-
«Ata që quhen ‘Perëndi’»Zgjohuni!—2005 | 22 Prill
-
-
Megjithatë, ndonjë mund të pyesë: «Në çfarë kuptimi Jezui është «Perëndi i Fuqishëm» dhe veç kësaj, a nuk tha apostulli Gjon që vetë Jezui është Perëndi?» Në përkthimin biblik Diodati i Ri, te Gjoni 1:1 thuhet: «Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi.» Disa pohojnë se kjo do të thotë që «Fjala», që lindi në tokë si foshnja Jezu, është vetë Perëndia i Plotfuqishëm. A është e vërtetë kjo?
Nëse ky varg do të interpretohej sikur Jezui është vetë Perëndia i Plotfuqishëm, atëherë ai do të ishte në kundërshtim me pohimin pararendës që «Fjala ishte pranë Perëndisë». Kur dikush është «pranë» një personi tjetër nuk mund të jetë i njëjtë me atë person. Prandaj shumë përkthime të Biblës bëjnë një dallim për ta bërë të qartë që Fjala nuk ishte Perëndia i Plotfuqishëm. Për shembull, disa përkthime të Biblës thonë se «Fjala ishte një Perëndi», «Një perëndi ishte Fjala» dhe «Fjala ishte hyjnore».a
Vargje të tjera nga Bibla, që në greqisht kanë një ndërtim të ngjashëm me Gjonin 1:1, përdorin shprehjen «një perëndi». Për shembull, kur flet për Herod Agripën I, turma thirri: «Është zë i një hyji [një perëndie] e jo i një njeriu!» Gjithashtu, kur Pavli shpëtoi pas kafshimit të një gjarpri helmues, populli tha «se ishte një perëndi». (Veprat 12:22, DSF; 28:3-6) Të thuash që Fjala nuk ishte Perëndi, por «një perëndi» është në përputhje si me gramatikën greke, ashtu edhe me atë që mëson Bibla.—Gjoni 1:1.
Vini re se si e identifikoi Gjoni ‘Fjalën’ në kapitullin e parë të Ungjillit të tij. Ai shkroi: «Fjala u bë mish e banoi mes nesh dhe na u dha një pamje e lavdisë së tij, një lavdi si ajo që i përket [jo Perëndisë, por] një biri të vetëmlindur nga një atë.» Pra «Fjala», që u bë mish, jetoi në tokë si njeriu i quajtur Jezu dhe njerëzit e panë. Kështu fjala nuk mund të ishte Perëndia i Plotfuqishëm, për të cilin Gjoni tha: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.»—Gjoni 1:14, 18.
-
-
«Ata që quhen ‘Perëndi’»Zgjohuni!—2005 | 22 Prill
-
-
a Shih The New Testament, nga Xheims L. Tomanek; përkthimin interlinear The Emphatic Diaglott, nga Benxhamin Uillson; The Bible—An American Translation, nga J.M.P. Smith dhe E. J. Gudspid.
-