Vazhdoni të forconi dashurinë vëllazërore
«Vazhdoni të ecni në dashuri, ashtu si Krishti ju deshi.»—EFES. 5:2.
1. Cilin tipar të rëndësishëm të dishepujve të tij theksoi Jezui?
NJË tipar dallues i Dëshmitarëve të Jehovait është predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Gjithsesi, Krishti Jezu zgjodhi një aspekt tjetër të krishterimit për të identifikuar dishepujt e tij të vërtetë. Ai tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
2, 3. Si ndikon dashuria jonë vëllazërore tek ata që ndjekin mbledhjet e krishtere?
2 Dashuria e vëllazërisë së vërtetë të krishterë është unike në shoqërinë njerëzore. Ashtu si një magnet që tërheq hekurin, dashuria i bashkon shërbëtorët e Jehovait dhe i tërheq njerëzit e sinqertë drejt adhurimit të vërtetë. Për shembull, shqyrtoni rastin e Marselinos nga Kameruni, i cili humbi shikimin në punë. Pas aksidentit, u përhapën fjalë se ishte verbuar ngaqë ishte magjistar. Në vend që ta ngushëllonin, pastori i tij dhe besimtarët e tjerë e përjashtuan nga kisha. Kur një Dëshmitar i Jehovait e ftoi në një mbledhje, Marselinoja ngurroi. Nuk donte ta provonte përsëri ndjenjën e poshtërimit.
3 Por ai u habit me atë që ndodhi në Sallën e Mbretërisë, ku e mikpritën me përzemërsi dhe ku u ngushëllua nga mësimet biblike që dëgjoi. Nisi t’i ndiqte të gjitha mbledhjet, përparoi në studimin e Biblës dhe u pagëzua në vitin 2006. Tani u flet për të vërtetën familjes e fqinjëve dhe ka nisur disa studime biblike. Marselinoja dëshiron që ata që po studiojnë Biblën me të, të ndiejnë të njëjtën dashuri që ndjeu ai në popullin e Perëndisë.
4. Pse duhet ta marrim për zemër këshillën e Pavlit «vazhdoni të ecni në dashuri»?
4 Sado tërheqëse, dashuria vëllazërore s’mund të merret si e mirëqenë. Ajo mund të krahasohet me një zjarr bubulak në një natë të ftohtë, që i tërheq njerëzit me flakët e tij të ngrohta e valëzuese. Po të mos ushqehen me dru, flakët e zjarrit do të veniten e do të shuhen. Po kështu, lidhja e mrekullueshme e dashurisë që kemi në kongregacion do të dobësohet, nëse secili nga ne nuk punon për ta forcuar. Si mund ta bëjmë këtë? Apostulli Pavël përgjigjet: «Vazhdoni të ecni në dashuri, ashtu si Krishti ju deshi dhe e dorëzoi veten e tij për ju si një blatim dhe flijim për Perëndinë, si një aromë erëmirë.» (Efes. 5:2) Pyetja që duam të shqyrtojmë, është: në cilat mënyra mund të vazhdoj të eci në dashuri?
«Zgjerohuni edhe ju»
5, 6. Pse Pavli i nxiti të krishterët korintas ‘të zgjeroheshin’?
5 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Korintin e lashtë: «Goja jonë është hapur për ju, o korintas, dhe zemra jonë është zgjeruar. Ju nuk jeni ngushtë brenda nesh, por jeni ngushtë në përzemërsinë tuaj të butë. Prandaj, në këmbim, po ju flas si fëmijëve, zgjerohuni edhe ju.» (2 Kor. 6:11-13) Pse Pavli i nxiti korintasit të zgjeroheshin në dashuri?
6 Shqyrtoni se si filloi kongregacioni i Korintit të lashtë. Pavli shkoi në Korint në vjeshtën e vitit 50 të e.s. Ndonëse predikimi atje nisi me vështirësi, apostulli nuk u dorëzua. Brenda një kohe të shkurtër, shumë veta në atë qytet e besuan lajmin e mirë. Për «një vit e gjashtë muaj», Pavli e shpenzoi veten duke mësuar e forcuar kongregacionin e ri. Dukej qartë se kishte një dashuri të thellë për të krishterët korintas. (Vep. 18:5, 6, 9-11) Ata kishin çdo arsye që ta donin e ta respektonin. Por, disa në kongregacion u larguan prej tij. Ndoshta disave nuk u pëlqenin këshillat e tij të drejtpërdrejta. (1 Kor. 5:1-5; 6:1-10) Të tjerë mund t’u kenë vënë veshin shpifjeve të ‘apostujve tejet të shquar’. (2 Kor. 11:5, 6) Pavli donte që të gjithë vëllezërit e motrat ta donin nga zemra. Prandaj, iu lut ‘të zgjeroheshin’ duke u afruar me të dhe me bashkëbesimtarët e tjerë.
7. Si mund ‘të zgjerohemi’ në shfaqjen e dashurisë vëllazërore?
7 Po ne, si mund ‘të zgjerohemi’ në shfaqjen e dashurisë vëllazërore? Ndoshta njerëzit e së njëjtës moshë ose prejardhje etnike ndihen natyrshëm të tërhequr ndaj njëri-tjetrit. Edhe ata që kanë të njëjtat shije për zbavitjen, shpesh kalojnë shumë kohë së bashku. Por, nëse interesat që kemi të përbashkëta me disa të krishterë na ndajnë nga të tjerët, kemi nevojë ‘të zgjerohemi’. Do të ishte e mençur të pyesnim veten: «A dal rrallë në shërbim ose për aktivitete shoqërore me vëllezër e motra që s’janë në rrethin tim të ngushtë shoqëror? Në Sallën e Mbretërisë, a u rri larg atyre që sapo kanë nisur të ndjekin mbledhjet, duke menduar se duhet ta fitojnë miqësinë time me kalimin e kohës? A i përshëndes të gjithë në kongregacion, të rinj e të moshuar?»
8, 9. Si mund të na ndihmojë këshilla e Pavlit te Romakëve 15:7 që ta përshëndetim njëri-tjetrin në një mënyrë që na e shton dashurinë vëllazërore?
8 Kur bëhet fjalë për të përshëndetur njëri-tjetrin, fjalët që u tha Pavli romakëve mund të na ndihmojnë të kemi pikëpamjen e duhur për bashkadhuruesit. (Lexo Romakëve 15:7.) Fjala greke që aty është përkthyer «mikpritni» do të thotë «të presësh me përzemërsi ose bujari, të pranosh në rrethin tënd shoqëror e miqësor». Në kohët biblike, kur një mikpritës bujar priste miq në shtëpi, u bënte të ditur sa i lumtur ishte që i shihte. Në kuptim të figurshëm, Krishti na ka mikpritur në këtë mënyrë, prandaj na bëhet thirrja ta imitojmë duke mikpritur bashkadhuruesit.
9 Ndërsa përshëndetim vëllezërit në Sallën e Mbretërisë e në vende të tjera, mund t’u kushtojmë vëmendje atyre që s’i kemi parë ose me të cilët s’kemi folur kohët e fundit. Pse të mos bisedojmë ca minuta me ta? Në mbledhjen tjetër, mund të bëjmë të njëjtën gjë me të tjerët. Brenda një kohe të shkurtër, do të kemi bërë biseda të kënaqshme me pothuaj të gjithë vëllezërit e motrat. S’ka pse të shqetësohemi nëse nuk arrijmë të flasim me të gjithë në të njëjtën ditë. Askush s’duhet të fyhet nëse nuk arrijmë ta përshëndetim në çdo mbledhje.
10. Ç’mundësi të pashoqe kanë të gjithë në kongregacion, e si mund të përfitojmë plotësisht prej saj?
10 Përshëndetja është hapi i parë për të mikpritur të tjerët. Është një hap që mund të çojë në biseda të këndshme e miqësi të qëndrueshme. Për shembull, kur ata që ndjekin kongreset dhe asambletë prezantohen me të tjerë dhe flasin me ta, pastaj mezi presin të takohen sërish. Vullnetarët e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, si dhe ata që ndihmojnë në raste katastrofash, shpesh bëhen miq sepse arrijnë të njohin cilësitë e mira të shoqi-shoqit në përvojat që kalojnë së bashku. Në organizatën e Jehovait, mundësitë për të lidhur miqësi të qëndrueshme janë të panumërta. Nëse ‘zgjerohemi’, do të kemi më shumë miq e kjo do të na e forcojë dashurinë që na bashkon në adhurimin e pastër.
Lini kohë për të tjerët
11. Çfarë shembulli la Jezui, siç tregohet te Marku 10:13-16?
11 Të gjithë të krishterët mund të përpiqen të jenë të afrueshëm, siç ishte Jezui. Shqyrtoni si veproi Jezui kur dishepujt u përpoqën t’i pengonin prindërit që t’i çonin fëmijët tek ai. U tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.» Pastaj «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Mar. 10:13-16) Kushedi sa duhet të jenë kënaqur ata fëmijë që Mësuesi i Madh po u kushtonte kaq shumë vëmendje me dashuri!
12. Çfarë mund të na pengojë që të bisedojmë me të tjerët?
12 Çdo i krishterë duhet të pyesë veten: «A jam i lirë për të tjerët, apo shpesh dukem se jam tepër i zënë?» Zakone që nuk janë në vetvete të gabuara, disa herë mund të bëhen barrikada për bisedat. Nëse e përdorim dendur celularin ose mbajmë kufje për të dëgjuar muzikë a gjë tjetër kur kemi njerëz përreth, mund t’u dërgojmë mesazhin se nuk na pëlqen shoqëria e tyre. Nëse të tjerët na shohin të zhytur në një kompjuter portativ, mund të nxjerrin përfundimin se nuk na intereson të flasim me ta. Natyrisht, ka «një kohë për të heshtur». Por, kur kemi njerëz përreth, shpesh është ‘koha për të folur’. (Ekl. 3:7) Disa mund të thonë «jam tip i mbyllur» ose «s’më bëhet të flas në mëngjes». Gjithsesi, të bisedojmë miqësisht edhe kur nuk jemi të prirur, është provë se kemi dashurinë që «nuk kërkon interesat e veta».—1 Kor. 13:5.
13. Ç’pikëpamje duhej të kishte Timoteu për vëllezërit e motrat në besim, sipas nxitjes së Pavlit?
13 Pavli e nxiti të riun Timote të kishte respekt për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit. (Lexo 1 Timoteut 5:1, 2.) Edhe ne duhet t’i trajtojmë të krishterët më të mëdhenj si nënat e baballarët tanë, e më të rinjtë si vëllezërit e motrat tona, si të një gjaku. Nëse kemi këtë qëndrim, asnjë nga vëllezërit e motrat tanë të dashur nuk do të ndihet si i huaj në praninë tonë.
14. Cilat janë disa dobi që vijnë kur bëjmë biseda ndërtuese me të tjerët?
14 Ndërsa bëjmë biseda ndërtuese me të tjerët, i ndihmojmë të jenë më të fortë frymësisht dhe më të lumtur e më të kënaqur. Një vëlla që punon në një zyrë dege kujton me mall disa bethelitë të moshuar që gjithnjë gjenin kohë të flitnin me të, gjatë ditëve të tij të hershme në Bethel. Fjalët e tyre inkurajuese e bënë të ndihej vërtet pjesë e familjes Bethel. Tani përpiqet t’i imitojë duke biseduar me bethelitët e tjerë.
Përulësia na ndihmon të bëjmë paqe
15. Si e kuptojmë se nuk jemi të imunizuar nga mosmarrëveshjet?
15 Evodia dhe Sintikia, dy motra të krishtere në Filipinë e lashtë, me sa duket e kishin të vështirë të zgjidhnin një problem që kishte lindur mes tyre. (Filip. 4:2, 3) Të gjithë e morën vesh debatin e ashpër mes Pavlit dhe Barnabës, që solli si rezultat ndarjen e tyre për njëfarë kohe. (Vep. 15:37-39) Këto tregime na bëjnë të qartë se adhuruesit e vërtetë nuk janë të imunizuar nga mosmarrëveshjet. Jehovai na jep ndihmë që të zgjidhim konfliktet e të rivendosim miqësinë. Por, ai kërkon diçka nga ne.
16, 17. (a) Sa e rëndësishme është përulësia për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve personale? (b) Si e ilustron vlerën e përulësisë tregimi për mënyrën si iu afrua Jakobi Esaut?
16 Përfytyroni sikur bashkë me një shok do të bëni një udhëtim me makinë. Para se të nisni udhëtimin, duhet të futni çelësin e të ndizni motorin. Edhe procesi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nis me një çelës. Çelësi është përulësia. (Lexo Jakovin 4:10.) Siç e tregon shembulli biblik vijues, ky çelës u jep mundësi atyre që kanë fërkime me njëri-tjetrin, të fillojnë të zbatojnë parimet biblike.
17 Kishin kaluar 20 vjet që nga koha kur Esau u mbush me mllef që e drejta e të parëlindurit i shkoi vëllait binjak, Jakobit, dhe donte ta vriste. Pas gjithë asaj kohe, binjakët do të takoheshin përsëri, por «Jakobi u frikësua shumë dhe e pushtoi ankthi». I dukej pothuajse e sigurt se Esau do ta vriste. Mirëpo, në atë takim, Jakobi bëri diçka që Esau s’e priste. Ai «u përkul deri në tokë» ndërsa i afrohej vëllait. Ç’ndodhi më tej? «Esau vrapoi ta takonte, iu hodh në qafë, e përqafoi, e puthi dhe të dy shpërthyen në lot.» Ishte shmangur rreziku i një dueli. Përulësia e Jakobit e ndihmoi Esaun të kapërcente çfarëdo urrejtjeje që mund të kishte ushqyer.—Zan. 27:41; 32:3-8; 33:3, 4.
18, 19. (a) Pse është thelbësore të marrim iniciativën që të zbatojmë këshillat biblike, kur lindin mosmarrëveshje? (b) Pse s’duhet të dorëzohemi nëse tjetri nuk përgjigjet që në fillim pozitivisht?
18 Bibla ka këshilla të shkëlqyera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. (Mat. 5:23, 24; 18:15-17; Efes. 4:26, 27)a Por, po të mos i zbatojmë me përulësi këto këshilla, do të jetë e vështirë të bëjmë paqe. Zgjidhja nuk është të presim që tjetri të tregojë përulësi, kur edhe ne e kemi në dorë këtë çelës.
19 Nëse përpjekjet e para për të bërë paqe, për ndonjë arsye duken të pafrytshme, nuk duhet t’i humbim shpresat. Ndoshta tjetrit i duhet kohë të qetësohet. Vëllezërit e Jozefit u sollën pabesisht me të. Kur u takuan sërish me të, tani si kryeministër i Egjiptit, kishte kaluar shumë kohë. Por, më në fund, zemra e tyre kishte ndryshuar, dhe u lutën për falje. Jozefi i fali, dhe bijtë e Jakobit u bënë një komb që pati privilegjin të mbante emrin e Jehovait. (Zan. 50:15-21) Duke ruajtur paqen me vëllezërit e motrat, i kontribuojmë unitetit dhe gëzimit të kongregacionit.—Lexo Kolosianëve 3:12-14.
Le të duam «me vepra e të vërtetë»
20, 21. Ç’mësim mund të nxjerrim nga tregimi për Jezuin që u lau këmbët apostujve?
20 Pak para se të vdiste, Jezui u tha apostujve: «Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:15) Ai sapo u kishte larë këmbët 12 apostujve. Ajo që bëri, nuk ishte as një ritual dhe as thjesht një akt dashamirësie. Para se të vazhdonte me tregimin për larjen e këmbëve, Gjoni shkroi: «Meqë i kishte dashur të vetët që ishin në botë, ai [Jezui] i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Pikërisht dashuria për dishepujt e nxiti Jezuin të bënte një shërbim që zakonisht e bënte një skllav. Edhe ata, me përulësi, duhej të bënin gjëra të dashura për njëri-tjetrin. Po, dashuria e vërtetë vëllazërore duhet të na nxitë të kujdesemi e të interesohemi për të gjithë vëllezërit e motrat në besim.
21 Apostulli Pjetër, të cilit Biri i Perëndisë i lau këmbët, e kapi kuptimin e asaj që bëri Jezui. Ai shkroi: «Tani që i keni pastruar shpirtrat tuaj nëpërmjet bindjes ndaj së vërtetës, që solli si rrjedhim një përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi, kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.» (1 Pjet. 1:22) Apostulli Gjon, të cilit po ashtu Zotëria i lau këmbët, shkroi: «Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjon. 3:18) Le të na shtyjë zemra ta tregojmë me veprime dashurinë tonë vëllazërore!
[Shënimi]
A ju kujtohet?
• Në cilat mënyra mund ‘të zgjerohemi’ në dashurinë për njëri-tjetrin?
• Ç’do të na ndihmojë të lëmë kohë për të tjerët?
• Ç’rol luan përulësia për të bërë paqe?
• Ç’duhet të na shtyjë të interesohemi për bashkëbesimtarët?
[Figura në faqen 21]
Mikpritini me përzemërsi bashkëbesimtarët
[Figura në faqen 23]
Mos i humbni rastet që të kaloni kohë me të tjerët