KLAUD LISIA
Komandant ushtarak i garnizonit romak në Jerusalem kur apostulli Pavël shkoi për herë të fundit, rreth vitit 56 të e.s. Ai ishte kiliark, pra kishte 1.000 luftëtarë nën komandën e tij. Emri grek Lisia lë të mendohet se ishte me prejardhje greke. Ai mund ta ketë fituar qytetarinë romake me një shumë të madhe parash gjatë mbretërimit të Klaudit dhe, siç ishte zakon për ata që fitonin qytetarinë, kishte marrë emrin e perandorit që ishte në fuqi. (Ve 22:28; 23:26) Sipas historianit romak Dion Kasi, në fillim të mbretërimit të perandorit Klaud, qytetaria romake shpesh shitej për një shumë të majme parash.—Historia romake e Dionit, LX, 17, 5, 6.
Klaud Lisia përmendet në tregimin e Veprave ngaqë e lidhi puna me apostullin Pavël. Ai me disa ushtarë e centurionë i shpëtoi jetën Pavlit nga një turmë e tërbuar. Pasi e kapi Pavlin, Klaud Lisia urdhëroi që ta lidhnin dhe, meqë turma nuk e linte të merrte vesh për çfarë e akuzonin, urdhëroi ta çonin apostullin në kazermën e Kullës së Antonias.—Ve 21:30-34.
Klaud Lisia mendoi gabimisht se Pavli ishte egjiptiani që para pak kohësh kishte nxitur një kryengritje dhe ishte vënë në krye të 4.000 ‘burrave gjakësorë’ në shkretëtirë. Kur mësoi se nuk ishte ai, e lejoi apostullin t’i fliste turmës nga shkallët, ka të ngjarë nga shkallët e fortesës. Sapo Pavli përmendi detyrën e tij për të shkuar te kombet, shpërtheu sërish dhuna. Atëherë Klaud Lisia urdhëroi që ta fusnin në kazermë dhe ta merrnin në pyetje duke e fshikulluar.—Ve 21:35-40; 22:21-24.
Kur i thanë se Pavli ishte qytetar romak dhe u sigurua personalisht për këtë, Klaud Lisia u tremb, sepse i kishte vënë prangat, e kështu kishte shkelur të drejtat e një romaku. (Ve 22:25-29) Arsyeja pse ai duhet t’i ketë besuar fjalës së Pavlit ishte se në atë kohë askush nuk guxonte të gënjente për të drejtat e tij si qytetar romak, pasi kjo gjë dënohej me vdekje. Historiani Sueton thotë se perandori «ua kishte ndaluar njerëzve të kombësive të tjera të mbanin emra romakë të familjeve fisnike. Kë uzurponte privilegjet e romakëve, ai e ekzekutonte në fushën Eskuiline».—Jeta e Cezarëve, Klaudi XXV, 3.
Megjithatë, duke dashur të zbulonte të vërtetën për akuzat kundër Pavlit, Klaud Lisia urdhëroi të mblidhej Sinedri. Në atë rast, argumenti i ringjalljes që prezantoi Pavli, ngjalli grindje mes anëtarëve të Sinedrit, aq sa nga frika se mos e bënin Pavlin copë-copë, Klaud Lisia urdhëroi ushtarët ta nxirrnin Pavlin që aty.—Ve 22:30; 23:6-10.
Më vonë, kur mësoi nga vetë nipi i Pavlit se judenjtë kishin thurur plane për ta vrarë apostullin, Klaud Lisia thirri dy centurionë dhe i urdhëroi të bënin gati 200 ushtarë, 70 kalorës dhe 200 heshtarë që të niseshin për në Cezare rreth orës 9 të darkës që ta çonin Pavlin te guvernatori Feliks. (Ve 23:16-24) Siç e kërkonte ligji romak, ai i nisi guvernatorit edhe një raport në lidhje me çështjen. Megjithatë, ajo që thuhej në letër nuk ishte plotësisht objektive. Megjithëse e pranonte se Pavli ishte i pafajshëm, Klaud Lisia linte përshtypjen se e kishte shpëtuar Pavlin sepse kishte marrë vesh që ishte romak, kur në fakt ai i kishte shkelur të drejtat e Pavlit si romak duke i vënë prangat, e madje duke urdhëruar që të merrej në pyetje me kamxhik.—Ve 23:25-30.
Si ishte në dijeni Luka të brendisë së letrës? Ka mundësi që letra të jetë lexuar gjatë procesit të Pavlit ose vetë Pavli mund të ketë marrë një kopje pasi iu apelua Cezarit.