KAPITULLI 5
«Duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran»
Me qëndrimin që mbajtën, apostujt krijuan një precedent për të gjithë të krishterët e vërtetë
Bazuar te Veprat 5:12–6:7
1-3. (a) Pse i kishin nxjerrë apostujt para Sinedrit dhe cila ishte në thelb çështja? (b) Pse na intereson qëndrimi i apostujve?
GJYKATËSIT e Sinedrit vlonin nga zemërimi. Në këtë gjykatë të lartë po shqyrtohej rasti i apostujve të Jezuit. Për ç’arsye? «Ne ju urdhëruam prerazi të mos mësoni më në këtë emër»,—u tha me ashpërsi Jozef Kajafa, kryeprifti dhe drejtuesi i Sinedrit. Ashtu i zemëruar siç ishte, ai nuk arrinte as ta shqiptonte emrin e Jezuit. «Mirëpo ju e mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni medoemos që gjaku i atij njeriu të bjerë mbi ne»,—vazhdoi Kajafa. (Vep. 5:28) Mesazhi ishte i qartë: mos predikoni më, përndryshe . . . !
2 Si do të reagonin apostujt? Caktimin për të predikuar ua kishte dhënë Jezui, i cili e kishte marrë autoritetin nga Perëndia. (Mat. 28:18-20) A do t’i dorëzoheshin frikës së njeriut e ta mbyllnin gojën? Apo do të kishin guximin të qëndronin të patundur e të vazhdonin të predikonin? Në thelb çështja ishte: kujt do t’i bindeshin, Perëndisë apo njerëzve? Pa ngurruar, Pjetri foli në emër të të gjithë apostujve. Fjalët e tij ishin të qarta e të guximshme.
3 Ne si të krishterë të vërtetë na intereson shumë të dimë si reaguan apostujt ndaj kërcënimeve të Sinedrit, pasi kemi të njëjtin caktim predikimi. Teksa përmbushim këtë caktim nga Perëndia, edhe ne mund të hasim kundërshtime. (Mat. 10:22) Kundërshtarët mund të përpiqen të na e kufizojnë ose ndalojnë veprën. Si do të veprojmë në këto raste? Mund të mësojmë duke shqyrtuar qëndrimin që mbajtën apostujt dhe rrethanat që çuan deri në gjyqin para Sinedrit.a
«Engjëlli i Jehovait hapi dyert» (Veprat 5:12-21a)
4, 5. Pse ‘u mbushën me smirë’ Kajafa dhe saducenjtë?
4 Sill ndër mend se herën e parë kur i urdhëruan të mos predikonin më, Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.» (Vep. 4:20) Pas atij ballafaqimi me Sinedrin, Pjetri, Gjoni dhe apostujt e tjerë vazhduan të predikonin në tempull. Ata bënin shenja të mëdha, duke shëruar të sëmurë e duke dëbuar demonë. Këto i bënin «në Kolonadën e Solomonit», një portik i mbuluar, në anën lindore të tempullit, ku mblidheshin shumë judenj. Madje, edhe hija e Pjetrit shëronte njerëz! Një pjesë e mirë e atyre që u shëruan, pranuan lajmin e mirë. Rrjedhimisht, «një numër i madh burrash e grash u shtoheshin besimtarëve në Zotërinë».—Vep. 5:12-15.
5 Kajafa dhe saducenjtë, sekti fetar të cilit ai i përkiste, ‘u mbushën me smirë’, prandaj i futën në burg apostujt. (Vep. 5:17, 18) Pse ishin aq të acaruar? Apostujt po u mësonin njerëzve se Jezui ishte ringjallur, kurse saducenjtë nuk besonin te ringjallja. Apostujt thoshin se një njeri mund të shpëtojë vetëm po të tregojë besim te Jezui, kurse saducenjtë kishin frikë nga reagimi i Romës, nëse njerëzit do ta quanin Jezuin Udhëheqës të tyre. (Gjoni 11:48) Nuk habitemi aspak që saducenjtë ishin të vendosur t’ua mbyllnin gojën apostujve.
6. Cilët janë sot nxitësit kryesorë të përndjekjeve kundër shërbëtorëve të Jehovait dhe përse s’duhet të na çuditë kjo?
6 Edhe sot, nxitësit kryesorë të përndjekjeve kundër shërbëtorëve të Jehovait janë kundërshtarët fetarë. Shpesh ata përpiqen të përdorin influencën e tyre ndaj autoriteteve qeveritare dhe mediave, që të pengojnë veprën tonë të predikimit. A duhet të na çuditë kjo? Jo. Mesazhi ynë ia nxjerr të palarat sheshit fesë së rreme. Duke pranuar të vërtetat e Biblës, njerëzit me zemër të ndershme çlirohen nga bindjet dhe praktikat që bien ndesh me Shkrimet. (Gjoni 8:32) A është për t’u çuditur që mesazhi ynë shpesh i mbush me urrejtje e smirë udhëheqësit fetarë?
7, 8. Ç’ndikim duhet të ketë pasur tek apostujt urdhri i engjëllit dhe cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
7 Ulur në burg duke pritur gjyqin, apostujt mbase pyetnin veten nëse së shpejti do të vdisnin si martirë në duart e armiqve. (Mat. 24:9) Por gjatë natës ndodhi diçka krejt e papritur: «Engjëlli i Jehovait hapi dyert e burgut.»b (Vep. 5:19) Pastaj u dha një udhëzim specifik, që ‘të shkonin në tempull e të vazhdonin t’i thoshin popullit të gjitha fjalët e jetës’. (Vep. 5:20) Patjetër që ky urdhër i siguroi apostujt se deri në atë moment kishin vepruar drejt. Fjalët e engjëllit mund t’i kenë forcuar edhe të qëndronin të patundur, çfarëdo që të ndodhte. Me besim të fortë e me guxim, apostujt «hynë në tempull sapo zbardhi dita dhe filluan të mësonin».—Vep. 5:21.
8 Secili nga ne duhet të pyesë veten: «A do të kisha edhe unë po aq besim e guxim sa të vazhdoja të predikoja në rrethana të tilla?» Marrim forcë kur dimë se vepra jetësore ‘e dhënies së dëshmisë së plotë për Mbretërinë e Perëndisë’ ka mbështetjen dhe drejtimin e engjëjve.—Vep. 28:23; Zbul. 14:6, 7.
«Duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve» (Veprat 5:21b-33)
9-11. Si iu përgjigjën apostujt urdhrit të Sinedrit që të mos predikonin më, dhe ç’precedent krijuan për të krishterët e vërtetë?
9 Tani Kajafa dhe gjykatësit e tjerë të Sinedrit ishin gati të dënonin apostujt. Pa e ditur ç’kishte ndodhur në burg, ata dërguan rojat e tempullit të merrnin të burgosurit. Përfytyro habinë e rojave kur vunë re se të burgosurit nuk ishin aty, edhe pse burgun e gjetën «të kyçur e të siguruar dhe rojat në këmbë te dyert». (Vep. 5:23) Pas pak, kapiteni i rojave të tempullit mori vesh se apostujt ishin kthyer atje e po jepnin dëshmi për Jezu Krishtin, paçka se për këtë gjë ishin burgosur. Kapiteni bashkë me rojat shkuan menjëherë në tempull që të merrnin të burgosurit e t’i çonin para Sinedrit.
10 Siç u përshkrua në fillim të kapitullit, udhëheqësit fetarë të tërbuar ua bënë të qartë apostujve se s’duhej të predikonin më. Si reaguan ata? Si përfaqësues i grupit, Pjetri u përgjigj me guxim: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.» (Vep. 5:29) Me këtë apostujt krijuan një precedent për të krishterët e vërtetë të çdo epoke. Sundimtarët njerëzorë e humbasin të drejtën të pretendojnë bindje nga ne, kur ndalojnë diçka që Perëndia e kërkon ose kur kërkojnë diçka që Perëndia e ndalon. Pra, edhe sot, sadoqë ‘autoritetet më të larta’ mund ta ndalojnë veprën tonë të predikimit, ne s’rrimë dot pa e përmbushur caktimin që na ka dhënë Perëndia për të predikuar lajmin e mirë. (Rom. 13:1) Përkundrazi, me maturi vazhdojmë të japim dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë.
11 Siç pritej, përgjigjja e guximshme e apostujve ndezi furinë e gjykatësve të acaruar. Ata ishin të vendosur «t’i vritnin» apostujt. (Vep. 5:33) Për këta dëshmitarë të guximshëm e të zellshëm, vdekja si martirë dukej e pashmangshme. Mirëpo ndihma do të vinte në një mënyrë fare të pazakontë.
«Ju nuk do t’i jepni dot fund» (Veprat 5:34-42)
12, 13. (a) Ç’këshillë u dha Gamalieli kolegëve të vet dhe ç’bënë ata? (b) Si mund të ndërhyjë sot Jehovai për popullin e tij, dhe për çfarë mund të jemi të sigurt nëse ai lejon ‘të vuajmë për hir të drejtësisë’?
12 Në mbrojtje të tyre foli Gamalieli, një «mësues i Ligjit, i vlerësuar nga tërë populli».c Ky ekspert i Ligjit duhet të ketë qenë shumë i respektuar nga kolegët, sepse ndërhyri dhe «urdhëroi t’i nxirrnin jashtë apostujt për pak kohë». (Vep. 5:34) Pasi përmendi shembuj të së kaluarës për kryengritje që u shuan shpejt pas vdekjes së udhëheqësve të tyre, Gamalieli e nxiti gjykatën të ishte e duruar dhe tolerante me apostujt, Udhëheqësi i të cilëve, Jezui, s’kishte shumë që kishte vdekur. Arsyetimi i tij ishte bindës: «Mos u përzieni me këta njerëz, por lërini rehat. Faktikisht, nëse ky plan ose kjo vepër është nga njerëzit, do të dështojë, por, nëse është nga Perëndia, ju nuk do t’i jepni dot fund. Në të kundërt, mund të gjendeni duke luftuar kundër vetë Perëndisë.» (Vep. 5:38, 39) Gjykatësit e tjerë ia dëgjuan këshillën. Po gjithsesi, i rrahën apostujt dhe i urdhëruan «të mos flitnin më në emër të Jezuit».—Vep. 5:40.
13 Edhe sot Jehovai mund të bëjë që njerëz të shquar si Gamalieli, të ndërhyjnë për të mbrojtur popullin e Tij. (Prov. 21:1) Jehovai mund të përdorë frymën e tij që të shtyjë sundimtarë të fuqishëm, gjykatës ose ligjvënës, të veprojnë sipas vullnetit të tij. (Neh. 2:4-8) Por edhe sikur të lejojë ‘të vuajmë për hir të drejtësisë’, mund të jemi të sigurt për dy gjëra. (1 Pjet. 3:14) Së pari, Perëndia mund të na japë forcën që të qëndrojmë. (1 Kor. 10:13) Së dyti, kundërshtarët ‘nuk do t’i japin dot fund’ veprës së Perëndisë.—Isa. 54:17.
14, 15. (a) Si reaguan apostujt ndaj rrahjeve dhe përse? (b) Trego një përvojë se si shërbëtorët e Jehovait durojnë me gëzim.
14 A u shkurajuan apostujt për shkak të rrahjeve dhe a iu lëkund vendosmëria? Kurrsesi! Ata «ikën nga Sinedri të gëzuar». (Vep. 5:41) Pse ishin «të gëzuar»? Natyrisht, jo nga dhembjet që u shkaktuan rrahjet. Ishin të gëzuar sepse e dinin se ishin përndjekur ngaqë mbanin integritetin ndaj Jehovait dhe ndiqnin gjurmët e Modelit të tyre, Jezuit.—Mat. 5:11, 12.
15 Sikurse vëllezërit tanë në shekullin e parë, edhe ne durojmë me gëzim kur vuajmë për hir të lajmit të mirë. (1 Pjet. 4:12-14) Kjo nuk do të thotë se na pëlqen të na kërcënojnë, përndjekin ose burgosin. Përkundrazi, provojmë kënaqësi të thellë duke mbajtur integritetin. Për shembull, mendo për Henrik Dornikun, i cili duroi për vite të tëra trajtimin e egër të regjimeve totalitare. Atij i kujtohet se në gusht të vitit 1944, autoritetet vendosën ta dërgonin bashkë me të vëllanë në një kamp përqendrimi. Kundërshtarët thanë: «S’ia del dot t’i bindësh të kthejnë rrugë. Martirizimi atyre u sjell gëzim.» Vëlla Dorniku shpjegon: «Nuk është se doja të isha martir, por përballimi i vuajtjeve me guxim dhe dinjitet për t’i qëndruar besnik Jehovait, më sillte gëzim.»—Jak. 1:2-4.
16. Si treguan apostujt se ishin të vendosur të jepnin dëshmi të plotë dhe si e ndjekim ne këtë metodë predikimi?
16 Apostujt s’humbën kohë, por rifilluan menjëherë veprën e predikimit. Pa frikë vazhduan «çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi» veprën e ‘shpalljes pareshtur të lajmit të mirë për Krishtin’.d (Vep. 5:42) Ata predikues të zellshëm ishin të vendosur të jepnin dëshmi të plotë. Siç e sheh, ata e çuan mesazhin në shtëpitë e njerëzve, siç i kishte udhëzuar Jezu Krishti. (Mat. 10:7, 11-14) Kështu ia kishin dalë ta mbushnin Jerusalemin me mësimin e tyre. Sot Dëshmitarët e Jehovait njihen si ata që ndjekin metodën e predikimit të apostujve. Duke predikuar në çdo shtëpi të territorit tonë, tregojmë qartë se edhe ne duam të japim dëshmi të plotë e t’u japim mundësi të gjithëve ta dëgjojnë lajmin e mirë. A na ka bekuar Jehovai në shërbimin shtëpi më shtëpi? Patjetër që po. Miliona veta i janë përgjigjur mesazhit të Mbretërisë në këtë kohë të fundit, dhe shumë nga këta e kanë dëgjuar për herë të parë lajmin e mirë kur u ka trokitur në derë një Dëshmitar.
Burra të kualifikuar që të kujdesen për një «detyrë të nevojshme» (Veprat 6:1-6)
17-19. Cila situatë gati sa nuk shkaktoi përçarje, dhe ç’udhëzim dhanë apostujt për ta zgjidhur?
17 Në këtë pikë, kongregacioni i ri hasi një rrezik tinëzar nga brenda. Ç’rrezik? Shumë nga dishepujt që po pagëzoheshin, kishin ardhur në Jerusalem si vizitorë dhe donin të mësonin më tepër para se të ktheheshin në shtëpi. Dishepujt që jetonin në Jerusalem dhuruan vullnetarisht fonde që të plotësonin nevojat për ushqim e për gjëra të tjera. (Vep. 2:44-46; 4:34-37) Mirëpo kjo krijoi një situatë delikate. Vejushat që flitnin greqisht «liheshin pas dore kur bëhej shpërndarja e përditshme e ushqimit». (Vep. 6:1) Por vejushat që flitnin hebraisht nuk liheshin pas dore. Pra, me sa duket, problemi kishte të bënte me diskriminimin. Pak probleme mund të shkaktojnë më tepër përçarje se ky.
18 Apostujt, të cilët shërbenin si trupi udhëheqës i kongregacionit që po zgjerohej, kuptuan se nuk do të ishte e mençur ‘të linin fjalën e Perëndisë për të shpërndarë ushqim’. (Vep. 6:2) Si zgjidhje, ata i udhëzuan dishepujt të kërkonin 7 burra «plot frymë dhe mençuri», që apostujt t’i emëronin në këtë «detyrë të nevojshme». (Vep. 6:3) Duheshin burra të kualifikuar sepse, me sa duket, nuk do të merreshin vetëm me shpërndarjen e ushqimit, por do të kishin pará nëpër duar, do të merrnin furnizime e do të mbanin regjistrime të sakta. Burrat që u zgjodhën, kishin emra grekë, e kjo ndoshta ua bëri më të lehtë vejushave të lënduara t’u besonin. Pasi u menduan mirë për rekomandimet dhe pasi u lutën, apostujt i emëruan 7 burrat që të kujdeseshin për këtë «detyrë të nevojshme».e
19 Meqë këta 7 burra do të kujdeseshin për shpërndarjen e ushqimit, a do të thoshte kjo se nuk kishin më përgjegjësinë të predikonin lajmin e mirë? Absolutisht jo! Ndër ata që u zgjodhën, ishte edhe Stefani, i cili do të shquhej si predikues i zellshëm e i guximshëm. (Vep. 6:8-10) Edhe Filipi ishte një nga të shtatët, dhe atë e quanin ‘ungjillëzuesi’. (Vep. 21:8) Pra, është e qartë se këta 7 burra vazhduan të ishin predikues të zellshëm të Mbretërisë.
20. Si e ndjekin shërbëtorët e Perëndisë modelin që lanë apostujt?
20 Sot populli i Jehovait ndjek modelin që lanë apostujt. Burrat që rekomandohen për përgjegjësi në kongregacion, duhet të shfaqin mençuri nga lart dhe të japin prova se fryma e shenjtë po vepron tek ata. Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, burrat që plotësojnë kriteret e Biblës për të shërbyer si pleq ose shërbëtorë kongregacioni, emërohen si të tillë.f (1 Tim. 3:1-9, 12, 13) Për ata që plotësojnë këto kritere, mund të thuhet se janë emëruar nga fryma e shenjtë. Këta burra të palodhur kujdesen për shumë detyra të nevojshme. Për shembull, pleqtë mund të organizojnë ndihmë praktike për të moshuarit besnikë që janë vërtet në nevojë. (Jak. 1:27) Disa pleq janë mjaft të përfshirë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, në organizimin e kongreseve ose në Komitetin e Lidhjes me Spitalet. Shërbëtorët e kongregacionit kujdesen për shumë detyra që nuk lidhen drejtpërdrejt me kullotjen e kopesë ose me mësimdhënien. Të gjithë këta burra të kualifikuar duhet t’i ekuilibrojnë përgjegjësitë në kongregacion e në organizatë, me caktimin e dhënë nga Perëndia për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë.—1 Kor. 9:16.
«Fjala e Perëndisë vazhdonte të përhapej» (Veprat 6:7)
21, 22. Nga duket se Jehovai e bekoi kongregacionin e sapoformuar?
21 Me mbështetjen e Jehovait, kongregacioni i sapoformuar i mbijetoi përndjekjes së kundërshtarëve dhe një problemi që mund të kishte shkaktuar përçarje. Dukej qartë se kongregacioni kishte bekimin e Jehovait, pasi na thuhet: «Fjala e Perëndisë vazhdonte të përhapej, dhe numri i dishepujve në Jerusalem shtohej jashtëzakonisht shumë. Besimin e pranuan edhe një numër i madh priftërinjsh.» (Vep. 6:7) Ky s’është veçse një nga raportet për përparimin e veprës që gjejmë në librin e Veprave. (Vep. 9:31; 12:24; 16:5; 19:20; 28:31) Patjetër që edhe ne sot marrim zemër kur dëgjojmë raporte për përparimin e veprës së predikimit të Mbretërisë në pjesë të tjera të botës.
22 Por le të kthehemi në shekullin e parë të e.s. Udhëheqësit fetarë të tërbuar s’kishin ndër mend të dorëzoheshin. Së shpejti do të niste një valë përndjekjeje. S’kaloi shumë dhe kundërshtarët e egërsuar vunë në shënjestër Stefanin, siç do ta shohim në kapitullin vijues.
a Shih kutinë «Sinedri, gjykata e lartë e judenjve».
b Kjo është hera e parë që engjëjt përmenden drejtpërdrejt në librin e Veprave, ku gjithsej ka rreth 20 referime specifike. Më përpara, te Veprat 1:10, jepet një referim i tërthortë për ta, ku përshkruhen si «burra me rroba të bardha».
c Shih kutinë «Gamalieli, i vlerësuar ndër rabinët».
d Shih kutinë «Predikimi ‘shtëpi më shtëpi’».
e Këta burra mund të kenë plotësuar kërkesat kryesore për pleqtë, pasi kujdesja për këtë «detyrë të nevojshme» ishte përgjegjësi serioze. Gjithsesi, Shkrimet nuk e tregojnë me saktësi se kur nisën të emëroheshin pleq ose mbikëqyrës burrat në kongregacionin e krishterë.
f Në shekullin e parë, disa burra të kualifikuar ishin autorizuar për të emëruar pleq. (Vep. 14:23; 1 Tim. 5:22; Titit 1:5) Sot, Trupi Udhëheqës emëron mbikëqyrës qarkorë, të cilët kanë përgjegjësinë të emërojnë pleq dhe shërbëtorë kongregacioni.