KAPITULLI 124
Krishtin e tradhtojnë dhe e arrestojnë
MATEU 26:47-56 MARKU 14:43-52 LUKA 22:47-53 GJONI 18:2-12
JUDA TRADHTON JEZUIN NË KOPSHT
PJETRI I PRET VESHIN NJË BURRI
JEZUIN E ARRESTOJNË
Tanimë mesnata ka kaluar. Priftërinjtë kanë rënë dakord që ta paguajnë Judën me 30 monedha argjendi për të tradhtuar Jezuin. Kështu, Juda i prin një turme të madhe me krerë priftërinjsh dhe farisenjsh në kërkim të Jezuit. Me vete kanë edhe një grup ushtarësh romakë të armatosur dhe komandantin e tyre.
Me sa duket, pasi Jezui e largoi nga darka e Festës së Kalimit, Juda shkoi drejt e te krerët e priftërinjve. (Gjoni 13:27) Ata mblodhën rojat e tyre, si edhe një grup ushtarësh. Ndoshta në fillim Juda i ka çuar te dhoma ku Jezui me apostujt kremtuan Festën e Kalimit. Por tani, turma kalon matanë luginës së Kidronit dhe shkon drejt kopshtit. Përveç armëve, mbajnë në duar edhe llamba e pishtarë se duan me çdo kusht të gjejnë Jezuin.
Teksa udhëheq grupin lart drejt Malit të Ullinjve, Juda e di me siguri ku ta gjejë. Gjatë javës së kaluar, Jezui dhe apostujt kanë bërë vajtje-ardhje nga Betania në Jerusalem dhe kanë ndaluar shpesh në kopshtin e Getsemanisë për të pushuar. Por tani është natë, dhe Jezui mund të jetë nën hijen e pemëve të ullirit në kopsht. Atëherë si ta dallojnë Jezuin ushtarët, të cilët mund të mos e kenë parë asnjëherë? Për t’i ndihmuar, Juda do t’u japë këtë shenjë: «Atë që do të puth, ai është; arrestojeni dhe merreni me roja.»—Marku 14:44.
Në krye të turmës që hyn në kopsht, Juda dallon Jezuin me apostujt dhe shkon drejt e tek ai. «Tungjatjeta, Rabi!»—thotë Juda dhe e puth miqësisht. Atëherë Jezui e pyet: «Mik, për ç’arsye je këtu?» (Mateu 26:49, 50) E duke iu përgjigjur pyetjes që vetë ai bëri, vazhdon: «Judë, me një puthje po e tradhton Birin e njeriut?» (Luka 22:48) Tani Jezui nuk merret më me këtë tradhtar!
Del përpara te vendi i ndriçuar nga llambat e pishtarët dhe i pyet: «Kë po kërkoni?» Nga turma dëgjohet një zë: «Jezuin, nazareasin.» Pa iu dridhur qerpiku Jezui thotë: «Unë jam.» (Gjoni 18:4, 5) Krejt të çorientuar, burrat bien përtokë.
Në vend që të shfrytëzojë momentin e t’ia mbathë në terrin e natës, Jezui i pyet përsëri se kë po kërkojnë. Ata thonë prapë: «Jezuin, nazareasin.» Me qetësi, Jezui vazhdon: «Ju thashë se jam unë. Prandaj, nëse po më kërkoni mua, lërini këta burra të ikin.» Edhe në këtë moment vendimtar, Jezui kujton atë që tha më përpara, pra se nuk do të humbte asnjërin. (Gjoni 6:39; 17:12) Jezui i ka mbrojtur apostujt e tij besnikë dhe asnjëri nuk humbi «përveç birit të shkatërrimit»—Judës. (Gjoni 18:7-9) Prandaj, tani kërkon që t’i lënë të ikin dishepujt e tij besnikë.
Kur ushtarët ngrihen në këmbë dhe afrohen drejt Jezuit, apostujt kuptojnë çfarë po ndodh dhe thonë: «Zotëri, a t’u biem me shpatë?» (Luka 22:49) Jezui nuk ka kohë as të përgjigjet, se Pjetri vërtit një nga dy shpatat që kanë me vete apostujt dhe i pret veshin e djathtë Malkut, skllavit të kryepriftit.
Jezui prek veshin e Malkut dhe e shëron. Pastaj, me këtë urdhër drejtuar Pjetrit, jep një mësim të rëndësishëm: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» Jezui nuk dëshiron t’i bëjë bisht arrestimit. Ai shpjegon: «Si do të përmbusheshin atëherë Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?» (Mateu 26:52, 54) Më tej shton: «A nuk duhet ta pi kupën që më ka dhënë Ati?» (Gjoni 18:11) Jezui është dakord të veprojë sipas vullnetit të Perëndisë, madje deri në vdekje.
Jezui pyet turmën: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj sikur të isha kusar?! Ditë për ditë ulesha në tempull dhe mësoja, e megjithatë ju nuk më arrestuat. Por e gjithë kjo po ndodh që të përmbushen shkrimet e profetëve.»—Mateu 26:55, 56.
Atëherë ushtarët, komandanti i tyre dhe rojat e judenjve e arrestojnë Jezuin dhe e vënë nën vargonj. Kur shohin këtë, apostujt ia mbathin. Gjithsesi, «një djalë i ri», mbase dishepulli Mark, qëndron mes turmës që të ndjekë Jezuin. (Marku 14:51) Mirëpo e pikasin dhe përpiqen ta kapin. Për të shpëtuar, djali detyrohet ta lërë pas rrobën prej linoje e t’ia mbathë.