VESHI
Organi i të dëgjuarit i projektuar dhe i krijuar nga Perëndia Jehova. (Ps 94:9; Pr 20:12) Veshi përbëhet nga tri pjesë: veshi i jashtëm, veshi i mesëm dhe veshi i brendshëm. Veshi i mesëm është një zgavër e vogël që nis me daullen e veshit e vazhdon deri te labirinti i kanaleve që përbëjnë veshin e brendshëm. Përveç funksionit dëgjimor, veshi i brendshëm përmban edhe disa organe që lidhen me ekuilibrin dhe lëvizjen. Fakti që kemi dy veshë është një ndihmë e madhe pasi mund të përcaktojmë burimin dhe drejtimin e tingujve.
Veshi i njeriut arrin të kapë tinguj brenda një rrezeje prej rreth 20 deri 20.000 herc. Veshët e shumë kafshëve janë të ndjeshëm ndaj toneve më të larta, që janë të pakapshme për veshin e njeriut. Rrezja e energjisë së tingujve që arrin të kapë veshi i njeriut është mbresëlënëse. Tingulli më i fortë që veshi mund ta tolerojë pa rrezik, është dy mijë miliardë herë më i lartë se tingulli më i lehtë i kapshëm. Veshi i njeriut ka maksimumin e ndjeshmërisë së nevojshme, sepse sikur veshët të ishin më të mprehtë nga sa janë, do të reagonin edhe ndaj lëvizjeve molekulare të pareshtura të thërrmijave të ajrit.
Bërësi i veshit ka aftësinë të dëgjojë, prandaj, në mënyrë simbolike, Bibla thotë se ai ka veshë. (Ne 1:6; Ps 116:1, 2) Përmes kësaj simbolike, Jehovai e përshkruan veten se i mban veshët hapur ndaj lutjeve, kërkesave dhe thirrjeve të të drejtëve. (Ps 10:17; 18:6; 34:15; 130:2; Is 59:1; 1Pj 3:12) Ndonëse i dëgjon murmuritjet e atyre që ankohen dhe të folurit e keq të armiqve të tij (Nu 11:1; 2Mb 19:28), ai refuzon të dëgjojë thirrjet e tyre të dëshpëruara kur përballen me ekzekutimin e gjykimeve. (Ezk 8:18) Idhujt kanë veshë të gdhendur a të skalitur, mirëpo, natyrisht, s’mund të dëgjojnë dhe s’kanë fuqi t’i kuptojnë e t’u përgjigjen lutjeve të adhuruesve të tyre.—Ps 115:6.
Përdorimi i figurshëm. Në Bibël, fjala «vesh» është përdorur me shumë forcë në kuptimin e figurshëm për të treguar procesin e plotë të dëgjimit. Termi është përdorur në lidhje me aftësinë për të dëgjuar e, më pas, për të peshuar vërtetësinë dhe vlerën e asaj që po thuhet. (Jb 12:11; 34:3) Shprehja ‘të vësh veshin’ është përdorur në kuptimin ‘të kushtosh vëmendje’ e të veprosh në përputhje me atë që ke dëgjuar. (Ps 78:1; 86:6; Is 51:4) ‘T’i hapësh veshin’ dikujt do të thotë ta bësh të kuptojë ose ta ndriçosh për ndonjë çështje. (Is 50:5) Shprehja hebraike ‘zbuloj veshin’ (e cila është përkthyer thjesht ‘zbuloj’ në shqip) mund ta ketë zanafillën te fakti që në vendet e Lindjes personi e hiqte pjesërisht mbulesën e kokës për të dëgjuar më qartë. Kjo shprehje, si dhe fraza tjetër që në gjuhën origjinale do të thotë ‘zbuloj në veshin e dikujt’ (e përkthyer në shqip me foljen ‘fsheh’), lidhen me dhënien e informacioneve në mënyrë private ose me zbulimin e një sekreti a të diçkaje tjetër që më parë nuk dihej.—1Sa 9:15; 20:2, 12, 13; 2Sa 7:27.
Një ‘vesh që zgjohet’ do të thotë se është bërë i vëmendshëm. (Is 50:4) Ky vesh mund të jetë i një personi që më parë ‘ishte i shurdhër [në kuptimin frymor], edhe pse kishte veshë [në kuptimin e mirëfilltë]’. (Is 43:8) Në Bibël thuhet se njeriu i drejtë e dëgjon Perëndinë, por i mbyll veshët për ligësinë. (Is 33:15) Në mënyrë të ngjashme, fjala greke që përkthehet «dëgjoj», mund të ketë kuptimin ‘kushtoj vëmendje, kuptoj dhe veproj sipas’, si për shembull kur Jezui tha se ‘delet e tij e dëgjonin zërin e tij’ dhe «një të panjohur nuk do ta ndiqnin kurrsesi, por do të iknin nga ai, sepse nuk e njohin zërin e të panjohurve».—Gjo 10:27, 5.
Nga ana tjetër, thuhet se veshët e rebelëve janë «të-rëndë» (Kris) ose ‘të mbyllur’ a ‘indiferentë’. (Is 6:10; Ve 28:27) Këta njerëz të ligj janë krahasuar me kobrën që i mbyll veshët dhe refuzon të dëgjojë zërin e magjistarit.—Ps 58:4.
Me anë të shërbëtorëve të vet, Jehovai tha se izraelitët kokëfortë e të pabindur kishin ‘veshë të parrethprerë’. (Jr 6:10; Ve 7:51) Këta veshë janë si të taposur me diçka që pengon dëgjimin. Jehovai nuk i ka hapur. Në fakt, ai u jep veshë për të kuptuar e për t’u bindur atyre që e kërkojnë, ndërkohë që lejon t’u mpihet dëgjimi frymor njerëzve të pabindur. (Lp 29:4; Ro 11:8) Apostulli Pavël paratha një kohë kur disa që pohonin se ishin të krishterë, do të bëheshin apostatë duke u larguar nga besimi i vërtetë. Ata nuk do të donin më të dëgjonin për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, por do të donin ‘t’i gudulisnin veshët’ me gjëra që u pëlqenin e do t’u kushtonin vëmendje mësuesve të rremë. (2Ti 4:3, 4; 1Ti 4:1) Po ashtu, veshët mund ‘të tronditen’ nga lajme turbulluese, sidomos nga lajme për gjëma.—1Sa 3:11; 2Mb 21:12; Jr 19:3.
Kur Sauli nga Tarsi u verbua për shkak të një drite të mbinatyrshme, a e dëgjuan burrat që ishin me të zërin që dëgjoi Sauli?
Në tregimin e kthimit në besim të Saulit nga Tarsi dhe në përshkrimin që ai vetë i bëri më vonë kësaj ngjarjeje, ilustrohet si ndryshon të dëgjosh një tingull të mirëfilltë dhe të kuptosh atë që dëgjon. (Ve 9:3-8; 22:6-11) Veprat 9:7 thotë se burrat që ishin me Saulin, dëgjuan «një zë» (BR) ose «tingullin e zërit». (Dio) Mirëpo, te Veprat 22:9, Pavli (Sauli) thotë se burrat që ishin me të, nuk e dëgjuan zërin. Po t’i kuptojmë si duhet fjalët e këtyre vargjeve, do të shohim se nuk ka asnjë kontradiktë. Fjala greke e përkthyer «zë» (foné) te Veprat 9:7, është në rasën gjinore (fonés) dhe, në këtë varg, përcjell idenë e dëgjimit të një zëri. Pra, ata dëgjuan tingullin, por nuk e kuptuan. Te Veprat 22:9, foné është në rasën kallëzore (fonén): burrat «nuk e dëgjuan zërin». Domethënë, ata dëgjuan tingullin e një zëri, por nuk i kapën fjalët, kuptimin e tyre; ndryshe nga Sauli, ata nuk e kuptuan se çfarë po i thoshte Jezui atij. (Ve 9:4) Kur jemi të vetëdijshëm për mënyrën si e përdor Bibla konceptin e ‘dëgjimit’ në të dyja kuptimet, e kemi më të lehtë të sqarojmë ato që, në të kundërt, do të na dukeshin mospërputhje.
Me rastin e emërimit priftëror në Izrael, Jehovai e urdhëroi Moisiun të merrte ca nga gjaku i dashit për emërimin priftëror e ta vinte në llapën e veshit të djathtë të Aaronit e të secilit prej bijve të tij, si dhe në dorën e në këmbën e djathtë. Kjo pjesë e ceremonisë së emërimit priftëror do të ndikonte drejtpërdrejt në atë që do të dëgjonin, në punën që do të kryenin dhe në mënyrën si do të ecnin. (Le 8:22-24) Po njësoj, edhe në rastin e një personi që pastrohej nga lebra, Ligji thoshte se prifti duhej të vinte në llapën e veshit të djathtë të të lebrosurit ca nga gjaku i dashit që paraqitej si blatim për fajin dhe ca nga vaji që paraqitej. (Le 14:14, 17, 25, 28) Një masë me natyrë të ngjashme ishte marrë edhe për rastet kur dikush dëshironte të mbetej skllav i zotërisë së tij gjithë jetën. Në këtë rast, zotëria e mbështeste skllavin te shtalka dhe i shponte veshin me një fëndyell. Kjo shenjë e dallueshme, e cila bëhej në organin e dëgjimit, tregonte në mënyrë të qartë dëshirën e skllavit që të vazhdonte t’ia vinte veshin zotërisë së tij.—Da 21:5, 6.
Për sa i përket nevojës së madhe që ka njerëzimi për ta dëgjuar atë, në kuptimin që t’u kushtojë vëmendje të madhe e t’u bindet fjalëve të tij siç tregon Bibla, dhe jo për të parë Perëndinë sikurse pretendojnë disa, Robert Dentani vëren: «Në Bibël, fjala kyç që tregon mënyrën si reagon njeriu ndaj Perëndisë, është ‘të dëgjosh’ e jo ‘të shikosh’ . . . Në fetë e mistershme, përvoja më e madhe fetare ishte ‘të shihje’ perëndinë; kurse në Bibël, për të cilën qëndrimi themelor fetar është bindja ndaj fjalës hyjnore, theksi bie te ‘dëgjimi’ i zërit të tij. Formula më e rëndësishme e fesë së Izraelit, nis me fjalët karakteristike: ‘Dëgjo, o Izrael.’ Po ashtu, ‘ai që është nga Perëndia’, nuk është personi mistik që ka parë ndonjë vegim, por ai që ‘i dëgjon fjalët e Perëndisë’ (Gjoni 8:47).»—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. Batriku, 1962, vëll. 2, f. 1; shih SHURDHËSIA.