KAPITULLI 117
Darka e Zotërisë
MATEU 26:21-29 MARKU 14:18-25 LUKA 22:19-23 GJONI 13:18-30
ZBULOHET SE JUDA ËSHTË TRADHTAR
JEZUI THEMELON DARKËN E PËRKUJTIMIT
Gjatë kësaj mbrëmjeje, Jezui u ka dhënë apostujve një mësim për përulësinë duke u larë këmbët. Tani, me sa duket pasi kanë ngrënë darkën e Festës së Kalimit, ai citon fjalët profetike të Davidit: «Miku im i ngushtë, që i besoja e që hante bukë me mua, ka ngritur thembrën kundër meje.» Më pas thotë: «Njëri nga ju do të më tradhtojë.»—Psalmi 41:9; Gjoni 13:18, 21.
Apostujt shikojnë njëri-tjetrin, dhe secili e pyet: «Zotëri, nuk jam unë, apo jo?» Edhe Judë Iskarioti e pyet. Pjetri nxit Gjonin, i cili është më afër Jezuit, që ta pyesë kush është tradhtari. Prandaj, Gjoni i afrohet pak më shumë dhe e pyet: «Zotëri, cili është?»—Mateu 26:22; Gjoni 13:25.
Jezui i përgjigjet: «Është ai që do t’i jap kafshatën që po ngjyej.» Kështu, ai ngjyen kafshatën në një pjatë që gjendet në tavolinë, ia jep Judës dhe thotë: «Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri që e tradhton Birin e njeriut! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.» (Gjoni 13:26; Mateu 26:24) Më pas Satanai hyn në zemrën e Judës. Ky burrë, tashmë i korruptuar, dorëzohet për të bërë vullnetin e Djallit, e kështu bëhet ‘bir i shkatërrimit’.—Gjoni 6:64, 70; 12:4; 17:12.
Jezui i thotë Judës: «Atë që po bën, bëje më shpejt.» Meqë Juda mban kutinë e parave, apostujt e tjerë mendojnë se Jezui po i thotë ‘të blejë gjërat që nevojiten për festën, ose që t’u japë diçka të varfërve’. (Gjoni 13:27-30) Në të vërtetë, Juda ikën që të tradhtojë Jezuin.
Këtë mbrëmje, Jezui themelon edhe Darkën e Zotërisë. Ai merr një bukë, falënderon Perëndinë, ua jep apostujve dhe thotë: «Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Ata ia kalojnë bukën njëri-tjetrit dhe hanë prej saj.
Më pas, Jezui merr një kupë me verë, falënderon Perëndinë dhe ua kalon apostujve. Të gjithë pinë nga kupa, për të cilën Jezui thotë: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim që do të derdhet për dobinë tuaj.»—Luka 22:20.
Kështu Jezui themelon Përkujtimin e vdekjes së tij që dishepujt duhet ta mbajnë çdo vit më 14 nisan. Kjo ngjarje do të shërbejë për të kujtuar atë që bënë Jezui dhe Ati për të çliruar njerëzit besimplotë nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes. Përkujtimi është më i rëndësishëm nga ç’ishte Festa e Kalimit për judenjtë, sepse thekson çlirimin e përhershëm që do t’u sjellë njerëzve besnikë vdekja e Jezuit.
Jezui thotë se gjaku i tij «do të derdhet në dobi të shumë vetave për faljen e mëkateve». Nga kjo falje do të përfitojnë apostujt besnikë dhe shumë dishepuj të tjerë. Këta besnikë do të jenë me Jezuin në Mbretërinë e Atit të tij.—Mateu 26:28, 29.