Jeta
Përkufizimi: Gjendja aktive që dallon bimët, kafshët, njerëzit dhe qeniet frymore, nga objektet jo të gjalla. Përgjithësisht, gjërat e gjalla fizike kanë aftësinë e rritjes, të metabolizmit, të reagimit ndaj nxitjeve të jashtme dhe të riprodhimit. Bimët kanë jetë aktive, por jo jetë në kuptimin që janë një shpirt që ka ndjesi. Shpirtrat tokësorë, qoftë kafshë, qoftë njerëz, kanë forcën vepruese të jetës që i bën të gjallë, dhe frymën që e mbështet këtë forcë jete.
Jetë, në kuptimin më të plotë, për sa u përket personave me aftësi për të arsyetuar, do të thotë të ekzistosh si një qenie e përsosur dhe të kesh të drejtën ta kesh jetën. Shpirti njerëzor nuk është i pavdekshëm. Por shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë mundësinë e jetës së përhershme në përsosmëri—për shumicën e tyre në tokë dhe për «një kope të vogël» në qiell, si trashëgimtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Kur ringjallen në jetën frymore, pjesëtarëve të klasës së Mbretërisë u jepet edhe pavdekësia, pra një jetë e cila ka këtë veçori: nuk ka nevojë të mbështetet nga ndonjë gjë e krijuar.
Cili është qëllimi i jetës së njeriut?
Gjëja kryesore për të pasur një qëllim në jetë është, të pranojmë Burimin e jetës. Në qoftë se jeta do të ishte produkt i rastësisë, pa diskutim ekzistenca jonë do të ishte pa qëllim dhe nuk do të kishte asnjë të ardhme të sigurt, për të cilën të bënim plane. Por, te Veprat 17:24, 25, 28 thuhet: «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të . . . u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. Sepse falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» Zbulesa 4:11, që i drejtohet Perëndisë, shton: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Shih edhe faqet 278-285, te tema «Perëndia».)
Të jetosh në kundërshtim me kërkesat e Krijuesit dhe me normat e tij për të na bërë të lumtur, sjell si pasojë zhgënjim. Galatasve 6:7, 8 paralajmëron: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë, sepse ai që mbjell për mishin, do të korrë nga mishi prishje.»—Shih edhe Galatasve 5:19-21. (Shih edhe temën «Pavarësia».)
Mëkati që kanë trashëguar nga Adami, i pengon njerëzit ta gëzojnë plotësisht jetën, siç kishte si qëllim Perëndia në fillim. Romakëve 8:20 thotë se, si pasojë e gjykimit që dha Perëndia pasi mëkatoi Adami, ‘krijesa iu nënshtrua kotësisë’. Apostulli Pavël shkroi për vetë gjendjen e tij si njeri mëkatar: «Unë jam mishor, i shitur që të jem skllav i mëkatit. Sepse të mirën që dua, nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, e praktikoj. Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia. Ç’njeri i mjerë që jam!»—Rom. 7:14, 19, 22-24.
Kur zbatojmë parimet biblike dhe vëmë në vend të parë bërjen e vullnetit të Perëndisë, gjejmë lumturinë më të madhe që është e mundur tani dhe jeta jonë merr shumë kuptim. Nuk e pasurojmë Perëndinë duke i shërbyer; përkundrazi, ai na mëson ‘se si të nxjerrim dobi për vete’. (Isa. 48:17) Bibla këshillon: «Bëhuni të palëkundur e të patundur. Kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.»—1 Kor. 15:58.
Bibla vë përpara nesh mundësinë e jetës së përhershme në përsosmëri, nëse kemi besim te masat që ka marrë Perëndia për jetën dhe nëse ecim në udhët e tij. Kjo shpresë ka bazë të fortë; ajo nuk të çon në zhgënjim, veprat që bëjmë në përputhje me këtë shpresë, mund t’i japin kuptim jetës sonë, madje që tani.—Gjoni 3:16; Titit 1:2; 1 Pjet. 2:6.
A u krijuan njerëzit vetëm që të jetonin disa vjet, dhe pastaj të vdisnin?
Zan. 2:15-17: «Perëndia Jehova e mori njeriun [Adamin] dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e të kujdesej për të. Pastaj Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’» (Këtu Perëndia foli për vdekjen, jo si për një rrethanë të pashmangshme, por si pasojën që do të vinte nga mëkati. Ai po e nxiste Adamin që ta shmangte atë. Krahaso Romakëve 6:23.)
Zan. 2:8, 9: «Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, drejt lindjes, dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar. Perëndia Jehova bëri të mbinte nga toka çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim. Në mes të kopshtit bëri të mbinte pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.» (Pas mëkatit të Adamit, çifti njerëzor u dëbua nga Edeni, prandaj ata nuk do të mund të hanin nga pema e jetës, sipas Zanafillës 3:22, 23. Pra, duket që, nëse Adami do t’i ishte bindur Krijuesit të tij, me kalimin e kohës, Perëndia do ta kishte lejuar të hante nga ajo pemë. Kjo do të simbolizonte faktin që ata ishin treguar të denjë të jetonin përgjithmonë. Prania e pemës së jetës në Eden tregonte se kishin këtë mundësi.)
Psal. 37:29: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Ky premtim tregon qartë se qëllimi kryesor i Perëndisë për tokën dhe njerëzit nuk ka ndryshuar.)
Shih edhe faqet 425, 426 te tema «Vdekja».
Por, ç’jetë është kjo e sotmja ku jetojmë pak dhe shpesh plot vuajtje?
Rom. 5:12: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Këtë kemi trashëguar të gjithë, jo se kështu e kishte qëllimin Perëndia, por për shkak të mëkatit të Adamit.) (Shih edhe temën «Fati».)
Jobi 14:1: «Njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur me halle.» (Kjo gjë karakterizon në një masë të madhe jetën në këtë sistem të papërsosur.)
Megjithatë, edhe në këto rrethana, jeta mund të jetë shumë e kënaqshme, plot kuptim. Shih materialin në faqet 183, 184 në lidhje me qëllimin e jetës njerëzore.
A është jeta në tokë vetëm një provë që përcakton se kush do të shkojë në qiell?
Shih faqet 308-314, te tema «Qielli».
A kemi një shpirt të pavdekshëm që vazhdon të jetojë pasi vdes trupi?
Shih faqet 387-392, te tema «Shpirti».
Mbi ç’bazë mund të shpresojë një njeri se mund të ketë më shumë se ekzistenca e shkurtër e tanishme njerëzore?
Mat. 20:28: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»
Gjoni 3:16: «Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
Hebr. 5:9: «[Jezu Krishti] pasi u bë i përsosur, u bë shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden.» (Shih edhe Gjonin 3:36.)
Si do të realizohen shpresat për jetën në të ardhmen?
Vep. 24:15: «Kam shpresë te Perëndia, shpresë që e kanë edhe këta njerëz, se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Kjo gjë do të përfshijë ata njerëz që i kanë shërbyer me besnikëri Perëndisë në të kaluarën, si edhe një numër të madh njerëzish që nuk kanë ditur aq shumë për Perëndinë e vërtetë, sa të pranonin ose jo udhët e tij.)
Gjoni 11:25, 26: «Jezui i tha [motrës së një burri që më pas e ringjalli]: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë. Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës. A e beson këtë?’» (Pra, përveç shpresës së ringjalljes, Jezui tregoi diçka tjetër për njerëzit që do të jenë gjallë kur t’i vijë fundi botës së sotme të ligë. Ata që kanë shpresën për të jetuar si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë, kanë mundësinë të mbijetojnë dhe të mos vdesin kurrë.)
A ka ndonjë provë në strukturën e trupit të njeriut që tregon se u krijuam për të jetuar përgjithmonë?
Pranohet gjerësisht fakti që kapaciteti i trurit të njeriut e kalon jashtëzakonisht çdo masë që mund ta përdorim gjatë jetës, pavarësisht nëse jetojmë 70 ose madje edhe 100 vjet. Një enciklopedi thotë se truri i njeriut «është i pajisur me një potencial shumë më të madh nga sa mund të përdoret gjatë gjithë jetës së tij». (Encyclopædia Britannica, 1976, vëll. 12, f. 998) Shkencëtari Karl Segan thotë se truri njerëzor mund të mbajë aq informacione, saqë «do të mbushte afërsisht njëzet milionë volume, aq libra sa gjenden në bibliotekat më të mëdha të botës». (Cosmos, 1980, f. 278) Në lidhje me kapacitetin e «sistemit arkivues» të trurit të njeriut, biokimisti Isak Azimov shkroi se është «përsosmërisht në gjendje të mësojë dhe të kujtojë çdo lloj ngarkese me informacione që njerëzit mund të vendosin në të—madje edhe një sasi një miliard herë më të madhe se aq».—The New York Times Magazine, 9 tetor 1966, f. 146. (Pse u pajis truri i njeriut me një kapacitet të tillë, nëse nuk do të përdorej? A nuk është e arsyeshme që njerëzit, të cilët kanë aftësinë të mësojnë pafundësisht, u krijuan në të vërtetë për të jetuar përgjithmonë?)
A ka jetë në planetët e tjerë?
Gazeta The New York Times thotë: «Kërkimet për të gjetur në univers forma jete me aftësi për të arsyetuar . . . filluan para 25 vjetësh . . . Kjo detyrë kolosale, që përfshin vrojtimin e qindra miliarda yjeve, deri tani nuk ka dhënë ndonjë dëshmi të qartë se ekziston jetë jashtë Tokës.»—2 korrik 1984, f. A1.
Një enciklopedi thotë: «Nuk është zbuluar me qartësi asnjë planet [jashtë sistemit tonë diellor]. Por, për çdo planet që mund të ekzistojë jashtë sistemit diellor, ka një mundësi që në të të ketë filluar jeta e të ketë evoluar në një qytetërim të përparuar.» (The Encyclopedia Americana, 1977, vëll. 22, f. 176) (Që nga ajo kohë janë zbuluar shumë planetë jashtë sistemit tonë diellor, por nuk ka asnjë provë që të ketë jetë në ndonjë prej tyre. Megjithatë, siç pasqyrohet në citim, mos ndoshta motivi kryesor në kërkimet tejet të kushtueshme për të gjetur jetë në hapësirë, është dëshira për të gjetur ndonjë provë të teorisë së evolucionit, ndonjë dëshmi se njeriu nuk u krijua nga Perëndia, dhe prandaj nuk duhet t’i japë llogari Atij?)
Bibla thotë se jeta në tokë nuk është e vetmja formë jete. Ka edhe qenie frymore—Perëndia dhe engjëjt—të cilët janë shumë më të lartë se njerëzit për sa i përket aftësisë për të arsyetuar dhe fuqisë. Ata kanë komunikuar tashmë me njerëzit, duke shpjeguar origjinën e jetës dhe se cila është zgjidhja për problemet e stërmëdha që has bota. (Shih temat «Bibla» dhe «Perëndia».)