KAPITULLI 28
«Deri në skajin më të largët të tokës»
Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë një vepër që e nisën dishepujt e Jezu Krishtit në shekullin e parë të erës sonë
1. Cilat paralele ekzistojnë mes të krishterëve të hershëm dhe Dëshmitarëve të Jehovait sot?
JEPNIN dëshmi me zell. E pranuan me gjithë zemër ndihmën dhe drejtimin e frymës së shenjtë. Përndjekja nuk ua mbylli dot gojën. Dhe Perëndia i bekoi pa masë. Të gjitha këto vlejnë për të krishterët e hershëm, ashtu si dhe për Dëshmitarët e Jehovait sot.
2, 3. Ç’të veçantë ka libri i Veprave?
2 Natyrisht që ke marrë zemër duke lexuar tregimet besimforcuese të Veprave të Apostujve, një libër i Biblës plot me ngjarje. Ai është i pashoq, pasi është i vetmi libër i frymëzuar që flet për krishterimin e hershëm.
3 Në librin e Veprave përmenden me emër 95 veta, 32 vende, 54 qytete dhe 9 ishuj. Është një tregim emocionues që flet për njerëz të zakonshëm, fetarë fodullë, politikanë narcistë e përndjekës të egër. Mbi të gjitha, flet për vëllezërit dhe motrat e shekullit të parë, të cilët jo vetëm përballuan sfidat e zakonshme të jetës, por edhe predikuan me zell lajmin e mirë.
4. Pse i ndiejmë shumë pranë apostullin Pavël, Tabitën e dëshmitarë të tjerë besnikë të së kaluarës?
4 Kanë kaluar pothuajse 2.000 vjet që nga koha e apostujve të zellshëm Pjetër dhe Pavël, mjekut të dashur Lukë, Barnabës bujar, Stefanit të guximshëm, Tabitës zemërmirë, Lidias mikpritëse dhe të sa e sa dëshmitarëve të tjerë besnikë. Gjithsesi, i ndiejmë shumë pranë ata. Përse? Sepse kemi të njëjtin caktim që të bëjmë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Sa të bekuar jemi që bëjmë këtë vepër!
5. Nga nisën ta përmbushnin caktimin e tyre dishepujt e hershëm të Krishtit?
5 Mendo pak për caktimin që u dha Jezui dishepujve të vet. U tha: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Fillimisht, fryma e shenjtë u dha fuqi dishepujve të ishin dëshmitarë «në Jerusalem». (Vep. 1:1–8:3) Pastaj, nën drejtimin e frymës, dëshmuan «në mbarë Judenë, [dhe] në Samari». (Vep. 8:4–13:3) Më pas nisën ta çonin lajmin e mirë «deri në skajin më të largët të tokës».—Vep. 13:4–28:31.
6, 7. Çfarë përparësish kemi në shërbim, në krahasim me bashkëbesimtarët e shekullit të parë?
6 Bashkëbesimtarët tanë në shekullin e parë nuk e kishin të plotë Biblën, që ta përdornin për të dhënë dëshmi. Ungjilli sipas Mateut nuk ishte në dispozicion të paktën deri në vitin 41 të e.s. Disa nga letrat e Pavlit u shkruan para se të përfundonte libri i Veprave, rreth vitit 61 të e.s. Të krishterët judenj i kishin dëgjuar Shkrimet Hebraike ndërsa lexoheshin në sinagogë përpara se të bëheshin dishepuj të Jezuit. (2 Kor. 3:14-16) Por pjesa më e madhe e tyre nuk kishin kopje personale të Shkrimeve Hebraike dhe as shumëllojshmëri botimesh që t’ua linin të interesuarve. Prandaj në shërbim mund të citonin vetëm çfarë arrinin të kujtonin prej shkrimeve.
7 Sot, shumica prej nesh ka një Bibël dhe shumë botime të bazuara në të. Po bëjmë dishepuj duke e shpallur lajmin e mirë në 240 vende dhe në shumë gjuhë.
Marrin fuqi nga fryma e shenjtë
8, 9. (a) Ç’arritën të bënin dishepujt e Jezuit falë frymës së shenjtë? (b) Çfarë po bën skllavi besnik me ndihmën e frymës së Perëndisë?
8 Kur i caktoi dishepujt të ishin dëshmitarë, Jezui u tha: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi.» Nën drejtimin e frymës ose forcës vepruese të Perëndisë, dishepujt e Jezuit në ditët e fundit do të shërbenin si dëshmitarë në të gjithë tokën. Me anë të frymës së shenjtë, Pjetri dhe Pavli shëruan njerëz, dëbuan demonë e madje ringjallën të vdekur. Gjithsesi, fuqia që morën me anë të frymës së shenjtë, kishte një qëllim më të rëndësishëm. U dha mundësi apostujve dhe dishepujve të tjerë t’u jepnin njerëzve njohuri të saktë që çon në jetën e përhershme.—Gjoni 17:3.
9 Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepujt e Jezuit folën «gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma i bënte të flitnin». Kështu dhanë dëshmi për «gjërat madhështore të Perëndisë». (Vep. 2:1-4, 11) Ne sot nuk flasim gjuhë të ndryshme me anë të ndonjë mrekullie. Por me ndihmën e frymës së Perëndisë, skllavi besnik po prodhon literaturë të bazuar në Bibël në shumë gjuhë. Për shembull, çdo muaj shtypen miliona kopje të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Veç kësaj, siti ynë, jw.org, ofron botime dhe video të bazuara në Bibël në më shumë se 1.000 gjuhë. E gjithë kjo na jep mundësi t’ua shpallim «gjërat madhështore të Perëndisë» njerëzve nga të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët.—Zbul. 7:9.
10. Çfarë është bërë për përkthimin e Biblës që nga viti 1989?
10 Që nga viti 1989 skllavi besnik i ka kushtuar vëmendje të veçantë përkthimit në shumë gjuhë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Kjo Bibël tashmë është përkthyer në mbi 200 gjuhë, janë shtypur me dhjetëra milionë kopje e po shtypen shumë të tjera. Vetëm Perëndia dhe fryma e tij mund t’i bënin të suksesshme këto përpjekje.
11. Çfarë është bërë për përkthimin e botimeve tona?
11 Përkthimi bëhet nga mijëra vullnetarë të krishterë në mbi 150 vende. Kjo s’duhet të na habitë, sepse asnjë organizatë tjetër në tokë nuk drejtohet nga fryma e shenjtë ‘për të dhënë dëshmi të plotë’ në mbarë botën për Perëndinë Jehova, Mbretin e tij mesianik dhe Mbretërinë e vendosur në qiell.—Vep. 28:23.
12. Si arritën ta kryenin veprën e predikimit Pavli dhe të krishterët e tjerë?
12 Kur Pavli u dha dëshmi judenjve dhe jojudenjve në Antiokinë e Pisidisë, «ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë». (Vep. 13:48) Në fund të librit të Veprave, Luka shkruan se Pavli ishte ‘duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë me liri të plotë fjale e pa asnjë pengesë’. (Vep. 28:31) Ku po predikonte apostulli? Në Romë, në kryeqytetin e një fuqie botërore! Qoftë nëpërmjet fjalimeve, qoftë me mënyra të tjera, dishepujt e hershëm të Jezuit e kryen veprën e predikimit me ndihmën dhe drejtimin e frymës së shenjtë.
Ngulmojnë pavarësisht nga përndjekja
13. Pse duhet të lutemi kur na përndjekin?
13 Kur hasën përndjekje, dishepujt e hershëm iu përgjëruan Jehovait t’u jepte guxim. Rezultati? U mbushën me frymë të shenjtë dhe morën fuqi ta thoshin plot guxim fjalën e Perëndisë. (Vep. 4:18-31) Edhe ne lutemi për mençuri e forcë që të vazhdojmë të predikojmë, pavarësisht nga përndjekja. (Jak. 1:2-8) Falë bekimit të Perëndisë dhe ndihmës së frymës së tij ngulmojmë në shërbim të Mbretërisë. Asgjë s’mund ta ndalë veprën e dhënies së dëshmisë, as kundërshtimi i fortë e as përndjekja brutale. Kur na përndjekin, sigurisht që duhet të lutemi për frymën e shenjtë dhe për mençuri e guxim që të shpallim lajmin e mirë.—Luka 11:13.
14, 15. (a) Ç’ndodhi si pasojë e ‘përndjekjes që nisi me Stefanin’? (b) Si arritën të merrnin të vërtetën shumë njerëz në Siberi, në kohën tonë?
14 Stefani dha dëshmi plot guxim para se ta vritnin armiqtë. (Vep. 6:5; 7:54-60) Gjatë ‘përndjekjes së madhe’ që pasoi, të gjithë dishepujt, përveç apostujve, u shpërndanë nëpër Jude e Samari. Por kjo nuk e ndali veprën e dhënies së dëshmisë. Filipi shkoi në Samari që «të predikonte për Krishtin» dhe pati rezultate të shkëlqyera. (Vep. 8:1-8, 14, 15, 25) Për më tepër, na thuhet: «Ata që ishin shpërndarë nga përndjekja që nisi me Stefanin, shkuan deri në Feniki, Qipro dhe Antioki, por u predikuan vetëm judenjve. Megjithatë, midis tyre kishte disa njerëz nga Qiproja dhe Kirena që vajtën në Antioki dhe nisën t’u shpallnin lajmin e mirë për Zotërinë Jezu atyre që flitnin greqisht.» (Vep. 11:19, 20) Në atë kohë, përndjekja çoi në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë.
15 Në kohën tonë, diçka e ngjashme ka ndodhur në ish-Bashkimin Sovjetik. Sidomos në vitet 50 të shekullit të 20-të, mijëra Dëshmitarë të Jehovait u internuan në Siberi. Ngaqë i shpërndanë nëpër kampe të ndryshme, lajmi i mirë u përhap gjithnjë e më tepër në atë vend të paanë. Ishte e pamundur që kaq shumë Dëshmitarë t’i gjenin paratë për të bërë një udhëtim deri në 10.000 kilometra që të shpallnin lajmin e mirë! Mirëpo, vetë qeveria i dërgoi anembanë vendit. Një vëlla tha: «Në fakt, vetë autoritetet u dhanë mundësi mijëra njerëzve të sinqertë në Siberi që të njihnin të vërtetën.»
Të bekuar pa masë nga Jehovai
16, 17. Ç’prova të bekimit të Jehovait mbi veprën e dhënies së dëshmisë na jep libri i Veprave?
16 S’kishte asnjë dyshim se Jehovai po i bekonte të krishterët e hershëm. Pavli dhe të tjerë mbollën e ujitën, ‘por Perëndia vazhdoi të rriste’. (1 Kor. 3:5, 6) Raportet në librin e Veprave për rritjen e numrit të dishepujve, japin prova se Jehovai e bekoi veprën e dhënies së dëshmisë. Për shembull, «fjala e Perëndisë vazhdonte të përhapej, dhe numri i dishepujve në Jerusalem shtohej jashtëzakonisht shumë». (Vep. 6:7) Me përhapjen e veprës së dëshmisë, «në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë, kongregacioni hyri vërtet në një periudhë paqeje dhe forcohej. E ngaqë e nderonte thellësisht Jehovain dhe merrte zemër nga fryma e shenjtë, po rritej gjithnjë e më shumë në numër.»—Vep. 9:31.
17 Në Antiokinë e Sirisë, si judenjtë, edhe ata që flitnin greqisht e dëgjuan të vërtetën nga dëshmitarë të guximshëm. Tregimi thotë: «Dora e Jehovait ishte me ta [dëshmitarët e guximshëm], e një numër i madh njerëzish besuan dhe u kthyen te Zotëria.» (Vep. 11:21) Për përparimin e mëtejshëm në atë qytet lexojmë: «Fjala e Jehovait përhapej, dhe gjithnjë e më shumë njerëz besonin.» (Vep. 12:24) Gjithashtu, falë dëshmisë së plotë që Pavli e të tjerë u dhanë jojudenjve, ‘fjala e Jehovait vazhdoi të përhapej e të triumfonte’.—Vep. 19:20.
18, 19. (a) Pse jemi të sigurt se «dora e Jehovait» është me ne? (b) Jep një shembull që tregon se Jehovai e mbështet popullin e tij.
18 Nuk diskutohet që «dora e Jehovait» është edhe me ne sot. Ja përse kaq shumë veta po bëhen besimtarë, po i kushtohen Perëndisë dhe po pagëzohen. Për më tepër, vetëm falë ndihmës dhe bekimit të tij arrijmë të durojmë kundërshtimin e nganjëherë edhe përndjekjen e ashpër, e të kryejmë me sukses shërbimin, siç bënë Pavli dhe të krishterët e tjerë të hershëm. (Vep. 14:19-21) Perëndia Jehova është gjithnjë pranë nesh për të na ndihmuar. Me «krahët e tij të përjetshëm» do të na mbështetë vazhdimisht në çdo sprovë. (Ligj. 33:27) Veç kësaj, s’duhet të harrojmë se, për hir të emrit të tij të madh, Jehovai nuk e braktis kurrë popullin e tij.—1 Sam. 12:22; Psal. 94:14.
19 Ja një shembull: gjatë Luftës II Botërore, ngaqë vëlla Haralt Apti predikonte, nazistët e dërguan në kampin e përqendrimit të Zaksenhauzenit. Në maj të vitit 1942, Gestapoja shkoi në shtëpinë e së shoqes, Elsës, dhe i mori vajzën e vogël. Elsën e arrestuan dhe e dërguan në kampe të ndryshme. Ajo tha: «Nga vitet që kalova në kampet gjermane të përqendrimit nxora një mësim të jashtëzakonshëm: sa shumë mund të të forcojë fryma e Jehovait kur je në sprova ekstreme! Para se të arrestohesha kisha lexuar letrën e një motre që thoshte se, kur jemi nën një sprovë të rëndë, fryma e Jehovait bën që të na pushtojë një ndjenjë paqeje. Mendova se po e tepronte pak. Por, kur kalova vetë sprova, e kuptova se ajo që kishte thënë, ishte e vërtetë. Ndodh vërtet kështu. Është e vështirë ta besosh nëse nuk e ke provuar. Por mua më ndodhi vërtet.»
Vazhdo të japësh dëshmi të plotë!
20. Ç’bëri Pavli ndërsa ishte në arrest shtëpie dhe si mund t’i inkurajojë kjo disa vëllezër e motra?
20 Libri i Veprave mbyllet me Pavlin që «predikonte për Mbretërinë e Perëndisë» me zell. (Vep. 28:31) Duke qenë në arrest shtëpie në Romë, nuk ishte i lirë të predikonte shtëpi më shtëpi. Gjithsesi, vazhdoi t’u jepte dëshmi të gjithë atyre që shkonin ta takonin. Sot, disa vëllezër e motra të shtrenjtë janë të ngujuar në shtëpi, ndoshta dergjen në shtrat ose jetojnë në azile për shkak të moshës së shkuar a sëmundjeve. Megjithatë, dashuria e tyre për Perëndinë dhe dëshira që të japin dëshmi, janë më të forta se kurrë. Lutemi për ta dhe mund t’i kërkojmë Atit tonë qiellor t’u japë mundësi të takojnë njerëz që mezi presin të mësojnë për të e për qëllimet e tij të mrekullueshme.
21. Pse duhet të japim dëshmi me një ndjenjë urgjence?
21 Shumica prej nesh mund të dalë shtëpi më shtëpi dhe të marrë pjesë në forma të ndryshme shërbimi. Prandaj secili le të bëjë gjithë sa ka në dorë që të përmbushë rolin si lajmëtar i Mbretërisë, duke dhënë dëshmi «deri në skajin më të largët të tokës». Kjo vepër duhet bërë me një ndjenjë urgjence, sepse «shenja» e pranisë së Krishtit tashmë duket qartë. (Mat. 24:3-14) Koha nuk pret. Tani kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1 Kor. 15:58.
22. Për çfarë duhet të jemi të vendosur ndërsa presim ditën e Jehovait?
22 Ndërsa presim «të vijë dita e madhe e Jehovait që ngjall frikë plot nderim», le të jemi të vendosur të japim gjithnjë dëshmi me guxim e besnikëri. (Joe. 2:31) Ende mund të gjejmë shumë njerëz si bereasit, që «e pranuan fjalën me etje të madhe». (Vep. 17:10, 11) Prandaj, le të japim dëshmi derisa, si të thuash, të dëgjojmë fjalët: «Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik!» (Mat. 25:23) Nëse marrim pjesë me zell në veprën e bërjes së dishepujve dhe i qëndrojmë besnikë Jehovait, do të gëzojmë gjatë gjithë përjetësisë për privilegjin që kemi pasur, ‘të jepnim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë!