Pse të ndjekim ‘Krishtin’?
«Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten . . . dhe të më ndjekë vazhdimisht.»—LUKA 9:23.
1, 2. Përse është e rëndësishme për ne të shqyrtojmë pse duhet të ndjekim ‘Krishtin’?
SA I kënaqur duhet të ndihet Jehovai kur ju sheh mes turmave të mbledhura të adhuruesve të tij në tokë ju të interesuar dhe ju të rinj në moshë! Ndërsa vazhdoni të studioni Biblën, të ndiqni mbledhjet e krishtere dhe të rriteni në njohurinë për të vërtetën jetëshpëtuese që gjendet në Fjalën e Perëndisë, keni nevojë të merrni për zemër ftesën e Jezuit: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23) Jezui po thotë se ju duhet të dëshironi të mohoni veten e të bëheni dishepuj të tij. Ja përse është e rëndësishme për ne të shqyrtojmë pse duhet të ndjekim ‘Krishtin’.—Mat. 16:13-16.
2 Ç’mund të thuhet për ata që tashmë po ecin në gjurmët e Jezu Krishtit? Jemi të nxitur ‘të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe më shumë’. (1 Sel. 4:1, 2) Pavarësisht nëse e kemi përqafuar adhurimin e vërtetë kohët e fundit ose dekada më parë, meditimi rreth arsyeve pse duhet të ndjekim Krishtin do të na ndihmojë të zbatojmë nxitjen e Pavlit dhe të ndjekim Krishtin edhe më shumë në jetën tonë të përditshme. Le të shqyrtojmë pesë arsye pse duhet të duam të ndjekim Krishtin.
Që të lidhemi më ngushtë me Jehovain
3. Cilat janë dy mënyra se si mund ta njohim Jehovain?
3 Kur iu drejtua athinasve, ndërsa ‘qëndronte në mes të Areopagut’, apostulli Pavël tha: «[Perëndia] dekretoi kohët e caktuara dhe caqet për banimin e njerëzve, që të kërkojnë Perëndinë, madje me ngulm dhe ta gjejnë vërtet, ndonëse, ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Vep. 17:22, 26, 27) Ne mund ta kërkojmë Perëndinë e të arrijmë ta njohim vërtet atë. Për shembull, në librin e krijimit gjejmë një bollëk informacionesh për cilësitë dhe aftësitë e Perëndisë. Meditimi me çmueshmëri rreth veprave krijuese të Tij, mund të na mësojë shumë e shumë gjëra për Krijuesin. (Rom. 1:20) Gjithashtu, Jehovai ka zbuluar hollësi rreth vetes në Fjalën e tij, Biblën. (2 Tim. 3:16, 17) Sa më shumë ‘të meditojmë për tërë bëmat e Jehovait’ dhe ‘të mbajmë në mendje veprat e tij’, aq më mirë mund ta njohim.—Psal. 77:12.
4. Në ç’kuptim mund të lidhemi më ngushtë me Jehovain duke ndjekur Krishtin?
4 Një mënyrë e shkëlqyer për ta njohur edhe më nga afër Jehovain, është duke ndjekur Krishtin. Vetëm mendoni për lavdinë që kishte Jezui pranë Atit «para se të ishte bota»! (Gjoni 17:5) Ai është «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Zbul. 3:14) Si «i parëlinduri i gjithë krijimit», ai jetoi për epoka të tëra në qiej me Atin e tij, Jehovain. Gjatë ekzistencës paranjerëzore, Jezui nuk u mjaftua vetëm duke kaluar kohë me Atin. Ai ishte miku më i afërt i Perëndisë dhe bashkëpunoi me kënaqësi me të Plotfuqishmin, duke formuar me të lidhjen më të fortë të dashurisë që ka ekzistuar ndonjëherë. Jezui, jo vetëm vëzhgoi mënyrën si i bënte gjërat Ati, duke u kushtuar vëmendje ndjenjave dhe cilësive të Tij, por edhe përvetësoi dhe e bëri të tijën gjithçka që mësoi për Atin. Si rrjedhim, ky Bir i bindur u bë njësoj si Ati. U bë kaq i ngjashëm me të, sa Bibla e quan «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». (Kolos. 1:15) Duke ndjekur nga afër Krishtin, mund të lidhemi më ngushtë me Jehovain.
Që të imitojmë më shumë Jehovain
5. Ç’gjë do të na ndihmojë të imitojmë më shumë Jehovain dhe pse?
5 Ne ‘jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjashmëri me të’, prandaj kemi aftësinë të pasqyrojmë cilësi hyjnore. (Zan. 1:26) Apostulli Pavël i nxiti të krishterët që ‘të bëheshin imitues të Perëndisë, si bij të dashur’. (Efes. 5:1) Nëse ndjekim Krishtin, kjo do të na ndihmojë të imitojmë Atin tonë qiellor. E themi këtë sepse Jezui i pasqyroi mendimet, ndjenjat dhe personalitetin e Perëndisë më mirë se kushdo tjetër. Po ashtu, ai i shpjegoi gjërat për Perëndinë më qartë se kushdo tjetër. Kur ishte në tokë, Jezui nuk u mjaftua vetëm duke e bërë të njohur emrin e Jehovait. Përkundrazi, tregoi se si është Personi që përfaqëson ai emër. (Lexo Mateun 11:27.) Jezui e bëri këtë me fjalë e me vepra, me mësimet dhe me shembullin e tij.
6. Çfarë zbulojnë për Jehovain mësimet e Jezuit?
6 Me mësimet e tij, Jezui tregoi se çfarë kërkon Perëndia nga ne dhe si ndihet për adhuruesit e tij. (Mat. 22:36-40; Luka 12:6, 7; 15:4-7) Për shembull, pasi citoi një nga Dhjetë Urdhërimet që thotë «mos kryej kurorëshkelje», Jezui shpjegoi pikëpamjen e Perëndisë për atë që ndodh brenda zemrës së një njeriu shumë kohë para se ta kryejë këtë veprim. Ai tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Dal. 20:14; Mat. 5:27, 28) Pasi tregoi se si farisenjtë e keqinterpretonin Ligjin duke thënë ‘duaje të afërmin dhe urreje armikun’, Jezui bëri të njohur se ç’mendonte Jehovai: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mat. 5:43, 44; Dal. 23:4; Lev. 19:18) Po të dimë atë që mendon e ndien Jehovai për ne dhe se çfarë kërkon prej nesh, kjo do të na ndihmojë ta imitojmë më shumë.
7, 8. Çfarë mësojmë për Jehovain nga shembulli i Jezuit?
7 Gjithashtu, Jezui tregoi me shembullin e vet se si është Ati. Kur lexojmë tek ungjijtë se Jezui tregoi dhembshuri për ata në nevojë, empati për ata që vuanin dhe indinjatë ndaj dishepujve që qortuan fëmijët, a nuk kuptojmë se Ati provon të njëjtat ndjenja? (Mar. 1:40-42; 10:13, 14; Gjoni 11:32-35) Mendoni se si veprimet e Jezuit nxjerrin në pah cilësitë kryesore të Perëndisë. A nuk tregojnë mrekullitë që bëri Krishti, fuqinë e jashtëzakonshme që kishte? Megjithatë, ai kurrë nuk e përdori këtë fuqi për përfitime personale ose për t’u bërë keq të tjerëve. (Luka 4:1-4) Sa qartë e tregon ndjenjën e tij të drejtësisë flakja jashtë tempullit e tregtarëve lakmitarë! (Mar. 11:15-17; Gjoni 2:13-16) Mësimet dhe fjalët plot hir që përdori për t’u prekur zemrën njerëzve, tregojnë se ishte «më i madh se Solomoni» në mençuri. (Mat. 12:42) E ç’mund të themi pastaj për dashurinë që tregoi Jezui duke dhënë shpirtin për të tjerët, përveçse «nuk ka dashuri më të madhe se kjo»?!—Gjoni 15:13.
8 Biri i Perëndisë e përfaqësoi në mënyrë kaq të përsosur Jehovain në çdo gjë që tha e bëri, saqë mundi të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Lexo Gjonin 14:9-11.) Të ndjekim Krishtin, është njësoj si të imitojmë Jehovain.
Jezui është i Mirosuri i Jehovait
9. Kur dhe si u bë Jezui i Mirosuri i Perëndisë?
9 Të shqyrtojmë se ç’ndodhi në vjeshtën e vitit 29 të e.s., kur Jezui 30-vjeçar erdhi te Gjon Pagëzori. «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb.» Në atë kohë, Jezui u bë Krishti ose Mesia. Po në atë kohë, vetë Jehovai bëri të ditur se Jezui ishte i Mirosuri i tij, duke thënë: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:13-17) Ç’arsye e shkëlqyer që të duam të ndjekim Krishtin!
10, 11. (a) Në cilat mënyra përdoret titulli «Krisht» në lidhje me Jezuin? (b) Pse duhet të ndjekim patjetër Jezu Krishtin?
10 Në Bibël, titulli «Krisht» përdoret në lidhje me Jezuin në mënyra të ndryshme, si Jezu Krishti, Krishti Jezu dhe Krishti. Vetë Jezui në fillim përdori termin «Jezu Krisht», domethënë emrin e më pas titullin. Në një lutje drejtuar Atit, ai tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Ky përdorim e drejton qartë vëmendjen te personi që u dërgua nga Perëndia dhe u bë i Mirosuri i Tij. Kur titulli vendoset para emrit, si për shembull, «Krishti Jezu», theksi kalon nga personi te pozita që ka ai. (2 Kor. 4:5) Përdorimi i fjalës «Krishti», pra, vetëm titulli në trajtën e shquar, është një mënyrë tjetër për të theksuar pozitën e Jezuit si Mesia.—Mat. 16:16.
11 Pavarësisht se si përdoret titulli «Krisht» në lidhje me Jezuin, ai thekson këtë të vërtetë të rëndësishme: edhe pse Biri i Perëndisë erdhi në tokë si njeri dhe bëri të njohur vullnetin e Atit, ai as ishte një njeri i zakonshëm, as thjesht një profet; ai ishte i Mirosuri i Jehovait. Duhet ta ndjekim patjetër atë.
Jezui është udha e vetme drejt shpëtimit
12. Cila përgjigje që iu dha apostullit Thoma ka domethënie për ne?
12 Një arsye tjetër jetësore pse duhet të vazhdojmë të ndjekim Mesinë, shihet te fjalët që Jezui u drejtoi apostujve besnikë vetëm pak orë para se të vdiste. Pasi Thomai e kishte pyetur se ç’donte të thoshte me fjalët se do të ikte e do të përgatiste një vend për ta, Jezui iu përgjigj: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:1-6) Në atë rast, Jezui po fliste me 11 apostujt besnikë. Ai u premtoi atyre një vend në qiell, por fjalët e tij kanë domethënie edhe për ata që shpresojnë të fitojnë jetën e përhershme në tokë. (Zbul. 7:9, 10; 21:1-4) Pse themi kështu?
13. Në ç’kuptim Jezui është «udha»?
13 Jezu Krishti është «udha». Kjo do të thotë se ai është i vetmi nëpërmjet të cilit mund t’i afrohemi Perëndisë. Kjo është e vërtetë për sa i përket lutjes, sepse vetëm duke u lutur nëpërmjet Jezuit kemi sigurinë se Ati do të na japë çfarëdo gjëje që mund t’i kërkojmë në përputhje me vullnetin e Tij. (Gjoni 15:16) Por, Jezui është «udha» edhe në një kuptim tjetër. Mëkati e ka ndarë njerëzimin nga Perëndia. (Isa. 59:2) Jezui dha «shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mat. 20:28) Si rrjedhim, Bibla shpjegon: «Gjaku i Jezuit . . . na pastron nga çdo mëkat.» (1 Gjon. 1:7) Në këtë mënyrë, Biri ka hapur udhën e pajtimit me Perëndinë. (Rom. 5:8-10) Vetëm duke pasur besim te Jezui dhe duke iu bindur, mund të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.—Gjoni 3:36.
14. Në ç’kuptim Jezui është «e vërteta»?
14 Jezui është «e vërteta», jo vetëm sepse gjithnjë fliste për të vërtetën e jetonte sipas saj, por edhe sepse të gjitha profecitë e shkruara për Mesinë, që ishin me dhjetëra, u përmbushën tek ai. Apostulli Pavël shkroi: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij.» (2 Kor. 1:20) Madje edhe ‘hija e gjërave të mira që do të vinin’, që gjendej në Ligjin e Moisiut, u bë realitet te Krishti Jezu. (Hebr. 10:1; Kolos. 2:17) Jezui është vatra ku përqendrohen të gjitha profecitë, dhe ato hedhin dritë mbi rolin e tij qendror në plotësimin e qëllimit të Jehovait. (Zbul. 19:10) Për të nxjerrë dobi nga përmbushja e asaj që Perëndia ka vënë si qëllim për ne, kemi nevojë të ndjekim Mesinë.
15. Në ç’kuptim Jezui është «jeta»?
15 Jezui është «jeta» sepse ai e ka blerë njerëzimin me gjakun e vet, dhe jeta e përhershme është një dhuratë që Perëndia e jep «me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë». (Rom. 6:23) Jezui është «jeta» edhe për ata që kanë vdekur. (Gjoni 5:28, 29) Për më tepër, mendoni për atë që do të bëjë si Kryeprift gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. Ai do të sigurojë çlirimin e përhershëm nga mëkati dhe vdekja për nënshtetasit e tij tokësorë.—Hebr. 9:11, 12, 28.
16. Ç’arsye kemi për të ndjekur Jezuin?
16 Prandaj, përgjigja që i dha Jezui Thomait ka shumë domethënie për ne. Jezui është udha, e vërteta dhe jeta. Është ai që Perëndia e dërgoi në botë, që bota të shpëtonte nëpërmjet tij. (Gjoni 3:17) Dhe, askush nuk mund të vijë tek Ati përveçse nëpërmjet tij. Bibla thotë qartë: «Nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse mes njerëzve nën qiell Perëndia nuk ka dhënë emër tjetër, me anë të të cilit të shpëtojmë.» (Vep. 4:12) Pavarësisht se çfarë besonim në të kaluarën, është e mençur të besojmë te Jezui, ta ndjekim atë dhe kështu të udhëhiqemi drejt jetës.—Gjoni 20:31.
Jemi urdhëruar që ta dëgjojmë Krishtin
17. Pse është e rëndësishme të dëgjojmë Birin e Perëndisë?
17 Pjetri, Gjoni dhe Jakovi qenë dëshmitarë të shpërfytyrimit. Në atë kohë, ata dëgjuan një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im, që e kam zgjedhur. Dëgjojeni.» (Luka 9:28, 29, 35) Bindja ndaj urdhrit për të dëgjuar Mesinë është një çështje serioze.—Lexo Veprat 3:22, 23.
18. Si mund ta dëgjojmë Jezu Krishtin?
18 Të dëgjojmë Jezuin do të thotë ‘ta mbajmë shikimin të ngulur tek ai, të shqyrtojmë me kujdes shembullin e tij’. (Hebr. 12:2, 3) Prandaj është e nevojshme «t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave» që lexojmë për të në Bibël e në botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, si edhe gjërave që dëgjojmë për të në mbledhjet e krishtere. (Hebr. 2:1; Mat. 24:45) Si dele të tij, le të jemi të gatshëm ta dëgjojmë Jezuin dhe ta ndjekim.—Gjoni 10:27.
19. Çfarë do të na ndihmojë ta ndjekim Krishtin vazhdimisht?
19 A mund të arrijmë ta ndjekim Krishtin vazhdimisht, pavarësisht nga pengesat që mund të hasim? Po, mundemi, me kusht që ‘të vazhdojmë t’i përmbahemi modelit të fjalëve të shëndosha’ duke zbatuar në praktikë atë që mësojmë «me besim dhe dashuri, në lidhje me Krishtin Jezu».—2 Tim. 1:13.
Çfarë keni mësuar?
• Pse mund të lidhemi më ngushtë me Jehovain po të ndjekim ‘Krishtin’?
• Pse të imitosh Jezuin është njësoj si të imitosh Jehovain?
• Në ç’kuptim Jezui është «udha, e vërteta dhe jeta»?
• Pse duhet ta dëgjojmë të Mirosurin e Jehovait?
[Figura në faqen 29]
Mësimet e Jezuit pasqyruan mënyrën e lartë të të menduarit të Jehovait
[Figura në faqen 30]
Duhet të ndjekim besnikërisht të Mirosurin e Jehovait
[Figura në faqen 32]
Jehovai deklaroi: «Ky është Biri im . . . Dëgjojeni.»