ANANIA
[forma greke e emrit hebraik Hananiah që do të thotë «Jehovai ka treguar miratim; Jehovai ka qenë hirmadh»].
1. I krishterë i kongregacionit të parë të Jerusalemit. Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., besimtarët e krishterë që kishin mbetur në Jerusalem i përmbushnin nevojat fizike duke ndihmuar njëri-tjetrin. Për këtë qëllim, ata krijuan një fond të përbashkët me paratë që jepnin si kontribut pjesëtarët e kongregacionit nga shitja e arave dhe e shtëpive. (Ve 4:34-37) Anania shiti një arë dhe, me dijeninë e plotë të së shoqes, ofroi vetëm një pjesë të parave, ndërkohë që la përshtypjen se po jepte gjithë sa kishte fituar. Këtë duhet ta ketë bërë për të marrë lëvdata dhe nderim nga kongregacioni. Megjithatë, fryma i dha Pjetrit aftësinë e veçantë për të kuptuar shtirjen e tij dhe ai tregoi hapur se Anania po ‘mashtronte frymën e shenjtë dhe Perëndinë’. Pas kësaj, Anania ra përtokë e dha frymë. Rreth 3 orë më vonë, burrat që varrosën Ananinë u kthyen dhe gjetën të vdekur edhe Safirën, gruan e tij, që njësoj si i shoqi ishte munduar të shtirej.—Ve 5:1-10.
2. Dishepull i krishterë nga Damasku. Pas kthimit të Saulit në besim, Anania pati një vegim ku Jezui i tha emrin e Saulit, vendin ku po rrinte dhe e porositi të shkonte tek ai. Megjithëse fillimisht ngurroi, ngaqë e dinte sa ashpër i kishte përndjekur Sauli të krishterët, Anania u bind dhe shkoi. Pasi i ktheu shikimin, i tha se do të ishte dëshmitar i Perëndisë dhe mori masa që Sauli të pagëzohej. Më vonë, kur u mbrojt para kundërshtarëve judenj, Sauli (Pavli) tha se Anania ishte një burrë «që e nderonte Perëndinë sipas Ligjit, për të cilin flitnin mirë të gjithë judenjtë që banonin atje [në Damask]». Lëvdata të tilla nga judenjtë për një të krishterë ishin një dëshmi e qartë e sjelljes së tij të mirë.—Ve 9:10-18; 22:12-16.
3. Kryeprift jude aty nga viti 48 deri në vitin 58 të e.s. Sipas Jozef Flavit, ishte i biri i Nedebeut dhe në këtë detyrë e caktoi Herodi, mbreti i Kalkisit dhe vëllai i Herod Agripës I. (Antikitete judaike, XX, 103 [v, 2]) Në vitin 52 të e.s., e çuan para gjyqit në Romë për disa konflikte që kishin lindur mes judenjve dhe samaritanëve, por perandori Klaud I e shfajësoi.
Rreth vitit 56 të e.s., teksa drejtonte gjyqin kundër Pavlit para Sinedrit, Anania urdhëroi që t’i jepnin një shuplakë në fytyrë apostullit. Pavli reagoi duke parathënë se do ta merrte shpagimin nga Perëndia për këtë të keqe dhe e quajti Ananinë «mur i zbardhur me gëlqere». Kur e qortuan për këtë, Pavli u shfajësua duke thënë se nuk e dinte që ai ishte kryeprifti dhe citoi Daljen 22:28 për të treguar se e pranonte që duhej ta respektonte siç i takonte. Disa kanë hedhur idenë se Pavli bëri sikur se dinte që Anania ishte kryeprift, ngaqë ai nuk ishte ligjëruar në këtë post pas kthimit nga Roma, por nuk ka dëshmi domethënëse për këtë. Kjo mund të jetë një provë më shumë që tregon se Pavli kishte shikim të dobët, siç mund të kuptohet nga vargje të tjera. Urdhri i Ananisë mund të ketë qenë aq i thatë e i rrëmbyer, sa Pavli e ka pasur të vështirë të kuptonte kush kishte folur.—Ve 23:2-5.
Pas gjyqit të Sinedrit, Anania bashkë me disa pleq e një gojëtar shkoi në Cezare për të akuzuar Pavlin para guvernatorit Feliks. (Ve 24:1) Pas kësaj, ai nuk përmendet më në Shkrime. Megjithatë, historia e paraqet si njeri kryelartë e mizor që ra në sy për pangopësinë e tij, si gjatë kohës kur ishte kryeprift, edhe më pas. Nga fillimi i revoltës së judenjve, në vitin 66 deri në vitin 70 të e.s., Ananinë e përndiqnin elementë të popullsisë judeje për bashkëpunimin e tij me autoritetet romake. U fsheh në një ujësjellës, por e zbuluan dhe e vranë.