 2:5-8) Me dashuri Jehovai iu përgjigj drejtimit besnik që ndoqi Jezui, duke e ringjallur dhe duke e mirëpritur përsëri në shtëpinë e tij në qiell. Ç’shembull të shkëlqyer integriteti na ka lënë Jezui përmes periudhave të pafundme kohore!—1. Pjetrit 2:21.
Sa mirënjohës jemi për ndriçimet që siguron Bibla mbi ekzistencën paranjerëzore të Jezuit! Ato patjetër që e forcojnë vendosmërinë tonë për të imituar shembullin e tij të shërbimit besnik, veçanërisht tani që ai mbretëron si Mbret i Mbretërisë Mesianike të Perëndisë. Le ta nderojmë «Princin e Paqes», Krishtin Jezu, Qeveritarin dhe Sundimtarin tonë «origjina e të cilit është nga kohët e hershme»!—Isaia 9:6; Mikea 5:2.
[Kutia në faqen 24]
Dëshmi për një ekzistencë paranjerëzore
Vetë fjalët e Jezuit, siç janë shënuar më poshtë, dëshmojnë me bollëk për ekzistencën e tij paranjerëzore:
◻ «Askush nuk u ngrit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut.»—Gjoni 3:13.
◻ «Jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës. . . . Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.»—Gjoni 6:32, 33, 38.
◻ «Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë.»—Gjoni 6:50, 51.
◻ «Ç’do të ishte, po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?»—Gjoni 6:62.
◻ «Dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj. . . . Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.»—Gjoni 8:14, 23.
◻ «Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar.»—Gjoni 8:42.
◻ «Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam [isha, BR].»—Gjoni 8:58.
◻ «Tani, pra, më përlëvdo o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota. O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua dhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.»—Gjoni 17:5, 24.
[Figura në faqen 23]
Josiu takon princin e ushtrisë së Jehovait