Të krishterët dhe bota e njerëzimit
«Vazhdoni të ecni me mençuri ndaj atyre jashtë.»—KOLOSIANËVE 4:5, BR.
1. Çfarë tha Jezui në lidhje me ithtarët e tij dhe me botën?
NË NJË lutje drejtuar Atit të tij qiellor, Jezui tha për ithtarët e tij: «Bota i ka urryer, sepse ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» Pastaj shtoi: «Unë të kërkoj jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut.» (Gjoni 17:14, 15, BR) Të krishterët nuk duhej të ndaheshin fizikisht nga bota, duke u izoluar, për shembull, nëpër manastire. Përkundrazi, Krishti «i dërgoi në botë» që të ishin dëshmitarët e tij «deri në pjesën më të largët të tokës». (Gjoni 17:18; Veprat 1:8, BR) Megjithatë, ai i kërkoi Perëndisë që t’i ruante, sepse Satanai, «sundimtari i kësaj bote», do të nxiste urrejtjen kundër tyre për shkak të emrit të Krishtit.—Gjoni 12:31, BR; Mateu 24:9.
2. (a) Si e përdor Bibla fjalën «botë»? (b) Çfarë qëndrimi të drejtpeshuar tregon Jehovai ndaj botës?
2 Në Bibël, fjala «botë» (greqisht, koʹsmos) shpesh tregon shoqërinë e padrejtë njerëzore, e cila «shtrihet në fuqinë e të ligut». (1. Gjonit 5:19, BR) Meqenëse të krishterët u përmbahen normave të Jehovait dhe, gjithashtu, i vënë veshin urdhrit për t’i predikuar botës lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, hera-herës ndërmjet tyre dhe botës ka ekzistuar një marrëdhënie e vështirë. (2. Timoteut 3:12; 1. Gjonit 3:1, 13) Megjithatë, në Shkrimet, koʹsmos është përdorur edhe për t’iu referuar familjes njerëzore në përgjithësi. Duke folur për botën në këtë kuptim, Jezui tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme. Sepse Perëndia e dërgoi Birin e tij në botë, jo që ai të gjykojë botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.» (Gjoni 3:16, 17, BR; 2. Korintasve 5:19; 1. Gjonit 4:14) Pra, edhe pse urren gjërat që karakterizojnë sistemin e lig të Satanait, Jehovai e tregoi dashurinë e tij për njerëzimin, duke dërguar Birin e tij në tokë, që të shpëtojë të gjithë ata që do të «arrijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9, BR; Proverbat [Fjalët e urta] 6:16-19) Qëndrimi i drejtpeshuar i Jehovait ndaj botës, duhet të udhëheqë adhuruesit e tij.
Shembulli i Jezuit
3, 4. (a) Çfarë pozite adoptoi Jezui për sa i përket sundimit? (b) Si e konsideroi Jezui botën e njerëzimit?
3 Pak para vdekjes së tij, Jezui i tha Ponc Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36, BR) Më parë, në harmoni me këto fjalë, Jezui kishte hedhur poshtë ofertën e Satanait për t’i dhënë autoritet mbi mbretëritë e botës dhe refuzoi t’i lejonte judenjtë ta bënin mbret. (Luka 4:5-8; Gjoni 6:14, 15) Por megjithatë, Jezui tregoi dashuri të madhe për botën e njerëzimit. Një shembull i kësaj u raportua nga apostulli Mate: «Duke parë turmat, ai ndjeu keqardhje për to, sepse ishin të zhvoshkura dhe të hallakatura si dele pa bari.» Nga dashuria, ai u predikoi njerëzve nëpër qytetet dhe fshatrat e tyre. Ai i mësoi ata dhe u shëroi sëmundjet. (Mateu 9:36, BR) Gjithashtu, qe i ndjeshëm ndaj nevojave fizike të atyre që arritën të mësonin prej tij. Lexojmë: «Jezui i thirri dishepujt e tij pranë vetes dhe u tha: ‘Ndiej keqardhje për turmën, sepse janë tashmë tri ditë që kanë qëndruar me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë dhe nuk dua t’i dërgoj për rrugë të pangrënë. Ndoshta rrugës mund t’i lënë fuqitë.’» (Mateu 15:32, BR) Ç’shqetësim i dashur!
4 Judenjtë kishin paragjykime të forta kundër samaritanëve, por Jezui i foli gjerë e gjatë një gruaje samaritane dhe kaloi dy ditë duke dhënë dëshmi të plotë në një qytet samaritan. (Gjoni 4:5-42) Megjithëse Perëndia e dërgoi tek «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit», herë pas here Jezui iu përgjigj shprehjeve të besimit nga jojudenjtë e tjerë. (Mateu 8:5-13; 15:21-28) Po, Jezui tregoi se është e mundur të ‘mos jesh pjesë e botës’ dhe në të njëjtën kohë të tregosh dashuri për botën e njerëzimit, për njerëzit. A tregojmë në mënyrë të ngjashme dhembshuri për njerëzit atje ku jetojmë, punojmë apo bëjmë pazarin? A tregojmë shqetësim për mirëqenien e tyre: jo vetëm për nevojat e tyre frymore, por edhe për nevoja të tjera, nëse kjo është në mënyrë të arsyeshme brenda mundësive tona për t’i ndihmuar? Jezui e bëri dhe duke vepruar kështu, hapi rrugën për t’i mësuar njerëzit rreth Mbretërisë. Vërtet nuk mund të kryejmë mrekulli fizike, siç kreu Jezui. Por një akt dashamirësie, shpesh kryen, si të thuash, mrekulli në rrëzimin e paragjykimeve.
Qëndrimi i Pavlit ndaj njerëzve «jashtë»
5, 6. Si i trajtoi apostulli Pavël judenjtë që ishin «jashtë»?
5 Në disa prej letrave të tij, apostulli Pavël u referohet njerëzve «jashtë» ose «përjashta», domethënë jo të krishterëve, qofshin hebrenj ose johebrenj. (1. Korintasve 5:12; 1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:12; 1. Timoteut 3:7) Si i trajtoi ai persona të tillë? Ai ‘u bë çdo gjë ndaj njerëzve të çdo lloji, që medoemos të shpëtonte disa’. (1. Korintasve 9:20-22) Kur mbërrinte në një qytet, stili i tij i predikimit ishte që së pari të shkonte tek judenjtë që ishin vendosur atje. Cila ishte mënyra në të cilën u drejtohej atyre? Me takt dhe respekt ai ofronte prova bindëse biblike se Mesia kishte ardhur, kishte vdekur me një vdekje sakrifikuese dhe ishte ringjallur.—Veprat 13:5, 14-16, 43; 17:1-3, 10.
6 Në këtë mënyrë, Pavli ndërtonte mbi njohurinë e judenjve për Ligjin dhe profetët, që t’u mësonte mbi Mesinë dhe Mbretërinë e Perëndisë. Ai ia doli t’i bindte disa. (Veprat 14:1; 17:4) Megjithë kundërshtimin nga ana e udhëheqësve judenj, Pavli shfaqi ndjenja të ngrohta për bashkëatdhetarët e tij judenj, kur shkroi: «Vëllezër, vullneti i mirë i zemrës sime dhe përgjërimi im ndaj Perëndisë për ta [judenjtë] janë, në fakt, për shpëtimin e tyre. Sepse unë u sjell dëshmi që ata kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.»—Romakëve 10:1, 2, BR.
Duke ndihmuar besimtarët jojudenj
7. Si iu përgjigjën shumë prozelitë lajmit të mirë që predikoi Pavli?
7 Prozelitët ishin jojudenj që ishin bërë praktikues të rrethprerë të judaizmit. Me sa duket, prozelitë judenj kishte në Romë, në Antiokinë siriane, në Etiopi dhe në Antiokinë e Pisidisë, në të vërtetë në të katër anët e diasporës judaike. (Veprat 2:8-10; 6:5; 8:27; 13:14, 43; krahaso Mateun 23:15.) Ndryshe nga shumë sundimtarë judaikë, ka të ngjarë që prozelitët të mos ishin fodullë dhe nuk mund të mburreshin me krenari për prejardhjen nga Abrahami. (Mateu 3:9; Gjoni 8:33) Përkundrazi, ata kishin braktisur perënditë pagane dhe ishin kthyer përulësisht nga Jehovai, duke fituar njëfarë njohurie për të dhe për ligjet e tij. Ata e pranuan shpresën judaike për një Mesi që do të vinte. Duke qenë se kishin treguar tashmë gatishmëri që të bënin ndryshime në kërkimin për të vërtetën, shumë prej tyre ishin gati të bënin më shumë ndryshime dhe t’i përgjigjeshin predikimit të apostullit Pavël. (Veprat 13:42, 43) Kur një prozelit që më parë kishte adhuruar perënditë pagane kthehej në krishterim, ai ishte i pajisur në mënyrë të pashoqe për t’u dëshmuar johebrenjve të tjerë, që i adhuronin ende këto perëndi.
8, 9. (a) Përveç prozelitëve, cila klasë tjetër e johebrenjve u tërhoq ndaj fesë judaike? (b) Si iu përgjigjën lajmit të mirë shumë persona të parrethprerë, me frikë Perëndie?
8 Përveç prozelitëve të rrethprerë, ndaj fesë judaike ishin tërhequr edhe jojudenj të tjerë. I pari prej tyre që u bë i krishterë, ishte Korneli, i cili megjithëse jo prozelit, ishte «një njeri i devotshëm dhe që e kishte frikë Perëndinë». (Veprat 10:2, BR) Në komentin e tij mbi Veprat, profesori F. F. Brus shkroi: «Johebrenj të tillë zakonisht quhen ‘persona me frikë Perëndie’; ndonëse ky nuk është një term teknik, është i volitshëm për t’u përdorur. Shumë johebrenj të atyre ditëve, edhe pse jo të përgatitur për t’u bërë plotësisht të kthyer në judaizëm (duke pasur kërkesën për rrethprerje si një pengesë të veçantë për burrat), ishin tërhequr nga monoteizmi i thjeshtë i adhurimit të sinagogës judaike dhe nga normat etike të mënyrës judaike të jetesës. Disa prej tyre frekuentuan sinagogën dhe u njohën deri diku me lutjet dhe mësimet e shkrimeve, të cilat i dëgjonin të lexuara në versionin grek.»
9 Apostulli Pavël hasi shumë persona me frikë Perëndie, kur po predikonte në sinagogat e Azisë së Vogël dhe të Greqisë. Në Antiokinë pisidiane, ai iu drejtua atyre që ishin mbledhur në sinagogë si «burra, izraelitë dhe ju të tjerë që keni frikë Perëndinë». (Veprat 13:16, 26) Luka shkruan se pasi Pavli predikoi për tri të shtuna në sinagogën e Selanikut, «disa prej tyre [judenjve] u bënë besimtarë [të krishterë] e u bashkuan me Pavlin dhe Silën e kështu bëri edhe një shumicë e madhe grekësh që adhuronin Perëndinë dhe jo pak gra me pozitë». (Veprat 17:4) Ka të ngjarë që disa prej grekëve ishin persona të parrethprerë, me frikë Perëndie. Ka dëshmi se shumë johebrenj të tillë u bashkuan me komunitetet judaike.
Duke predikuar mes «jobesimtarëve»
10. Si u predikoi Pavli johebrenjve që nuk e kishin fare idenë e Shkrimeve dhe me çfarë rezultati?
10 Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «jobesimtar» mund t’u referohet njerëzve në përgjithësi, jashtë kongregacionit të krishterë. Shpesh ajo u referohet paganëve. (Romakëve 15:31; 1. Korintasve 14:22, 23; 2. Korintasve 4:4; 6:14) Në Athinë shumë jobesimtarë ishin të arsimuar në lidhje me filozofinë greke, pa e pasur fare idenë e Shkrimeve. A e shkurajoi kjo Pavlin për t’u dhënë dëshmi? Jo. Megjithatë, ai e përshtati mënyrën se si u drejtohej. Ai paraqiti me mjeshtëri idetë e Biblës, pa cituar drejtpërdrejt nga Shkrimet Hebraike, të cilat ishin të panjohura për athinasit. Me shkathtësi ai tregoi një ngjashmëri ndërmjet të vërtetës biblike dhe disa mendimeve të shprehura nga poetë të lashtë stoikë. Ai paraqiti konceptin e një Perëndie të vërtetë për të gjithë njerëzimin, një Perëndie që do të gjykojë me drejtësi me anë të një burri që vdiq dhe u ringjall. Pra me takt, Pavli u predikoi athinasve për Krishtin. Rezultati? Ndonëse pjesa më e madhe e talli sy për sy apo qe skeptike, «disa burra u bashkuan me të dhe u bënë besimtarë, mes të cilëve ishin, gjithashtu, Dionisi, një gjyqtar i gjykatës së Aeropagut dhe një grua e quajtur Damaris, si dhe të tjerë përveç tyre».—Veprat 17:18, 21-34.
11. Ç’lloj qyteti ishte Korinti dhe cili qe rezultati i aktivitetit predikues të Pavlit atje?
11 Në Korint ndodhej një komunitet mjaft i madh judenjsh, kështu që Pavli e nisi shërbimin e tij atje, duke predikuar në sinagogë. Por kur doli se judenjtë ishin kundër, Pavli shkoi në popullsinë johebreje. (Veprat 18:1-6) Ç’popullsi qe ajo! Korinti ishte një qytet i gjallë kozmopolitan tregtar, famëkeq anembanë botës greko-romake për mënyrën e tij të shthurur të jetesës. Në të vërtetë, «të korintizosh» do të thotë të veprosh në mënyrë imorale. Por megjithatë, pasi judenjtë kishin hedhur poshtë predikimin e Pavlit, ndodhi që Krishti iu shfaq atij dhe i tha: «Mos ki frikë, por vazhdo të flasësh . . . , sepse kam shumë njerëz në këtë qytet.» (Veprat 18:9, 10, BR) Në fakt, Pavli themeloi një kongregacion në Korint, megjithëse disa prej anëtarëve të tij më parë kishin pasur një stil «korintas» jetese.—1. Korintasve 6:9-11.
Të përpiqemi të shpëtojmë «çdo lloj njerëzish» sot
12, 13. (a) Si është i ngjashëm territori ynë sot me atë të kohës së Pavlit? (b) Çfarë qëndrimi tregojmë në territoret ku fetë e të ashtuquajturit krishterim janë vendosur prej shumë kohësh, apo ku shumë persona janë zhgënjyer nga feja e organizuar?
12 Sot, ashtu si në shekullin e parë, «dashamirësia e pamerituar e Perëndisë . . . i sjell shpëtim çdo lloji njerëzish». (Titit 2:11, BR) Territori për predikimin e lajmit të mirë është shtrirë për të mbuluar të gjitha kontinentet dhe shumicën e ishujve të detit. Ashtu si në kohën e Pavlit, në të vërtetë hasen «çdo lloj njerëzish». Për shembull, disa prej nesh predikojnë në vende ku kishat e të ashtuquajturit krishterim janë vendosur prej shumë shekujsh. Ashtu si judenjtë e shekullit të parë, anëtarët e tyre mund të jenë të lidhur fort nga traditat fetare. Megjithatë, ne jemi të lumtur të kërkojmë ata me gjendje të mirë zemre dhe të ndërtojmë mbi çfarëdo njohurie që kanë mbi Biblën. Ne nuk u flasim me mospërfillje apo nuk i përçmojmë ata, edhe nëse udhëheqësit e tyre fetarë herë pas here na kundërshtojnë dhe na persekutojnë. Përkundrazi, e pranojmë se ndër ta, disa mund të kenë «zell për Perëndinë», megjithëse u mungon njohuria e saktë. Ashtu si Jezui dhe Pavli, ne tregojmë dashuri të sinqertë për njerëzit dhe kemi një dëshirë të zjarrtë që ata të shpëtohen.—Romakëve 10:2, BR.
13 Kur predikojmë, shumë prej nesh takojnë individë që janë zhgënjyer nga feja e organizuar. Megjithatë, ata mund të jenë ende persona me frikë Perëndie, që besojnë deri në njëfarë mase tek Perëndia dhe që përpiqen të bëjnë një jetë të ndershme. Në këtë brez të shtrembër dhe që sa vjen e bëhet më i paperëndishëm, a nuk duhet të gëzojmë që të takojmë njerëz, të cilët kanë njëfarë besimi tek Perëndia? A nuk jemi të zellshëm për t’i drejtuar tek një formë adhurimi, që nuk dallohet për hipokrizi dhe gënjeshtra?—Filipianëve 2:15.
14, 15. Si është vënë në dispozicion një fushë e gjerë për predikimin e lajmit të mirë?
14 Në ilustrimin me rrjetën e peshkatarit, Jezui paratha se do të kishte një territor të gjerë për veprën e predikimit. (Mateu 13:47-49) Duke shpjeguar këtë ilustrim, Kulla e Rojës e 15 qershorit 1992, anglisht, në faqen 20 thoshte: «Gjatë shekujve, anëtarët e të ashtuquajturit krishterim luajtën një rol kyç në përkthimin, kopjimin dhe shpërndarjen e Fjalës së Perëndisë. Më vonë kishat formuan apo përkrahën shoqata biblike, të cilat e përkthyen Biblën në gjuhën e zonave të largëta. Ato dërguan, gjithashtu, misionarë mjekë dhe mësues që bënë krishterë «për oriz», të cilët u bënë të tillë për shkak të përfitimit. Kjo gjë grumbulloi një numër të madh peshqish të papërshtatshëm, që nuk kishin miratimin e Perëndisë. Por të paktën ekspozoi ndaj miliona jo të krishterëve Biblën, si dhe një formë të krishterimit, ndonëse të korruptuar.»
15 Prozelitizmi nga i ashtuquajturi krishterim ka qenë veçanërisht i efektshëm në Amerikën Jugore, në Afrikë dhe në disa ishuj të detit. Në ditët tona, në këto zona janë gjetur shumë persona zemërbutë dhe ne mund të vazhdojmë të bëjmë shumë të mira, nëse kemi një qëndrim pozitiv dhe të dashur ndaj njerëzve të tillë të përulur, ashtu siç e pati Pavli ndaj prozelitëve judenj. Mes atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë ka edhe miliona njerëz që mund të quhen «simpatizantë» të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata janë gjithmonë të kënaqur të na takojnë, kur i vizitojmë. Disa prej tyre kanë studiuar Biblën me ne dhe kanë frekuentuar mbledhjet tona, në veçanti Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit. A nuk përfaqësojnë persona të tillë një fushë të gjerë për predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë?
16, 17. (a) Cilave lloje të njerëzve u drejtohemi me lajmin e mirë? (b) Si e imitojmë Pavlin në predikimin ndaj llojeve të ndryshme të njerëzve?
16 Për më tepër, si duhet t’i konsiderojmë ata që vijnë nga kultura jashtë të ashtuquajturit krishterim, qoftë kur i takojmë në vendin e tyre apo janë imigrantë në vendet perëndimore? Po ata shumë miliona që ia kanë kthyer plotësisht shpinën fesë, duke u bërë ateistë ose agnosticistë? Më tej akoma, ç’të themi për ata që ia vënë veshin pothuajse me zjarr fetar filozofisë apo psikologjisë moderne, e cila botohet në librat e shumtë për të ndihmuar vetveten, që gjenden nëpër librari? A duhet që secili prej këtyre njerëzve të shmanget dhe të konsiderohet jashtë shpengimit? Jo, nëse imitojmë apostullin Pavël.
17 Kur predikoi në Athinë, Pavli nuk ra në grackën e debatimit filozofik me dëgjuesit e tij. Megjithatë, ai ia përshtati mënyrën e tij të arsyetimit, njerëzve me të cilët kishte të bënte, duke i paraqitur të vërtetat biblike në një mënyrë të qartë dhe logjike. Ngjashëm, ne nuk na duhet të bëhemi ekspertë në fetë apo filozofitë e njerëzve, të cilëve u predikojmë. Megjithatë, ne e përshtatim mënyrën në të cilën u drejtohemi, për ta bërë dëshminë tonë të efektshme, duke u bërë kështu «çdo gjë për njerëzit e çdo lloji». (1. Korintasve 9:22, BR) Duke u shkruar të krishterëve në Kolose, Pavli tha: «Vazhdoni të ecni me mençuri ndaj atyre jashtë, duke blerë kohën e volitshme për veten tuaj. Mënyra juaj e të shprehurit të jetë gjithmonë me hijeshi, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i jepni një përgjigje gjithsecilit.»—Kolosianëve 4:5, 6, BR.
18. Çfarë përgjegjësie kemi dhe çfarë nuk duhet të harrojmë kurrë?
18 Ashtu si Jezui dhe apostulli Pavël, le t’u tregojmë dashuri njerëzve të çdo lloji. Në mënyrë të veçantë, le të ushtrohemi për të ndarë me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë. Nga ana tjetër, mos harro kurrë se Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Se çfarë do të thotë kjo për ne, do të shqyrtohet më tej në artikullin vijues.
Pika për rishikim
◻ Përshkruaj qëndrimin e drejtpeshuar të Jezuit ndaj botës
◻ Si u predikoi apostulli Pavël judenjve dhe prozelitëve?
◻ Si iu drejtua Pavli personave me frikë Perëndie dhe jobesimtarëve?
◻ Si mund të jemi «çdo gjë ndaj njerëzve të çdo lloji» në aktivitetin tonë të predikimit?
[Figurat në faqen 10]
Duke kryer vepra dashamirësie ndaj fqinjëve të tyre, shpesh të krishterët mund të rrëzojnë paragjykimet