KAPITULLI 26
Një Perëndi që është ‘gati të falë’
1-3. (a) Cilën peshë të rëndë mbante psalmisti David dhe si gjeti ngushëllim për zemrën e tij të trazuar? (b) Çfarë peshe mund të mbajmë kur mëkatojmë, por për çfarë na siguron Jehovai?
«GABIMET e mia më kanë kaluar mbi kokë,—shkroi psalmisti David.—Si një ngarkesë e rëndë, ato janë shumë të rënda për mua. Jam mpirë e dërrmuar sa s’ka ku të vejë më.» (Psalmi 38:4, 8) Davidi e dinte sa shumë mund të rëndojë një ndërgjegje fajtore. Por gjeti ngushëllim për zemrën e tij të trazuar. E kuptoi se ndonëse Jehovai urren mëkatin, nuk urren mëkatarin, në rast se ky është vërtet i penduar dhe hedh poshtë rrugën e tij mëkatare. Me besim të plotë në gatishmërinë e Jehovait për t’u treguar mëshirë të penduarve, Davidi tha: «Ti, o Jehova, je . . . gati të falësh.»—Psalmi 86:5.
2 Kur mëkatojmë, edhe ne mund të na rëndojë mbi supe pesha dërrmuese e një ndërgjegjeje që na vret. Kjo ndjenjë e brejtjes së ndërgjegjes është e dobishme, pasi mund të na nxitë që të bëjmë hapa pozitivë për të ndrequr gabimet që kemi bërë. Por, ama, ekziston edhe rreziku që ndjenja e fajit të na mbytë fare. Zemra jonë, duke dënuar vetveten, mund të ngulë këmbë se Jehovai nuk do të na falë, pavarësisht se sa të penduar jemi. Në qoftë se na ‘përpin’ faji, Satanai mund të përpiqet të na bëjë që të dorëzohemi, të mendojmë se Jehovai na sheh si të pavlerë, jo të përshtatshëm për t’i shërbyer atij.—2 Korintasve 2:5-11.
3 A i sheh Jehovai gjërat në këtë mënyrë? Aspak! Falja është një nga karakteristikat e dashurisë së madhe të Jehovait. Në Fjalën e tij, ai na siguron se kur shfaqim pendim të vërtetë e të thellë, është gati të na falë. (Proverbat 28:13) Që falja e Jehovait të mos na duket kurrë e paarritshme, le të shqyrtojmë përse dhe si fal ai.
Pse Jehovai është ‘gati të falë’?
4. Çfarë nuk harron Jehovai për natyrën tonë dhe si ndikon kjo në mënyrën si na trajton?
4 Jehovai është i vetëdijshëm për kufizimet tona. «Ai e di mirë se si jemi formuar dhe nuk harron se jemi pluhur»,—thuhet te Psalmi 103:14. Ai nuk e harron se jemi krijesa të bëra nga pluhuri dhe kemi mangësi ose dobësi si pasojë e papërsosmërisë. Kur lexojmë që ai e di «si jemi formuar», kjo na kujton se Bibla e krahason Jehovain me një poçar dhe ne me enët prej argjile që bën ky poçar.a (Jeremia 18:2-6) Poçari i Madh e përshtat mënyrën si na trajton sipas brishtësisë së natyrës sonë mëkatare dhe sipas reagimit tonë ndaj udhëheqjes së tij.
5. Si e përshkruan libri i Romakëve darën e fuqishme të mëkatit?
5 Jehovai e kupton se sa i fuqishëm është mëkati. Në Fjalën e tij mëkati përshkruhet si një forcë e fuqishme që e ka mbërthyer njeriun në darën e vet vdekjeprurëse. Por, sa e fortë është saktësisht kjo darë? Në librin e Romakëve, apostulli Pavël shpjegon: ne jemi «nën mëkat», ashtu si ushtarët janë nën komandantin e tyre (Romakëve 3:9); mëkati ka ‘sunduar’ mbi njerëzimin si mbret (Romakëve 5:21); ai «banon» brenda nesh (Romakëve 7:17, 20); ‘ligji’ i tij vepron vazhdimisht te ne, duke u përpjekur që të na kontrollojë jetën. (Romakëve 7:23, 25) Sa fort e ka mbërthyer mëkati trupin tonë të papërsosur!—Romakëve 7:21, 24.
6, 7. (a) Si i sheh Jehovai ata që i kërkojnë mëshirë me zemër të penduar? (b) Pse nuk duhet të abuzojmë me mëshirën e Perëndisë?
6 Prandaj Jehovai e di se e kemi të pamundur t’i bindemi me përsosmëri, pavarësisht se sa shumë mund ta dëshirojmë. Me dashuri na siguron se, kur i kërkojmë mëshirë me zemër të penduar, ai na fal. Te Psalmi 51:17 thuhet: «Flijimet që i bëhen Perëndisë janë një frymë e vrarë; zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» Jehovai kurrë nuk do ta hedhë poshtë ose ta largojë një zemër që është ‘e vrarë dhe e dërrmuar’ nga pesha e fajit.
7 Por, a do të thotë kjo se mund të abuzojmë me mëshirën e Perëndisë, duke e përdorur natyrën tonë mëkatare si justifikim për të mëkatuar? Sigurisht që jo. Jehovai nuk ndikohet nga sentimentalizmi. Mëshira e tij ka kufi. Ai nuk do t’i falë kurrsesi ata që me zemër të ngurtësuar praktikojnë me dashje mëkatin, pa treguar kurrfarë pendimi. (Hebrenjve 10:26) Nga ana tjetër, kur ai sheh një zemër të penduar, është gati të falë. Le të shqyrtojmë tani disa nga shprehjet e gjalla që përdor Bibla për të përshkruar këtë karakteristikë të mrekullueshme të dashurisë së Jehovait.
Sa e plotë është falja e Jehovait?
8. Çfarë bën në të vërtetë Jehovai kur fal mëkatet tona dhe çfarë sigurie na jep kjo?
8 I penduar, Davidi tha: «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim dhe nuk e mbulova gabimin tim. . . . Ti vetë e fale ligësinë e mëkateve të mia.» (Psalmi 32:5) Termi «e fale» është përkthimi i një fjale hebraike që në thelb do të thotë «të ngresh» ose «të mbartësh». Përdorimi i saj këtu nënkupton të heqësh «fajin, mëkatin, shkeljen». Pra, si të thuash, Jehovai i ngriti mëkatet e Davidit dhe i mbarti për t’i hequr tutje. Kjo pa dyshim ia lehtësoi Davidit ndjenjat e fajit që e kishin pushtuar. (Psalmi 32:3) Edhe ne mund të kemi siguri të plotë te ky Perëndi që u heq mëkatet atyre që i kërkojnë falje në bazë të besimit që kanë në flijimin shpërblyes të Jezuit.—Mateu 20:28.
9. Sa larg nesh i çon Jehovai mëkatet tona?
9 Davidi përdori një tjetër shprehje të gjallë për të përshkruar faljen e Jehovait: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.» (Kursivi është yni; Psalmi 103:12, Dio) Sa larg është lindja nga perëndimi? Në njëfarë kuptimi lindjen e ndan nga perëndimi largësia më e madhe që mund të përfytyrohet. Këto dy pika s’mund të takohen kurrë. Një studiues komenton se kjo shprehje nënkupton «sa më larg që është e mundur, sa më larg që mund ta përfytyrojmë». Fjalët e frymëzuara të Davidit na thonë se kur Jehovai fal, i çon mëkatet tona larg nesh, sa më larg që mund ta përfytyrojmë.
10. Kur Jehovai na i fal mëkatet, pse nuk duhet të mendojmë se do ta mbajmë për gjithë jetën njollën e këtyre mëkateve?
10 A je përpjekur ndonjëherë të heqësh një njollë nga ndonjë veshje me ngjyrë të çelur? Ndoshta, edhe pse ke bërë çmos, njolla dukej ende. Vër re si e përshkruan Jehovai aftësinë e tij për të falur: «Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë si e kuqe e ndezur, ato do të bëhen të bardha si bora; edhe sikur të jenë të kuqe si stof kërmëzi, do të bëhen si leshi.»b (Isaia 1:18) «Kërmëzi» ishte një ngjyrë e kuqe e errët, nga më të fortat, që përdorej për të ngjyer materiale. (Nahumi 2:3) Vetëm me përpjekjet tona s’e heqim dot kurrë njollën e mëkatit. Por Jehovai mund t’i marrë mëkatet që janë si ngjyra e kuqe e ndezur ose si kërmëz dhe t’i bëjë të bardha si bora ose si leshi i palyer. Kur Jehovai na i fal mëkatet, nuk duhet të mendojmë se do ta mbajmë për gjithë jetën njollën e këtyre mëkateve.
11. Në cilin kuptim Jehovai i hedh pas shpine mëkatet tona?
11 Në një këngë mirënjohjeje që të prek thellë, të cilën e kompozoi pasi u shërua nga një sëmundje vdekjeprurëse, Hezekia i tha Jehovait: «Ti i ke hedhur pas shpine të gjitha mëkatet e mia.» (Isaia 38:17) Këtu Jehovai portretizohet sikur i merr mëkatet e një keqbërësi të penduar dhe i hedh pas shpine, ku as i sheh e as i merr më parasysh. Sipas një burimi, ideja e përcjellë në këtë varg mund të shprehet edhe: «I ke bërë [mëkatet e mia] sikur të mos kishin ndodhur.» A nuk është qetësuese kjo?
12. Si e tregon profeti Mikea se kur Jehovai fal, i heq një herë e mirë mëkatet tona?
12 Në një premtim të rivendosjes, profeti Mikea shprehu bindjen e tij se Jehovai do ta falte popullin e Tij të penduar: «Kush është një Perëndi si ti, . . . që lë të kalojë shkeljen që ka bërë mbetja e trashëgimisë së tij? . . . E ti do t’i hedhësh në thellësitë e detit të gjitha mëkatet e tyre.» (Mikea 7:18, 19) Mendo pak se çfarë nënkuptonin këto fjalë për ata që jetonin në kohët biblike. A kishte ndonjë mundësi për ta marrë prapë diçka që ishte hedhur «në thellësitë e detit»? Kështu, fjalët e Mikeas tregojnë se kur Jehovai fal, i heq një herë e mirë mëkatet tona.
13. Cila është domethënia e fjalëve të Jezuit «na i fal borxhet tona»?
13 Për të ilustruar faljen e Jehovait, Jezui përdori marrëdhënien ndërmjet huadhënësve dhe huamarrësve ose borxhlinjve. Jezui na nxiti të lutemi: «Na i fal borxhet tona.» (Mateu 6:12) Kështu, Jezui i krahasoi mëkatet me borxhe. (Luka 11:4) Kur mëkatojmë bëhemi ‘borxhlinj’ ndaj Jehovait. Për sa i përket domethënies së foljes greke të përkthyer «fal», një vepër referimi thotë: «Të braktisësh ose të heqësh dorë nga një borxh, duke mos e kërkuar më.» Në njëfarë kuptimi, kur Jehovai fal, ai e fshin borxhin që përndryshe do të vihej në llogarinë tonë. Prandaj mëkatarët e penduar mund të gjejnë ngushëllim. Jehovai nuk do të kërkojë kurrë t’i paguhet një borxh që e ka fshirë!—Psalmi 32:1, 2.
14. Cilin përfytyrim krijon shprehja «të fshihen mëkatet tuaja»?
14 Falja e Jehovait përshkruhet më tej te Veprat 3:19, ku thuhet: «Prandaj, pendohuni dhe kthehuni që të fshihen mëkatet tuaja.» Kjo frazë e fundit është përkthimi i një foljeje greke që mund të ketë kuptimin «shuaj, . . . fshij ose shkatërroj». Sipas disa studiuesve, figura letrare e përdorur shpreh idenë e fshirjes me gomë të shkrimit të dorës. Si bëhej kjo? Boja që përdorej në përgjithësi në kohët e lashta përbëhej nga një përzierje që përfshinte karbon, rrëshirë dhe ujë. Jo shumë kohë pasi kishte shkruar me këtë bojë, një njeri mund të merrte një sfungjer të lagur dhe ta fshinte atë që kishte shkruar. Ky është një përshkrim i bukur i mëshirës së Jehovait. Kur na i fal mëkatet, është sikur ai merr një sfungjer dhe i fshin ato.
Jehovai do që ne të dimë se është ‘gati të falë’
15. Çfarë dëshiron Jehovai që të dimë për të?
15 Kur meditojmë për këto ilustrime të ndryshme, a nuk është e qartë se Jehovai dëshiron të dimë që ai vërtet është gati të na i falë mëkatet, për sa kohë që e sheh se jemi penduar sinqerisht? Nuk duhet të kemi frikë se mos ai do të lërë që këto mëkate të ndikojnë për keq në marrëdhënien tonë me të në të ardhmen. Kjo duket nga diçka tjetër që zbulon Bibla për mëshirën e madhe të Jehovait: kur fal, ai harron.
«Nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre»
16, 17. Çfarë nënkupton Bibla kur thotë se Jehovai i harron mëkatet tona, dhe pse përgjigjesh kështu?
16 Për ata që do të ishin në besëlidhjen e re Jehovai premtoi: «Do ta fal gabimin e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.» (Jeremia 31:34) A do të thotë kjo se kur Jehovai fal, nuk është në gjendje t’i kujtojë më mëkatet? S’mund të jetë kështu. Bibla na tregon për mëkatet e shumë individëve të cilët Jehovai i fali, përfshirë këtu edhe Davidin. (2 Samuelit 11:1-17; 12:13) Sigurisht që Jehovai është ende në dijeni të gabimeve që bënë ata. Mëkatet e tyre, pendimi i tyre dhe falja e Perëndisë janë dokumentuar për dobinë tonë. (Romakëve 15:4) Atëherë, çfarë nënkupton Bibla kur thotë se Jehovai nuk i ‘kujton’ mëkatet e atyre që fal?
17 Folja hebraike e përkthyer «do të kujtoj» përfshin më shumë sesa thjesht të sjellësh ndër mend të kaluarën. Fjalori Theological Wordbook of the Old Testament komenton se kjo folje përfshin «një hap të mëtejshëm, domethënë ndërmarrjen e veprimeve të duhura». Prandaj, në këtë kuptim, ‘të kujtosh’ mëkatin përfshin të ndërmarrësh veprime kundër mëkatarëve. (Hozea 9:9) Por, kur Perëndia thotë «nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre», po na siguron se pasi i fal mëkatarët e penduar, nuk do të veprojë kundër tyre në të ardhmen për shkak të këtyre mëkateve. (Ezekieli 18:21, 22) Prandaj Jehovai harron në kuptimin që nuk na i nxjerr në pah gjithnjë e përsëri mëkatet tona për të na akuzuar ose për të na ndëshkuar vazhdimisht. A nuk është ngushëlluese të dimë se Perëndia ynë fal dhe harron?
Po pasojat?
18. Pse falja nuk nënkupton që një mëkatar i penduar është i përjashtuar nga të gjitha pasojat e drejtimit të tij të gabuar?
18 A nënkupton gatishmëria e Jehovait për të falur se mëkatari i penduar përjashtohet nga të gjitha pasojat e drejtimit të gabuar që kishte marrë? Jo. Nuk mund të mëkatojmë e ta hedhim lumin pa u lagur. Pavli shkroi: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Mund të hasim disa pasoja të veprimeve tona. Kjo nuk do të thotë se, pasi na ka falur, Jehovai na shkakton vështirësi. Kur lindin probleme, i krishteri nuk duhet të mendojë: ‘Ndoshta Jehovai po më ndëshkon për mëkatet që kam bërë në të kaluarën.’ (Jakovit 1:13) Nga ana tjetër, Jehovai nuk na mbron nga të gjitha pasojat e veprimeve tona të gabuara. Divorci, shtatzënia e padëshiruar, sëmundjet e transmetuara me rrugë seksuale, humbja e besimit ose e respektit të të tjerëve, që të gjitha këto mund të jenë pasoja të trishtueshme e të pashmangshme të mëkatit. Sill ndër mend se edhe pasi e fali Davidin për mëkatin e tij në lidhje me Betshebën dhe Uriahun, Jehovai nuk e mbrojti nga pasojat shkatërrimtare që erdhën.—2 Samuelit 12:9-12.
19-21. (a) Si i sillte dobi edhe viktimës, edhe fajtorit ligji i dokumentuar te Levitiku 6:1-7? (b) Në qoftë se me mëkatet tona kemi lënduar njerëz të tjerë, me çfarë veprimesh kënaqet Jehovai?
19 Mëkatet tona mund të kenë edhe pasoja të tjera, sidomos nëse me veprimet tona kemi lënduar njerëz të tjerë. Shqyrto, për shembull, tregimin në kapitullin 6 të Levitikut. Këtu Ligji i Moisiut flet për një situatë ku një njeri kryen një faj të rëndë, duke ia marrë të mirat materiale një izraeliti tjetër me anë të grabitjes, të zhvatjes ose të mashtrimit. Pastaj mëkatari e mohon se është fajtor, duke qenë kaq guximtar sa të bëjë be të rreme. Kemi vetëm fjalën e një njeriu kundër një tjetri. Por më vonë mëkatarin e bren ndërgjegjja dhe e rrëfen mëkatin e tij. Për të marrë falje nga Perëndia, ai duhet të bëjë edhe tri gjëra të tjera: të kthejë atë që ka marrë, t’i paguajë viktimës një dëmshpërblim prej 20 për qind të vlerës së sendeve të vjedhura dhe të japë një dash si blatim për fajin. Më tej ligji thotë: «Prifti duhet të bëjë shlyerjen për të para Jehovait e kështu ai duhet të falet.»—Levitiku 6:1-7.
20 Ky ligj ishte një masë e mëshirshme nga ana e Perëndisë. I sillte dobi viktimës, së cilës i kthehej prona dhe që pa dyshim ndihej shumë e lehtësuar kur më në fund mëkatari e pranonte mëkatin e tij. Në të njëjtën kohë, ligji i sillte dobi atij që më në fund ndërgjegjja e shtynte të pranonte fajin e të ndreqte gabimin që kishte bërë. Në të vërtetë, po të mos e bënte këtë, nuk do të merrte falje nga Perëndia.
21 Ndonëse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, ky Ligj na ndihmon të njohim më thellë se si mendon Jehovai, duke përfshirë edhe se çfarë mendon ai për faljen. (Kolosianëve 2:13, 14) Në qoftë se me mëkatet tona kemi lënduar të tjerë, Perëndia kënaqet kur bëjmë ç’të mundemi për ta ndrequr gabimin. (Mateu 5:23, 24) Kjo mund të përfshijë të pranojmë mëkatin ose fajin tonë, e madje t’i kërkojmë falje viktimës. Pastaj mund t’i lutemi Jehovait në bazë të flijimit të Jezuit dhe kështu të kemi sigurinë se Perëndia na ka falur.—Hebrenjve 10:21, 22.
22. Me çfarë mund të shoqërohet falja e Jehovait?
22 Si çdo prind i dashur, Jehovai mund ta shoqërojë faljen me një masë disipline. (Proverbat 3:11, 12) Një të krishteri të penduar mund t’i duhet të heqë dorë nga privilegji për të shërbyer si plak, shërbëtor ndihmës ose ungjillëzues në kohë të plotë. Për këtë person mund të jetë e dhembshme të humbë për njëfarë periudhe privilegje që i çmonte shumë. Por kjo disiplinë nuk nënkupton se Jehovai s’e ka falur. Duhet të mbajmë në mend se disiplina që vjen nga Jehovai është provë e dashurisë së tij për ne. Është për të mirën tonë ta pranojmë e ta ndjekim këtë disiplinë.—Hebrenjve 12:5-11.
23. Pse nuk duhet të nxjerrim kurrë përfundimin se Jehovai s’mund të na tregojë mëshirë dhe pse duhet të imitojmë faljen e tij?
23 Sa lehtësohemi duke ditur se Perëndia ynë është ‘gati të falë’! Pavarësisht nga gabimet që mund të kemi bërë, nuk duhet të nxjerrim kurrë përfundimin se Jehovai s’mund të na tregojë mëshirë. Në qoftë se pendohemi vërtet, ndërmarrim hapa për të ndrequr gabimin dhe lutemi me zjarr për falje në bazë të gjakut të derdhur të Jezuit, mund të kemi besim të plotë se Jehovai do të na falë. (1 Gjonit 1:9) Le të imitojmë faljen e tij në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Fundja, në qoftë se Jehovai, i cili nuk mëkaton, mund të na falë me kaq dashuri, a nuk duhet që ne, njerëzit mëkatarë, të bëjmë çmos për të falur njëri-tjetrin?
a Fjala hebraike e përkthyer «si jemi formuar» përdoret edhe për enët prej argjile që bën poçari.—Isaia 29:16.
b Një studiues thotë se ngjyra e kuqe e ndezur «ishte një ngjyrë që nuk zbehej ose nuk dilte. As vesa, as shiu, as larja, as përdorimi i zgjatur nuk mund ta hiqte.»