Ku janë të vdekurit?
«TOKA është një pazar, kurse qielli është shtëpia jonë»,—thonë jorubët, popuj të Afrikës jugore. Kjo ide ndeshet në shumë organizata fetare. Sipas këtij koncepti, toka është një pazar që e vizitojmë për një kohë të shkurtër dhe pastaj largohemi. Sipas këtij besimi, kur vdesim shkojmë në qiell apo në banesën tonë të vërtetë.
Është e vërtetë që Bibla mëson se disa shkojnë në qiell. Jezu Krishti u tha apostujve të tij besnikë: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; . . . Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.»—Gjoni 14:2, 3.
Fjalët e Jezuit nuk duan të thonë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell apo se qielli është banesa e njerëzimit. Arsyeja që disa janë marrë në qiell ka lidhje me qeverinë e tokës. Perëndia Jehova e dinte se qeveritë njerëzore, nuk do të arrinin kurrë ta qeverisnin me sukses tokën. Prandaj, vendosi të krijojë një qeveri qiellore apo Mbretëri, që do të merrte përfundimisht kontrollin mbi tokën dhe do ta transformonte atë në Parajsë ashtu si kishte ndërmend në fillim Perëndia. (Mateu 6:9, 10) Jezui do të ishte Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. (Danieli 7:13, 14) Të tjerët do të zgjidheshin midis njerëzve për të sunduar bashkë me të. Bibla paratha se ata që merreshin në qiell do të ishin «mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë» dhe do të «mbretëronin si mbretër mbi tokë.»—Zbulesa (Apokalipsi) 5:10.
Kush shkon në qiell?
Duke marrë parasysh përgjegjësinë e madhe që do të kishin këta sundimtarë qiellorë, nuk është për t’u çuditur që ata duhej të plotësonin kërkesa të larta. Ata që shkojnë në qiell, duhet të kenë njohuri të saktë për Jehovain dhe duhet t’i binden atij. (Gjoni 17:3; Romakëve 6:17, 18) Duhet të ushtrojnë besim në sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16) Por kjo nuk mjafton. Duhet të jenë të thirrur dhe të zgjedhur nga Perëndia përmes Birit të tij. (2. Timoteut 1:9, 10; 1. Pjetrit 2:9) Për më tepër, duhet të jenë të krishterë të pagëzuar e «të lindur përsëri», të lindur nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (Gjoni 1:12, 13; 3:3-6, BR) Gjithashtu duhet ta mbajnë integritetin ndaj Perëndisë deri në vdekje.—2. Timoteut 2:11-13; Zbulesa (Apokalipsi) 2:10.
Miliona të panumërt njerëzish që kanë jetuar dhe vdekur, nuk i kanë plotësuar këto kërkesa. Shumë njerëz kanë patur pak mundësi për të mësuar rreth Perëndisë së vërtetë. Të tjerë nuk e kanë lexuar kurrë Biblën dhe dinë pak apo aspak rreth Jezu Krishtit. Madje edhe midis të krishterëve të vërtetë sot në tokë, pak janë zgjedhur nga Perëndia për të jetuar në qiell.
Si rrjedhim, numri i atyre që shkojnë në qiell duhet të jetë relativisht i vogël. Jezui iu referua këtyre si një «kope e vogël». (Luka 12:32, BR) Më vonë, apostullit Gjon iu zbulua se ata që janë «blerë nga toka» për të mbretëruar me Jezu Krishtin në qiell do të ishin vetëm 144.000. (Zbulesa [Apokalipsi] 14:1, 3; 20:6) Kur bëhet krahasimi me miliardat e njerëzve që kanë jetuar në tokë, ky është me të vërtetë një numër i vogël.
Ata që nuk shkojnë në qiell
Çfarë u ndodh atyre që nuk shkojnë në qiell? A po vuajnë ndoshta në ndonjë vend mundimi të përhershëm siç mësojnë disa organizata fetare? Natyrisht që jo, sepse Jehovai është Perëndi i dashurisë. Prindërit e dashur nuk i hedhin fëmijët e tyre në zjarr dhe Jehovai nuk i torturon njerëzit në këtë mënyrë.—1. Gjonit 4:8.
E ardhmja për shumicën dërrmuese të atyre që kanë vdekur është një ringjallje në një tokë parajsore. Bibla thotë se Jehovai e krijoi tokën «për të qenë e banuar». (Isaia 45:18) Psalmisti deklaroi: «Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) Toka, jo qielli do të jetë shtëpia e përhershme e njerëzimit.
Jezui parashikoi: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [atë të Jezuit, «Birit të njeriut»] dhe do të dalin prej tyre.» (Gjoni 5:27-29) Apostulli i krishterë Pavël pohoi: «Kam shpresë në Perëndinë . . . se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» (Veprat 24:15, BR) Në shtyllën e mundimeve, Jezui i premtoi një krimineli të penduar se nëpërmjet një ringjalljeje në një tokë parajsore do ta kthente në jetë.—Luka 23:43.
Por cila është gjendja e tanishme e të vdekurve që do të sillen në jetë mbi tokë? Një ngjarje e shërbimit të Jezuit na ndihmon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Miku i tij Lazri kishte vdekur. Përpara se Jezui të shkonte për ta ringjallur, u tha dishepujve të tij: «Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.» (Gjoni 11:11) Pra, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin, me një gjumë të thellë pa ëndra.
Duke fjetur në vdekje
Shkrime të tjera e mbështesin këtë mendim të gjendjes në gjumë në vdekje. Ato nuk mësojnë se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm që në vdekje kalon në mbretërinë frymore. Në vend të kësaj, Bibla thotë: «Të vdekurit . . . nuk janë të vetëdijshëm për asgjë . . . Dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre tashmë janë zhdukur . . . Nuk ka as punë, as mendim as dituri në Sheol [varri], vendin në të cilin po shkon.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, 6, 10, BR) Për më tepër, psalmisti deklaron se njeriu «kthehet në tokën e tij; po atë ditë mendimet e tij mbarojnë.»—Psalmi 146:4, BR.
Këto shkrime, qartë na bëjnë të kuptojmë se ata që flenë në vdekje nuk mund të na shikojnë apo të na dëgjojnë. Nuk janë në gjendje të na sjellin bekime apo shkatërrime. Nuk janë në qiell e as banojnë në një bashkësi të stërgjyshërve. Janë të pajetë, joekzistentë.
Në kohën e duhur të Perëndisë, ata që tani flenë në vdekje dhe që janë në kujtesën e tij do të sillen në jetë në një tokë parajsore. Do të jetë një tokë e pastruar nga ndotja, shqetësimet dhe problemet që po përjeton tani njerëzimi. Sa kohë e gëzuar që do të jetë! Në atë parajsë, ata do të kenë perspektivën për të jetuar përgjithmonë sepse Psalmi 37:29 na siguron: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»
[Kutia në faqet 6, 7]
NUK I ADHUROVA MË TË VDEKURIT
«Kur isha ende fëmijë, ndihmoja babanë të ofronte sakrificat që i bënte rregullisht babait të tij të vdekur. Në një rast, kur babai e mori veten nga një sëmundje e tmerrshme, një magjistar i tha se duhej ta tregonte mirënjohjen e tij që ishte shëruar, duke i ofruar babait të vdekur një sakrificë me dhi, zhardhokë jamsi, arra kole dhe likere. Iu tha, gjithashtu, të thërriste për ndihmë stërgjyshërit e tij të vdekur, për të parandaluar sëmundjet dhe fatkeqësitë e ardhshme.
Nëna bleu të gjitha ato që duheshin për sakrificën, e cila do të bëhej në varrin e gjyshit tim. Sipas zakonit të vendit, varri gjendej pas shtëpisë.
Miq, të afërm dhe fqinjë u ftuan për të parë sakrificën. Im atë i veshur me elegancë për t’iu përshtatur rastit, u ul në një karrige përballë altarit, ku ishin radhitur disa kokë dhi që ishin përdorur për sakrificat e parashikuara. Detyra ime ishte të hidhja verë nga shishja në një gotë të shkallëzuar, të cilën ia kaloja pastaj babait. Kurse ai e derdhte atë në tokë përgjatë sakrificës. Im atë u lut në emër të të atit tri herë dhe i kërkoi, gjithashtu, çlirim nga fatkeqësitë e ardhshme.
U ofruan arra kole dhe u ther një dash, i cili u zie dhe të gjithë të pranishmit e hëngrën. Edhe unë hëngra e kërceva nën ritmin e këngëve dhe të tingëllimit të tambureve. Im atë kërceu bukur dhe me rigorozitet, edhe pse mosha e tradhëtonte. Gjatë intervaleve ai lutej që stërgjyshërit të bekonin të gjithë të pranishmit, kurse të tjerët përfshirë dhe mua, përgjigjeshin Ise, që do të thotë ‘Kështu qoftë’. E shikoja tim atë me interes e admirim të madh dhe mezi prisja ditën kur të isha i madh dhe të mund t’u ofroja edhe unë sakrifica stërgjyshërve.
Pavarësisht nga sakrificat e shumta të ofruara, familja akoma nuk gjeti paqe. Megjithëse tre djem ishin akoma gjallë, asnjë nga tri vajzat që i lindën nënës nuk e patën të gjatë; të gjitha vdiqën kur ishin ende fëmijë. Kur nëna mbeti përsëri shtatzënë babai kreu sakrifica të bëra me kujdes që fëmija të lindte shëndoshë e mirë.
Nëna lindi një vajzë tjetër. Dy vjet më vonë ajo u sëmur dhe vdiq. Babai shkoi përsëri tek magjistari, i cili i tha se përgjegjës për vdekjen ishte një armik. Ai i tha se që ‘shpirti’ i fëmijës të hakmerrej, kërkoheshin si sakrificë një copë dru i ndezur, një shishe liker dhe një qenush i vogël. Druri i ndezur duhej vendosur mbi varr, likeri duhej të spërkaste varrin, ndërsa qenushi duhej varrosur i gjallë pranë varrit. Kjo do ta shtynte shpirtin e vajzës së vdekur të hakmerrej për vdekjen e saj.
Çova tek varri shishen e likerit dhe drurin e ndezur, ndërsa babai solli qenushin, që u varros sipas fjalëve të shtriganit. Të gjithë besuam se brenda shtatë ditëve shpirti i vajzës së vdekur do ta shkatërronte personin që i shkaktoi asaj vdekjen e parakohshme. Kaluan dy muaj dhe nuk pati asnjë vdekje në zonë. U zhgënjeva plotësisht.
Atëherë isha 18 vjeç. Pak kohë më pas njoha Dëshmitarët e Jehovait, të cilët më treguan me Shkrime se i vdekuri nuk mund t’i bëjë as keq as mirë të gjallëve. Kur njohuria e Fjalës së Perëndisë u rrënjos në zemrën time, i thashë babait se nuk do ta shoqëroja më kur t’u bënte sakrifica të vdekurve. Në fillim u zemërua, sepse sipas tij e kisha tradhëtuar. Por, kur ai pa se nuk kisha ndërmend të hiqja dorë nga besimi i ri që kisha gjetur, nuk më kundërshtoi më që të adhuroja Jehovain.
Më 18 prill 1948, e simbolizova dedikimin tim me pagëzimin në ujë. Që nga ajo kohë, kam vazhduar t’i shërbej Jehovait me shumë gëzim dhe kënaqësi, duke i ndihmuar të tjerët të çlirohen nga adhurimi i stërgjyshërve të vdekur, të cilët as nuk mund të na ndihmojnë dhe as të na dëmtojnë.—Treguar nga J. B. Omiegbe, Benin City, Nigeri.
[Figura në faqen 7]
Do të jetë gëzim i madh kur të vdekurit do të ringjallen në një tokë parajsore