A e dini?
Ç’donte të thoshte Jezui kur i tha Saulit: «Është e vështirë t’u gjuash me shqelm hostenëve.»—Veprat 26:14.
▪ Në kohët biblike, bujqit përdornin hostenë që t’i drejtonin kafshët për tërheqje gjatë lërimit. Hosteni ishte një shkop me majë, ndoshta 2,5 metra i gjatë. Njëra anë e shkopit kishte një majë të mprehtë metalike. Nëse kafsha i rezistonte hostenit, do të lëndohej vetë. Shpesh, ana tjetër kishte një teh në formë dalte për të hequr nga plori papastërtitë, baltën ose barishtet.
Ndonjëherë, hostenët shërbenin si armë. Shamgari, gjykatës dhe luftëtar izraelit, vrau 600 filistinë «me një hosten qesh».—Gjykatësit 3:31.
Gjithashtu, Shkrimet e përmendin këtë mjet edhe në një kuptim figurativ. Për shembull, mbreti Solomon shkroi se fjalët e një të mençuri janë si «hostenë qesh», që e shtyjnë një shok të marrë një vendim të drejtë.—Eklisiastiu 12:11.
Jezui i ringjallur bëri një përshkrim të ngjashëm. Ai e këshilloi Saulin, një përndjekës të të krishterëve, të mos ‘u gjuante më me shqelm hostenëve’. Kjo shprehje na sjell në mendje një kafshë kokëfortë që i reziston drejtimit të të zotit. Me mençuri, Sauli iu përgjigj këshillës së Jezuit dhe ndryshoi drejtim në jetë, duke u bërë apostulli Pavël.
Si e dinin judenjtë e shekullit të parë sa ishte ora natën?
▪ Judenjtë e shekullit të parë të e.s. mund të përdornin një orë diellore për të përcaktuar orën në një ditë të kthjellët. Gjithsesi, kur retë zinin diellin ose kur nata binte, ata përdornin një klepsidra, orë me ujë. Përveç judenjve, këtë mjet e përdornin edhe egjiptianët, persët, grekët dhe romakët e lashtë.
Sipas një enciklopedie (The Jewish Encyclopedia), si Mishna, ashtu edhe Talmudi e përmendin klepsidrën «me emra të ndryshëm, ndoshta për të dalluar format dhe modelet e ndryshme. Megjithatë, të gjitha nënkuptojnë të njëjtën gjë: rrjedhjen e ngadaltë, fjalë për fjalë vjedhjen e ujit, pikë pas pike, siç është edhe kuptimi i klepsidrës në greqisht».
Si funksiononte klepsidra? Uji rridhte nga një enë në tjetrën nëpërmjet një vrime të vogël në fund. Një vëzhgues mund ta maste orën duke vërejtur nivelin e ujit, qoftë në enën sipër, qoftë në atë poshtë, ku të dyja mund të kishin të shënuara shkallëzime matjeje.
Kampet ushtarake romake përdornin orë të tilla që të përcaktonin ndërresat e natës. Buçima e një trumbete lajmëronte ndryshimin e një ndërrese. Çdokush që dëgjonte trumbetën mund ta kuptonte se kur fillonte dhe mbaronte secila nga katër ndërresat e natës.—Marku 13:35.