Ardhja e Krishtit: Çfarë do të realizojë?
«TERROR NË SAN-PAULO.» Kështu i përshkroi revista Veja katër ditët e majit 2006, kur krimi i organizuar «gjunjëzoi» qytetin më të madh e më të pasur të Brazilit. Pas «më shumë se 100 orëve të terrorit», ishin vrarë rreth 150 forca të rendit, kriminelë dhe qytetarë të thjeshtë.
Pothuajse në çdo cep të tokës, titujt kryesorë të lajmeve flasin për dhunën. Udhëheqësit njerëzorë duken të paaftë ta ndalin atë. Bota po bëhet një vend gjithnjë e më i rrezikshëm për jetën. Ndoshta ndihesh i shkurajuar pasi ngado që hedh sytë, ka veç lajme të këqija. Megjithatë është afër koha kur do të ndodhë një ndryshim.
Jezui i mësoi ithtarët e tij të luteshin që të vinte Mbretëria e Perëndisë dhe të bëhej vullneti i Tij «si në qiell, edhe në tokë». (Mateu 6:9, 10) Kjo Mbretëri është një qeveri që ka në krye Jezu Krishtin, Mbretin e caktuar nga Perëndia. Mbretëria do të zgjidhë tërë problemet e njerëzimit. Por që Mbretëria e Perëndisë të sjellë ndryshime në tokë, duhet që së pari sundimi njerëzor të zëvendësohet nga sundimi i Krishtit. Pikërisht këtë do të realizojë ardhja e Krishtit.
A do të jetë një ndryshim paqësor?
A do t’i nënshtrohen kombet në mënyrë paqësore sundimit të Krishtit? Apostullit Gjon iu dha një vegim që na jep përgjigjen. Gjoni tregon: «Pashë bishën [sistemin politik botëror], mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre të mbledhura së bashku për të luftuar kundër atij [Jezuit] që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij.» (Zbulesa 19:19) Çfarë do të ndodhë me mbretërit e tokës në këtë luftë? Bibla thotë se Mbreti i emëruar nga Jehovai ‘do t’i copëtojë me një skeptër të hekurt e do t’i bëjë copë e çikë si të ishin enë poçari’. (Psalmi 2:9) Sistemi politik do të shkatërrohet krejtësisht. Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha . . . mbretërive [njerëzore], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».—Danieli 2:44.
Ç’do të ndodhë me njerëzit që i kundërvihen Mbretërisë së Perëndisë? «Kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu tok me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, . . . do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë.» (2 Selanikasve 1:7, 8) «Të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj»,—thuhet te Proverbat 2:22.
Në Bibël thuhen këto fjalë për ardhjen e Krishtit: «Ja, ai po vjen me retë dhe do ta shohë çdo sy.» (Zbulesa 1:7) Njerëzit nuk do ta shohin me sytë e mirëfilltë. Që prej ngjitjes në qiell, Jezui është një person frymor «që banon në dritë të paafrueshme, të cilin nuk e ka parë askush e as që mund ta shohë».—1 Timoteut 6:16.
Jezui nuk ka nevojë të marrë trup njeriu që ‘ta shohin’ banorët e tokës, ashtu si Jehovai nuk kishte nevojë të vepronte kështu kur solli Dhjetë Plagët mbi egjiptianët në kohën e Moisiut. Njerëzit në atë kohë nuk kishin asnjë dyshim se plagët po i shkaktonte Jehovai dhe u detyruan ta pranonin se ai ishte i fuqishëm. (Dalja 12:31) Po kështu, kur Krishti të veprojë si Ekzekutuesi i caktuar nga Perëndia, të ligjtë do të detyrohen ‘ta shohin’ ose ta kuptojnë se atë po e përdor Perëndia për t’i gjykuar. Do ta dinë këtë, sepse njerëzit do të jenë paralajmëruar që më përpara. Po, ‘Jezuin do ta shohë çdo sy. Të gjitha fiset e tokës do të godasin gjoksin me hidhërim, për shkak të tij’.—Zbulesa 1:7.
Përpara se të rivendoset në tokë paqja e vërtetë dhe begatia, është thelbësore që të zhduken të ligjtë dhe të hiqet çdo sundim i lig. Këtë do ta bëjë Krishti. Më pas, ai do të marrë plotësisht nën kontroll të gjitha çështjet e tokës dhe do të ndodhin ndryshime të rëndësishme.
Një rivendosje që do të sjellë dobi
Apostulli Pjetër foli për ‘rivendosjen e të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë’. (Veprat 3:21) Kjo rivendosje përfshin shndërrimin që do t’i bëhet tokës gjatë sundimit të Krishtit. Ndër profetët nëpërmjet të cilëve Perëndia foli për ‘rivendosjen e të gjitha gjërave’ në tokë, ishte edhe profeti Isaia, që jetoi në shekullin e tetë p.e.s. Ai paratha se Jezu Krishti, ‘Princi i Paqes’, do të rivendoste paqen në tokë. Në lidhje me sundimin e Krishtit, profecia e Isaisë thotë: «Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.» (Isaia 9:6, 7) Jezui do t’i mësojë njerëzit në tokë që të jetojnë në paqe. Ata që do të banojnë në tokë «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund».—Psalmi 37:11.
Çfarë do të ndodhë me varfërinë dhe urinë, nën sundimin e Krishtit? Isaia tha: «Në këtë mal, Jehovai i ushtrive do të shtrojë për të gjithë popujt një gosti me gjellë plot yndyrë, një gosti me verë që është lënë të kullojë, me gjellë plot yndyrë e plot palcë, me verë që është lënë të kullojë dhe është filtruar.» (Isaia 25:6) Psalmisti këndoi: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Për më tepër, në lidhje me banorët e tokës thuhet: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.»—Isaia 65:21, 22.
Isaia paratha fundin e sëmundjeve dhe të vdekjes. Perëndia tha nëpërmjet tij: «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.» (Isaia 35:5, 6) Atëherë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8.
Ç’të themi për të vdekurit që janë «në varre»? (Gjoni 5:28, 29) Isaia profetizoi: «Të vdekurit e tu do të jetojnë. . . . Do të çohen.» (Isaia 26:19) Po, ata që janë në gjumin e vdekjes do të kthehen prapë në jetë!
«Perëndia është në jetë të jetëve froni yt»
Ardhja e Krishtit do të çojë në ripërtëritjen e plotë të planetit Tokë. Toka do të shndërrohet në një parajsë madhështore dhe njerëzimi do të bashkohet në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. A mund të jemi të sigurt se Jezu Krishti do t’ia dalë mbanë që të heqë ligësinë nga toka dhe që të sjellë kushte të mira?
Mendo për burimin e fuqisë dhe të autoritetit që i është dhënë Jezuit. Në Bibël thuhet kështu për Birin: «Perëndia është në jetë të jetëve froni yt, dhe skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie. Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.» (Hebrenjve 1:8, 9) Froni i Jezuit, domethënë pozita ose autoriteti i tij, e ka burimin te Jehovai. Perëndia e ka themeluar këtë fron dhe ia ka dhënë Jezuit. Prandaj asnjë problem nuk do të jetë tepër i vështirë për Jezuin.
Pasi u ringjall, Jezui u tha dishepujve: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) «Engjëjt, autoritetet dhe fuqitë iu nënshtruan atij»,—thuhet te 1 Pjetrit 3:22. Asnjë fuqi ose autoritet nuk do të arrijë t’i kundërvihet me sukses Jezuit. Asgjë nuk mund ta pengojë atë që t’i sjellë dobi të përhershme njerëzimit.
Si ndikon te njerëzit ardhja e Krishtit?
Në letrën drejtuar selanikasve, apostulli Pavël shkroi: «Mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë tuaj falë shpresës që keni në Zotërinë tonë Jezu Krisht, para Perëndisë dhe Atit tonë.» (1 Selanikasve 1:3) Pavli e lidhi mundin e frytshëm dhe qëndrueshmërinë me shpresën te Jezu Krishti. Kjo shpresë përfshin besimin te ardhja e Krishtit dhe te rivendosja që do të arrihet falë saj. Një shpresë e tillë i mbështet të krishterët e vërtetë ose dhe i ndihmon të ecin përpara, pavarësisht nga rrethanat e vështira.
Të marrim shembullin e Karlosit i cili jeton në San-Paulo të Brazilit. Në gusht të vitit 2003 Karlosi mori vesh se ishte me kancer. Që nga ajo kohë, ka bërë tetë operacione që i kanë sjellë efekte anësore të dhembshme e ligështuese. Megjithatë ka vazhduar të jetë burim inkurajimi për të tjerët. Për shembull, teksa predikonte në rrugën përballë një spitali të madh, ai takoi një tjetër Dëshmitare të Jehovait, burri i së cilës po bënte kimioterapi. Ngaqë i kishte përjetuar vetë pasojat dërrmuese të kancerit, Karlosi mundi t’u jepte zemër e ngushëllim si burrit, ashtu edhe gruas. Më pas, ata thanë se biseda me të ua kishte ngritur moralin. Kështu Karlosi përjetoi sa të vërteta janë fjalët e Pavlit: «[Perëndia] na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne.»—2 Korintasve 1:4, Simon Filipaj.
Çfarë e ndihmon Karlosin të gjejë forcën që të vazhdojë t’u japë zemër të tjerëve, edhe pse vetë është i sëmurë? Shpresa për ardhjen e Krishtit dhe për gjithçka që do të realizojë ajo, e shtyn Karlosin të vazhdojë ‘të bëjë atë që është e shkëlqyer’.—Galatasve 6:9.
Kemi edhe rastin e Samuelit, të cilit ia vranë vëllanë vetëm 50 metra nga shtëpia e babait të tyre. Dhjetë plumba e bënë shoshë trupin e të vëllait. Kufoma qëndroi në trotuar për tetë orë, ndërsa policia hetonte rreth krimit. Samueli nuk mund ta harrojë çka ndodhi atë ditë. Por e mban shpresa se Krishti do ta pastrojë tokën nga çdo ligësi dhe se sundimi i drejtë që do të vijë, do të sjellë bekime për njerëzimin. Shpesh ai e përfytyron veten duke përqafuar të vëllanë e ringjallur në Parajsën në tokë.—Veprat 24:15.
Çfarë duhet të bësh?
Do të gjesh shumë ngushëllim në shpresën për ardhjen e Krishtit dhe për gjërat që do të realizojë ajo. Për të zgjidhur problemet dhe të këqijat që na mundojnë, Jezu Krishti do të shkojë deri në rrënjë të tyre.
Çfarë duhet të bësh për të gëzuar bekimet që do të derdhë me bollëk mbi njerëzimin sundimi i Krishtit? Nis një studim të kujdesshëm të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në një lutje drejtuar Atit të tij, Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Vër si synim të shqyrtosh se çfarë mëson Bibla. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të jenë të lumtur të të ndihmojnë në këtë drejtim. Të ftojmë me përzemërsi që t’i kërkosh ata ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste.
[Figurat në faqen 7]
Ardhja e Krishtit do të çojë në ripërtëritjen e plotë të tokës
[Burimi]
Fotografia e vogël, vetëm sfondi: Parku i rinoqerontëve dhe i luanëve, Gauteng, Afrika e Jugut