Të mësojmë vigjilencën nga apostujt e Jezuit
«Qëndroni vigjilentë bashkë me mua.»—MAT. 26:38.
1-3. Në ç’mënyrë apostujt nuk qëndruan vigjilentë natën e fundit të Jezuit në tokë? Çfarë e tregon se ata mësuan nga gabimi i tyre?
PËRFYTYRO skenën e natës së fundit të Jezuit në tokë. Ai ka ardhur në një nga vendet e tij të preferuara, në kopshtin e Getsemanisë, paksa në lindje të Jerusalemit. Ka ardhur aty me apostujt besnikë. Ngaqë në mendje e në zemër i vërshojnë shumë mendime e ndjenja, Jezui ka nevojë të gjejë një vend të vetmuar që të lutet.—Mat. 26:36; Gjoni 18:1, 2.
2 Tre apostuj—Pjetri, Jakovi dhe Gjoni—e shoqërojnë Jezuin më në brendësi të kopshtit. «Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë bashkë me mua»,—u thotë ai dhe largohet që të lutet. Kur kthehet, i gjen miqtë në gjumë të thellë. U përgjërohet përsëri: «Qëndroni vigjilentë.» Por, ata i zë gjumi edhe dy herë të tjera. Më vonë po atë natë, të gjithë apostujt nuk arrijnë të qëndrojnë zgjuar frymësisht. Ata madje e braktisin Jezuin dhe ia mbathin.—Mat. 26:38, 41, 56.
3 Patjetër, apostujve u erdhi keq që nuk arritën të qëndronin vigjilentë. Ata burra besnikë mësuan shpejt nga gabimi i tyre. Libri biblik i Veprave tregon se ata u bënë një shembull i shkëlqyer se si të qëndrojmë vigjilentë. Shembulli i tyre i besnikërisë duhet të ketë ndikuar te të krishterët e tjerë që të bënin po njësoj. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë të qëndrojmë vigjilentë. (Mat. 24:42) Le të shqyrtojmë tri mësime nga libri i Veprave se si të qëndrojmë vigjilentë.
PRITNIN ME VIGJILENCË DREJTIM SE KU TË PREDIKONIN
4, 5. Si e drejtoi fryma e shenjtë Pavlin dhe shokët e tij të udhëtimit?
4 Pikësëpari, apostujt pritnin me vigjilencë drejtim se ku të predikonin. Në një tregim mësojmë se si Jezui përdori frymën e shenjtë që i vuri në dispozicion Jehovai, për të drejtuar apostullin Pavël dhe shokët e tij gjatë një udhëtimi tejet të pazakontë. (Vep. 2:33) Le të udhëtojmë bashkë me ta.—Lexo Veprat 16:6-10.
5 Pavli, Sila dhe Timoteu kishin lënë pas qytetin e Listrës në jug të Galatisë. Pas disa ditësh, arritën në një rrugë kryesore romake që i çonte në perëndim, për në zonën më të populluar të krahinës së Azisë. Ata donin të merrnin atë rrugë, që të vizitonin qytetet ku mijëra njerëz kishin nevojë të dëgjonin për Krishtin. Por diçka i ndali. Në vargun 6 thuhet: «Ata kaluan përmes Frigjisë dhe Galatisë, sepse fryma e shenjtë ua kishte ndaluar ta thoshin fjalën në krahinën e Azisë.» Në ndonjë mënyrë që s’është treguar, fryma e shenjtë i pengoi ata burra të predikonin në provincën e Azisë. Me sa duket, Jezui—me anë të frymës së Perëndisë—donte ta udhëhiqte Pavlin dhe shokët e tij në një drejtim tjetër.
6, 7. (a) Çfarë i ndodhi Pavlit dhe shokëve të tij pranë Bitinisë? (b) Ç’vendim morën dishepujt dhe me ç’rezultat?
6 Ku shkuan ata burra të zellshëm? Vargu 7 shpjegon: «Si mbërritën në Misi, bënë përpjekje të shkonin në Bitini, por Jezui nëpërmjet frymës nuk i lejoi.» Meqë nuk u lejuan të predikonin në Azi, Pavli dhe shokët e tij u kthyen në drejtim të veriut, që të predikonin në qytetet e Bitinisë. Por, kur iu afruan Bitinisë, përsëri Jezui përdori frymën e shenjtë që t’i pengonte. Burrat duhet të jenë hutuar. Dinin për çfarë të predikonin dhe si të predikonin, por nuk dinin ku të predikonin. Mund ta përmbledhim kështu: kishin trokitur në derën që çonte në Azi, por më kot. Kishin trokitur në derën që çonte në Bitini, por përsëri më kot. A reshtën së trokituri këta predikues të zellshëm? Aspak!
7 Në këtë pikë, burrat morën një vendim që mund të jetë dukur paksa i çuditshëm. Vargu 8 thotë: «Kaluan Misinë dhe zbritën në Troadë.» Pra, ata u kthyen në perëndim dhe ecën rreth 550 kilometra duke anashkaluar qytetet njëri pas tjetrit, derisa mbërritën në portin e Troadës, pikënisja drejt Maqedonisë. Atje për herë të tretë Pavli dhe shokët e tij trokitën në një derë dhe këtë herë ajo u hap e tëra. Vargu 9 raporton se ç’ndodhi më pas: «Gjatë natës, Pavlit iu shfaq në vegim një burrë maqedonas, që rrinte në këmbë dhe i përgjërohej: ‘Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!’» Më në fund Pavli e dinte se ku të predikonte. Pa vonesë, burrat i hipën anijes për në Maqedoni.
8, 9. Ç’mund të mësojmë nga tregimi për udhëtimin e Pavlit?
8 Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim? Vër re që fryma e Perëndisë ndërhyri vetëm pasi Pavli u nis për në Azi. Pastaj, Jezui ndërhyri vetëm pasi Pavli iu afrua Bitinisë. Dhe, së fundi, Jezui e drejtoi Pavlin për në Maqedoni vetëm pasi ai mbërriti në Troadë. Si Kreu i kongregacionit, Jezui mund të veprojë në mënyrë të ngjashme me ne. (Kolos. 1:18) Për shembull, ndoshta mendon të shërbesh si pionier ose të transferohesh në një zonë ku ka më shumë nevojë. Por, mbase Jezui do të të drejtojë me anë të frymës së Perëndisë vetëm pasi të ndërmarrësh hapat për ta arritur synimin tënd. Të bëjmë një ilustrim: një shofer mund ta drejtojë makinën majtas ose djathtas, por vetëm po të jetë në lëvizje. Po kështu, Jezui mund të na drejtojë që të zgjerojmë shërbimin, por vetëm nëse jemi në lëvizje, pra, nëse po bëjmë përpjekje për ta arritur synimin tonë.
9 Po sikur përpjekjet e tua të mos sjellin menjëherë fryt? A duhet të dorëzohesh me mendimin se fryma e Perëndisë nuk po të drejton? Mirë pra, kujto që edhe Pavli hasi pengesa. Megjithatë, vazhdoi të kërkonte dhe të trokiste derisa gjeti një derë që u hap. Po kështu, nëse ngulmon duke kërkuar ‘një derë të gjerë që çon në aktivitet’, mund të shpërblehesh edhe ti.—1 Kor. 16:9.
VIGJILENTË NË LIDHJE ME LUTJET
10. Çfarë e tregon se për të qëndruar vigjilentë duhet të lutemi vazhdimisht?
10 Të shqyrtojmë tani një mësim të dytë për vigjilencën që mund të nxjerrim nga vëllezërit e krishterë në shekullin e parë: ata ishin vigjilentë në lidhje me lutjet. (1 Pjet. 4:7) Ngulmimi në lutje është thelbësor që të qëndrojmë vigjilentë. Kujto se në kopshtin e Getsemanisë, pak para arrestimit, Jezui u tha tre apostujve: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht.»—Mat. 26:41.
11, 12. Pse dhe si i keqtrajtoi Herodi të krishterët, përfshirë edhe Pjetrin?
11 Pjetri, i cili ishte i pranishëm në atë rast, më vonë e përjetoi vetë fuqinë e lutjeve të zjarrta. (Lexo Veprat 12:1-6.) Në vargjet hapëse të këtij tregimi mësojmë se Herodi i keqtrajtoi të krishterët që të kishte pëlqimin e judenjve. Ai duhet ta dinte se Jakovi ishte një apostull që kishte qenë mjaft i lidhur me Jezuin. Prandaj, Herodi dha urdhër që Jakovi të vritej «me shpatë». (Vargu 2) Kështu kongregacioni humbi një apostull të shtrenjtë. Ç’sprovë për vëllezërit!
12 Çfarë bëri më tej Herodi? Vargu 3 shpjegon: «Kur pa se kjo u pëlqente judenjve, arrestoi edhe Pjetrin.» Por jo gjithnjë burgjet kishin arritur t’i mbanin kyçur apostujt, përfshirë edhe Pjetrin. (Vep. 5:17-20) Herodi mund ta ketë ditur fare mirë këtë. Ky politikan dinak i mori mirë masat. Ai ua dorëzoi Pjetrin «katër skuadrave me nga katër ushtarë secila, që ta ruanin me turne, pasi kishte ndër mend që pas pashkës ta nxirrte para popullit». (Vargu 4) Imagjino! Herodi kishte urdhëruar që Pjetri të lidhej me zinxhirë mes dy rojave dhe 16 roja punonin me turne ditë e natë për t’u siguruar që ky apostull të mos arratisej. Herodi kishte ndër mend që pas Pashkës ta nxirrte Pjetrin para popullit. Dënimi me vdekje do të ishte një dhuratë për të kënaqur turmat. Çfarë mund të bënin vëllezërit në këto rrethana të tmerrshme?
13, 14. (a) Si reagoi kongregacioni kur Pjetrin e burgosën? (b) Ç’mund të mësojmë nga shembulli që lanë vëllezërit në atë rast në lidhje me lutjet?
13 Kongregacioni e dinte fare mirë çfarë të bënte. Në vargun 5 lexojmë: «Kështu, Pjetri po mbahej në burg, ndërsa kongregacioni i lutej me zjarr Perëndisë për të.» Po, lutjet për vëllanë e tyre të shtrenjtë ishin përgjërime të zjarrta e të përzemërta. Pra, vdekja e Jakovit nuk i kishte zhytur në dëshpërim dhe as kishte bërë që t’i shihnin lutjet si të paefektshme. Përkundrazi, ata e dinin se lutjet e adhuruesve besnikë janë shumë të rëndësishme për Jehovain. Nëse këto lutje janë në përputhje me vullnetin e tij, ai u përgjigjet.—Hebr. 13:18, 19; Jak. 5:16.
14 Çfarë mund të mësojmë nga reagimi i vëllezërve në rastin e Pjetrit? Për të qëndruar vigjilentë duhet të lutemi jo vetëm për veten, por edhe për vëllezërit e motrat tona. (Efes. 6:18) A njeh bashkëbesimtarë që po heqin telashe? Ndoshta disa po vuajnë nga përndjekja, ndalimet qeveritare ose katastrofat natyrore. Pse të mos lutesh për ta nga zemra? Mbase njeh të tjerë që po kalojnë vështirësi më pak të dukshme. Ndoshta po përballojnë probleme familjare, shkurajim ose shëndet të dobët. Pse të mos mendosh për individë specifikë që mund të përmendësh me emër ndërsa i flet Jehovait, ‘Dëgjuesit të lutjes’?—Psal. 65:2.
15, 16. (a) Përshkruaj se si engjëlli i Jehovait e çliroi Pjetrin nga burgu. (Shih figurën më poshtë.) (b) Pse ngushëllohemi kur mendojmë për mënyrën si e shpëtoi Pjetrin Jehovai?
15 Por, si shkuan gjërat për Pjetrin? Natën e tij të fundit në burg, ndërsa po bënte një gjumë të thellë mes dy rojave, Pjetrit i ndodhën një sërë ngjarjesh mahnitëse. (Lexo Veprat 12:7-11.) Imagjino se ç’ndodhi: papritur, qelinë e tij e ndriçoi një dritë e fortë. Aty erdhi një engjëll, të cilin me sa duket rojat nuk e shihnin, dhe e zgjoi me nxitim Pjetrin. Sakaq zinxhirët i ranë nga duart. Atëherë engjëlli e nxori Pjetrin nga qelia, duke kaluar mu pranë rojave që qëndronin jashtë, pastaj nga porta e rëndë prej hekuri që u hap «vetë». Kur ishin jashtë burgut, engjëlli u zhduk dhe Pjetri ishte i lirë.
16 A nuk na forcohet besimi kur mendojmë rreth fuqisë së Jehovait për të shpëtuar shërbëtorët e vet? Natyrisht, në këtë kohë ne nuk presim që Jehovai të na çlirojë me anë të një mrekullie. Megjithatë, kemi besim të plotë se ai e përdor fuqinë në dobi të popullit të tij sot. (2 Kron. 16:9) Me anë të frymës së shenjtë e të fuqishme, ai mund të na aftësojë të përballojmë çfarëdolloj sprove që hasim. (2 Kor. 4:7; 2 Pjet. 2:9) Dhe së shpejti Jehovai do t’i japë fuqi Birit të tij që të çlirojë miliona e miliona njerëz nga burgu më i pamëshirshëm, vdekja. (Gjoni 5:28, 29) Besimi ynë te premtimet e Perëndisë mund të na japë guxim të jashtëzakonshëm kur hasim sprova sot.
JEPNIN DËSHMI TË PLOTË PAVARËSISHT NGA PENGESAT
17. Si la Pavli një shembull të shkëlqyer duke predikuar me zell dhe urgjencë?
17 Të shohim mësimin e tretë për vigjilencën që nxjerrim nga apostujt: ata vazhduan të jepnin dëshmi të plotë pavarësisht nga pengesat. Që të qëndrojmë vigjilentë, është jetësore të predikojmë me zell dhe urgjencë. Apostulli Pavël ishte një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim. Ai përpiqej me zell, duke udhëtuar ngado e duke themeluar shumë kongregacione. Hasi mjaft vështirësi, megjithatë nuk e humbi kurrë zellin ose ndjenjën e urgjencës.—2 Kor. 11:23-29.
18. Si vazhdoi të jepte dëshmi Pavli kur ishte në arrest në Romë?
18 Të shqyrtojmë herën e fundit ku përmendet Pavli në librin e Veprave, siç është dokumentuar te kapitulli i 28-të. Pavli mbërriti në Romë, ku duhej të dilte para Neronit. Atë e mbanin në arrest, ndoshta të lidhur me zinxhir me rojën e tij. Por asnjë zinxhir nuk e bënte dot të heshtte apostullin e zellshëm. Pavli vazhdoi të gjente mënyra për të dhënë dëshmi. (Lexo Veprat 28:17, 23, 24.) Pas tri ditësh mblodhi të parët e judenjve që t’u jepte dëshmi. Pastaj caktuan një ditë dhe ai u dha një dëshmi edhe më të plotë. Vargu 23 thotë: «Si lanë një ditë me të [judenjtë e atij vendi], shkuan edhe më shumë njerëz atje ku rrinte. Nga mëngjesi deri në mbrëmje, ai ua shpjegoi çështjen, duke u dhënë dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë dhe duke përdorur argumentime bindëse për Jezuin, si nga ligji i Moisiut, edhe nga Profetët.»
19, 20. (a) Pse ishte e efektshme dëshmia që dha Pavli? (b) Si reagoi Pavli kur nuk e pranuan të gjithë lajmin e mirë?
19 Pse ishte kaq e efektshme dëshmia që dha Pavli? Vargu 23 thekson disa arsye. (1) Ai u përqendrua te Mbretëria e Perëndisë dhe te Jezu Krishti. (2) U përpoq t’i tërhiqte dëgjuesit «duke përdorur argumentime bindëse». (3) Arsyetoi nga Shkrimet. (4) U tregua altruist duke dhënë dëshmi «nga mëngjesi deri në mbrëmje». Pavli dha një dëshmi të fuqishme, por jo të gjithë reaguan mirë. Vargu 24 thotë: «Disa nisën t’i besonin ato që u thoshte, të tjerë nuk i besonin.» Kjo solli fërkime dhe ata u larguan.
20 A u shkurajua Pavli ngaqë nuk e pranuan të gjithë lajmin e mirë? Aspak! Te Veprat 28:30, 31 thuhet: «Ai qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste me dashamirësi të gjithë ata që shkonin tek ai. Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte me shumë lirshmëri fjale, pa asnjë pengesë, gjërat për Zotërinë Jezu Krisht.» Me këto fjalë mjaft të ngrohta mbyllet libri i frymëzuar i Veprave.
21. Ç’mësojmë nga shembulli i Pavlit kur ishte në arrest shtëpie?
21 Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit? Kur ishte në arrest shtëpie, ai s’ishte i lirë të dëshmonte shtëpi më shtëpi. Gjithsesi, mbajti një këndvështrim pozitiv, duke u dëshmuar të gjithë atyre që shkonin tek ai. Po kështu, shumë shërbëtorë të Perëndisë sot e ruajnë gëzimin dhe vazhdojnë të predikojnë, pavarësisht se janë burgosur padrejtësisht për shkak të besimit. Disa nga motrat dhe vëllezërit tanë të çmuar s’dalin dot nga shtëpia e ndoshta jetojnë në azil ngaqë janë të moshuar ose të sëmurë. Për aq sa munden, u predikojnë mjekëve, personelit, vizitorëve e të tjerëve që shkojnë tek ata. Dëshirojnë me gjithë zemër të japin dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë. Sa e çmojmë shembullin që lënë!
22. (a) Cili mjet po na ndihmon të nxjerrim dobi nga libri biblik i Veprave? (Shih kutinë sipër.) (b) Çfarë je i vendosur të bësh teksa pret fundin e këtij sistemi të vjetër?
22 Qartë, kemi shumë për të mësuar nga vigjilenca e apostujve dhe e të krishterëve të tjerë në shekullin e parë që përmenden në librin biblik të Veprave. Teksa presim fundin e këtij sistemi të vjetër, le të jemi të vendosur t’i imitojmë ata të krishterë të shekullit të parë duke dhënë dëshmi me guxim e zell. Nuk ka privilegj më të madh se sa ‘të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë.—Vep. 28:23.
[Kutia në faqen 13]
«PËR MUA LIBRI I VEPRAVE S’DO TË JETË MË KURRË SI MË PARË»
Pasi lexoi librin ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë, një mbikëqyrës udhëtues u shpreh: «Për mua libri i Veprave s’do të jetë më kurrë si më parë. Kam ‘ecur’ shpesh nëpër tregimet e Veprave, por më dukej sikur po mbaja një qiri dhe kisha syze të ndotura. Tani kam bekimin të shoh madhështinë e këtij libri biblik nën dritën e diellit.»
[Figura në faqen 12]
Një engjëll e nxori Pjetrin nga porta e rëndë prej hekuri